“Kam qarë nga gëzimi kur Dritëro Agolli aprovoi dramën time të parë”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

INTERVISTA/ Flet dramaturgu u njohur Ferdinand Hysi: Dramaturgjia shqiptare para dhe pas viteve ‘90

Nga Leonard Veizi

I diplomuar si inxhinier elektrik, do ta niste rrugën e artit duke dramatizuar romanin “Rruga Budi 723”. Sot në korpusin e veprave të tij dramaturgjike numërohen të paktën 40 drama, ku më shumë se gjysma e tyre e kanë parë dritën e skenës dhe të tjerat janë ende në pritje. Ferdinand Hysi, sot njihet dhe si një nga dramaturgët më të mirë në Shqipëri. Me një gjerdan çmimesh në gjoks, Hysi është nga të paktët aurorë shqiptar, vepra e të cilit ka shëtitur në skenat e Evropës dhe për më tepër janë vënë në skenë nga regjisorë të huaj në gjuhën e tyre. Për më tepër se kaq Ferdinand Hysi vjen nëpërmjet një rrëfimi që ia ka besuar gazetës FJALA:

Si nisi karriera juaj si dramaturg?

Kjo është një pyetje që i jam përgjigjur gjithmonë me dëshirë, sepse ka të bëjë me një fakt që e kam përmendur dhe në intervista të tjera: Dramaturgjia ka lindur me mua, ka qenë brenda meje, dhe vetëm rrethanat e bënë që të merrte rrugën e saj, sepse mund të mbetej dhe vetëm një ëndërr apo pasion i një fëmije! E them këtë, sepse talenti është brenda shumë të rinjve, por që të arrihet në një drejtim apo profesion të caktuar shpesh ndikojnë shumë faktorë të ndryshëm, si dora që të jepet, mundësitë, rrethanat, këmbëngulja jote, pra janë disa elemente që ashtu si të ndihmojnë të ecësh para, po ashtu dhe mund të ta lënë në mes atë që fshihet brenda teje! Dhe kjo është shumë e rëndësishme për të rinjtë e talentuar sot, të cilët jam i bindur që janë shumë dhe më shumë sa takojmë në prezantime të ndryshme të tyre.

Dhe të të kthehemi më konkretisht te pyetja…

Që fëmijë (kjo nga kujtimet e mia, por dhe sa më kanë treguar të mitë dhe më pas) unë shpesh në shtëpinë time organizoja disa shfaqje të ndryshme me fëmijët e lagjes, ku luaja vetë, gjëra që i sajoja vetë dhe me sa më thoshin, u kërkoja dhe një biletë për të hyrë (natyrisht pa lek). Pra kjo dëshirë ka qenë brenda meje dhe nuk mund të them e nxitur nga prindërit, sepse me sa mbaj mend, ata kurrë nuk kanë ndikuar në këtë drejtim. Por një fakt mbetet! Në shtëpinë time lexohej shumë, si nëna dhe babai, nuk lihej film pa parë, ku më merrnin dhe mua gjithmonë, dhe po kështu edhe në çdo shfaqje teatri të qytetit. Pra të gjitha këto bëheshin bashkë, duke e rritur brenda meje dëshirën jo vetëm të shikoja, por dhe të bëja për vete protagonistin. Kështu, p.sh, në klasën e 7-të të shkollës fillore unë shkrova, mund të them dramën time të parë, ku luaja vetë rolin kryesor, isha vetë regjisori dhe më kujtohet mirë që dhamë disa shfaqje në shumë shkolla të ndryshme me atë. Ndërsa në vitet e gjimnazit kjo dëshirë u kanalizua në drejtim të humorit. Gati çdo vit organizonim 2 premiera estradë të shkollës, ku dhe këtu i shkruaja vetë të gjitha skeçet, bëja regjisorin dhe natyrisht rolet e para i merrja vetë! Në ato vite estrada e shkollës “Ali Demi” ishte bërë e njohur në qytet, madje kemi marrë dhe një çmim në një festival të shkollave të mesme, të organizuar në Shkodër. Në këto vite unë jam thirrur dhe nga Estrada e qytetit, duke qenë aktor i saj në disa shfaqje të saj, gjë që më bëri dhe të njihem me regjisorin e Estradës profesioniste në atë kohë Nazmi Bunjakun, njohje kjo që solli më vonë ato rrethana që më futën në rrugën e dramaturgjisë.

Ndërkohë studimet tuaja të larta kanë qenë për inxhinieri…?

Me gjithë pasionin tim për dramaturgjinë, më saktë në atë kohë për humorin, unë kam qenë shumë i pasionuar pas matematikës dhe shkencave ekzakte, duke marrë pjesë në disa olimpiada matematike dhe më kujtohet mirë që shumë kohë timen e shpenzoja me zgjidhje problemash matematikore dhe eksperimente fizike, gjë kjo që u pasqyrua edhe në kërkesat e mia për vazhdimin e shkollës së lartë. Duke qenë se mbarova shkollën e mesme me mesatare notën 10 (në ato vite nuk ishte mesatarja një “sëmundje” si tani, aq sa unë vetëm kur mora dëftesën e pashë se i kisha të gjitha 10), komisioni i bursave të asaj kohe me gjithë ndërhyrjen e shkollës dhe të disave që më njihnin për një drejtim drejt Gjuhë-Letërsisë apo Psikologjisë, respektuan të drejtën time që insistoja ose Inxhinieri Radio-Elektronike (sapo ishte hapur ajo degë) ose Fizikë, duke më akorduar të drejtën e studimit për Inxhinieri Radio-Elektronike! Në këtë pikë dua të theksoj se gjatë gjithë viteve të universitetit, apo dhe vitit të parë të punës në stazh, nuk u mora fare me teatrin apo estradën si krijues apo aktor, por ju përkushtova tërësisht studimeve duke i mbaruar dhe ato me rezultate të larta dhe më vonë përkushtimit të punës sime si inxhinier i ri. Megjithatë, gjatë gjithë viteve të universitetit e them me bindje të plotë se nuk kam lënë asnjë shfaqje të Teatrit Kombëtar pa parë (në atë kohë shkonim që në mëngjes të blinim bileta) po ashtu dhe të Estradës së Tiranës, dhe kur shikoja atë skenë të Teatrit Kombëtar, i ulur në një nga radhët e fundit që arrija të kapja, shpesh vlonte brenda meje ajo dëshira e hershme për teatrin, pa e menduar se vërtetë një ditë në atë skenë do ngjiteshin dhe veprat e mija.

Cila ishte vepra e parë që u vendos në një skenë teatri?

Pikërisht janë ato rrethanat që përmenda pak më parë, që më futën dhe mua në rrugën e dramaturgjisë, sepse dua ta pohoj me sinqeritet: Në vitet e para të punës sime si inxhinier, me psikologjinë dhe të vetë drejtuesve të mi, ngarkesat dhe në kohë dhe psikologjikisht, as nuk më shkonte më mendja të shkruaja pa le të luaja vetë: Por ishte regjisori Nazmi Bunjaku, që kam thënë dhe dua ta ritheksoj që ka meritën kryesore të futjes sime në rrugën e dramaturgjisë. Duke njohur pasionin tim për teatrin, por edhe për njohjen familjare që kishim, më thirri një ditë dhe më propozoi të dramatizoja për teatrin, romanin “Rruga Budi 723” të Ruzhdi Pulahës. Atë roman unë e njihja mirë, se më kishte lënë mbresa dhe për mënyrën si e kisha lexuar për herë të parë. Nuk kishte dalë akoma në librari, na e pruri një shoku jonë nga Korça, Pandi dhe tha është vetëm një kopje, deri nesër duhet ta dorëzojmë. (Na u tha madje që nuk ishte dhe aq e lejuar) dhe unë kam ndenjur gjithë natën që e lexova. Kështu pranova dhe fillova ta shkruaj. Mund të them që ishte një punë shumë e madhe për mua, si për faktin që ishte e para për një teatër profesionist, por dhe natyrën e Nazmiut që punonte shumë me autorin. Më vinte në shtëpi gati çdo ditë dhe për çdo faqe që shkruhej, do rishikohej disa herë. Por mund të them që kjo ishte një shkollë e madhe për mua. Pra drama ime e parë për një Teatër profesionist ishte pikërisht “Rruga Budi 723”.

Ai ishte vendosja e kësaj drame që përcaktoi dhe rrugën e dytë tuajën?

Por dua të theksoj që dhe këtu pati një rrethanë që përcaktoi të ardhmen time në këtë rrugë, të cilën më vjen gjithmonë mirë ta përmend. Ishte prova gjenerale e dramës. Situata nuk ishte fare e qetë. Zëra të ndryshëm, si nga shumë që merreshin me teatrin, dhe nga Komiteti i Partisë, flitej për një mendim që shkonte deri në ndalimin e dramës, pasi tema quhej e rrezikshme për kohën. (Merrej në mbrojte një femër që kishte bërë fëmijë ilegjitim). Më kujtohet mirë që dhe në mëngjesin e asaj dite, vetë drejtori i teatrit lau duart me mua dhe me regjisorin, duke na i shkarkuar ne gjithë përgjegjësinë e dështimit të pritshëm, gjë që dhe tek aktorët krijoi një situatë shumë të rënduar. Dhe në darkë prova. Kishte zbarkuar gjithë Komiteti i Partisë deri te Sekretari i Parë i kohës dhe po kështu pritej dhe një ekip nga Komiteti Qendror nga Tirana, mes tyre ishte dhe Dritëro Agolli. Salla e mbushur plot me shumë nga ata që kishin hapur blloqet me kritikat për dramën. (Disa na e thanë më vonë këtë). Shfaqja ishte me pushim në mes, dhe unë isha ulur i vetëm në një cep, më shumë i mërzitur nga sherret e mëngjesit se sa me koshiencën se çfarë mund të ndodhte me ndalimin e dramës, kur gjatë pushimit më vjen një dhe më thotë: Hajde se të duan në holl! Shkova. Një rreth i gjere njerëzish, sa shkova ishte Dritëro Agolli që më afroi afër dhe foli ta dëgjonin të gjithë: “Hajde mor djalë! Ke bërë një gjë të mrekullueshme! Urime!” Kaq duhej! Mbaj mend që kam qarë gjatë rrugës që shkoja pas perdes dhe ua transmetova të gjithë aktorëve që ishin në ankth sa ishte e thënë. Tek ata shpërtheu një duartrokitje dhe gjithë gëzim hynë në pjesën e dytë: Shfaqja mbaroi, blloqet që do e rrëzonin u mbyllën dhe për herë të parë që ndodhte nuk u bë as dhe diskutimi pas shfaqjes, pas “Ok” ishte dhënë që në pushim. U shkruan datat që në atë çast, doli dhe posteri se para nuk kishte dalë as me shkrimin “Së afërmi” dhe shfaqja u dha të nesërmen. Në fakt ishte me të vërtetë një shfaqje e suksesshme që u shfaq jo vetëm në Vlorë, por në shumë qytete të Shqipërisë dhe në Tiranë. Duke u kthyer në kohë, e pranoj se nuk e di ç’do ndodhte me mua po të ishte ndaluar, por di se suksesi i saj shënoi për mua dhe rrugën e vazhdimit tim në dramaturgji, kjo si kërkesën që tashmë teatri kishte karshi meje por dhe për vete zgjimin tek mua të asaj ëndrre të vegjëlisë dhe rinisë!

Kjo dramë u ngjit dhe në skenën e Teatrit Kombëtar?

Do doja të rikujtoja dhe një episod që lidhet po me këtë dramë. Shfaqej në Teatrin Kombëtar në Tiranë “Rruga Budi 723”, pas një turneu shumë të suksesshëm në disa qytete. Kisha shumë dëshirë të shkoja dhe unë. E para dramë e imja në Teatrin Kombëtar! I kërkova leje drejtorit tim të Postës, ku punoja. Në fillim ishte dakord, por kur kërkoi shkakun e lejes që doja, më tha: “Po me gjithë këto punë që kemi këtu ti do i lësh dhe të ikësh në Tiranë për një shfaqje teatri!” Kaq! Nuk shkova. Nuk e pashë pikërisht atë që kisha ëndërruar disa herë kur isha student! E thashë këtë jo për të evidentuar ndonjë gjë, por doja të thosha se nuk ishte e lehtë në atë kohë që të shkruhej, duke qenë në një pozicion pune që nuk lidhej me atë. Mbaj mend një herë që dhe në një analizë vjetore që u bë nga i deleguari nga Posta Qendrore mes sallës, ka thënë: Ku është ai inxhinieri që na bën drama e të na japë llogari për… dhe këtë jo rrallë ma përmendin dhe kolegë të tjerë nga Drejtoria e Përgjithshme e Postave. Por unë vazhdova në këtë rrugë, pa e lënë inxhinierinë dhe punën, kjo dhe falë insistimit tashmë të kolegëve të mi të rinj të teatrit. Dhe ishte po Nazmi Bunjaku që pas një kohe jo të gjatë, vuri në skenë komedinë time “Na u rrit çupa”. Dhe kështu hap pas hapi deri sot që flasim. Në këtë fazë dua të theksoj se një rol të veçantë, përveç Nazmiut, ka luajtur dhe ish-skenografi i talentuar i këtij teatri, Sabaudin Xhaferi. Ishte ai që shumë herë më vonë më nxiste për të shkruar dhe jo rrallë i krijonim bashkë dhe idetë, dhe projektet për skenën. Më vonë, me kalimin e viteve, duke iu kthyer dhe pasionit të vjetër të humorit, u lidha shumë edhe me parodistët e Vlorës, duke shkruar shumë pjesë edhe për ta, krahas dramës dhe komedisë që patjetër mbeti dashuria ime e parë!

Si e shikoni krijimtarinë tuaj para dhe pas viteve ’90?

Më vjen mirë për këtë konstatim, se shpesh dhe unë në vetëdijen time i përgjigjem disa herë kësaj pyetjeje. Në fakt, unë kam shkruar dhe para viteve ’90-të, dhe kam disa shfaqje të vëna në skenë me Teatrin e Vlorës, disa skeçe të shkruara dhe nja dy komedi dhe Pallatin e Kulturës, por duhet thënë së nuk hyja në dramaturgët e njohur që ky qytet i ka pasur në atë periudhë, kjo dhe për faktin se pavarësisht që ato janë pritur mirë nga publiku dhe për mua ishin me sukses, duke mos kapur tema të mëdha të kohës, por ishin më shumë me karakter shoqëror, dhe jehona e tyre jashtë atij teatri ishte e pakët. Si pikë lidhjeje mes dy periudhave ka qenë një komedia ime “Sos në Hotel” (vitet ‘89-‘90) e çliruar dhe pak nga frymat e reja që po afronin. Ishte një nga komeditë që ka dhënë një numër të madh shfaqjesh. E filluar nga regjisori Kastriot Çollaku, por për shkak të largimit të tij jashtë shtetit, u detyrova unë e mora vetë regjinë dhe drejtimin e shfaqjes (atë periudhë kam punuar si libretist pranë Teatrit të Vlorës). Për mua kjo komedi ishte e para që u shkrua krejtësisht e lirë, pa menduar mesazhet apo idetë e mëdha që dikur analizoheshin në çdo hap, me një temë që më përpara nuk do guxoja ta shkruaja (ngatërrim çiftesh në një hotel, lidhje jashtëmartesore etj,) dhe pa frikën e provës së përgjithshme dhe atyre komisioneve që vinin një pas një me dilemën: do e lejonin apo jo shfaqjen. Ajo ishte vendosur që do shfaqej, kish dalë data, pavarësisht ndonjë kritikë në provën e përgjithshme. Dhe suksesi i saj ishte shumë i madh. Drejtori i teatrit në atë kohë ishte Albert Verria dhe ne së bashku për një kohë të gjatë kemi përjetuar atë kënaqësi të një shfaqjeje që biletat shiteshin të gjitha ditë me radhë. Kujtoj që pas disa vitesh, ne e rivumë përsëri në skenë, kësaj radhe me regjisor Roland Mingën dhe me titullin e parë që ajo kishte kur e kisha shkruar “La Piovra” (titulli ishte i vetmi gjë që në shfaqjen e parë nuk guxuam ta vinim, meqë ishte një titull në një gjuhë të huaj).

Pas kësaj, drama që shënoi për mua dhe ciklin e një sërë dramash që mund t’i quaj të periudhës pas viteve ’90-të ishte “Tri mendje në Ankand”. E filluar si ide e përbashkët me regjisorin Armando Bora, në fillim ajo u nis pa pretendime të mëdha, madje ishte menduar dhe të vihej në skenë me grupin e estradës, si një komedi farsë, por drejtori i asaj periudhe të teatrit Kristaq Skrami, insistoi ta vinim me trupën e teatrit (kishte dëshirën të luante dhe vetë në të) dhe me të, të paraqiteshim në Festivalin Kombëtar të Teatrove në Tiranë! Ishte viti 1994. Në festival shfaqja jonë u quajt surpriza e festivalit dhe mori tri çmime të tij, një ndër të cilit ishte dhe çmimi “Aleksandër Moisiu” i dramës më të mirë që m’u dha mua! Suksesi i saj mund të themi që deri diku ishte i paparashikuar për ne, por dhe për mua si autor, por e them me bindje që suksesi i saj shënoi për mua një hap të ri në fushën e dramaturgjisë. Kritika filloi të fliste më shumë, duke e vlerësuar dhe vetë dramën si një risi në një drejtim të absurdit apo të dramës satirë të simbolikës. Me këtë dramë në vitin 1995, teatri i Vlorës mori pjesë dhe në një prezantim të kulturës shqiptare në DI të Francës, ndërsa po atë vit drama mori çmim të dytë në një konkurs letrar të organizuar nga Komiteti për Ballkanin me qendër në Francë. Mund të them se pikërisht kjo dramë është vënë dhe disa herë në skenë nga trupa të ndryshme, si nga Elbasani, Teatri Metropolit Tiranë (ku me këtë prezantim kjo si shfaqje ka marrë gati 10 çmime në festivale të ndryshme, ndërsa unë si autor dy herë me çmim për dramën si tekst) dhe së fundi nga Shoqata “Mërgimtari” në Kroaci në gjuhën kroate. Pra shihet qartë se kjo dramë ka pasur dhe sukseset më shumë në rrugën time të dramaturgjisë.

Por në periudhën e pas viteve ‘90 dhe deri më tani, unë kam shkruar dhe vënë në skenë dhe shumë drama dhe komedi të tjera. Ndoshta njohja, ndoshta përgjegjësia ndaj të qenit autor në marrëdhënie të mira me disa teatro dhe regjisore mund të them se kam pasur fatin që shumë nga dramat e mia të shihnin rrugën e skenës, gjë që për atë që shkruan në fushën e dramaturgjisë është esenciale dhe ndoshta dhe një motiv më shumë për të qenë gjithmonë aktiv në këtë fushë.

Duke iu rikthyer dhe një herë pyetjes suaj, unë e them me bindje që pas viteve ‘90 krijimtaria ime ka qenë shumë më aktive se para, kjo si në sasinë e dramave të shkruara dhe të vëna në skenë, por dhe në vlerësimet që kam marrë për to. Njëkohësisht, megjithëse këtë më mirë e thotë kritika dhe jo unë, por unë të paktën në brendësinë time konstatoj se në këtë periudhë, i çliruar nga çdo paragjykim, kam tentuar të krijoj një stilin tim, duke qëndruar fort pas dramës satirë, me elementë të një absurdi dhe duke përdorur simbolikën si një armë të fortë në shkrimet e mia. Sa e kam arritur, kjo nuk është detyra ime ta them, por a ndjej që kjo është brenda meje, po, këtë e pohoj.

Lexo edhe :  Vota e emigrantëve/ Hapet vatër e re konflikti mes së majtës dhe së djathtës

Cila nga pjesët tuaja ka pasur më shumë sukses?

Megjithëse duket që kësaj pyetjeje i jam përgjigjur pak më parë, përsëri është një pyetjeje e vështirë për një autor, së pari, si prindi për fëmijët, është e vështirë të veçojë një vepër nga të tjerat, por dhe është evident fakti që suksesi në këtë fushë është edhe relativ. Natyrisht, drama që është vlerësuar më shumë me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, (ka marrë mbi 14-të të tilla) është vënë dhe disa herë në skenë dhe akoma kam kërkesa për këtë, është “Tri mendje në ankand”. Madje kjo dramë në vitin 2012 në edicionin e 10-të të ETC (European Theatre Convertation) është shpallur ndër 120 autorët më të mirë në Europë (of dhe 120 best contemporary). Ndërsa po me këtë dramë, vënë në skenë nga Teatri Metropol i Tiranës, më 2015 u përfaqësua drama shqipe në një festival në Vjenë të Austrisë.

Por në krijimtarinë time të kësaj periudhe, kam marrë dhe vlerësime të tjera, siç është marrja për herë të dytë e çmimit “Aleksandër Moisiu” për dramën më të mirë shqipe me “Shpirti i Ujkut” në Festivalin Mbarëkombëtar të 2005, apo dhe me dramën “Një tablo absurde” në edicionin e 9-të të ETC, është shpallur drama dhe autori ndër 100 autorët më të mirë në Europë. Po kështu, janë marrë dhe disa çmime në konkurse letrare për dramaturgjinë (si tekste) si drama “Misteri i Trekëndëshit të Bermudave” më 2012, ka marrë çmim të Dytë në konkursin “Katarina Josipi” organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar Kosovës. Komedia “Mjeshtri Cirkut”, çmim të Dytë në konkursin letrar të organizuar nga Ministria e Kulturës, më 1993 (vlen të theksohet se kjo vepër është rishkruar e përpunuar dhe është vënë në skenë në Teatrin Kombëtar në 2018, me titullin “Vdiq Mbreti, rroftë mbreti” me regji të Elma Doresit.) Drama “Kali i Karrocës, çmim të dytë, më 2004 Ministria Kulturës Tiranë më 2012 (më vonë kjo u vu dhe në skenë në Maqedoni në regjinë e Gëzim Kames në një bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar Tiranë dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit).

Pra vlerësime ka pasur, dhe kritika ka shkruar, por doja të theksoja se shpesh suksesi i një vepre nuk matet vetëm nga çmimet por nga perceptimi dhe kënaqësia që të jep kur spektatori e ndjek atë dhe kur ai pa e njohur dhe pa e ditur që e ke paranë shpreh kënaqësinë e tij.

Ju ka rastisur ndonjë episod i tillë?

E them këtë se unë kam një zakon që shfaqjet e mia (kur kam qenë i pranishëm se ka dhe kur kam qenë jo afër) i ndjek gati në të gjitha shfaqjet. Ulem në një nga radhët e fundit, dhe aty prek afër atë që spektatori e thotë pa ndrojtje dhe ashtu si e mendon. Aty kam ndjekur gëzimin e dikujt që i ka pëlqyer shfaqja si dhe mendimin direkt të atij që ka dalë i zhgënjyer. Kështu p.sh, shfaqen e “Tri mendje në Ankand” vënë në skenë nga Teatri i Metropolit, me regji të Elma Doresit, e kam ndjekur në të gjitha shfaqjet e tij, i ulur mes spektatorëve dhe perceptimet kanë qenë nga më të ndryshmet. Po kështu, “Vdiq Mbreti, rroftë mbreti” në Teatrin Kombëtar, shkoja në çdo shfaqje deri ditën e fundit dhe natyrisht kam në kujtesën time çdo reagim të spektatorit. Si nuk mund të harroj që megjithëse në dy shfaqje, por dhe qenia afër publikut kroat në shfaqjen “Tri mendje në Ankand” në Zagreb edhe pse në një gjuhë të huaj me një publik që nuk e njihja, ishte një emocion i veçantë. Por për të evidentuar këtë lloj emocioni që të jep kënaqësia me praninë e spektatorit, doja të përmendja një episod dhe nga një kohë e largët. Kur shfaqej “Sos në hotel”, unë gati çdo ditë blija 10 bileta, dhe para shfaqjes rrija në hyrje të teatrit. Njerëz që kërkonin bileta dhe matrapazë që i shisnin me të shtrenjtë. Unë shikoja çifte të rinj të panjohur dhe i pyesja nëse doni një biletë. Ata të entuziazmuar i merrnin, më të habitur që dikush po ua jepte me çmimin real, pa e ditur se ai që po ua jepte ishte autori i pjesës. Sinqerisht kjo lodër e asaj kohe (isha dhe i ri atëherë) kur shikoj gëzimin e dikujt për një biletë, më ka mbetur në mendje gjithë kohën një boshllëk që tani ka kohë që nuk përsëritet më! Megjithatë, për të qenë i sinqertë, këtë “lodër”, edhe në disa momente të shfaqjeve të fundit e kam përsëritur me gëzimin që dikush ishte i kënaqur që një i panjohur po i afronte një mundësinë të hynte në teatër. Së fundi, doja të theksoja se, suksesi i një vepre dramaturgjike, ku ti je vetë autori i saj, ka emocionet e veta, sidomos në ditën e premierës.

E përjetoni më të njëjtin emocion çdo premierë?

E kam thënë edhe në intervista të tjera, megjithëse kanë kaluar shumë vite dhe me shumë drama të vëna në skenë, unë atë ditën e premierës jam një adoleshent si në shfaqjen e parë të jetës sime: kam shumë emocione, njëlloj si ata që luajnë. E përjetoj keq atë ditë. Zakonisht rri pranë regjisorit, në këmbë, ose i ulur vetëm në një cep, kurrë afër me njerëz që i njoh, dhe momenti i duartrokitjeve të para përbën për mua një gëzim dhe emocion shumë të veçantë! Por e them me bindje, se nuk është ky matësi i suksesit të një vepre. Nga eksperienca ime, dita e premierës është një festë, ku shumë të urojnë dhe për formalitet, një pjesë e madhe janë njerëzit e tu, apo miq dhe shokë, që të duan në çdo situatë. Unë suksesin e kam matur me atë prekjen nga afër të atij spektatorit, që i ulur pranë teje, pa ditur që ka autorin pranë shpreh atë që ka ndjerë aktualisht nga shfaqja. Dhe në këtë drejtim kam marrë shumë emocione, si kam marrë dhe zhgënjime, por në të dyja rastet kam qenë koshient se ai është vlerësimi real që ti merr si autor. Njëkohësisht doja të vlerësoja dhe një fakt. Ka vepra të tua që të kanë dhënë kënaqësinë dhe të spektatorit dhe të vlerësimeve reale të kritikës, si p.sh, “Rruga Budi 723”, “Tri mendje në Ankand”, “Shpirti i ujkut”, “Para semaforit”, “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”, por ka dhe vepra si p.sh, “Sos në hotel” që ka pasur numrin rekord të spektatorëve, por për mua nuk është drama më e mirë që kam shkruar, apo ka të tjera që për arsye të ndryshme, kanë shfaqje shumë të mira, vënë mirë në skenë (këto nga vlerësime të kritikës dhe perceptimeve jo formale) por që nuk kanë pasur atë jehonë që pritej si p.sh, “Një tablo absurde”, “Testamenti” Berta e të tjerë” etj, apo të tjera si “Kali i karrocës”, “Natë misterioze”, që në mendimin tim por dhe të atyre vlerësimeve që janë bërë, kanë shfaqje shumë të mira, por e kanë parë skenën vetëm disa ditë, thjesht për arsye jo objektive. Por për ta mbyllur në këtë pikë e vlerësoj se jeta më ka dhënë më shumë sodisfaksione se sa zhgënjime gjatë gjithë karrierës sime si dramaturg dhe unë të gjitha veprat e mia i quaj sukses, se nuk është e lehtë vënia në skenë e një drame, pasi pas saj është një punë e madhe e një grupi shumë të madh njerëzish, të cilët kanë punuar me veprën tënde, me dëshirën, pasionin dhe mbi të gjitha me talentin e tyre. Dhe kjo nuk është pak për një dramaturg.

Si do t’i vlerësonit sot prurjet në dramën shqipe?

Është një pyetje që bëhet shpesh dhe që shpreh me të drejtë shqetësimin e madh për dramën shqipe dhe ecurinë e saj! Ka vite që flitet për këtë, shpeshherë me nota të forta kritike, por pikat mbi “I” nuk po vihen. Për t’ju përgjigjur direkt pyetjes suaj unë po pohoj atë që e kam thënë shumë herë të tjera. Prurje ka, të paktën në sasi kjo është evidente. Në leximin e fundit të dramës shqipe që organizonte Teatri Kombëtar, me sa më kujtohet u paraqitën gati 40 drama për lexim. Po kështu, në thirrje apo konkurse të tjera. I fundit i bërë nga Ministria e Kulturës ishte në 2012 me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe më kujtohet mirë që ishin mbi 40 autorë që morën pjesë. Pra sasi ka! Do thoni që nuk kemi cilësinë e tyre! Ky është një problem i madh që nuk i jepet dot një përgjigje vetëm nëpërmjet një interviste. Por unë insistoj se, problemi me dramën shqipe, me dilemën e madhe që shumëkush e trumbeton fort: kemi apo nuk kemi dramë shqipe, është një problem që nuk duhet të varet nga opinionet apo dëshirat e dikujt, qoftë ky dhe njohës i teatrit apo kritikës së tij, është një problem që duhet zgjidhur: Pra është domosdoshmëri. Pra, para se ta mohojmë atë me të thënin pa përgjegjësi: Nuk kemi drame shqipe, duhet ta pohojmë atë me thirrjen: Drama shqipe duhet të jetë një institucion për teatrin tonë. Ajo duhet të jetë në qendër të çdo politike kulturore! E them këtë jo se unë shkruaj dhe mbroj atë që shkruaj, por nuk mund të perceptohet një teatër pa dramën e tij kombëtare. Për këtë, të gjithë e dinë si bëhet, nuk është se duhet të japë unë mend tani, por kjo lidhet me shumë faktorë, të cilat unë mendoj se duhet më shumë se kush t’i marrë në dorë Ministria përkatëse e Kulturës. Është e kotë të përsëris gjëra që të gjithë e dinë, si mungesa e konkurseve, festivaleve, thirrjeve për dramaturgji, nxitja e të rinjve me forma të ndryshme, vënia e teatrove që varen nga bashkitë në disa detyrime ndaj dramës shqipe dhe deri te nxitja edhe me forma shpërblimi për regjisorë që nxisin dramën shqipe. E di që nuk po them ndonjë gjë të re, por sinqerisht jam i shqetësuar se në këtë drejtim vetëm flitet, pohohet një gjë, kritikohet, bëhen tentativa, por përsëri ky problem mbetet i hapur. Dua ta mbyll me një fakt. Kur ishim në Vjenë me dramën “Tri mendje në ankand”, drejtorja e Teatri që na kishte ftuar, me një respekt të veçantë për autorin e dramës, m’u shpreh, “ne duam ta njohim teatrin shqiptar nëpërmjet dramës së tij, sepse kështu na prezantohet më mirë në aspektin më të plotë!” Pra, evidentimi dhe marrja e masave për ta zhvilluar më tej dramën shqipe nuk është thjesht një dëshirë e disa individëve, qofshin këta dhe me dëshirën dhe predispozitën më të mirë për dramën shqipe, por është detyrë e institucioneve që problemi me dramën shqipe të jetë i programuar dhe me synime konkrete.

Rrallë herë ka qëlluar që një dramë e shkruar nga një shkrimtar shqiptar të jetë vënë në një skenë jashtë Shqipërisë. Por komedia e zezë “Lopata e artë” është realizuar nga një trupë kroate, e cila ka performuar edhe në Tiranë e Vlorë. Si u arrit marrëveshja?

Në të vërtetë “Lopata e artë” ishte bashkëpunimi i dytë me Shoqatën Mërgimtari në Kroaci, që erdhi pas vënies së “Tri mendje në ankand” në gjuhën kroate në 2018 e cila u shfaq në Zagreb dhe në disa qytete të Kroacisë. Bashkëpunimi i parë erdhi si rezultat i rekomandimit të kësaj drame nga regjisori Armando Bora, i cili ishte prezent në Kroaci me dramën e tij “Ata hyjnë pa trokitur”. Dua të theksoj se, njohja ime me veprimtarinë e kësaj shoqate teatrore në Kroaci ishte me të vërtetë një befasi. Jo vetëm për punën konkrete me veprën time “Tri mendje në ankand”, që ishte me të vërtetë një punë serioze me shumë pasion dhe dashuri, në radhë të parë e regjisorit dhe aktorit kryesor të saj Leonard Hamitaj, por edhe e dhe gjithë ekipit realizues, që edhe pse nuk ishin aktorë profesionistë, mënyra si punonin, dashuria për atë që bënin, i kalonte çdo përfytyrim të rreme që mund të krijohet kur mendon se ke të bësh me jo profesionistë! Por ajo që duhet të theksoj është fakti se kjo shoqatë teatrore kishte vite që punonte në dy drejtime të rëndësishme si në evidentimin në gjuhën shqipe atje në Kroaci të teatrit, duke aktivizuar dhe stimuluar shumë të rinj e të reja në dashurinë për teatrin, por dhe ajo që ishte më e rëndësishmja në njohjen dhe evidentimin e dramës shqipe edhe jashtë kufijve të shtetit të vet! Njëkohësisht e them me përgjegjësi të plotë se për aq sa i njoha dhe i pashë direkt në punën e tyre atje në Zagreb, mënyra si punonin, vlerësimi i çdo elementi të punës me një vepër teatrore, ishte me shumë profesionalitet dhe shpesh me norma dhe përgjegjësi që ndoshta në disa raste nuk i hasim dhe në trupa profesioniste këtu tek ne. Pikërisht gjatë qëndrimit tim në Zagreb lindi dhe ideja për t’u vënë në skenë “Lopata e artë”. Kjo ide lindi nga dëshira e përbashkët e imja dhe Leonardit! Dëshira e tij për t’u marrë me një monodramë dhe ideja ime që duke e njohur si aktor shumë ekspresiv, një monodramë do ishte një punë serioze për të, ishte dhe pika ku ne ramë dakord për bashkëpunimin tonë të dytë! Dëshira e tij ishte që ta përgatiste në fillim në shqip dhe premierën ta jepte në Shqipëri! Dhe kështu u bë: Premiera u dha në Vlorë, si dhe qyteti im i dramaturgjisë, dhe u mbyll në Fier, qyteti ku Leonardi lindi dhe u rrit si aktor, duke dhënë dhe shfaqje të tjera në Durrës dhe dy në Tiranë. Po kështu është dhënë një shfaqje në gjuhën shqipe në Zagreb dhe së shpejti është duke u punuar për ta shfaqur në gjuhën kroate në Kroaci dhe me dëshirën e mëvonshme për t’u paraqitur në ndonjë festival të teatrove në rajon.

Çfarë keni në dorë aktualisht?

Në fakt jam duke punuar në dy drejtime. Së pari, 2-3 nga dramat e mia të repertorit, të cilat edhe pse janë vënë në skenë, por për arsye të ndryshme unë i rishikoj si vepra të mia për t’u rivënë përsëri. Këtu cilësoj: Kam rishkruar nga e para dramën “Para semaforit” (e cila ka pasur suksese në vënien e parë me Vlorën, me regjisorët Arben Tartari dhe Astrit Mamaj), por e kam prurë në kohë, duke ndryshuar thelbin e ngjarjes dhe këndvështrimin e dy personazheve, duke e prurë si një vepër time të re me titullin “Vdekja e Trurit”. Mund të them paraprakisht se ka ngjallur interesimin e 2-3 regjisorëve duke shpresuar të shoh dritën e skenës së shpejti. Po kështu, në këtë linjë është dhe drama “Kali i karrocës”, e cila është shfaqur si premierë në Maqedoni, por për mua ngelet një dramë e paezauruar, pasi për arsye objektive dha vetëm 4 shfaqe, 2 në Shkup dhe 2 në Tiranë. Ndër dramat që unë i propozoj për vënie në skenë duke argumentuar dhe përse janë:

“Misteri i Trekëndëshit të Bermudave”, fituese e çmimit të dytë në Konkursin e Dramës Shqipe Katarina Josipi në Kosovë, e cila u vu në skenë nga regjisori Ben Apolloni në Durrës me titullin “Natë misterioze”, që megjithëse ishte një punë serioze dhe shumë e mirë e regjisë, unë përsëri kam mbetur pak i zhgënjyer nga mënyra si u administrua si shfaqje, dhe e shoh si një dramë që për mua mbetet përsëri në repertorin tim për t’u vënë në skenë. Po kështu me këtë këndvështrim shoh dhe dy drama të mia të tjera “Aziloidi” dhe “Një tablo absurde”, ndërsa një monodramën time “Qeni, bir i një qeni” e konsideroj krejtësisht të re, pasi një fragment i saj është shfaqur si një pjesë e një aktiviteti të zhvilluar në Tiranë.

Së dyti, jam duke shkruar dhe pjesë të reja. Jam gati në përfundim të një komedie me titullin “Llampa e Aladinit”, ku aktin e fundit nuk e kam përfunduar, duke e lënë të hapur që nëse një regjisor është i gatshëm të punojë me të, pjesën e fundit ta ndërtojmë së bashku në njërin nga 2-3 variantet që unë kam parashkruar. Mund të quhet një eksperiment ky, por unë kisha dëshirë ta shikoja në këtë mënyrë: natyrisht nëse nuk arrihet ky bashkëpunim, unë natyrisht do ta përfundoj me njërin nga variantet që unë shoh. (Le të merret kjo dhe një propozim për çdo regjisor).

Jam duke shkruar një dramë të karakterit psikologjik me tre personazhe, me titullin “Përtej murit” e cila është në përfundim e sipër. Njëkohësisht në planet e mia janë dhe dy drama satirë (apo komedi) të cilat janë të ndërtuara pak a shumë në imagjinatën time, por që ia lëmë kohës dhe mundësive nëse do arrihen të shkruhen. Jemi në një botë të gjallë kur shpesh parashikimet edhe mund të mos realizohen!

Së fundi doja të thosha se kam një dëshirë të bëj një botim të një libri me disa nga dramat e mia më të mira të vëna në skenë gjatë viteve të ndryshme, gjë e cila është në projekt, por nuk e di se kur mund të realizohet!

Leonard Veizi/ FJALA.al/

Të fundit

Rusia zgjeron përkufizimin e tradhtisë së lartë

Ligjvënësit rusë miratuan të martën një projekt-ligj që zgjeroi përkufizimin e tradhtisë së lartë, pjesë e përpjekjeve të autoriteteve...

Gjermania që ne njihnim është zhdukur

Së fundi mora një makinë me qira në Las Vegas, isha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mbuluar zgjedhjet. Agjenti në sportel...

Nëse i thani rrobat në shtëpi, sigurohuni që të merrni këto bimë

Ekspertët pohojnë se ajo heq në mënyrë të sigurt mykun dhe pluhurin nga shtëpia Shkencëtarët nga NASA kanë ndarë një listë të bimëve që besohet...

Media gjermane/ Artikujt për Portin e Durrësit ishin të gabuara, i tërheq mbrapsht

"BurdaForward GmbH", kompania mëmë e portalit ‘Focus online’, rrëzon si të gabuara dhe të paautorizuara dy shkrime të lidhura me Shqipërinë dhe Portin e...

Çmim i kripur/ Ja sa ka kushtuar fustani në daljen e fundit të Bora Zemanit

Përveçse është një nga moderatoret më të njohura dhe të përfolura, Bora Zemani shpesh di të rrëmbejë vëmendjen edhe me veshjet me të cilat...

Lajme të tjera

Web TV