Lewis Hanbury, 20 vjeç, u kap nga policia e Newport-it në Britaninë e Madhe pasi ishte identifikuar duke shitur kokainë në rrugët e qytetit. Hanbury tentoi të largohej me biçikletë, por u ndalua disa metra më poshtë nga efektivët.
I riu nuk ka bërë rezistencë në komisariat, por ka pranuar se shiste kokainë me doza të vogla për të siguruar shumën që i duhej për të paguar një dëm që kishte shkaktuar. Hanbury ka treguar se ka dëmtuar makinën e një shqiptari teksa lëvizte me biçikletë dhe se ai e kishte kërcënuar me jetën e familjes nëse nuk i paguante dëmin.
Avokati i të akuzuarit kërkoi masa lehtësuese për shkak se ai ndodhej nën presion për të siguruar paratë.
Gjithsesi, pretendimi i 20 vjeçarit nuk u mor parasysh nga gjykata jo vetëm për faktin se ai kishte edhe gjashtë dënime të tjera për shkelje të tjera më të lehta, por edhe për faktin se ky justifikim mund të kthehej “në modë” edhe për trafikantët e tjerë.
Lewis Hanbury do të vuajë dënimin për 28 muaj në një institucion riedukimi për të rinjtë.