Shqipëria është përfshirë nga një mot i paqëndrueshëm me erëra të forta dhe reshje bore në zona malore.
Meteorologët shprehen se kjo situatë do të vazhdojë për së paku 2 ditë.
Temperaturat e ulëta kanë përfshirë edhe Tiranën, ku si pasojë e erës së fortë në sheshin “Skënderbej” u rrëzua pema e Vitit të ri. Po në kryeqytet raportohet për rrëzimin e disa pemëve; para Kryeministrisë, pranë Pallatit të Kongreseve dhe në disa rrugë.
Dëmtimi i rrjetit ka bërë që në Tiranë të ketë edhe probleme me energjinë.
Përkeqësimi i motit ka bërë që Porti në Bari të mbyllet, deri në një urdhër të dytë për ta hapur atë. Porti i Durrësit, për shkak të mbylljes së Portit në Bari, do të ndalojë nisjen e trageteve drejt Italisë.
Edhe Porti i Vlorës ka pezulluar të gjitha hyrjet e daljet e trageteve për shkak të motit të keq.
Ndërkohë, në pikën kufitare në Kapshticë është pezulluar kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë deri më 6 janar, për të shmangur problemet dhe vështirësitë në qarkullim. Ndërkaq, do të lejohet kalimi i autobusëve dhe të automjeteve, që janë të pajisur me zinxhir.
Ndërkohë, shërbimi Metorologjik Ushtarak na ka vënë në dijeni në lidhje me erën që ka pushtuar vendin ditës e sotme dhe gjithashtu parashikohet që nesër në mëngjes të jetë dita më e ftohtë.