Edmond Shallvari: Si e gjeta rrugën në tregun letrar të Greqisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shkruaj e botoj në shqipe, qysh pas ardhjes sime në Greqi e tani që po flasim. Tentoj dhe provoj vetë edhe në greqishte, por sa për qejfin tim. Nuk pretendoj të arrij të bëj në greqisht atë që kam bërë e bëj shumë mirë në gjuhën shqipe.

Nga Leonard Veizi

Tanimë i përket dhe botës greke, megjithëse shqiptar mbetet gjithsesi. Prej vitesh rreket të bëjë me alfabetin helen atë çfarë bën lehtësisht e rrjedhshëm me alfabetin latin. Dhe së fundi ka arritur të ketë botime veç gjuhës bazë edhe në një gjuhë tjetër. I lindur në Korçë dhe rezident në Selanik, Edmond Shallvari, poet e prozator së bashku, vjen në këtë intervistë për gazetën “Fjala”, duke treguar vështirësitë e momentit dhe ato që kanë kaluar tashmë për një njeri dhe shkrimtar gjithashtu.

-Edhe pse është në përfundim e sipër, gjithsesi ishin dy muaj karantinë. Si i kaluat këto ditë?

Nëse karantinën mund ta quaj si një gjendje ngujimi brenda njërës pjesë të përmasës së kohë-hapësirës të jetës së njeriut, unë pata fatin të jetoja pjesën tjetër të kësaj përmase, që ishte dhe vazhdon të jetë ajo jashtë karantinës. Dhe kjo sepse nuk u ndërpre puna. Por ndërsa puna nuk u ndërpre, ndryshuan shumë relacionet e mia me mjedisin, lëvizjet dhe njerëzit. Jetova pra karantinën jashtë karantinës dhe kjo është një përvojë e veçantë, që do më ndjekë dhe ndikojë jo pak në jetë dhe krijimtari.

-A ka qenë frymëzuese për ju një situatë e tillë?

Frymëzimi ndodh që të lindet dhe nga diçka e padukshme, e pazhurmshme dhe e paprekur nga njerëzit, por që për mua shfaqet në shpirt e fantazi njëlloj si e dukshmja. E tillë ishte kjo situatë, sa e dukshme, aq dhe e padukshme, sa e zhurmshme, aq dhe e pazhurmshme, sa e prekshme, aq dhe e paprekshme. Me fjalë të tjera, sa reale aq dhe ireale, sa e vërtetë, aq dhe absurde. Është e pamundur që kjo gjendje kaq e ndryshme nga e mëparshmja, mos ngacmojë e frymëzojë njeriun në përgjithësi dhe atë të artit letrar në veçanti. As vetë nuk di si u radhitën fjalët në vargje dhe vargjet formësuan disa poezi, si u radhitën fjalët në fraza dhe frazat formësuan disa shkrime të shkurtra prozaike dhe në formë refleksionesh apo përsiatjesh. Por di të them se nuk kishte maskë, dorashka dhe karantinë, që të më shpëtonte nga efektet e koronovirusit. Këto efekte në gjuhën tonë quhen frymëzim apo muzë.

-Çfarë ka ofruar Selaniku, apo ndryshe Thessaloniki, në një situatë të tillë?

Atë që rrallë apo asnjëherë nuk na është ofruar më parë. Një dualitet të kundërtash nga të cilat determinohej fati i jetës sonë. Qyteti mori pamjen e dy muajve të verës kur boshatiset nga makinat dhe njerëzit. Por ato dy muaj janë muaj pushimesh, argëtimesh, banjash në det dhe kush mbetet në qytet i kënaqet qetësisë së bukur. E njëjta qetësi në kushtet e karantinës e humbi bukurinë e saj. Sado e bukur qoftë natyra, sado i bukur të jetë qyteti, kur jeta njerëzore vihet në rrezik dhe atë rrezik e jeton në çdo çast të ditës e natës, asgjë e bukur nuk të hyn në sy. Megjithatë kjo gjendje qetësie e frikshme kishte dhe efektin pozitiv në shpresën dhe besimin e njerëzve se vetëm kështu mund ta shmangim rrezikun për jetën. Dhe Thessaloniki na e ofroi këtë besim e shpresë.

Lexo edhe :  Dorëheqja e Enver Hoxhës në 1954/ Boriçi: E detyroi Hrushovi! Moska e akuzonte për...

-A mund të përbëjë ky precedent (pra ditët në karantinë) një motiv që në të ardhmen të kemi krijimtari rreth saj?

Siç thashë më lart, jetova karantinën jashtë karantinës dhe kjo për mua është dyfish ngacmim, premisë e motiv për ta hedhur në letër.

-Krijimtaria juaj, cili është raporti i botimeve në gjuhën shqipe dhe në atë greke?

Nuk bëj raporte botimesh as brenda një gjuhe, as mes dy gjuhëve. Shkruaj e botoj në shqip, qysh pas ardhjes sime në Greqi e tani që po flasim. Tentoj dhe provoj vetë edhe në greqisht, por sa për qejfin tim. Nuk pretendoj të arrij të bëj në greqisht atë që kam bërë e bëj shumë mirë në gjuhën shqipe. Prandaj i besoj vetëm përkthyesit dhe bashkëpunimit me të. Falë këtij bashkëpunimi me përkthyesin e njohur Niko Anagnosti, arrita të bëj realitet ëndrrën time për përkthimin dhe botimin e romanit të parë në gjuhën greke. Kurse për librin me poezi  ishte një bashkëpunim krejt i veçantë me poetin e njohur grek Ilias Tsehos, mosnjohës i shqipes. Ai i bëri poezitë e shkruara nga unë në greqisht, të flasin bukur greqisht. Them që ai bëri një përkthim dhe përshtatje të mrekullueshme nga greqishtja në greqisht. Gjithashtu aktivizohem në faqe letrare greke dhe është viti i katërt radhazi që poezia ime përfshihet dhe botohet tek Kalendarët letrarë e artistikë në Greqi.

-Cila ka qenë primare në ditët e izolimit, leximi apo krijimtaria?

Duke mos qenë në izolim shtëpiak, por në lëvizje nga shtëpia e anasjelltas, nuk pata ndonjë ndryshim në relacionin me penën dhe librat. Leximet më tepër u përqendruan internetit për lajmet, njoftimet dhe shkrimet e ndryshme për situatën, deri në ato me fantazira dhe jashtëtokësorë, kurse nga librat po përmend vetëm romanin “Frika” të mikut të penës Fatmir Minguli. Pjesa tjetër e kohës së lirë, që për mua ishte dhe është tepër e kufizuar, u kalua me vargëzime dhe proza të shkurtra.

Biografia letrare e Edmond Shallvarit

Poeti dhe shkrimtari shqiptaro-grek Edmond Shallvari është lindur në Korçë, në 30 korrik 1957.

Ka kryer studimet universitare në Fakultetin Ekonomik, i diplomuar në vitin 1982.

Ngjarjet tragjike të 1997-s e detyrojnë të largohet familjarisht për në Thessaloniki të Greqisë.

Vepra letrare e botuar në Shqipëri:

-Libri me shkrime e kujtime, “E megjithatë…jetojmë! (2006)

Librat me poezi:

Diku…Dikë…Dikush… (2008)

Ç’u bëmë kështu!  (2008)

Mos e ndiqni hijen!  (2009)

Më foli heshtja   (2010)

Absurditet apo…  (2014)

Librat në prozë

Romani “Facebook-koobecaF”   (2012)

Romani “Njëmbëdhjetë ditët e rrëfimit, plus Një”   (2015)

Romani “Unaza e diamantë”   (2016)

Romani alternative “Unë dhe MY ALTER EGO”   (2017)

Libri me tregime “Edeni tjetër”   (2017)

Romani “Në urbanin e fantazive. Dhanai dhe Orfea”   (2019)

Libri me tregime dhe shkrime psikoanalitike, “Misteri i një lajmi” (2019)

Vepra letrare e botuar në Greqi:

Romani “Tο καστρο των σκιων” (Kështjella e hijeve)   2016

Libri me poezi “Με το βλέμμα του Ομήρου” (Me vështrim të Omerit)  2018

Të fundit

Cilat janë shkaqet e lëvizjes së pavetëdijshme në gjumë, somnabulizmi?

Somnambulizmi, ose ecja në gjumë, është një çrregullim që ndodh kur individët lëvizin ose ecin gjatë fazave më të...

Florian Marku arrestohet sërish, këtë herë në Angli!

Telashet për boksierin shqiptar, Florian Marku nuk kanë të mbaruar. Vetëm disa ditë pasi u lirua në Gjermani, sportisti shqiptar është arrestuar sërish, por...

A rrezikojmë izolimin nga virusi i “ri”? Alimehmeti apel qytetarëve: Shkakton sëmundje

“Virusi i ri, a rrezikojmë izolimin”, kjo ishte tema e emisionit në një studio televizive. Mjeku Epidemiolog Ilir Alimehmeti i ftuar në studio tha se...

Gjithë natën me 5 persona, zbardhet dëshmia e 21-vjeçares që alarmoi Tiranën

Forcat speciale të RENEA-s ndërhynë në një apartament në një pallat në Astir, aty ku këtë të enjte u ngujua një vajzë e moshës...

Përshpejton plakjen dhe rrit kolesterolin, ky është mishi më i keq për shëndetin tuaj

Është e vështirë për shumë njerëz të imagjinojnë një vakt pa mish, por duhet të mendojmë ta konsumojmë më rrallë, sepse ngrënia e tepërt...

Lajme të tjera

Web TV