Maturantët kanë dalë ditën e sotme sërish në protestë përpara Ministrisë së Arsimit dhe kërkojnë rivlerësimin e testit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Gjatë ditës së djeshme ata nisën protestën, pasi thanë se Ministria e Arsimit nuk i ishte përmbajtur strukturës që kishte paralajmëruar, provimi ishte në nivel shumë të vështirë si dhe thanë që kishte pyetje nga mësime që nuk janë trajtuar.
Madje ata paraqitën një peticion që përmbante 6 pika në lidhje me testet e Maturës Shtetërore.
Peticioni
Gjatë protestës qindra maturantë bllokuan rrugën përpara Ministrisë, gjithashtu iniciuan firmosjen e një peticioni ndaj Ministrisë së Arsimit. Një pjesë e tyre u shprehën që në rast se nuk plotësohen kërkesat e parashtruara maturantët do të shohin mundësinë e bojkotit të provimeve të radhës së maturës shtetërore. Në peticion përcaktohej se teza përmbante koncepte të panjohura, pyetje të pakuptueshme dhe të paqarta, ndryshe nga testi model, i prezantuar më herët nga MASR-ja. Gjashtë pikat e kërkuara nga maturantët drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ishin:
1-Zgjerimi i kufijve të notave.
2-Nota e provimit të letërsisë të llogaritet me 40% të notës aktuale të provimit dhe 60% të notës së letërsisë së gjimnazit.
3-Hartuesit t’u përmbahen kompetencave bazë të nevojshme për studimet universitare apo për ecurinë e mëtejshme në jetë.
4-Për klasat e 12-ta, në muajin e parë të vitit akademik të përcaktohet qartë tipologjia e pyetjeve të testit, që ky model të ndihmojë në mënyrë korrekte për provimin e lëndës.
5-Nxjerrja e çelësit të provimeve të mëtejshme brenda 2 orësh pas mbarimit të testit.
6-Në përgatitjet e testeve të merret mendimi nga një përfaqësi e mësuesve të lëndës së letërsisë nga gjimnazet e Shqipërisë me mbi 400 maturantë.
Në përgjigje të kërkesave të maturantëve Drejtoresha e Qendrës Arsimore, Rezana Vrapi theksoi se nuk do të ketë rivlerësim.
Ndërsa ministrja e Arsimit, Besa Shahini u shpreh se kjo protestë ishte e nxitur nga opozita.ka.ta/Fjala.al/