Deputeti socialist, Erion Braçe ka reaguar pas lajmeve se “u tërbua” dje në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për shkak se nuk do të jetë në listën e sigurt të PS-së për zgjedhjet e 11 Majit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Braçe thotë se nuk ka luftuar për karrige, por për njerëzit dhe në këtë rast, konkretisht për bujqësinë.
“Unë i tërbuar për listën? Shqetësimi im nuk ka qenë kurrë vetja, unë, karriera, karrigia ime, po ka qenë puna ime si shërbim ndaj njerëzve për vite me radhë. Fshati, bujqësia, populli i fshatit e bujqësisë, puna e tyre, prodhimi i tyre, ekonomia e tyre dhe ekonomia e vendit ku ajo është pjesë jetike. Ky është tërbimi im dhe arsyeja e tij. Mbi të gjitha kur më gënjejnë”, shprehet socialisti.
Pas takimeve me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, kryesocialisti Edi Rama iu drejtua mbledhjes së grupit të PS, ku u bëri të qartë të tijve se me zgjedhjet e ardhshme do të ketë një reformim të grupit të PS. Asnjë deputet, qoftë burrë apo grua, që ka fituar qoftë edhe një mandat nën siglën e PS, nuk do të ketë vend në listën e sigurt të socialistëve.
Pra, i gjithë grupi i PS do të ‘hidhet’ në listën e hapur me qëllimin e vetëm për të maksimalizuar rezultatin, sipas Ramës për të marrë rezultatin më historik. Listat e hapura do t’i lihen figurave të reja politike. E nëse ndonjë prej ligjvënësve të PS ka pakënaqësi për këto ndryshime brenda radhëve të tyre, Rama u tha se nëse s’duan të garojnë në listë të hapur, mund t’ia bëjnë me dije drejtuesve politikë të qarqeve.
“E para, cilado/cildio prej jush që nuk pranon të jetë në listën e hapur duhet t’ia bëjë me dije drejtuesit politik. Parimi themelor i listës së re, do jetë asnjë deputet në gjininë mashkullore që ka marrë qoftë dhe një mandat nga PS, nuk do jetë në listën e mbyllur. E drejta e kujtdo, që për arsye të ndryshme nuk dëshiron të jetë në listë të hapur ta thotë, por ta thotë para. Sepse parimisht luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë nga votuesit dhe nga PS. Në listë të hapur do ketë plot të rinj e të reja”, u shpreh Rama./ S,M