Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i parashtroi SPAK-ut tetë “udhëzime” të qeverisë sesi duhet të hetojë, vendosë për masat e sigurisë dhe zbusë dënimet duke përdorur “marrëveshje për pranimin e fajësisë”. A po tentohet të mbahet nën kontroll SPAK? Reagon Dumani: “Rekomandimet nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkret që justifikon nevojën për ndërhyrje”.
Kur kanë mbetur ende pak vota për tu numëruar dhe kryeministri Rama siguroi pa mund mandatin e katërt me 83 deputetë, nuk është humbur kohë duke nisur “kontrollin” e institucioneve, veçanërisht të SPAK. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja lëshoi “tetë urdhëresa” të dala nga Këshilli i Ministrave si “Rekomandime për vitin 2025 ndaj prokurorrive në vend”, ku përfshihen disa pika në tërësi pa shumë vlerë, por njëra prej tyre është thelbi. Në pikën e parë thuhet: “Kërkohet respektimi strikt i të drejtave procedurale të të pandehurve dhe viktimave, shmangia e vonesave të pajustifikuara në hetime dhe përdorimi proporcional i masave të sigurimit”, një pikë e cila lidhet drejtëpërdrejtë me masat “arrest me burg” të kërkuara nga SPAK dhe miratuar nga Gjykata Speciale për disa raste konkrete, përfshi edhe kryebashkiakun Erion Veliaj. Më tej në të njëtën pikë, qeveria nëpërmjet ministrit Manja “sugjeron” se: “Shteti i së drejtës nis nga një hetim korrekt dhe i paanshëm”. Që në këtë frazë vihet në diskutim integriteti i SPAK nga ana e qeverisë, pasi lihet të kuptohet se nuk ka pasur hetime korrekte dhe të paanshme. Po në pikën e parë, e cila është baza e “rekomandimeve qeveritare”, vjohet më tej në thelbin e propozimeve që kanë të bëjnë me një zbutje të dënimeve për çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, vepra penale të cilat hetohen nga SPAK. “Prokuroria duhet të promovojë përdorimin e procedurave të posaçme, si marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe gjykimet e shkurtuara, veçanërisht për të miturit dhe rastet ku ndëshkimi mund të jepet nëpërmjet alternativave efektive ndaj burgimit”, thuhet në rekomandim. Pikërisht kjo frazë e kamufluar për “të miturit” në fakt duket se shkon për zyrtarët e lartë të cilët pavarësisht veprave penale që dyshohet se kanë kryer të arrijnë në “marrëveshje” për dënime alternative. Shtatë pikat e tjera janë sugjerime në tërësi që nuk prekin thelbin e funksionimit të Prokurorisë Speciale, por pika kryesore është ajo e para. Kryeministri Rama i kishte elaburuar edhe më parë këto shqetësime, madje duke theksuar se nuk do të lejohej republika e prokurorëve dhe gjyqtarëve, por gjatë fushatës elektorale pati një tërheqje të plotë, madje duke dalë në mbrojtje të drejtësisë së re. Tashmë pasi zgjedhjet u mbyllën, synimi duket i qartë, çka ka detyruar edhe kreun e SPAK që të mbajë qëndrim, duke i cilësuar si rekomandime që nuk bazohen mbi fakte. “Rekomandimet nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkret që justifikon nevojën për ndërhyrje”, tha Dumani.
Paralajmërimi i Ramës
Para zgjedhjeve dhe menjëherë pas arrstimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama i dha një sinjal të qartë SPAK dhe Gjykatës së Posaçme. “…këto paraburgimet me një të rënë të lapsit dhe këto noterizimet në Gjykatën Speciale, me filozofinë që çfarë çojmë ne atje, ata vetëm e firmosin, patjetër, se ne jemi Amerika, këto nuk i pranoj më dhe s’kam për t’i pranuar më”, tha kryeministri. Dhe Rama këtë e bëri edhe fakt kur para grupit të tij parlamentar të Partisë Socialiste thirri rektorin Fatbardh Sallaku për të akuzuar edhe një herë SPAK se merr masat e sigurisë “pa gjyq”, dhe kjo ndodhi kur u lëshuan 24 urdhër arrestet për pedagogët e Universitetit Bujqësor. Madje, shefi i qeverisë u ndal gjatë muajit mars të SPAK-u dhe arrestimet, duke i kujtuar shpatën Altin Dumanit. “Shpata ishte te zyra ime, para se të isha unë, shpata ishte te zyra e atij tjetrit, deri në 1912. Drejtësia ishte komplet nën urdhrat e pushtetit politik. Altin Dumani po t’ju them unë, të gjithë e njihni. Altin Dumani ka 20 vjet prokuror, kishit dëgjuar për të? A kishit dëgjuar ndonjëherë për ndonjë ministër me pushtet që shkonte në prokurori të jepte llogari, të dënohej apo të arratisej? As ju s’keni parë, as prindërit tuaj dhe as gjyshërit” u shpreh Rama më 27 mars të këtij viti. Tashmë “përplasja” vijon pas konfirmimit të qeverisë Rama me 83 mandate. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, renditi dje rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën ndaj kriminalitetit në vitin 2025. Por drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se pavarësisht se në tërësinë e tyre janë të mirëpritura, disa prej rekomandimeve paraqesin vështirësi për t’u zbatuar nga pikëpamja praktike si pasojë e mënyrës “si janë formuluar apo konceptuar”. Dumani sqaroi se rekomandimet e qeverisë nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkretë që justifikojnë nevojën për ndërhyje.
Takimi e Qeverisë me Prokurorinë
Në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme mes përfaqësuesve të qeverisë dhe drejtuesve të sistemit të akuzës janë ndezur debate për pavarësinë e pushtetit. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, paraqiti një dokument me tetë rekomandime për sistemin e prokurorisë për vitin 2025, me qëllim për të forcuar performancën dhe përgjegjshmërinë e strukturave të hetimit. Në pamje të parë, dokumenti duket si një nismë për të mbështetur drejtësinë në sfidat e saj, por reagimet e menjëhershme nga drejtuesit e prokurorisë treguan një “përplasje”, ku secili institucion duket se ruan me ngulm territorin e vet kushtetues. Ministri Manja këmbënguli se qëllimi i qeverisë nuk është ndërhyrja, por mbështetja. “Qeveria shqiptare angazhohet për të garantuar kushte optimale që Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të vendosur. Ne qëndrojmë krah drejtësisë, jo për ta drejtuar atë, por për ta fuqizuar akoma më shumë pavarësinë e saj, që prokurorët të ndihen të lirë të bëjnë detyrën e tyre, dhe krimi të mos ndiejë më asnjë hapësirë për të vepruar.”, shkruan Manja në statusin e tij në llogarinë e Facebook. Ai theksoi se këto rekomandime nuk cenojnë pavarësinë institucionale të prokurorisë, por synojnë të rrisin transparencën, efikasitetin, përgjegjshmërinë si dhe llogaridhënie përpara publikut. “Rekomandimet tona janë të qarta: më shumë efikasitet, më shumë transparencë, më shumë përgjegjshmëri dhe mbi të gjitha, më shumë besim nga qytetarët”, shkruan Manja. Ai e përmendi disa herë se “qeveria është krah drejtësisë, por nuk synon ta drejtojë atë”. Por, pavarësisht toneve të moderuara të Manjës, kreu i SPAK, Altin Dumani, nuk e fshehu pakënaqësinë ndaj disa prej rekomandimeve. Ai theksoi mungesën e analizës statistikore, të dhënave konkrete dhe treguesve të matshëm në dokumentin e paraqitur. Sipas tij, disa rekomandime janë të paqarta dhe nuk japin udhëzime të qarta se si mund të zbatohen në praktikë, duke rrezikuar të krijojnë më shumë konfuzion sesa përmirësim real. “Pasi jemi njohur me rekomandimet nuk mund të rri pa thënë disa elementë, disa gjetje tonat. Rekomandimet nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkret që justifikon nevojën për ndërhyrje. Kjo mungesë i bën rekomandimet të duken subjektive dhe vështirë të matshme sidomos për SPAK që funksionon mbi bazën e efikasitetit, rezultateve dhe besueshmërisë publike. Rekomandimet tek një pjesë e tyre përdorin terma të përgjithshëm si hetimet proaktive, forcimi i qasjes strategjike, por nuk ofrojnë asnjë përkufizim operacional”, tha Dumani. Ai përmendi gjithashtu mungesën e burimeve dhe nevojën për një qasje të kujdesshme për çdo ndërhyrje në strukturat ekzistuese të drejtësisë, duke paralajmëruar se vendime të tilla nuk mund të merren pa një analizë të thelluar mbi efektet që sjellin në punën konkrete të prokurorëve. Në të njëjtën linjë, edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela shprehu rezerva, duke sjellë në vëmendje një nga problemet më të mprehta të sistemit, atë të mungesës së burimeve njerëzore. “Kemi mungesë 35% në organikë, çka e bën të vështirë plotësimin e rekomandimeve. Në prokurorinë dhe gjykatën tiranë sidomos është urgjente përmirësimi i infrastrukturës, pasi cilësia në ndjekjen e hetimeve lidhet me sigurimin e kushteve të punës”, tha Çela. Ai theksoi nevojën urgjente për investime në infrastrukturën e prokurorisë, veçanërisht në Tiranë, ku prokurorët punojnë në kushte të papërshtatshme dhe me mungesa të theksuara teknike. Ai nënvizoi se pa garantuar kushtet minimale për punë, çdo rekomandim mbetet në letër, dhe çdo pritshmëri për hetime cilësore është iluzion. Takimi mes qeverisë dhe drejtuesve të akuzës, edhe pse i zhvilluar në mënyrë institucionale, nxori në pah një ndarje të thellë mbi rolin dhe marrëdhëniet mes ekzekutivit dhe drejtësisë. Disa nga rekomandimet, si ajo për korrektësinë në përdorimin e masave të sigurimit apo për strukturat e reja të hetimit, janë lexuar nga drejtuesit e drejtësisë si referenca të drejtpërdrejta ndaj rasteve konkrete që kanë tronditur politikën kohët e fundit, përfshirë figura të lidhura me mazhorancën.