Një qytet në jug të Italisë do të pagojë qiranë e banorëve të rinj për dy vjet radhazi me qëllim rritjen e numrit të popullsisë. Teora në Campania po merr një qasje të ndryshme nga qytetet e shumta italiane që janë përpjekur të tërheqin njerëz të rinj duke ofruar shtëpi për 1 €, pasi thotë se kjo thjesht inkurajon të huajt që të blejnë shtëpi pushimesh në vend që të shpërngulen aty me kohë të plotë.
Gjithashtu banorët e rinj do të marrin 150 euro në muaj për të mbuluar koston e qirasë të vendit për dy vjet ose qyteti do t’u japë atyre 5 mijë euro për të blerë një pronë. Megjithatë qyteti është i interesuar më së shumti për familjet dhe jo individët ose çiftet ndaj vetëm ata që kanë tashmë një fëmijë janë të ftuar të aplikojnë. Skema gjithashtu kërkon që aplikantët të angazhohen të jetojnë atje për të paktën tre vjet.
“Unë nuk besoj në shitjen e shtëpive boshe për 1 euro, pasi kjo nuk i stimulon njerëzit të qëndrojnë në qytet,” u shpreh kryetari i komunës Teora, Stefano Farina. “Ata vijnë vetëm disa muaj në vit si pushues. Kjo nuk është zgjidhja. Ndërsa marrja e një vendbanimi dhe regjistrimi i fëmijëve në shkollën lokale, kjo po që ngjason me një frymë jetë të re. ”
Popullsia e qytetit nuk u rimëkëmb kurrë pas tërmetit të vitit 1980 dhe ka zbritur në vetëm 1.500 banorë. Sipas Farina, mesatarisht dy foshnje lindin në Teora çdo vit krahasuar me 20 vdekje, kryesisht nga pleqëria. “Unë dua ta përmbys këtë prirje negative,” tha ai. “Fëmijët janë e ardhmja jonë, familjet e reja do të jenë ndërtesa e bashkësisë sonë në zvogëlim, kështu që ne i inkurajojmë ata që kanë më shumë fëmijë të aplikojnë.”
Me kontributin e qytetit, qiraja e të ardhurve nuk do të jetë plotësisht falas, por do të zvogëlohet në mënyrë të konsiderueshme. Pronat me qira janë në dispozicion për rreth 200 euro, do të thotë që pjesëmarrësit në skemë do të paguajnë vetëm 50 euro në muaj. Ndërsa ata që vendosin të blejnë, do të gjejnë shtëpi të disponueshme për 30 mijë euro, dhe me 5 mijë eurot që ofron qyteti, do të kushtojnë vetëm 25 mijë euro. Dhe, ndryshe nga iniciativat e shtëpive prej 1 euro të qyteteve të tjera, pronat këtu janë në gjendje të mirë dhe nuk kërkojnë punë të shtrenjta për rinovim.
Megjithëse shumë prej trashëgimive kulturore dhe historike të qytetit u dëmtuan ose u shkatërruan nga tërmeti i fundit, ende ekziston një amfiteatër, shatërvanë, një mulli uji dhe një kishë antike me një altar të hapur. Vetë Teora është vendosur mbi kodër të gjelbër të rrethuar me pyje dhe bimësi. (TheIndependent)