Arti dhe kultura nuk ngrihen mbi gërmadhat që bën diktatura

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Erald Shulla

Më 17 maj nuk u luajt vetëm drama e fundit në Teatrin Kombëtar, me personazhe policinë e egërsuar që masakronte njerëz dhe me eskavatorët si përbindësha metalikë, ndërsa pluhuri binte si perdja e skenës, por mbi ato gërmadha absurde nisi një tjetër gjë, rikthimi i një drame për shoqërinë tonë. Sot ajo është më e dërmuar nga tërmetet e vitit të kaluar dhe nga pandemia që po kalojmë në këta muaj. Kurse varfëria, papunësia dhe politika shterpë kanë vazhduar permanente. Egërsia dhe dhuna me të cilën policia e shtetit veproi në atë mëngjes dhe gjatë gjithë ditës, vinte si rrjedhojë që nga arroganca e zyrës kryeministrore dhe tronditi mbarë opinionin publik, me jehonë negative në mediat e botës.

Shfaqje e tmerrshme të shihje forcat special të armatosura që nxirrnin artistët nga skena me pranga në duar, teksa shembja kishte filluar me ata brenda. Nuk u kursyen aspak goditjet me shkopa gome, grushta dhe shkelma e gaz lotsjellës mbi aktivistë, gazetarë, opozitarë e qytetarë të thjeshtë, të cilët mbështesnin mendimin për mosshembjen e Teatrit Kombëtar. Një teatër i vërtetë vrastar. Është e paimagjinueshme dhuna që u përdor ndaj grave e të rinjve, që kishin dhe libra ndër duar. Askush nga instancat shtetërore nuk foli asnjë fjalë, qoftë dhe për formën e dhunshme që u shoqërua edhe gazetari i mirënjohur Alfred Lela, ndërsa bënte detyrën si qytetar dhe gazetar.

Ky është kuptimi i diktaturës “pushteti dhunshëm e i pakufizuar shtetëror, që shpreh dhe mbron interesat e sunduesve nëpërmjet ushtrisë dhe policisë”. Madje, në deklaratën e tij kryeministri na u shfaq krejt i verbër. Nuk kishte pare aspak të ushtrohej dhunë, por vetëm një “opozitë qaramane”, sipas tij. Pak dua t’i jap të drejtë, sepse në situate të tilla barra kryesore i bie opozitës ta shkulë dhe ta shembi regjimin, përpara se ai të shembë teatrot dhe para tyre mjaft vlera nga thesari i traditës, duke derdhur beton dhe egërsi si betoni. Përballje. Kështu ndodh në vendet demokratike, kur cenohen të drejtat dhe liritë. Kur verbohet pushteti dhe nuk sheh më, duke mos kontrolluar më veprimet e tij të dëmshme dhe aty është dhe pikënisja e rrugës për instalimin e diktaturës. Debati për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar mbetet totalisht i kotë. fatkeqësisht, fati i ngrehinës historike ishte vulosur nga një pushtet për të cilin monumentet kulturore bëhen të pavlefshme përpara interesit të pasurimit babëzitës të politikanëve dhe oligarkëve.

Ky pushtet oligarkik nuk frenohet të shembë dhe të shtypë çdo gjë dhe këdo që i del përpara, mure, kujtesë, vlera, ndërgjegje. Teatri u shemb jo për të bërë një të ri në vend të tij, që mund të ngrihet kudo, por nën maskën e tij aspak teatrore, të lartësohen kullat private dhe kjo është më se e qartë. Propaganda, mashtrimet dhe dhuna nuk e mbulojnë dot këtë fakt. Asnjë arsye të qëndrueshme dhe bindëse nuk ka që godina të prishej, të gjitha janë justifikime mizore. Dhe e gjitha degradon si një farsë kur mundohen të na mbushin mendjen që godina ishte një ndërtesë tallashi dhe teneqeje, e ngritur si kazermë nga italianët, e amortizuar, e rrënuar, e nuk kishte asnjë vlerë nga ana arkitekturore, e lloj-lloj broçkullash që dëgjuam. Dhe sikur kështu të ishte, ato kanë vlera për historinë dhe kujtesën dhe në vende normale bëhet kujdes dhe ruhen. Jo më Tirana, që s’ka më dëshmi kësisoj. E nëse e donin me kaq ngulm teatrin e ri, ta ndërtonin diku tjetër, u thane të gjithë, edhe bota, por ngulmimi ka qenë për truallin. Vlera e truallit u interesonte shumë më tepër se vlera historike dhe arkitektonike e godinës së teatrit, vepër e arkitektit italian, Giulio Berté, në vitin 1939, modern dhe avangardë për gjysmën e parë të shekullit XX.

Lexo edhe :  Mos bindja civile dhe qeveria teknike “helene”

Teatri Kombëtar i Tiranës ishte shembulli i parë i arkitekturës evropiane në Shqipëri dhe paraqet hapin e pare në lidhjen midis Shqipërisë dhe Evropës Perëndimore. Ajo, që më 1940 funksionoi si një kompleks kulturor me emrin “Scanderbeg” (i njëjtë nga Giulio Bertè me vlerat e urës Flaminio në Romë), në stilin e plotë racionalist, siç shpjegojnë specialistët, Teatri Kombëtar ishte i një vlere të jashtëzakonshme arkitektonike, pasi bazohet dhe në pikturën metafizike të Giorgio de Chirico-s dhe u ndërtua në një mënyrë inovative dhe ekologjike në lidhje me veprat e kohës: me fibra plepi dhe çimentoje të transportuara në Shqipëri dhe të përziera me beton.

Indro Montanelli, babai i gazetarisë moderne italiane, foli për të si një vepër monumentale për Shqipërinë. Unë nuk besoj që nga një regjim i tillë, që nuk është në gjendje të ngrejë dot institucionet e gjykatave, prokurorisë, parlamentit, sisteme zgjedhore etj., do të mundet të ngrejë art dhe kulturë, duke bërë gërmadha në traditë dhe kujtesë. Përkundrazi,  aty ku shemben godinat plot hijeshi të artit, ngrihen kullat uzurpuese të diktaturës. Pa kujtesë, si “tru idioti”, sipas një poezie…

Të fundit

Këto simptoma tregojnë se trupi është i ndotur me toksina

Ne përballemi me një ngarkesë toksike në trup, e cila vjen përmes ushqimit, pijeve, lëkurës dhe ajrit që thithim,...

Në ditën e saj të lindjes, Ardit Gjebrea falënderon vjehrrit për “dhuratën”

“Ka Një Mesazh Për Ty” nisi dhe vazhdoi me shumë dashuri me historinë e Esmeraldës dhe Manushaqes, nuse e vjehrrë që kanë një lidhje...

Mbi 48 mijë objekte pasuri kulturore në Shqipëri

Në Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, listohen si pasuri kulturore materiale dhe jo materiale të Shqipërisë mbi 48.000 objekte. Vetëm në 2024 këtij regjistri...

Shqiptarët po udhëtojnë më shumë, 7.9 milionë dalje gjatë 2024-ës

Shqiptarët po udhëtojnë më shumë. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se përgjatë vitit 2024 flukset dalëse janë shtuar me 14% në krahasim me...

Rriten shpenzimet për dëmet që shkaktohen nga aksidentet

“Rritja vjetore prej 30% e numrit të aksidenteve rrugore në vitin 2024 ka shtuar shpenzimet totale të kompanive të sigurimeve për dëmet materiale dhe...

Lajme të tjera

Web TV