Një SMS foli qartë: PD nuk do rrotacion, por shpikjen e makinerisë së kohës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pas disfatës turpëruese të 11 majit, deputeti demokrat Eno Bozdo dha një intervistë të drejtpërdrejtë për një televizion.

Me lotë në sy, ai kërkoi leje të lexonte një mesazh nga një i afërm i tij, simpatizant i Partisë Demokratike. “Kam marrë mesazhin më të bukur që kam marrë prej kohësh. Më thotë ‘Eno, mos u mërzit! Të kujtohet sa të bukura dhe emocionuese ishin vitet ’90-’91? Kemi shumë nevojë t’i përjetojmë edhe një herë’. Unë besoj se mesazhi është shumë i qartë”.

Mesazhi qe vërtet emocionues, por pikërisht ky mesazh tregon problemin themelor të Partisë Demokratike.

Duket sikur zoti Bozdo dhe deputetët e tjerë demokratë jetojnë ende në vitet ’90. Mendojnë se frymëzimi i “çlirimit” të Shqipërisë nga e majta është mjeti i vetëm për të vizualizuar rrotacionin politik te populli. Gabim! Demokratët nuk jetojnë në vitin 2025, kur qytetarët shqiptarë nuk ngopen thjesht me emocione, por me vepra dhe me vizion.

Kur sheh disa emisione të gazetarit Blendi Fevziu, kupton gjithashtu se me sa mall e nostalgji flasin ish-studentët e dhjetorit, bashkë me Fevziun, për ato vite kur populli shqiptar shpresonte deri në naivitet se e djathta do të bënte ndryshimin e madh. Ish-studentët refuzojnë dëshpërimisht të kuptojnë se Partia e Punës nuk është më “djalli” në sytë e shqiptarëve. Kanë kaluar tri dekada e gjysmë. Po jetojmë në një epokë tjetër.

Partia Demokratike duket sikur mjaftohet vetëm duke ngrohur zemrat e militantëve. Kënaqet me pak, vetizolohet dhe krijon një kapsulë e cila mbështjell vetëm ata që jetojnë ende me nostalgjinë e viteve ’90, kur shqiptarët mbushnin sheshet plot. Po, vërtet i mbushnin plot, por sepse ishin me ëndrrat e fillimit, derisa kuptuan se asgjë dhe askush nuk ndryshon thjesht duke ëndërruar.

Demokratët vetizolohen dhe mjaftohen me 500 mijë militantët e tyre (vota inercie), sepse vazhdojnë të përmendin të njëjtat terma të shekullit të kaluar: “komunizmi”, “regjimi”, “bijtë e etërve”, “komunistët”, “nipërit e Enverit”, “Partia e Punës”, etj.

Lexo edhe :  Rama: Franca do të përfshihet në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë

Me ligjërimin publik të demokratëve kupton se ata janë aq të dëshpëruar dhe të prapambetur, saqë, më shumë sesa rrotacionin e vitit 2025, kërkojnë shpikjen e makinerisë së kohës që të rikthehen në vitin 1991. Atëherë ishin heronj, por harrojnë se shqiptarët nuk votuan pro tyre. Votuan thjesht kundër epokës së errët që kaluan për 45 vite.

“T’i rrëzojmë komunistët!” apo “Të rikthejmë demokracinë!” nuk janë thirrje që funksionojnë sot. Nëse PD do të marrë pushtetin, duhet të mendojë për elektoratin gri. Asnjë parti nuk e merr dot pushtetin pa u rritur. Që të rritesh, duhet të tërheqësh votuesit neutralë, të rinjtë, profesionistët e lirë dhe çdo të pakënaqur socialist.

PD nuk e bën këtë. Më 11 maj, mbi 110 mijë të rinj patën shansin të votonin për herë të parë. Nuk e bënë. PD nuk i motivoi. Nuk i frymëzoi. Nuk i kontaktoi. Për PD ekzistojnë vetëm militantët. Sot ka mijëra shqiptarë të cilët janë 30-38 vjeç, të cilët as që e kanë idenë se ç’është komunizmi. Cili demokrat përpiqet t’i joshë këta? Askush.

Deri ditën kur demokratët të shohin më larg se gardhi i militantëve, deri ditën kur ata të dalin jashtë kapsulës brenda së cilës thurin ëndrrat e shekullit të kaluar… nuk ka rrotacion. Demokratët duhet të bëhen më të arsyeshëm, më të sofistikuar, më strategë dhe më të hapur me shoqërinë.

Nëse sot takohesh me një demokrat dhe i thua “po sikur Saliu të japë dorëheqjen dhe PD të hapet me figura të reja?”, në rastin më të mirë do të hash një të sharë, kurse në rastin më të keq do të hash një dru kokës. Kjo është sot Partia Demokratike – 500 mijë njerëz të ngecur pas në kohë. mp

Të fundit

Jorida Tabaku gruaja më e votuar ndër deputetët/ Mbyll garën me mbi 20 mijë vota

Kandidatja e PD për deputete në listën e hapur për qarkun e Tiranës, është gruaja më e votuar ndër...

Serbia drejt finalizimit të studimit për prodhimin e energjisë bërthamore

Qeveria serbe ka njoftuar se brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti do të prezantojë një studim fizibiliteti mbi energjinë bërthamore në Serbi, studim...

“Këto ishin zgjedhjet më të pisëta të zhvilluara ndonjëherë”

Pano Soko, një nga kandidatët për deputet në Koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet, i ka cilësuar zgjedhjet e 11 majit si më të pistat që...

Flutura Açka: Ju tregoj lojën e Gazment Bardhit!

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, ka folur për marrëdhënien e saj të dikurshme me Gazment Bardhin, për të cilin dikur kishte shprehur publikisht...

Aksident me vdekje në Tiranë, 15-vjeçari përplas të moshuarin

Specialistët e qarkullimit rrugor bënë arrestimin e shtetasit të mitur 15 vjeç, pasi në Yrshek, ditën e sotme, rreth orës 14:40, dyshohet se duke...

Lajme të tjera

Web TV