Miratimi dje i një ndryshimi në ligjin për organizimin e funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili shmang betimin e anëtarëve të kësaj gjykate te Presidenti i Republikës, ka rikthyer përplasjet midis Ilir Metës dhe mazhorancës së Partisë Socialiste.
Tedi Blushi, zëdhënës i Presidentit, thotë se ky ligj është miratuar në errësirë të plotë, në panik e ngut, vetëm pak orë përpara fillimit të takimeve me Komisionin e Venecias. Ai e konsideron ligjin të llojit “kap çfarë të kapësh”.
E pasi akuzon mazhorancën për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës, Blushi njofton se presidenti Meta do të zhvillojë pasdite një konferencë me gazetarët.
Reagimi i plotë
Të nderuar kolegë gazetarë!
Kam marrë shumë pyetje nga ju, lidhur me ligjin që ka kaluar Kuvendi dje në mbrëmje vonë, nëse është apo jo në shkelje të Kushtetutës.
Së pari dua të shpreh çudinë e madhe që ky ligj miratohet në errësirë të plotë, vetëm pak orë para fillimit të takimeve të Komisionit të Venecias në Tiranë, të thirrur nga vetë Kuvendi, që tregon një mungesë serioziteti të plotë, panik për ngut dhe fakt të kryer.
Pra KAP ÇFARË TË KAPËSH.
Së dyti, për ne tashmë çudi përbën vetëm fakti kur ndonjëherë Kuvendi kalon ndonjë ligj që respekton Kushtetutën, pasi dhunimi sistematik i saj është kthyer në rregull.
Por sot paradite jemi të fokusuar te takimi me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias.
Ndërsa pasdite ju premtoj se Presidenti do të kuvendojë me ju direkt nga Presidenca, dhe me të gjithë shqiptarët, për qëllimin e vërtetë të ligjit për KRYEKÇK-në.
Shmangia e Presidentit, VOA: Zgjidhje e sforcuar dhe e nxituar e mazhorancës