Ministria e Financave ka shlyer detyrimet për bonusin e lindjeve në vlerën 19 milionë euro. Sipas të dhënave nga Ministra e Financave mësohet se janë shpenzuar 2.3 miliardë lekë për këtë zë, duke tejkaluar planin me rreth 4 milionë euro.
Në fillim të vitit 2019 qeveria vendosi si politikë për nxitjen e lindshmërisë në vend, bonusin e bebeve, ku për beben e parë çeku është 40 mijë lekë, për beben e dytë 80 mijë lekë dhe për beben e tretë 120 mijë lekë. Ndërkohë referuar treguesve fiskalë të publikuara nga Ministria e Financave, gjatë vitit 2019, për ndihmën ekonomike dhe pagesën e paaftësisë janë shpenzuar në total 20.2 miliardë lekë, rreth 911 milionë lekë më pak, apo 7.4 milionë euro minus në krahasim me planifikimin e bërë.
Sipas të dhënave mësohet se me mungesë realizmi plani kanë rezultuar edhe shpenzimet për pagesën e papunësisë, të cilën e përfitojnë ata individë që kanë ndërprerë përkohësisht marrëdhëniet e punës. Për këtë zë janë shpenzuar 505 milionë lekë nga 540 që ishin planifikuar, duke bërë që 35 milionë lekë të mbeten të pashpërndara.