Deri tani numri i dorëshkrimeve të ardhura në adresë të Qendrës Kombëtare të Librit dhe e Leximit është 38. Duhet të kemi parasysh që mbeten edhe 40 ditë nga koha e mbylljes së afatit zyrtar të dorëzimit të dorëshkrimeve
Nga Leonard Veizi
Jo thjesht nga ideja se njëherë e një kohë shkrimtarë të mëdhenj, por dhe të tjerë që nuk kanë lënë ndonjë gjurmë në letrat botërore, problemet e mëdha si luftërat e karantinat, pa dyshim i kanë shfrytëzuar si motive për të shkruar diçka. Dhe nga shoshitja e tyre mbi ujë kanë dalë vepra të mira që i kanë qëndruar kohës, si dhe kryevepra. Gjithsesi, shkrimtarët duhen mbajtur në tonus, qoftë dhe me artifice, duke i joshur ata përmes konkurseve. Një gjë e tillë po funksionon edhe në karantinën shqiptare të epidemisë, ku tashmë mjaft shkrimtarë janë angazhuar të marrin pjesë në një konkurs të ideuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Për më tej, Alda Bardhyli, drejtoreshë e këtij institucioni dhe iniciatore e drejtpërdrejtë e konkursit “Libri i karantinës” për gazetën “Fjala” shpjegon:
Nga ç’motive u nisët për të ideuar një konkurs letrar si “Libri i karantinës”?
Konkursi “Libri i karantinës” është një konkurs i lindur në rrethana të pazakonta, ku u gjendëm të gjithë si shoqëri në fillim të muajit mars. Izolimi dhe kthesa e papritur që pati qytetërimi, bota, kërkonin një qasje të re, e cila do t’i jepte hov apo motiv asaj pjese të shoqërisë që është më e ndjeshme ndaj ndryshimeve, siç janë shkrimtarët. Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit është një institucion i ri, me një sërë sfidash që kanë të bëjnë me konceptimin dhe rolin e saj konkret në botën e librit. Por kjo nuk na ka penguar që në kushtet e reja të krijuara të shihnim në gjetjen e formave të reja të komunikimit që do ta bënin Qendrën të ishte më e pranishme, për atë që është dhe misioni i saj, lexuesi. Përtej fushatës mbi rëndësinë e leximit që ne e kemi ndërmarrë e vijojmë ta bëjmë çdo ditë, si pjesë e politikave tona, konkursi “Libri i karantinës” erdhi si një formë për të mbajtur gjallë debatin letrar, por dhe dhënien e një mundësie për të gjithë krijuesit në gjithë gjeografinë shqipfolëse, që t’i shihnin këto kohë karantine të lidhura me shkrimin.
Idesë së QKLL-së për krijimin e këtij konkursi iu bashkuan njerëz të letrave dhe botues, për të bërë të mundur një ngjarje letrare në vend, e cila, duhet ta theksoj, është pa kosto financiare nga buxheti i QKLL-së. Anëtarët e jurisë, personalitete në fushën e librit, si Virgjil Muçi, Rita Petro, Loer Kume, Fatmira Aliaj, Ylli Demneri dhe Durim Abdullahu morën përsipër me seriozitet profesional gjykimin e veprave të këtij konkursi.
Konkursi është çelur më 1 prill dhe do të jetë i hapur për të gjithë krijuesit që kanë shkruar vepra në prozë (tregime, novela, romane) deri më 30 qershor. Në faqen zyrtare të QKLL-së (qkll.gov.al) ne kemi publikuar edhe statutin e këtij konkursi, i cili përcakton qartë gjithë procesin e punës, nga shpallja e konkursit deri në shpalljen e fituesve.
Do të doja t’i ftoja përmes kësaj interviste krijuesit që ta shohin këtë konkurs si një mundësi për dorëshkrimet e tyre, që të lexohen nga një juri profesionistësh, por dhe për të qenë pjesë e një kompeticioni. Konkurset, garat sjellin zhvillim, por, nga ana tjetër, do të kemi mundësi që të shohim përmes këtij konkursi dhe një tablo të situatës letrare në vend.
Ju keni bindjen se shkrimtarët gjatë izolimit vazhdojnë të jetojnë në botën e tyre dhe të shkruajnë pa u ndikuar nga situata përreth?
Sigurisht që shkrimtarët nuk mund të jenë qenie të veçuara nga realiteti përreth. Kushtet e reja të krijuara, për shkak të pandemisë kanë sjellë pasiguri apo reflektime personale tek të gjithë. Por ky konkurs është një mundësi për t’i parë këto kohë si të lidhura ngushtësisht me shkrimin. Të mos harrojmë se procesi i shkrimit është një lloj karantine për shkrimtarët, një lloj izolimi. Historia ka treguar se vepra të rëndësishme të historisë së letërsisë janë shkruar gjatë kohës së karantinës, duke nisur nga Shekspiri, Çehovi, Bokaccio, Pushkini, Tomas Manni etj., kanë shkruar vepra të rëndësishme të krijimtarisë së tyre gjatë këtyre ditëve të vështira.
Koha e shtrirjes së konkursit ndoshta është e shkurtër, prej 3 muajsh, por historia ka treguar se ka vepra të mira të shkruara për 2 javë, ka nga ato që shkruhen për 2 muaj, por ka dhe nga ato vepra që zgjasin me vite. Doja të qartësoja se titulli i konkursit “Libri i karantinës” nuk ka të bëjë me tematikën e veprës që do të vijë në konkurs. Titulli është për shkak të kohës kur u realizua ky konkurs, që janë kohët e karantinës, ndërsa tematika është e lirë për krijuesit.
Ne e dimë që letërsia e mirë u ikën gjithnjë temave, dhe është e vështirë të shkruash i diktuar nga një tematikë e caktuar.
Por e shoh këtë konkurs e si një formë për të lexuar atë dialogun e brendshëm që ka ndodhur tek të gjithë ne këto kohë, atë dialog që do të vijë përmes veprave të asaj pjese të ndjeshme të njerëzimit, siç janë shkrimtarët. Do të shohim në fund të këtij procesi se çfarë ka provokuar karantina në tryezën e tyre të shkrimit.
A i janë përgjigjur shkrimtarët thirrjes suaj për të konkurruar?
Interesi i krijuesve ka qenë i madh që në ditët e para, kur ne e shpallëm në faqen tonë zyrtare konkursin “Libri i karantinës”. Deri tani numri i dorëshkrimeve të ardhura në adresë të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit është 38. Duhet të kemi parasysh që mbeten edhe 40 ditë nga koha e mbylljes së afatit zyrtar të dorëzimit të dorëshkrimeve. Nga autorët që kanë sjellë dorëshkrimet dominojnë autorët e rinj, e kjo është diçka shumë pozitive, por ka dhe emra të njohur të letrave shqipe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, por edhe nga diaspora.
Në mbledhjen e parë që bëri juria u vendos që veprat të gjykohen në anonimimitet, çka do të thotë se QKLL-ja ia dërgon veprat jurisë pa emrat e autorëve. Ka qenë një vendim i tyre për t’i dhënë më shumë rëndësi tekstit, pasi e dimë që shpesh në gjykimin e një vepre një rol të rëndësishëm ka dhe kontributi jetësor e letrar i një autori.
Si do të procedohet për të pasur një fitues?
Konkursi është i ndarë në dy faza: faza e parë është ajo e pranimit të dorëshkrimeve nga dt. 1 prill deri më 30 qershor 2020; faza e dytë është ajo e gjykimit. Nga 30 qershor deri në 15 korrik 2020. Në fazën e dytë juria do të bëjë seleksionimin e veprave për të arritur te dy çmimet e para.
Çdo anëtar i jurisë ka të drejtë të propozojë 10 vepra për në short-list. Pas këtij procesi kalohet në fazën e përzgjedhjes së 5 librave finalistë, ku veprat me më shumë vota do të jenë dhe veprat fituese. Statuti i konkursit u kërkon anëtarëve të jurisë ta argumentojnë me shkrim motivimin e vlerësimit për 2 çmimet e para. Në këtë konkurs do të kemi dy çmime.
Çfarë do të përfitojnë fituesit?
Dy veprat fituese të këtij konkursi do të botohen nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit në bashkëpunim me dy shtëpi botuese. Shtëpia Botuese Onufri, e njohur për bibliotekën e saj të pasur të librit shqip, do të botojë çmimin e parë, ndërsa shtëpia botuese Albas do të botojë çmimin e dytë. Doja t’i falënderoja të dyja këto ente botuese me kontribute të spikatura, që u bashkuan në këtë nismë, që ka për qëllim nxitjen e krijimtarisë dhe librit shqip.
Në fund të këtij procesi do të kemi dy vepra të reja që do t’i bashkohen bibliotekës së librit bashkëkohor shqip, por do të kemi dhe diskutime mbi letërsinë, që gjithnjë e ndihmojnë zhvillimin.
A do të vijojë kjo nismë me konkurse të tjera, por me emra të tjerë sigurisht?
Konkurset letrare janë një formë e mirë për nxitjen, por edhe certifikimin e letërsisë së mirë. “Libri i karantinës” është një konkurs i lindur nga rrethanat e një kohe jo të lehtë për njerëzimin, por Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit do të mbështesë çdo iniciativë e cila në thelb ka përsosjen e vlerave tona më të mira. Ne kemi një histori jo të mirë me konkurset letrare në këto 3 dekadat e fundit, ku konkurse që kanë sjellë vlera të caktuara kanë humbur për një sërë arsyesh. Është koha të mendojmë mbi rëndësinë e traditës dhe kultivimin e saj. Vlera e një çmimi letrar, përtej akordimit monetar, ndonjëherë është më e madhe për historinë që mbart. Prandaj ka ardhur koha ta ndërtojmë siç duhet këtë histori.