Presidenti Ilir Meta ka bërë publike arsyet për kthimin në Kuvend të ndryshimeve në ligjin ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’. Ky ligj është kthyer në mollën e sherrit midis Presidentit dhe mazhorancës.
Në argumentimin e Presidentit theksohet se “këto dispozita, të miratuara në mungesë të një konsultimi gjithëpërfshirës, shkelin:
1) Parimin e sigurisë juridike;
2) Parimin e pavarësisë dhe paanësisë së gjyqësorit;
3) Parimin e hierarkisë së normave kushtetuese dhe rezervën kushtetuese;
4) Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.”
Më tej, në njoftimin e Presidencës shkruhet:
1. Parashikimi i një alternative të ceremonisë së betimit, duke synuar që betimi me shkrim jo në prani të një autoriteti të lartë shtetëror dhe dërgimi/postimi i tij, të kthehet në një rregull të përgjithshëm, synon të deformojë rëndë këtë institut, që tregon përgjegjshmërinë, ndërgjegjshmërinë dhe angazhimin e subjektit që merr një detyrë të rëndësishme.
2. Synimi për ta kthyer këtë përjashtim nga rregulli, pra betimin individual me copa letre, jashtë institucionit të njohur nga ligji, në rregull të përgjithshëm, e tregon edhe neni 3 i ligjit nr. 15/2020, që në nenin 38, pika 2, të ligjit nr. 96/2016, duke parashikuar që pjesë e dosjes personale të magjistratit të bëhet edhe “akti i betimit sipas pikës 3 të nenit 37 të këtij ligji”, tinëzarisht e kthen këtë formë betimi (pra mos thirrjen e tij para Këshillit por dërgimin e aktit të betimit të nënshkruar) në një rregull të përgjithshëm. Përndryshe, nuk ka pse dispozita e nenit 38, pika 2, të ligjit, të rendisë në aktet që administrohen në dosjen personale të magjistratit, aktin e betimit vetëm kur nuk e thërret Këshilli. Dispozita, që ka për qëllim të parashikojë elementët që duhet të përmbajë dosja personale e magjistratit, mund dhe duhet të kishte parashikuar pa referencë ligjore, si pjesë të dosjes, thjesht aktin e betimit të bërë para autoritetit që kërkon dhe nënkupton Kushtetuta, dhe të nënshkruhet rregullisht gjatë ceremonisë së betimit në prani të tyre.
3. Ndryshimet e bëra në nenin 61 të ligjit nr. 96/2016, përmes nenit 4 të ligjit nr. 15/2020, krijojnë diferencim mes momentit të nisjes së detyrës për anëtarin e Gjykatës së Lartë që zgjidhet mes juristëve të spikatur dhe atyre që vijnë nga rradhët e gjyqësorit. Gjykata e Lartë, pas ndryshimeve kushtetuese është kthyer në një Gjykatë Ligji, sipas nenit 141 të Kushtetutës, dhe pavarësisht mënyrës së përzgjedhjes apo emërimit në të, gjyqtarët që marrin detyrën në këtë Gjykatë, duhet të betohen njësoj, para nisjes së ushtrimit të këtij funksioni. Çdo parashikim i ndryshëm ligjor, krijon ndasi edhe mes vetë anëtarëve që marrin detyrën.
4. Ky parashikim, sa i përket prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, zhbën praktikën e mirë të deritanishme, kur që nga nisja e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurorët e saj janë betuar rregullisht para Presidentit të Republikës.