Cilët janë lojtarët e përfaqësueses shqiptare, që po shkëlqejnë jashtë vendit? Ata nisin që nga Strakosha, Hysaj e deri te Balaj
Kombëtarja shqiptare e futbollit ndër vite është formuar nga emrat më të mëdhenj të këtij sporti në vendin tonë.
Lojtarë që aktivizohen në kampionatet kryesore të futbollit në të gjithë botën, por kryesisht në Europë kanë veshur fanellën e përfaqësueses shqiptare ndër vite, duke kontribuuar në rritjen e nivelit të saj që nga krijimi në 1932-in.
Emra të mëdhenj si Foto Strakosha, Erjon Bogdani, Igli Tare, i cili aktualisht është drejtori sportiv i klubit të Lacios kanë përfaqësuar ngjyrat kuqezi në ndeshjet kundër skuadrave më të mëdha në botë.
Nën drejtimin e trajnerit Italian, Gianni De Biasi, Kombëtarja u forcua akoma më shumë dhe u bë e mundur që për herë të parë në historinë e këtij sporti Shqipëria të kualifikohej në Kampionatin Evropian, më specifikisht në atë të vitit 2016-ës.
Momentalisht skuadra e drejtuar tashmë nga një tjetër trajner italian, Edoardo Reja përbëhet nga lojtarë që në përqindjen më të lartë luajnë jashtë vendit, në disa skuadrave më të dëgjuara.
Portieri Etrit Berisha, i cili është pjesë e Kombëtares që prej vitit 2012 dhe numëron më shumë ndeshje me përfaqësuesen prej vitesh ka luajtur në Serinë A, ndërsa aktualisht është pjesë e skuadrës së SPAL, pasi ka kaluar si huazim nga klubi i Atalantës.
Berisha ka luajtur rol shumë të rëndësishëm gjatë periudhës së “Artë” të Kombëtares, duke mbajtur rolin e titullarit e duke bërë pritje të rëndësishme në kualifikueset e Euro 2016.
Thomas Strakosha është portieri i dytë i ekipit përfaqësues dhe në ndeshjet e fundit mund të themi se i ka marrë pozicionin e titullarit Berishës. Strakosha është vlerësuar në treshen më të mirë të portierëve të kampionatit më të madh të futbollit në Itali, në Serinë A. Prej disa kohës ai aktivizohet me skuadrën e Lacios ku mban edhe pozicionin e portierit kryesor të saj, arritur kjo nga puna shumë e madhe e Strakoshës.
Ndërsa, Alban Hoxha mban vendin e portierit të tretë të ekipit Kombëtar. Prej disa vitesh ai aktivizohet te skuadra e Partizanit, që janë kampionët aktual të Shqipërisë, ku është titullar që prej shumë kohësh.
Nëse do të kalojmë te pjesa e mbrojtjes, në shërbim të përfaqësuese janë plot tetë të tillë nga ku emra si Elseid Hysaj, Frederik Veseli e Berat Djimisti janë aktivizuar që prej më shumë se pesë vitesh me Kombëtaren dhe kanë luajtur rol të rëndësishëm në formacionet e 2016-ës.
Hysaj aktualisht është pjesë e skuadrës së Napolit, rrjedhimisht edhe e Serisë A. Shqiptari duket se nuk ka pasur periudhën e tij më të mirë në sezonin 2019-2020 në kampionatin italian, pasi prej shumë kohësh atij nuk iu dha mjaftueshëm kohë për t’u aktivizuar.
Berat Djimsiti po ashtu aktivizohet në të njëjtin kampionat si Hysaj e Strakosha. Mbrojtësi u rikthye te Atalanta pas një shkëputjeje tre vjeçare dhe aktualisht është duke luajtur rol të rëndësishëm te kjo skuadër.
I bashkuar në radhët e lojtarëve të Kombëtares që prej vitit 2015, Frederik Veseli aktivizohet në Serinë B të kampionatit italian me skuadrën e Empolit, ku duket se e ka gjetur mirë veten, pasi është aktivizuar pothuajse në çdo ndeshje të kësaj skuadre.
Emra që janë bashkuar më vonë me mbrojtjen shqiptare janë: Ardian Ismajli, Hysen Memolla, Lorenc Trashi, Enea Mihaj si dhe Kastriot Demarku.
Ismajli, bashkuar skuadrës përfaqësuese në vitin 2018, kohë prej së cilës ka kontribuuar goxha duke numëruar dhe shumë aktivizime, luan me ekipin kroat të Hajduk Split. Mbrojtësi shqiptar ka luajtur në nivel të lartë me këtë skuadër dhe numëron shumë aktivizime në kampionatin kroat.
Mbrojtësi i majtë i Kombëtares, Hysen Memolla, është pjesë e klubit hungarez të Diósgyőr. Kalimi te skuadra e Diósgyőr mund të thuhet se nuk ka qenë më e mira e mundshme për shqiptarin, pasi deri më tani atij nuk i janë dhënë mjaftueshëm minuta aktivizimi, duke e lënë në njëfarë mënyre në hije.
Lorenc Trashi së bashku me portierin Alban Hoxha janë të vetmit që luajnë në kampionatin shqiptar. Mbrojtësi është shok skuadre me Hoxhën edhe te skuadra e Partizanit. Trashi luan prej disa vitesh te kryeqytetasit dhe po ashtu prej një kohë të gjatë mban rolin e titullarit.
Mbrojtësi i qendrës, Enea Mihaj aktivizohet me klubin e PAOK në kampionatin grek. Skuadra me të cilën aktivizohet Mihaj ndodhet aktualisht në vendin e dytë të Superligës greke.
Kastriot Dermaku është shumë i rëndësishëm në tetëshen defensive të kombëtares shqiptare. Dermaku luan në Serinë A me skuadrën e Parmës, e cila mban vendin e 7-të në këtë kampionat.
Pjesë mesfushës së Kombëtares janë emra si: Taulant Xhaka, Ermir Lenjani, Lindon Selahi, Keidi Bare, Amir Abrashi, Ledian Memushaj, Klaus Gjasula, Kristi Qose, dhe Ylber Ramadani.
Xhaka, Lenjani, Abrashi, Memushaj e Qose kanë shumë vite që aktivizohen në përfaqësuesen e Shqipërisë dhe e kanë shijuar suksesin e arritur në Europianin e 2016-ës ose siç e quajtëm ndryshe periudhën e “Artë” të Kombëtares.
Taulant Xhaka aktivizohet me skuadrën e Basel të Zvicrës prej disa vitesh dhe gjithmonë i është dhënë hapësirë e mjaftueshme aktivizimi. Ai ka luajtur me përfaqësueset e grupmoshave të këtij shteti, por midis Kombëtares sonë dhe asaj të Zvicrës, Xhaka zgjodhi që të luajë për fanellën kuqezi.
Ermir Lenjani aktivizohet në Ligën e parë të kampionatit zviceran, duke luajtur me skuadrën e FC Sion.
Amir Abrashi është ndër të paktët shqiptar që aktivizohen në kampionatet gjermane e mbi të gjitha në Bundesligë. Abrashi luan për skuadrën e SC Freiburg, e cila këtë sezon mban vendin e tetë të kësaj kategorie.
Për kampionatin italian të futbollit luan edhe mesfushori shqiptar Ledian Memushaj, i cili në ndeshjet e fundit të Shqipërisë ka mbajtur dhe rolin kapitenit. Memushaj luan me skuadrën e Pescarës, e cila aktualisht luan në Serinë B.
Mesfushori Kristi Qose është pjesë e kampionatit sllovak dhe e skuadrës së Ružomberok. Qose së bashku me Ružomberok mbajnë vendin e katërt në Superligën e Sllovakisë, duke u bërë garues pretendent për t’u shpallur kampion. Shqiptari numëron shumë ndeshje me këtë skuadër dhe duket se deri më tani ka performancë të lartë.
Lindon Selahi është lojtari i FC Twente dhe respektivisht edhe i kampionatit holandez. 21-vjeçari shqiptar është bashkuar me përfaqësuesen shqiptare dhe me skuadrën holandeze vitin që lamë pas.
Keidi Bare nga ana tjetër plotëson numrin e shteteve evropiane ku aktivizohen lojtarët shqiptar. Bare është shok skuadre me Armando Sadikun dhe luan për skuadrën e Malagas në kampionatin spanjoll. Të dy shqiptarët duket se kanë rol të rëndësishëm te kjo skuadër, pasi janë aktivizuar në shumë ndeshje e i kanë dhënë fitore këtij klubi.
Klaus Gjasula i bashkohet Abrashit në Bundesligë, duke luajtur për klubin e SC Paderborn, e cila renditet e 18-ta në kategorinë më të madhe të futbollit në Gjermani.
I fundit i mesfushës shqiptare, Ylber Ramadani aktivizohet në skuadrën e Vejle-s në kampionatin danez. Shqiptari ka luajtur në numër të konsiderueshëm ndeshjesh dhe ka kontribuuar shumë që kjo skuadër të marrë drejtimin e Divizionit të parë.
Sulmi i Shqipërisë tashmë drejtohet nga pesë emra, Bekim Balaj,një prej sulmuesve kryesor të përfaqësuese sonë aktivizohet në kampionatin austriak me skuadrën e Sturm Graz.
Odise Roshi, i cili ashtu si edhe Balaj kanë shumë vite që na përfaqësojnë në kampionatet e kombëtareve, është pjesë e skuadrës së ruse të Akhmat Grozny.
Ndërsa, Rey Manaj i bashkohet Bares në kampionatet spanjolle, ku luan me Barcelona B. Manaj luan rol të rëndësishëm te kjo skuadër dhe ka minutazh të mirë aktivizimi.
Myrto Uzuni ashtu si edhe Ismajli aktivizohet në kampionatin kroat. Uzuni është pjesë e sulmit të skuadrës së Lokomotivës, ku duket se i është dhënë hapësirë dhe rëndësi e mjaftueshme për aktivizim.
Sulmi i kombëtares shqiptare të futbollit mbyllet nga Taulant Seferi, i cili është bashkuar me këtë përfaqësuese vitin që sapo u mbyll. Seferi është pjesë e kampionatit zviceran dhe luan me skuadrën e Neuchâtel Xamax FCS, e cila mban vendin e nëntë në Superligë.
Duket se lojtarët e Kombëtares sonë i kanë zaptuar të gjithë kampionatet evropiane si dhe një pjesë prej tyre mbajnë edhe role titullarësh në skuadrat ku aktivizohen.
/Përgatiti: Katerina Tafa /Fjala.al/