Leonard Veizi posaçërisht për “Fjala”: 100 vjet kryeqytet, Tirana mes prishjes dhe ndërtimeve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Çfarë ka ndodhur me urbanistikën e qytetit të Tiranës që prej vitit 1920, kur ai u shpall kryeqytet i përkohshëm. Në debatin e madh se çfarë është prishur e çfarë është ndërtuar në Tiranën e pas vitit 1920, askush nuk del dot i fituar, sado argumente të ketë, sepse raporti mes të dyjave, në të vërtetë mbetet i zhdrejtë dhe aspak i favorshëm, meqë fatkeqësisht më shumë vlerë kanë marrë prishjet sesa arnimet ‘alla shqiptarçe’ me mall importi…

…Sa për njohuri fillestare dhe enciklopedike, qyteti i Tiranës ngrihet në cepin veriperëndimor të një fushe pjellore me të njëjtin emër, në lartësinë 95 deri 125 metra mbi nivelin e detit dhe zgjatet afërsisht 14 kilometra. Ai rrethohet në lindje me malin e Dajtit, me lartësi 1612 metra mbi nivelin e detit; në veri, me malin e Krujës. Tirana nisi të zhvillohej dhe u pajis me një pazar, që do të pagëzohej me emrin Pazari i Vjetër. Në vitin 1905 pazari i vjetër i është nënshtruar një rikonstruksioni.

Arkivi zyrtar

Faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës të informon se qendra e Tiranës u konceptua si hapësirë monumentale. Për këtë qëllim u prishën Pazari i Vjetër, kisha e vjetër ortodokse, ndërtesa e Bashkisë etj.  dhe u zëvendësuan me ndërtesa të rëndësishme, të tilla si Pallati i Kulturës, hotel “Tirana”, Muzeu Historik Kombëtar, Sheshi “Skënderbej”. Të vetmet objekte historike që u morën nën mbrojtje ishin Xhamia e Et’hem Beut, Kulla e Sahatit, si dhe kompleksi i ministrive.

Pazari i Vjetër dhe Pallati i Kulturës

Arkitektë, urbanistë e inxhinierë ndërtimi kanë pasur mendime të ndryshme rreth prishjes së Pazarit të Vjetër, por ajo që triumfoi ka të bëjë me mendimin se ishte gabim prishja e tij, me urbanistikë e arkitekturë të huazuar nga Lindja e Mesme, si dhe ndërtimi mbi të njëjtin truall i Pallatit të Kulturës që ishte një filial i “Balshoi Theatre”, dhe që gjithashtu na vinte nga Lindja, por këtë herë jo nga Turqia, por nga Bashkimi Sovjetik.

Faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës na informon për më tej se “Tulla e parë e Pallatit të Kulturës, ndërtuar mbi ish-Pazarin e Vjetër, u vendos nga ish-presidenti sovjetik, Nikita Hrushov, më 3 qershor 1959”. Në fakt, Nikita Hrushov ka qenë Sekretari i Parë i KQ të PKB-së, të BRSS-së, sepse termi “president” nuk ekzistonte në vendet e kampit socialist.

Gjithsesi, në vitin 1959 nga Pazari i Vjetër oriental i Tiranës nuk mbeti më asgjë, edhe pse arkitekti Maks Velo është shprehur që, nëse ai do të rikonstruktohej, në ditët e sotme do të ishte shumë atraktiv.

Pallati i Kulturës që përmban Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Bibliotekën Kombëtare, tanimë njihet si ndërtesa më e madhe kulturore në vend, është një monument i trashëgimisë kulturore dhe u përurua më 1966.

Tirana moderne e Mbretërisë Shqiptare

Profili arkitekturor i Shqipërisë nisi ndryshimin rrënjësor në vitet 1925 e më pas, por më i dukshëm ky profil u ravijëzua në kryeqytetin Tiranë.

Arkitektura shqiptare e viteve ‘20 ishte në kushtet e një arkitekture mesjetare. Në vitin 1920 Kongresi i Lushnjës vendosi që kryeqytet të bëhej Tirana, dhe aty filloi kthesa. Filluan të bëheshin punime për rehabilitime rrugësh e ndërtesash. Rikualifikimi i qytetit kishte si kërkesë kryesore kthimin e Tiranës në një qendër urbane të vërtetë. Megjithatë, ky proces nuk preku vetëm Tiranën, por dhe qytetet e tjera kryesore të Shqipërisë.

Fuqizimi i lidhjeve me Italinë, pasi Ahmet Zogu mori pushtetin, ishte shumë i favorshëm për sa u përket ndryshimeve arkitekturore dhe inxhinierike që pësoi Shqipëria në ato vite. U çliruan fonde për zhvillim, të cilat u morën hua nga bankat italiane dhe u përdorën për rindërtimin e qyteteve. Përfituan Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra. Më pas u bënë projekte, por nuk u përfunduan në qytetet e Beratit, Sarandës dhe Elbasanit.

Gjithçka nisi pas një kërkese nga ana e qeverisë shqiptare, që italianët të merrnin në dorë planin rregullues të Tiranës. Në ato vite qeveria fashiste e Benito Musolnit do të dërgonte një nga eksponentët më aktivë të urbanistikës italiane të kohës, arkitektin Armando Brasini. Ashtu siç shprehet dhe dr. Ariola Prifti në një studim të sajin për këtë çështje, Brasini erdhi në Shqipëri në vitin 1925, me dëshirën për të projektuar një qytet monumental.

Në planin rregullues të Tiranës u përfshinë edhe arkitektët e talentuar të viteve ‘30, Florestano di Fausto dhe Gherardo Bosio. Këta i dhanë Tiranës frymën e një kryeqyteti perëndimor modern. Kontributi i arkitektëve italianë në ndërtimin e Tiranës pati një shtrirje kohore prej 20-vjetësh.

Artan Shkreli në një shkrim të tij do të vlerësonte: “Puna e Bosios në Tiranë është një akt heroik i paprecedentë; përveç planeve urbanistike, vetëm në Tiranë ai realizoi Universitetin, Akademinë e Arteve, Kolonadën me Institutin Arkeologjik, Stadiumin, Kryeministrinë, Hotel Dajtin, Pallatin e Brigadave me gjithë parkun e mobiljet unike të tij, si dhe skicoi trajtat planivolumetrike të Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar etj. Vështirë se mund të gjendet në krejt historinë e arkitekturës botërore një aktivitet më intensiv dhe realizime më të mëdha se ato që Gherardo Bosio zhvilloi në Shqipëri. Nuk do harruar se e gjithë puna e tij në Tiranë u bë vetëm për një vit e gjysmë: gusht 1939 – mars 1941”.

Hotel “Tirana” mbi tokën e kishës ortodokse

Në kushtet e tolerancës fetare dhe të rritjes së komunitetit ortodoks, më 1 shtator 1874, në Tiranë u bë i mundur ndërtimi i një kishe ortodokse brenda në qytet, pikërisht aty ku ndodhet sot hotel “Tirana”. Në vitin ’60 të shekullit XX, u vendos që pikërisht në vendin ku ndodhej Kisha e Ungjillëzimit të ndërtohej hotel “Tirana”. Në këmbim u lejua ndërtimi i një kishe të re Ungjillëzimi pranë Rrugës së Kavajës, ku ndodhet edhe sot. Por Kisha ortodokse e Ungjillëzimit u shemb për t’ia lënë vendin një ndërtimi të ri.

Hotel “Tirana” sot njihet si një ndër hotelet cilësore e më të mëdha në Shqipëri, e ka vendndodhjen në qendër të qytetit, pranë Sheshit “Skënderbej”, dhe për vite me radhë është konsideruar si simbol i kryeqytetit. I përuruar më 1979, gjatë viteve të socializmit të Shqipërisë, ndërtimi i tij zgjati 10 vjet.  Njihet për një arkitekturë imponuese të stilit socialist, dhe për 30 vite me radhë mbajti kultin e ndërtesës më të lartë të vendit.

Komiteti Ekzekutiv, hedhja në erë e godinës monumentale

I përkiste rrymës neoklasike-monumentale, gjë që përfshihej në të gjithë planin arkitekturor të hartuar nga Armando Brasini. Godina u projektua në funksion të Bashkisë së Tiranës, e cila më pas u emërtua si Komiteti Ekzekutiv i Rrethit. Deri në çastet e fundit të ekzistencën së saj ajo mbajti emërtimin që i dhanë drejtuesit komunistë.

Pa dyshim, ndër shkatërrimet më sinjifikative dhe spektakolare ka qenë dhe shembja e kësaj godine. Shpërthimi u krye në fillim të viteve ’80, me qëllim krijimin e hapësirës përpara godinës së re e të sapongritur të Muzeut Historik Kombëtar, i inaguruar më 28 tetor 1981.

Ramiz Feçorri, ish-drejtori i Përgatitjes së Trupave Xheniere ka treguar në një intervistë të dhënë për kolegun Skënder Minxhozi se si drejtoi operacionin për shembjen e godinës së ish-Komitetit Ekzekutiv. “U përdor eksploziv xhelatinoz minierash, i cili u importua nga Polonia. Me qëllim u evitua tritoli, pasi konsiderohet një eksploziv që përdoret më shumë në sipërfaqe, dhe nuk është i përshtatshëm për plasjet e kontrolluara. Në total, për shembjen e Komitetit Ekzekutiv janë përdorur 90 kg eksploziv. Eksplozivi u vendos në një metër lartësi nga sipërfaqja e tokës, në gjithë perimetrin e godinës. Thellësia e hapjes së vrimave për vendosjen e kallëpëve të eksplozivit ishte 40-50 centimetra. Kati përdhes i godinës fillonte në lartësinë 1,4 metra, kurse trashësia e mureve mbajtëse aty ishte 52 centimetra. Vrimat u hapën me motokompresor. U vendosën eksplozivët në një nivel, me gramaturë të përzgjedhur në bazë të trashësisë dhe fortësisë së murit. Skema e përdorur lejonte që shpërthimi i njëkohshëm i eksplozivëve ta priste si me thikë godinën. Godina ndodhej 50 metra larg hotel “Tiranës”, 40 metra larg monumentit të Skënderbeut dhe 60 metra larg Pallatit të Kulturës. Plasja u krye me krijimin e 12 grupeve plasëse me nga 100 kapsolla, të cilat u aktivizuan me rrymë elektrike 360 volt.” Kjo është dhe dëshmia e kolonel Ramiz Feçorrit.

Lexo edhe :  Nominimet për çmim “Oscar” 2025, publikohet lista e plotë e kandidatëve

Godina e projektuar nga italianët u shemb dhe doli në plan të parë Muzeu Historik Kombëtar, i projektuar nga arkitektët: Sokrat Mosko, Enver Faja, Nina Shehu dhe Petraq Kolevica.

“Muzeu Historik Kombëtar përcjell një shije hermetizmi e monumentaliteti tendencioz, që ishte në harmoni me shijen estetike dhe klimën e përgjithshme të regjimit të Hoxhës”, thuhet në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës.

Stadiumi Air Albania VS stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”

Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” ishte një strukturë sportive në Tiranë dhe stadiumi kombëtar i Shqipërisë. Ndërtimi i tij filloi në vitin 1939. Ai bënte pjesë në planin regullues të Tiranës që hartoi Gherardo Bosio, inxhiniero-arkitekti tjetër që erdhi në Shqipëri, pas largimit të Armando Brasini-t.

Pas një ndërprerjeje 3-vjeçare më 1943, impianti përfundoi në vitin 1946. Me emrin “Qemal Stafa”, stadiumi u inaugurua në vitin 1946 me ndeshjet e Kupës së Ballkanit. Kapaciteti i stadiumit ishte 19.700 vende.

Në vitin 2016 stadiumi u shkatërrua duke humbur njëkohësisht edhe emrin e tij e në po të njëjtin truall u ndërtua stadiumi e ri “Arena Kombëtare” apo ndryshe i pagëzuar si “Air Albania”. Përurimi i stadiumit të ri u bë në nëntor të vitit 2019.

Hotel Dajti

Hotel Dajti është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Tiranës, në qarkun e Tiranës, Shqipëri. Ky monument është i llojit “arkitekture”, i miratuar me numër “122 më 05.03.2007”. Hotel “Dajti” ka qenë një nga hotelet më të hershme dhe luksoze të qytetit të Tiranës. Godina e hotelit ndodhet në krah të majtë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. I projektuar nga arkitektët më të mëdhenj të kohës, përfshirë Gherardo Bosio-n dhe i dizajnuar në detaje nga Gio Ponti, i konsideruar si babai i dizajnit modern evropian, për shumë kohë ka qenë hoteli më modern i Ballkanit. Hotel “Dajti” është vlerësuar si një nga simbolet e turizmit shqiptar, veçanërisht përpara viteve ’90-të, ku ai ishte ndalesa kryesore e të huajve, të cilët vizitonin Shqipërinë. Ky hotel ka 85 dhoma, 124 krevate dhe ambiente për konferenca. Hotel “Dajti” është vlerësuar për arkitekturën e tij unike. Sipërfaqja e përgjithshme e territorit në të cilin është vendosur hotel “Dajti” është 8760 metra katrorë. Nga këndvështrimi historik, hotel “Dajti“ për qytetarët e Tiranës ka qenë një nga veprat më të spikatura dhe njëkohësisht më të lakmuara.

Aktualisht, Banka e Shqipërisë, që është dhe pronarja e godinës, të cilën e bleu për 30 milionë dollarë, ka nisur rikonstruksionin e ish-hotel “Dajtit”. Prej shumë vitesh një nga godinat simbol të kryeqytetit qëndroi si gërmadhë duke u degraduar vazhdimisht.

Kinema “17 nëntori”

Më 22 qershor 1926 në Tiranë u çel kinemaja e parë e mirfilltë, me pronarë shqiptarë. Ajo u quajt kinema “Nacional”, dhe ndërtimi i saj nën drejtimin e me arkitektit Skënder Luarasi, nisi në vitin 1924. Kjo ishte një ngjarje e rëndësishme në jetën kulturore të vendit.

Pas vitit 1945 u bë shtetëzimi i saj. Iu ndërrua emri nga “Nacional” në “17 nëntori”, dita e çlirimit të Tiranës. Ajo shërbeu si kinema deri në vitin 1991. Në vitet e para shërbeu edhe si sallë gjyqi. Pas vitit 1991 si pronë ajo iu kthye pronarëve të ligjshëm, por që nuk e mori kurrë atë funksion për të cilin u ndërtua. Për disa vite shërbeu si sallë bingoje, deri sa në shkurtin e vitit 2003 u prish. Kështu pushoi së funksionuari  kinemaja më e vjetër dhe me arkitekturë moderne në Shqipëri.

Në vendimin 180 të vitit 2000, kur filloi puna për hartën e monumenteve të Tiranës që mbrohen nga shteti, thuhet se nga kinema “17 Nëntori” do të ruhet vetëm fasada. Më pas këshilli bashkiak u shpreh pro prishjes së kinema “17 Nëntorit”.

Sheshi Skënderbej

Në vitin 1917, gjatë pushtimit austro-hungarez në Luftën e Parë Botërore, një hapësirë publike urbane u krijua, nga e cila lindi më vonë sheshi “Skënderbej”.

Pasi Tirana u bë kryeqytet në vitin 1920 dhe numri i banorëve të saj po rritej me shpejtësi, rezultoi në hartimin e disa planeve zhvillimore, të cilët këtë shesh e parashikonin si pikën qendrore, i cili pritet në aksin veri-jug nga qendra e Tiranës, në veri nga Bulevardin Zogu i Parë, në jug nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit.

Kthimi i Tiranës në kryeqytet të përhershëm, në vitin 1925, i dha hov shumë punimeve urbane shtetërore dhe private. Edhe sheshi i vogël ” Skëndërbej ” s’postohet dhe konfigurohet gradualisht nëpërmjet projektesh të ndryshme siç janë ato austriake të 1914 dhe 1918, plani rregullues i ing Eshref Frashërit më 1923, për të mbritur në planin rregullues të 1929 të projektuar nga arkitekti italian Françesko Brasini si dhe kompleksi i madh urban i përbërë nga Bulevardi Zogu i I-rë, kompleksi i Ministrive , nga sheshi dhe lulishtja me autor italianin Florestano De Fausti (sot Zona historike e Tiranës). Nga ndryshimet në vite kompleksi fillestar është cenuar duke i hequr ( shembur ) disa objekte ku më kryesoret përmendim godinën e vjetër të Bashkisë dhe shatërvanin e sheshit.

“Kur flasim për fjalën Shesh, menjëherë na vjen në mëndje “Sheshi Skënderbej”, i cili  është  sheshi qendror i Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Ky është sheshi më i madh i Shqipërisë me një sipërfaqe afërsisht 40000 m². Sheshi mori këtë emër në vitin 1968 kur u vendos monumenti i Skënderbeut mbi kalë, i skulptorit Odhise Paskali.  Ky shesh u konceptua fillimisht në qendrën historike të Tiranës nga mbreti Zog I në bazë të stilit arkitektonik neo-racionalist, ajo u zgjerua në vitet 1920-1930 nën diktaturën fashiste të Mbretërisë së Italisë. Më pas, në periudhën komuniste (1944-1990), u rimodelua sipas kërkesave të regjimit të atëhershëm. Ndryshimet e fundit në këtë shesh u bënë gjatë viteve 2016-2017. Sheshi rrethohet sot nga Banka Kombëtare e Shqipërisë (1936), Muzeu Historik Kombëtar (1981), Hotel Tirana International (1979), Pallati i Kulturës (1960), Kulla e Sahatit (1821), Xhamia e Ethem Beut (1823), Bashkia e Tiranës (1920), Teatri Kombëtar i Fëmijëve (1920), shkruan dr. Ariola Prifti në studimin e saj.

“Mes viteve ‘20-’30, në kuadër të planit rregullues të qytetit, arkitekti italian Florestano de Fausto, hartoi projektin e sheshit, që i dha formën e përgjithshme që ruante deri pak vite më parë. Mbi këtë plan u ndërtua lulishtja midis ministrive. Ndërkohë u planifikua vendosja e një statuje të Skënderbeut, e cila në fakt u vendos në vitin 1968. Por De Fausto ideoi dhe hapjen e sheshit para bashkisë me një shatërvan të madh rrethor në mes. Gjatë pushtimit italian arkitekti tjetër italian, Gherardo Bosio, u mor sërish me sheshin “Skënderbej”. Ai bëri disa ndërhyrje, duke menduar zmadhimin e shpejtë të qytetit, hodhi idenë e shkatërrimit të bashkisë në favor  të zmadhimit të sheshit. “Pas lufte përgjithësisht u ruajtën dhe u ndoqën linjat e planeve italiane, duke vijuar me kufizimin e sheshit në njërin krah me Pallatin e Kulturës”, shkruan mes të tjerash Artan Lame, në një shkrim të botuar prej tij.

Në shtator 2016 Bashkia Tiranë filloi rrethimin e Sheshit “Skënderbej” për të nisur punimet për rindërtimin e tij. Në qershorin e vitit 2017, pas 10 muaj punimesh, pjesë e projektit të “Rikualifikimit Urban të Sheshit Skënderbej”, hapësira në fjalë u kthye në një pedonale. Rikualifikimi i Sheshit “Skënderbej” përfshinte edhe një parkim nëntokësor.

Përgatiti për botim: Leonard Veizi – Fjala.al

Të fundit

Gjesti i jep fund polemikave: Jam treguar i kujdesshëm, nuk dua…

Gjesti, gjatë një bisede me Gertën dhe Gertin, tha se nuk dëshiron të lëndojë Eglin dhe se ka qenë...

Spahiu zbardh ‘lojën’ para zgjedhjeve: Një teatër i dy aktorëve më komikë që ka Shqipëria

Zgjedhjet e 11 Majit, fushata elektorale, aleancat politike dhe a ka marrëveshje mes partive të mëdha, duke u nisur edhe nga ajo për Kodin...

Pas telefonatës me Presidentin Trump, sauditët 600 miliardë dollarë investime në SHBA

Princi i Kurorës i Arabisë Saudite tha të enjten se Mbretëria Saudite dëshiron të investojë 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara gjatë katër...

Nominimet për çmim “Oscar” 2025, publikohet lista e plotë e kandidatëve

Akademia e Filmit ka shpallur sot nominimet për çmimet “Oscar” 2025, ku filmat si “Emilia Pérez,” “The Brutalist,” dhe “Wicked” janë ndër më të...

E rëndë në Mirditë, gjendet një trup i pajetë në lumin Fan

Një trup i pajetë është zbuluar në ujërat e lumit Fan në Mirditë, poshtë një ure në dalje të Fushë Arëzit. Policia ka mbërritur në...

Lajme të tjera

Web TV