Intervistë/ Idriz Batha: Tiranës ia rrezikon titullin vetëm Tirana

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Idriz Batha ka thënë se sipas tij marrjen e titullit këtë sezon skuadrës së Tiranës ia rrezikon vetëm vetja, nëse do të neglizhojë ndeshjet që e presin përpara.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, 28-vjeçari theksoi se ringritja e Tiranës u realizua pasi të gjithë e donin dhe e besonin që do e arrinin atë gjë, por më tej theksoi se ndikim të madh ka pasur edhe vendosja në krye të stolit e trajnerit Emmanuel Egbo, i cili sipas Bathës nga vitet që ka në klub arriti të gjente mënyrën më të mirë se si mund të luante ekipi në fushë.

I pyetur nëse do të rikthehej ndonjëherë te Partizani, mesfushori nuk e përjashtoi si mundësi, duke theksuar se është profesionist dhe se gjithmonë do të bëjë zgjedhjen më të mirë për veten dhe familjen e tij.

Lojtari i Tiranës tha ndër të tjera se Superioria nuk ka “as Messi as Ronaldo”, megjithatë theksoi se aty ka lojtarë të mirë dhe ai do donte të ishte në një skuadër me më të mirët edhe nëse ato do të ishin nga ekipi i Partizanit, do të donte t’i kishte te Tirana dhe të luanin bashkë për ngjyrat bardh e blu të kryeqytetit.

Ndërsa i pyetur për lojtarët brenda klubit bardheblu, 28-vjeçari u shpreh se të gjithë janë shumë të mirë, por më i mirë është i gjithë grupi bashkë.

Mesfushori bardheblu theksoi ndër të tjera se futbolli duhet të rikthehet dhe thekson se sipas tij ndoshta mund të jetë kura më e mirë ndaj koronavirusit.

Si e ke kaluar periudhën e karantinës, na trego pak si je stërvitur dhe çfarë ke bërë në pjesën tjetër të kohës së lirë?

Këtë periudhë e kam kaluar pak a shumë si të gjithë njerëzit e tjerë, duke kaluar pjesën më të madhe të kohës në shtëpi dhe sa i përket stërvitjes jam munduar të vrapoj individualisht me programe që i marrim nga trajnerët tanë.

A është prekur Tirana nga kriza e koronavirusi, pra kanë qenë korrekte me pagat këto dy muaj?

E rëndësishme është që nuk u infektua njeri, pastaj përsa i përket anës financiare nuk kemi probleme jemi në rregull.

Çfarë ndikoi te ekipi i Tiranës që arriti të ringrihej aq fuqishëm?

Nuk di të them se çfarë ndikoi, por di që të gjithë besonin që do riktheheshim dhe që asnjë më shumë se ne nuk e meritonte të ishte në atë pozicion.

Kemi parë një performancë, mund të themi të shkëlqyer nga Tirana para ndërprerjes së kampionatit a mendon se skuadra do jetë në të njëjtën formë kur të rikthehen ndeshjet?

Sigurisht që ndërprerja do të ndikojë te të gjithë ekipet, ritmi nuk do të jetë i njëjti sepse ishte një kohë shumë e gjatë pushimi, por që të shpresojmë të futemi në ritmin e garës sa më shpejtë.

Me cilën nga skuadrat që ke luajtur deri tani mund të thuash se ke kaluar më mirë, e ke gjetur më shumë veten dhe pse?

Me të gjitha skuadrat që kam luajtur kam pasur një performancë të mirë, mendoj dhe shpresoj që performanca të vijë duke u rritur çdo vit e më shumë dhe në fundin e karrierës ndoshta mund të bëj zgjedhjen e duhur për këtë pyetje.

Në derbin e fundit shënove dy gola shumë të rëndësishëm për fitoren e Tiranës, si e përjetove?

Të them të drejtën ndjenja më e bukur për një futbollist është shënimi i golit, pak rëndësi ka kundër kujt shënon, por kur tifozeria është më e madhe në numër sigurisht që bukuria e golit rritet akoma më shumë.

Lexo edhe :  Pjerin Ndreu: Nuk jam i sigurt nëse lojtarët tanë do lënë shpirtin në fushë me Serbinë

Pate kritika të shumta për festimet e këtyre golave, si i përgjigjesh personave që e quajtën të gabuar atë veprim?

Çdo gjë që bën një njeri do të kritikohet, kështu që nuk kam pse të jap llogari dhe nuk kam pse t’i përgjigjem askujt.

Nëse në të ardhmen do kishe një propozim të parefuzueshëm nga klubi i Partizanit, do pranoje të riktheheshe?

Ne jemi profesionistë, në këtë punë bëjmë zgjedhjen që na duket më e mirë për ne dhe për familjen tonë.

Duke parë lojën e skuadrës së Tiranës dhe atë të lojtarëve të Partizanit, a ka ndonjë emër nga rivalët tuaj, që do doje ta kishe në ekip? A është ndonjë nga djemtë e Partizanit i nevojshëm te Tirana për ta çuar në nivele me të larta akoma?

Sigurisht që kam qejf të luaj me më të mirët në ekip dhe sigurisht që te Partizani ka lojtarë shumë të mirë në përbërje.

Cili ekip mendon se ia rrezikon më shumë titullin kampion Tiranës këtë sezon, pra kë sheh si rrezik më të madh dhe pse?

Ekipi që i rrezikon më shumë titullin Tiranës është vetë Tirana, në rast se ne nuk i shikojmë këto 10 ndeshje si finale atëherë do jetë gabimi më i madh që mund të bëjmë.

Kush mendon se është lojtari më i mirë i Superiores, ( një emër)?

Në Superiore nuk ka as Messi as Ronaldo, por që sigurisht ka lojtarë të mirë që janë aty-aty me njëri-tjetrin, por që nuk mund të veçoj dikë si më të mirin.

Nëse do zgjidhje të luaje në një kampionat e skuadër jashtë Shqipërisë, cilët do ishin ato dhe pse?

Thjesht do doja të provoja veten në një kampionat më të fortë se ky i yni pak rëndësi ka shteti apo skuadra.

A ka momentalisht ndonjë emër të huaj që është i interesuar për kalimin tënd te ta? Nëse po cili?

Çdo fund sezoni fillojnë thashethemet në futboll edhe këtë vit e njëjta gjë, përderisa asgjë nuk është serioze ka vetëm llafe deri tani, asgjë më shumë.

Mund të na flasësh pak për marrëdhënien me trajnerin Egbo  dhe sa mendon se ka ndikuar ai te rezultatet e Tiranës?

Me profesor Egbon marrëdhëniet janë shumë normale dhe e kemi shprehur që ndoshta profesori ka ndikuar për mirë, duke qenë se ka kaq shumë vite te Tirana dhe ai e di ndoshta më mirë se të gjithë mënyrën si duhet të punojë Tirana dhe faktet i japin të drejtë.

A je dakord për rinisjen e kampionatit, nuk mendon se është e rrezikshme duke parë se vende si Franca e Belgjika i anuluan?

Nuk mendoj që është e rrezikshme të luash futboll më shumë se sa të shkosh në market. Futbolli shpresoj të jetë ilaçi kundër këtij virusi sepse me futbollin jetojmë të gjithë.

Brenda Tiranës kë sheh si lojtarin më të mirë të dhe cilin më të dobët?

Tirana armën më të fortë ka grupin këtë vit dhe nuk mund të veçoj dikë, janë të gjithë të fortë dhe asnjë i dobët.

Një sugjerim apo këshillë që do doje të jepje në lidhje me situatën e krijuar nga Covid-19.

Këshilla? Punë Punë Punë

/Nga Katerina Tafa/ Gazeta Fjala/

Të fundit

Gazetarët “masakrojnë” Stojkovic pas ndeshjes me Shqipërinë: Gjeni një trajner të ri

Serbia vinte në Tiranë me stofin e një ekipi favorit, por në fushë, të besuarit e Stojkovic shfaqën një...

Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja?/ Me sa blihen dhe shiten dollari dhe euro

Sot, më 8 qershor 2025, dollari amerikan, blihet me 84.8 lekë dhe shitet me 86.2 lekë. Euro, blihet me 97 lekë dhe shitet 98.2 lekë. Franga...

Parashikimi i motit 8 Qershor 2025, temperatura deri në 38°C

Ditën e sotme vendi ynë, do të vijojë të mbetet nën ndikimin e motit të kthjellët deri vonë pasdite, kur priten kalime vranësirash të...

Finalistët e çmimit të fotografisë Olive Cotton 2025

Çmimet Olive Cotton shënuan 20-vjetorin e tyre me stil, me një numër rekord aplikimesh dhe një çmim të madh prej 20,000 dollarësh. Galeria Rajonale...

Dy burra dhe një spektakël

Enver Robelli 288 milionë dollarë. Kaq para ia ka dhuruar Elon Musk ish-presidentit Donald Trump për ta bërë sërish president. Më 3 nëntor 2024 Musk kishte arsye...

Lajme të tjera

Web TV