Lojtari që shkaktoi një furtunë të vërtetë kur Gianni De Biasi e la jashtë Europianit 2016 me Shqipërinë, një vendim që më pas e çoi në përfaqësuesen e Kosovës, bëhet shqiptari më I vlefshëm aktualisht në futboll. Talenti i Ëerder Bremen, Milot Rashica, është vlerësuar nga Transfermarkt si lojtari me vlerën më të madhe nga lojtarët e Kosovës, Shqipërisë, si dhe lojtarët e Kombëtareve të tjera që kanë prejardhje shqiptare e këtu futen dhe skuadra si Zvicra, Maqedonia, apo Suedia.
Që prej vitit 2015 kur doli nga ekipet e moshave në Kosovë, drejt Europës për të luajtur futboll, vlera e Milot Rashicës në treg është rritur vazhdimisht, falë formës së mirë që ai ka shfaqur me ekipin kombëtar të Kosovës dhe me klubet e tij – fillimisht Vitesse e tani nË Bundesliga te Bremeni. Sigurisht një menaxher me influencë dhe me njohje si Altin Lala, e ka ndihmuar të rrisë numrin e admiruesve që përkon me trajektoren e bukur të golave të Milotit.
Njeriu që pak ditë më parë është bërë baba, kërkohet nga disa klube të mëdha evropiane, nga Anglia dhe Italia, mes tyre kampionët e kontinentit, Liverpool, dhe formacioni në Serie A, Napoli.
Sipas transfermarkt, Rashica është lojtari më i vlefshëm shqiptar, duke lënë prapa edhe Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin dhe Thomas Strakoshën. Ai vlerësohet 28 milionë euro, por në Bremen nuk e largojnë për më pak se 38 milionë.
Xhaka renditet pas Rashicës pasi vlerësohet 24 milionë euro, një përgjysmim i vlerës kur kaloi te Arsenal, pas rënies në formë dhe përplasjeve me tifozët. Edhe Shaqiri, për shkak të formës jo të mirë, i ka rënë vlera, dhe tani vlerësohet 16 milionë euro.