UNICEF dhe UN WOMEN, dy institucionet ndërkombëtare në mbrojtje të së drejtave të njeriut, kanë reaguar kundrejt abuzimit seksual të kryer nga një 65-vjeçar ndaj një minoreneje.
“Dhuna seksuale e kryer ndaj kujtdo është një krim, ne jemi veçanërisht të shqetësuar për intensitetin me të cilin prek gratë, vajzat e reja dhe fëmijët,” tha nëpërmjet një njoftimi për shtyp UN Women dhe UNICEF, ditën e sotme.
“Kjo përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe sjell ndikim shkatërrues afatgjatë mbi viktimat dhe vendit ku jetojnë”, shtuan dy organizatat, ndërsa theksuan se “gratë dhe vajzat duhet të ndjehen të sigurta në hapësirat ku mësojnë, jetojnë dhe luajnë.”
Organizatat kanë theksuar se përgjegjësinë duhet të mbajnë strukturat shtetërore në lidhje me ofrimin e edukimit, sigurisë së qytetarëve si edhe dënimit të këtyre veprave kriminale.
Ato gjithashtu i kanë bërë thirrje mediave që të mbështesin viktimat e dhunës dhe të mos bëjnë publike detaje që zbulojnë identitetin e viktimave./Fjala.al/K.L