Ish shërbyesi besnik i princeshë Dajanës bën zbulimin interesant pasi ka publikuar një letër, dhe pas saj një histori, të panjohur.
Në këtë letër, princesha e ndjerë rrëfen se si Nënë Tereza e Klalkutës i ka ndryshuar jetën krejtësisht dhe i dha asaj një peshë totalisht ndryshe shpirtërore. 60 vjeçari, Paul Burrell ka postuar në Instagram një foto të letrës, që princesha ja ka dërguar njeriut që e konsideronte shumë të afërt, shkruar në vitin 1992 teksa qëndronte në shtëpinë e Nënë Terezës në Kalkuta.
Princesha ka qëndruar në shtëpinë e saj gjatë një vizite zyrtare me princin Charles në Indi ,por nuk arriti ta takojë murgeshën e përkushtuar. Dokumentat thonë se pavarësisht kësaj, kuvendi ku Nënë Tereza qëndronte dhe vetë shenjtorja, kanë ndryshuar botëkuptimin shpirtëror të princeshës. Edhe pse nuk u takuan në Kalkuta, Dajana dhe Nënë Tereza krijuan marrëdhënie të ngushta e patën komunikim të vazhdueshëm, deri sa u takuan në Nju Jork në vitin 1995.
Në letër ajo shkruante: “Sot diçka e thellë më preku në shpirt. Isha në shtëpinë e Nënë Terezës dhe gjeta drejtimin që kërkoja gjatë gjithë këtyre viteve. Motrat më kënduan kur mbërrita këtu, ishte një eksperiencë e thellë shpirtërore dhe më zbuloi një dimension të ri” shkruan Dajana.
Burrell, sot 60 vjeç, i ka shërbyer fillimisht mbretëreshës dhe për 10 vjet, derisa vdiq ishte në shërbim të princeshë Dajanës. Vizita në Indi ishte e fundit e Dajanës dhe Princit Charles si çift, pasi një vit më vonë ata u ndanë, pavarësisht se divorci u finalizua në 1996.
Princesha ndërroi jetë më 31 gusht të vitit 1997 dhe vetëm 5 ditë pas saj, për koincidencë u nda nga jeta edhe Nënë Tereza, në moshën 87 vjeçare./Burimi: Daily Mail