Presidenti luan kartën nacionaliste

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ilir Meta: Duan të më shkarkojnë me porosi të UDB-së dhe më pas ta ndajnë Kosovën

Kreu i shtetit liston 8 hapa, që sipas tij, ka ndërmarrë mazhoranca për të kryer grusht shteti ndaj institucioneve të vendit dhe më pas ta largojnë edhe atë nga Presidenca

Nga Bardhi Quku

Që pas ngritjes së komisionit hetimor parlamentar nga ana e mazhorancës qeverisëse për shkarkimin e Presidentit mbi dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe caktimin e një date tjetër të zgjedhjeve vendore, kreu i shtetit, Ilir Meta, ka intensifikuar sulmet ndaj mazhorancës, duke akuzuar direkt Kryeministrin Edi Rama se po kërkon të uzurpojë edhe Gjykatën Kushtetuese.

Pas akuzave të lëshuara në vazhdimësi se “Rilindja” po vepron si strukturë mafioze duke kryer “grusht shteti” ndaj institucioneve në vend, Ilir Meta shprehet se pas përpjekjes për shkarkimin e Presidentit qëndrojnë agjentura të huaja dhe në rastin konkret, UDB-ja serbe.

Ky skenar i “Rilindjes”, sipas Ilir Metës, po përgatitet me porosi të shërbimit sekret serb, për të zgjedhur njëPresident të ri që do tëlobonte pro ndarjes së Kosovës, aq më tepër kur vendi gjendet pa Gjykatë Kushtetuese.

“Më pas u ka mbetur edhe hapi final: shkarkimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, me porosi të UDB-së, për të zgjedhur një President me “Etikë” që të lobojë dhe të firmosë për ndarjen e Kosovës dhe për çdo projekt tjetër antikombëtar.Por shqiptarët kanë 100 vjet që janë ndarë nga Esat Pashë Tradhtari.Të dashur qytetarë,ju ftoj të gjithëve në 2 mars, në orën 17:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër grushtit të shtetit dhe mbrojtjes, jo vetëm të integritetit të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës, por të vetë shtetit tonë, kombit dhe interesit kombëtar.Shqiptarët e bashkuar kundër puçistëve të zbuluar!”, – u bëri thirrje dje shqiptarëve Ilir Meta.

Për të ardhur deri te përpjekja për ta shkarkuar atë si President, sipas Ilir Metës,mazhoranca ka ndjekur tetë hapa, të cilët ai i cilëson si ndërmarrje e një grushti shteti ndaj institucioneve shqiptare. Kështu, Ilir Meta e nis që me zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, kur Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e vetme duke nxjerrë jashtë “tepsisë” edhe vetë LSI-në e Ilir Metës. “Vjedhja e zgjedhjeve të 2017-ës, duke përdorur çunat problematikë, sipas dosjeve 184 të Dibrës dhe 339 të Shijakut, që lëvizin si top pingpongu nga një zyrë e Prokurorisë në tjetrën. Përdorimi i Policisë së Shtetit në manipulimin e zgjedhjeve, siç rezulton në këto dosje, e frymëzuar edhe nga thirrja publike e Kryeministrit Edi Rama ndaj çdo polici për të bërë fushatë për Partinë Socialiste”, – shkruan Presidenti. Hapi i dytë i mazhorancës në aksionin e saj për grusht shteti, sipas Presidentit, lidhet me sistemin e drejtësisë dhe konkretisht me Prokurorinë. Sipas Metës, votimi antikushtetues i Prokurorisë në Parlament synon që mazhoranca ta shndërrojë këtë institucion në një mjet shantazhi për kundërshtarët politikë. “Kapja në mënyrë antikushtetuese e Prokurorisë me 69 vota (nga 84 vota të sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, të miratuar me unanimitet me 140 vota), dhe bashkë me të edhe hetimin për të siguruar pandëshkueshmërinë totale të tyre, për të mbyllur çdo çështje penale që rëndon mbi ta dhe bashkëpunëtorët e tyre, për ta përdorur si mjet shantazhi ndaj kundërshtarëve politikë”, – shkroi dje Meta në rrjetin e tij social “Facebook”. Kreu i shtetit ndalet edhe te djegia e mandateve e opozitës, e cila braktisi Parlamentin. Kjo bëri që, sipas Metës, Parlamenti të zëvendësohej me figura të tjera në mënyrë antikushtetuese. “Provokuan braktisjen e Parlamentit nga opozita dhe vrapuan për të zëvendësuar 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës, në mënyrë antikushtetuese e të paligjshme, vetëm me një akt administrativ. Edhe sot pas një viti, Parlamenti është në gjendje të rëndë antikushtetuese (122 deputetë me letra nga 140 që kërkon Kushtetuta)”, akuzon Presidenti Ilir Meta. Por, kreu i shtetit harron se çfarë deklaronte më 20 shkurt të vitit 2019, kur ai e cilësoi veprimin e opozitës si një akt që nuk i shërbente demokracisë. “Vlerësoj se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben forcimit të institucioneve dhe nuk i shërben njëkohësisht edhe integrimit evropian të vendit – që është dëshirë e çdo qytetari shqiptar. Kemi një hap mbrapa nga opozita por kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca dhe qeveria dhe Kryeministri të cilët duhet të kuptojnë që në fund fare përgjegjësitë kryesore janë të tyre për qeverisjen e vendit. Është detyrë e tyre të japin shembullin në respektimin e Kushtetutës”, -qe shprehur Meta në atë kohë. Presidenti ndalet gjithashtu edhe te zgjedhjet vendore të 30 qershorit të vitit të kaluar, të cilat, sipas Metës, u zhvilluan në kundërshtim me ligjin dhe me vetëm një kandidat pas bojkotit të opozitës. “Përmes Parlamentit monist miratuan rezolutë kundër dekreteve të Presidentit të Republikës për zgjedhjet e 30 qershorit. Organizata rilindase e partisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve arriti deri aty sa rrëzoi edhe dekretet e Presidentit duke dhunuar haptas Kushtetutën.Mosbotimi i dekretit të Presidentit për 13 tetorin në ‘Fletoren zyrtare’ në kundërshtim me ligjin.Organizuan zgjedhje të paligjshme një partiake, kapën 100% pushtetin lokal dhe të 61 bashkitë u bënë moniste, bashkë me këshillat e tyre”, – shkruan Meta. Megjithatë, ishte vetë Presidenti ai i cili dekretoi 30 qershorin si datë për zgjedhjet vendore dhe më pas nxori një dekret tjetër për të zhbërë të parin. Për këtë arsye, mazhoranca ngriti 1 muaj pas zgjedhjeve vendore një komision hetimor parlamentar për të shkarkuar kreun e shtetit për shkak të cenimit të Kushtetutës mbi procesin zgjedhor.Presidenti Ilir Meta liston si hap të pestë miratimin e paketës “Anti-KÇK”, e cila, sipas tij, është ngritur “për të mbyllur çdo mundësi për ndëshkimin e kriminalizimit dhe korrupsionit të ‘Rilindjes’, si dhe për të përgjuar në mënyrë mafioze e të paligjshme këdo që i denoncon dhe thotë të vërtetat për ta”. Ndërsa si hap të gjashtë të “grushtit të shtetit” ai vendos ligjin“Antishpifje” i cili, sipas tij, është një përpjekje për të kapur median nga ana e Kryeministrit Rama.Hapi i shtatë, në atë që Ilir Meta e cilëson si grusht shteti të mazhorancës qeverisëse, lidhet edhe me akuzën kryesore që Presidenti ia drejton KyeministritRama se po përpiqet të kapë institucionin e fundit në vend. “Tentativa për kapjen e Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet falsifikimeve, mashtrimeve dhe shkeljes së Kushtetutës e ligjit nga kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, nga ministrja e Drejtësisë,EtildaGjonaj, dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, duke bërë pjesë të grushtit të shtetit të gjitha institucionet e kapura totalisht nga qeveria. Ky hap kishte për qëllim asgjësimin përfundimtar, jo vetëm të pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese, por edhe të çdo mundësie për llogaridhënie në Republikën e Shqipërisë, duke vënë në pikëpyetje edhe sovranitetin dhe integritetin e vendit”, – shpjegon Ilir Meta. Si hap të fundit, Ilir Meta liston “miratimin antikushtetues të ligjit të betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (pa pritur Komisionin e Venecias që e kërkuan vetë), për të futur si anëtarë të saj Dvoranët, Artat dhe Etildat e Rilindjes”. Pas këtyre hapave, mazhoranca qeverisëse, sipas Ilir Metës, kërkon edhe shkarkimin e tij për të plotësuar, sipas tij, gjithë aksionin e grushtit të shtetit. Në këtë rast, Ilir Meta duket se po luan me kartën nacionaliste për të tërhequr sa shumë njerëz për në datën 2 mars në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga ku pritet të firmosë edhe dekretin për shpërndarjen e Parlamentit.

Lexo edhe :  ANALIZA - 11 maji, referendumi për fundin e berishizmit

Tri rastet kur shpërndahet Parlamenti

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se në tubimin e datës 2 mars në bulevard, ai jo vetëm do të protestojë si opozitar, por edhe do të veprojë si President, ku do të nënshkruajë dekretin për shpërndarjen e Parlamentit. Megjithatë, përkundër pretendimeve tëPresidentit qëshpeshherë shkojnë në kufijtë e politikes dhe jashtë Kushtetutës, vetë ligji themeltar i shtetit parashikon tri rastet kur mund të shpërndahet Parlamenti. Duke iu referuar nenit 96 të Kushtetutës, shpërndarja e Parlamentit ndodh kur “Kuvendi nuk arrin, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin”. Gjithashtu, neni 104 i ligjit themeltar të shtetit jep një përcaktim së qartë se kur shpërndahet Parlamenti. Sipas këtij neni,Parlamenti shpërndahet kur “mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, me kërkesë të Kryeministrit paraqitur brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës”. Në shpërndarjen e Parlamentit, përfshihet edhe një rast tjetër, kur Parlamenti nuk arrin të zgjedhë Presidentin pas pesë raundesh votimi, atëherë Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Në këtë mënyrë, Presidenti nuk mund të nuk mund të ushtrojë kompetencën e shpërndarjes së Kuvendit përveçse në rastet e parashikuara më lart. Madje, neni 94 i Kushtetutës parashikon shprehimisht: “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”.

Të fundit

Trump: SHBA-ja i ka bërë propozim Iranit për programin e tij bërthamor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të premten se Irani ka tashmë një propozim amerikan lidhur...

Toni Gogu mesazh qytetarëve: Nuk fituam mandat, por një lidhje që s’ka nevojë për karrige

Disa nga senatorët e Partisë Socialiste rrezikojnë të mos jenë më pjesë e legjislaturës së ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë, kur numërimi po shkon...

“Ti je spiun”, shefi i pyjores vjedh energji elektrike dhe ofendon qytetarin

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së premtes një problematikë në fshatin Bardhaj në Përrenjas, ku shefi i pyjores vjedh prej vitesh energji elektrike dhe...

Piramida / Hap dyert “Ecole 42”, Rama dhe Macron përurojnë shkollën franceze

“Ecole 42”, shkolla prestigjioze franceze e kodimit do të jetë tashmë edhe në Shqipëri. Pas përfundimit të Samitit të Komunitetit Politik të Europës, kryeministri...

Goditet grupi i narkotikëve italo-shqiptar, shpërndanin drogë në qytetet italiane

Një operacion i zhvilluar mëngjesin e sotëm nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit Publik të Astit ka çuar në goditjen...

Lajme të tjera

Web TV