Vettingu shkarkon gjyqtarin/Dikur u dënua me vdekje për atentat ndaj Ramiz Alisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryetari i gjykatës së Vlorës Skënder Haluci nuk ka mundur të kalojë shkallën e parë të Vettingut duke u shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Por me Halucin lidhet edhe një histori e pazakontë. Ai u akuzua në vitin 1983 se donte t’i bënte atentat Ramiz Alisë. Ai u dënua me vdekje. Por, që më pas iu fal jeta. Në vitin 1997, ai u tërhoq nga trupi gjykues për gjykimin e Ramiz Alisë, nisur edhe nga historia e mëparshme.Ja çfarë deklaronte para disa vitesh vetë Haluci për akuzat për atentat dhe se si iu fal jeta 

Skënder Haluci, njeriu i akuzuar në 1983 se donte t’i bënte atentat Ramiz Alisë në Tropojë, e cilëson alibi të ish­ Sigurimit të Shtetit akuzën ndaj tij. Haluci është shprehur para disa vitesh për gazetën “Panorama” se falja e jetës nga Alia ishte dhe për shkak të pakënaqësive që ishin krijuar në verilindje të vendit pas pushkatimeve të 5­6 personave që u akuzuan për atentat ndaj udhëheqësit të Partisë së Punës.

Zoti Haluci, në rrëfimet e tij ish­sekretari i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, është shprehur se ju jeni akuzuar për atentat ndaj Alisë në vitin 1983 dhe se ju është falur jeta nga pushkatimi, dhe jeni dënuar me 25 vjet burg. Si ka qenë historia juaj?

Atentatet ndaj Ramiz Alisë në Has dhe Tropojë janë atentate të sajuara nga Sigurimi i Shtetit.

Në Has, vërtet është arrestuar dikush dhe i është gjetur granatë në xhep, dhe për këtë janë pushkatuar dy persona, por ata kanë pasur hasmëri mes dy familjeve dhe konfliktin e kanë pasur mes tyre, dhe jo me Ramiz Alinë.

Sigurimi i Shtetit e dinte shumë mirë këtë. Ditën e vizitës së Ramiz Alisë, për shkak të përqendrimit të madh të policisë, personat në fjalë janë kapur me armatim dhe janë etiketuar si tentativë për atentat ndaj Ramiz Alisë. Ata janë arrestuar atë ditë.

Po në Tropojë si ka ndodhur incidenti?

Rasti i Tropojës është një përrallë e vërtetë. Ramiz Alinë e kanë pritur me ovacione dhe me entuziazëm të madh.

Kur është zhvilluar kjo vizitë?

Në 1983 dhe ne jemi arrestuar 6 muaj më vonë. Ramizi ka ardhur diku nga qershori apo korriku i atij viti dhe ne jemi arrestuar më 24 nëntor 1983.

Me çfarë akuze jeni arrestuar?

Akuza kryesore ishte se donim të vrisnim udhëheqësin e partisë, Ramiz Alia. Kjo ishte një akuzë e sajuar sepse Sigurimi i Shtetit në atë kohë për t’u bërë i besueshëm se kapte herë pas here armiq, sajonte ngjarje dhe situata duke marrë njerëz më qafë e duke i dënuar deri dhe me vdekje.

Si e ngriti Sigurimi i Shtetit alibinë ndaj jush se po përgatisnit vrasjen e Ramiz Alisë?

Ne ishim nga familje të persekutuara barbarisht nga regjimi komunist. Që nga viti 1948 deri sa u shemb regjimi komunist shqiptar, burgu politik shqiptar nuk ka ngelur pa pasur në qelitë e tij anëtarë të familjes time. Mua më ka vdekur babai në moshën 46 vjeç në dhjetor të vitit 1975, ndërkohë që vuante dënimin e dytë në Burgun e Burrelit, pasi ishte ridënuar në revoltën e të burgosurve të Spaçit të vitit 1973. Pas vizitës së Ramiz Alisë në Tropojë në pranverën e vitit 1983, Sigurimi i Shtetit ishte i interesuar për të sajuar edhe në Tropojë një atentat imagjinar ndaj Ramiz Alisë.

Lexo edhe :  “Ku u bazua gjyqtarja që unë isha ‘hajduti’?”/ Ish-ministri Beqaj Letër publike

Për këtë alibi kush më të përshtatshëm se ne që rridhnim nga familje të persekutuarish do të ishte më i besueshëm për alibinë e tyre. Pas vizitës së Ramizit në Tropojë, unë dhe shokët e mi kemi diskutuar vazhdimisht rreth kësaj vizite, duke shfaqur mendimin se sikur të vritej ky, regjimi merrte fund sepse për Enver Hoxhën thuhej se ishte i mbaruar. Madje, fantazia jonë filloi të prodhonte mënyra dhe ide se ku dhe si mund të asgjësohej më mirë dhe më thjesht. Në Tropojë jemi arrestuar dy veta, unë dhe djali i xhaxhait, Isuf Haluca.

Sa ju dënuan atëherë për këtë akuzë?

Mua më dënuan me vdekje. Presidiumi i Kuvendit Popullor, pas një muaji që mua më dënoi gjykata me vdekje, e ka kthyer dënimin nga “me vdekje” në “heqje lirie me 25 vjet burg”. Ajo që thotë Guro Zeneli është e vërtetë. Unë në 1997 kur isha pjesë e grupit të gjykatësve ndaj Ramiz Alisë, dhashë dorëheqjen sepse Kodi i Procedurës Penale i parashikon rastet e përjashtimit nga një çështje dhe unë isha një nga ato raste të parashikuara në Kod.

Kishte të bënte falja e jetës suaj me një qëndrim më tolerant të Ramiz Alisë?

Nuk është e vërtetë se Ramiz Alia ishte më i zbutur në qëndrimet dhe gjykimet e tij. Gjatë dhe pas asaj vizite të paharruar për hasjanët dhe tropojanët, në Has dhe në Tropojë janë arrestuar, torturuar dhe dënuar me afate të gjata burgimi mbi 30 veta.

Nga pranvera e vitit 1983, kohë kur ka ndodhur turi politik për promovimin e Ramiz Alisë si pasardhësin e Enver Hoxhës, pasi në atë kohë thuhej së Enver Hoxha ishte në gjendje të keqe shëndetësore fizike dhe mendore, deri në pranverën e vitit 1985 janë pushkatuar 5­6 persona nga kjo zonë, të cilët do të mundohem t’i kujtoj me emra, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli pushkatuar pas revoltës që kishte ndodhur në Burgun e Qafë­Barit në maj të vitit 1984, Shkëlzen Doçi pushkatuar më duket më 9 prill 1985 në kohën kur po jepte shpirt krimineli Enver Hoxha, pa harruar këtu edhe hasjanët që u ekzekutuan pas vizitës së Ramiz Alisë në Has. Thuhet dhe unë e besoj këtë se sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Punës në atë kohë i Tropojës…

Cili ishte sekretar i Parë në atë kohë?

…ishte Bajram Nezaj, i cili i ka thënë Ramiz Alisë se pushkatimet e të rinjve në Veri nuk janë pritur mirë nga popullata dhe kanë krijuar shumë zemërim. Një nga arsyet e ndryshimit të vendimit të dënimit tim me vdekje ka qenë kjo. Nuk dua më të merrem më me këtë histori se kam 50 vjet që përndiqem nga ajo.

A e keni takuar ndonjëherë Ramiz Alinë pas faljes së jetës apo edhe pas 1991?

Jo, nuk e kam takuar asnjëherë.

Të fundit

FMN ngre alarmin për pensionet në vend/ Skema e tanishme duhet reformuar!

Fondi Monetar Ndërkombëtar ngriti alarmin për skemën e pensioneve në Shqipëri, nisur nga fenomeni nëndeklarimit të pagave. Eksperti i...

Protesta e 8 shkurtit/ Berisha mbledh drejtuesit politikë të PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me drejtuesit politikë, koordinatorët dhe kryetarët e degëve të PD-së, ku në qendër të diskutimeve...

Lamtumira e Anastasit/ Rama e Mitsotakis takim ‘kokë më kokë’ pas ceremonisë

Pas përfundimit të funeralit të Kryepiskopit Anastas, pati një takim kokë më kokë midis Kyriakos Mitsotakis dhe Edi Ramës. Pas përfundimit të funeralit të Kryepiskopit...

Trafiku i armëve Shqipëri-Angli, kapet edhe 28-vjeçari në Londër, arrestohet vëllai

Pas arrestimit në Kolumbi disa ditë më parë të Almir Gjidiaj, i vëllai i tij i kërkuar nga SPAK për dosjen e trafikut të...

Mos bindja civile dhe qeveria teknike “helene”

Nga Kreshnik Spahiu Një incident shumë i rëndë ka ndodhur në lamtumirën e fundit që ju tha Kryepeshkopit të Kishës Ordhodokse Anastas Janullatus. Vendet Kryeministrit...

Lajme të tjera

Web TV