Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përgëzuar presidentin e sapo betuar të SHBA-ve, Donald Trump për mandatin e tij të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Me anë të një postimi në rrjetin social “X”, ai theksoi rëndësinë e arritjes së një paqeje afatgjatë mes Rusisë dhe Ukrainës me ndihmën e Donald Trump.
Zelenksy theksoi se pret që të punojnë së bashku me administratën e Trump për të siguruar që ky të jetë një shekull i suksesshëm për demokracitë.
“Përgëzoj Presidentin Trump dhe popullin amerikan për inaugurimin e Presidentit të 47-të të Shteteve të Bashkuara. Sot është një ditë ndryshimi dhe gjithashtu një ditë shprese për zgjidhjen e shumë problemeve, përfshirë sfidat globale.
Presidenti Trump është gjithmonë vendimtar dhe paqja përmes politikës së forcës që ai shpalli ofron një mundësi për të forcuar udhëheqjen amerikane dhe për të arritur një paqe afatgjatë dhe të drejtë, e cila është prioriteti kryesor.
Ky shekull po formohet pikërisht tani dhe ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për të siguruar që ai të jetë një shekull i madh dhe i suksesshëm për demokracitë, jo për ata që duan që ne të dështojmë. Ju urojmë suksese President Trump! Ne presim një bashkëpunim aktiv dhe reciprokisht të dobishëm. Ne jemi më të fortë së bashku dhe mund të ofrojmë siguri, stabilitet dhe rritje ekonomike më të madhe për botën dhe dy kombet tona”, shkruan Zelensky./ S,M