Përsiatje/ Të jetosh në rrugët e mbushura me mbetje qensh

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

E di nga çfarë vuajnë sot shqiptarët? T’i lëmë mënjanë problemet me aparatin tretës, atë të traktit urinar dhe toksinat e zorrës së trashë. Po e anashkalojmë dhe papunësinë, krimin e organizuar apo korrupsionin e aparatit shtetëror. Shqiptarët më së shumti sot vuajnë nga mungesa e theksuar e edukatës qytetare, apo thënë shkurt, qytetarisë.

Nga t’ia nisim…

Dikur bënim pastrim territori. Çdo të diel. Nuk të linte njeri t’ia merrje me gjumë deri në mesditë. Të trokiste në derë kryetarja e shkallës, dhe një pjesëtare e familjes rrëmbente fshesën dhe i bashkohej turmës së grave për ta bërë oborrin e pallatit xham. Dhe Tirana ishte një qytet i pastër vërtet.

Natyrisht, sot nuk guxon njeri të më trokasë në shtëpi për punë vullnetare se jam i pari që e marr me shkelma. Gabim, do thoni ju, se punën vullnetare veç socializmit lindor e ka aplikuar prej kohësh dhe kapitalizmi perëndimor. Gabim sa s’ka ku të vejë.

Por ja që më kujtohen të dielat e pushimit kur na organizonin si “rini revolucionare” për të prashitur misrin dhe rrënjët e ullinjve përgjatë kurorës së Tiranës. Shkolla ku mësoja, Politeknikumi “7 Nëntori”, na vinte në dispozicion një ZIS sovjetik prodhim i vitit 1956, ku djem e vajza ngjisheshim mbi rimorkio me qëllim që nga puna jonë e papaguar të merrte një dorë në malore ndërtimi socialist i vendit.

Iku ajo kohë.

Sot bashkia e pastron çdo ditë. Tirana është një qytet i mbajtur mirë, të mos qahemi siç e kemi zakon. Por edhe njerëzit e bëjnë pis atë çdo ditë, duke hedhur vend e pa vend gjithfarë gjërash të vogla, letra buzësh, filtra cigaresh, dhe letrat e byrekëve. Po t’i mbledhësh bashkë këto gjëra të vogla, bëhen aq shumë sa nuk ka kosh që i mban.

Por më së shumti nëpër Tiranë do të gjesh mbetjet fiziologjike të qenve. Sepse, për fatin tonë të madh, raporti i njerëzve që shëtisin qentë është shtuar së tepërmi. Dhe ky është tregues mirëqenieje.

Por edhe këtu lind problemi. Se ne shumicat e shtëpive i kemi edhe 1+1=45 metra katrorë, dhe kjo hapësirë është e ngushtë për katër veta dhe një qen. Se ka ca që mbajnë kone të vogla, dhe u bëftë mirë. Por ka të tjerë që mbajnë bulldog e doberman, qen slite a qen kufiri, e ca të tjerë qen stani a thua se kanë kopenë e dhenve për të ruajtur nga ujku. Mbi të gjitha, i ushqejnë me mish viçi të cilësisë së parë. Dhe qentë, ata ha e ha, e sa i nxjerrin nga shtëpia kapin cepin e ndonjë peme për t’u çliruar nga kapsllëku. Në këtë drejtim, Tirana është kthyer në një hale gjigante. Pastroje sa të duash.

Inati me qytetarinë e munguar më kap që në pikë të mëngjesit. Sa dal t’i hipi makinës, shoh se mbi kofano janë ngjitur nga vesa e mëngjesit nja 4-5 bishta cigaresh. Të duket makina si karroca e m…, e Dylit e kisha fjalën. I hedhin nga lart. Përnatë ky muhabet. Ditën po e po, ato të bien drejt e në kokë. Hall me gratë, se unë për vete kam vite që nuk shkoj te berberi. Edhe makinat e tjera që janë parkuar aty përbri, të njëjtin problem mbartin, sigurisht. Po të bëj një kalkulim se sa makina janë, sa cigare pihen ditë e natë në një pallat me 14 kate, kam frikë se më digjet dhe kalkulatori elektronik. Epo aq shpirt ka edhe ai.

Lexo edhe :  Roberto Saviano dhe sfida ndaj mafies, një leksioni i gjatë 17 vjeçar

Dikur nëpër rrugët e Tiranës ndeshje në ca pllaka të veçanta të shtruara nëpër trotuare ku shkruhej. “Mos pështyni në tokë!”. Sot, vendos tabela sa të duash, burra e gra kruajnë gurmazin dhe pështyjnë ku të mundin sa të vjen për të vjellë. Hajd mo, nuk duhet vënë shumë re, se situatë gripale është. Njerëzit nuk do rrinë pa nxjerrë sekrecionet nga goja e pa shfryrë hundët, rrëzë pemëve, ashtu si dhe qentë.

 

Edukata qytetare mungon, nga mëngjesi deri në mesnatë.

Dikur si lëndë në shkollat 8-vjeçare kishim një lëndë që quhej “Edukata morale dhe politike”. Epo Partia në radhë të parë. Por kur vinte puna për t’i mësuar gjërat për së mbari, mësuesja na merrte në rresht, na hipte në autobus dhe mësimi bëhej drejt e në terren. Duhet të mësonim se si të silleshim me më të rriturit dhe më të vegjlit gjatë një udhëtimi urban.

Sot, nxënësit bëjnë lëndën “Qytetaria”, jo në terren, por në të thatë. Ndaj kam frikë të hipi në urban. Dhe nuk po e zgjas më tej. Më mirë marr gjobë nga policia për parkim të gabuar se sa t’i hipi autobusit të linjës.

Edhe si të respektojmë vijat e bardha na e ka mësuar mësuesja e 8-vjeçares, kur na nxirrte për “guidë” tek ish-bulevardi “Stalin”.

Sot lali Eri e ka rrethuar Tiranën me hekura, për të disiplinuar kalimtarët që të mos u dalin makinave te hunda, por të respektojnë semaforët, dhe përsëri nuk ia ka dalë dot.

Dhe për t’i vënë kapakun muhabetit, dua të padis në këtë shkrim dhe dyqanxhinjtë e kateve të para, që si në ditët e verës ashtu dhe në pikë të dimrit, marrin fshesën e pastrojnë duke ua hedhur në surrat pluhurin kalimtarëve, ose marrin nga një kovë me ujë dhe spërkatin vendin para derës së dyqanit, aq sa e bëjnë si një liqen të vogël ku mund të lahen dhe mjellmat pendëshkruara.

E ç’të them më shumë se kaq…

Të fundit

I vdiq burri në banesë, 47-vjeçarja akuzon mjekët se nuk e diagnostikuan si duhet

Një 47-vjeçare nga Kolonja ka kallëzuar në Polici stafin mjekësor të klinikës ku kishte kryer analizat bashkëshorti i saj,...

Tatimet “furnizojnë” arkën e shtetit me miliarda euro, ja sa shkojnë shifrat

Të ardhurat në buxhetin e shtetit rezultojnë të jenë rritur me 7% në pjesën e parë të vitit. Sipas bilancit, nga janari deri në qershor...

Paketa e 18-të e sanksioneve të BE-së i vë ‘lakun në fyt’ Kremlinit

 Monada Mehmetaj, Strasburg Në kulmin e vitit të tretë të agresionit rus ndaj Ukrainës, Bashkimi Evropian shpalli më 17 korrik 2025 paketën e 18-të të...

E trishtë/ Mbyll sytë përgjithmonë aktori i njohur

Aktori i njohur turk Emre Törün ka ndërruar jetë më 16 korrik, pas një lufte të gjatë me sëmundjen e kancerit. Artisti 52-vjeçar la...

Kërcënohet Endri Shabani: Dole i pabesë, do të kushtojë rëndë (AUDIO)

Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, është kërcënuar nëpërmjet disa mesazheve zanore të ardhur në platformën WhatsApp nga një numër që mbart një ndër...

Lajme të tjera

Web TV