Në Shqipëri mbrojtja e fëmijëve dhe adoleshentëve në hapësirën dixhitale ka marrë një tjetër përmasë pas vrasjes së një 14 vjeçari nga bashkëmoshatari i tij në nëntor të vitit të kaluar. Kjo ngjarje e rëndë nxiti një debat të gjerë publik mbi parandalimin e çdo forme dhune, veçanërisht të asaj në rrjetet sociale. Prindër, fëmijë dhe drejtues të institucioneve shtetërore dhe organizatave jo qeveritare i thanë Zërit të Amerikës se dhuna në rrjete sociale mes të miturve është rritur ndjeshëm në vitin 20024, duke nxjerrë në plan të parë nevojën për një bashkërendim të gjerë të përpjekeve në shqoqëri, familje dhe shkollë, për parandalimin e saj.
Në Shqipëri gjatë vitit të kaluar sipas të dhënave të para, që Ministria e Arsimit ndau me Zërin e Amerikës, mbi 2 mijë raste dhune janë raportuar dhe parandaluar, ku dominon ajo fizike me 34.7%, bullizmi me 26% ndjekur nga dhuna psikologjike me 25.5%. Por gjatë konsultimeve me afro 63 mijë prindër autoritetet kanë konstatuar se kjo dhunë te të miturit nis më së shumti në rrjetet sociale. Ndaj dhe masat janë fokusuar përveç fuqizimit të sigurisë fizike, të rrjetit psikosocial apo ndërgjegjësimit të prindërve, edhe tek ato për sigurinë dixhitale në kuadër të një plani të ri veprimi për fuqizimin e sigurisë në shkolla.
“Janë projekte përtej Ministrisë së Arsimit. Përveç kufizimit të përdorimit të tik-tokut, një prej tyre, do të jetë projekti smart city. Është një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për të vendosur kamera inteligjente në disa qytete të Shqipërisë, që përfshin dhe shkollat. Janë kamera të cilat skanojnë risqet që mund të vijnë nga jashtë, përdorimin e armëve të ftohta apo çdo element tjetër me rrezikshmëri. Ndërkaq për herë të parë ne do të pilotojmë krijimin e qendrave dixhitale të përpunimit të informacionit në shkolla. Është një rol i ri, me studentë të gazetarisë të specializuar në formimin e tyre akademik për mënyrën se si përpunohet informaconi që vjen nga rrjetet sociale, si nxitet agresiviteti dhe bullizmi online apo si mund të kuptohet lajmi i rremë. Këta studentë do të jenë të dedikuar dhe do të merren me trajnimin e mësuesve në shkollat tona” – tha për Zërin e Amerikës Gerti Janaqi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar.
Qendra për të Drejtat e Fëmijëve i tha Zërit të Amerikës se në platformën e saj i Sigurt.al gjatë vitit 2024 u raportuan mbi 400 raste të bullizmit kibernetik dhe gjuhës së urrejtjes ose 3 herë më shumë se një vit më parë. Drejtuesi i kësaj qendre Altin Hazizaj veçon se roli i prindërve sa i takon sigurisë dixhitale të fëmijëve është i rëndësishëm./K.K