Rama, reforma në drejtësi dhe ndërkombëtarët – Nga Spartak Ngjela

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Spartak Ngjela, ekskluzive për Gazetën Fjala

I- Në qoftë se reforma në drejtësi do të përfundojë duke sjellë me vete një sistem të ri juridik në Shqipëri, shoqëria shqiptare do të ndryshojë shumë shpejt kulturën e përgjegjësisë dhe do të ndryshojë skepticizmin shekullor kundrejt drejtësisë.

Janë tri aspekte ku mbështetet reforma në drejtësi.

Aspekti i parë është kushtetues, aspekti i dytë është seleksionues në funksion të korrupsionit, që do të thotë moralitet; dhe aspekti i tretë, ai i profesionit që do të thotë drejtësi e aplikuar në mënyrë korrekte.

A mund të flasim për “drejtësi të kulluar” si prurje e reformës në pushtetin gjyqësor?

Latinët e mëdhenj na kanë thënë: “Drejtësia e kulluar është padrejtësi”. Me anë të kësaj, duhet të kuptojmë se drejtësia që na nevojitet është drejtësia nëpërmjet ligjit. Maksima e mësipërme këtë nënkupton dhe kjo kapet më qartë në padinë penale. Në këtë padi, pyetja që ngrihet është kjo: Kundër të pandehurit ka apo nuk ka prova? Prova është ligji, domethënë ajo është drejtësia.

Korrupsioni shqiptar kundër drejtësisë, duke qenë i pakontrolluar, ka abuzuar me provën: ose e ka fshehur, ose e ka përdorur “gabim” kundër të pafajshmit, sepse i fajshmi ka paguar. Në fakt, kjo është substanca negative e procesit aktual penal, i drejtuar nga korrupsioni.

Ne jetojmë në një sistem politik dhe ekonomik ku paraja ka forcë omnipotente (të gjithëpushtetshme) dhe me anë të kësaj kuptojmë se paraja blen gjithçka. Çfarë na shqetëson në këtë forcë që ka paraja në treg? Ne na shqetëson çasti kur paraja blen drejtësinë. Pikërisht, këtë kërkon të perfeksionojë ose riparojë reforma në drejtësi. Me anë të kësaj kuptojmë që drejtësia nuk mund të jetë mall. Deri tani, konstatojmë se drejtësia është edhe mall në Shqipëri.

Do të na e rregullojë reforma këtë mangësi historike?

Ne mendojmë se po.

II-Reforma në drejtësi dhe korrupsioni i lartë shtetëror

Duke u nisur nga konsideratat e mësipërme për drejtësinë në Shqipëri dhe atë çka pritet se do të sjellë reforma në drejtësi, në këtë çast, na duhet të pyesim: Si është pritur reforma në drejtësi nga korrupsioni qeveritar në Tiranë?

Na duhet të vëmë në dukje se korrupsioni shqiptar ka qenë korrupsion kryeministror, domethënë që është sunduar dhe është ngritur deri në sistem nga qeveritë që kanë kaluar në Shqipëri, që nga viti 1997 e deri më sot.

Vrulli korruptiv i qeverive dhe, paralelisht me të, edhe korrupsioni në pushtetin gjyqësor, e ka sjellë gjendjen e korrupsionit shqiptar në sistem; prandaj, ka qenë e vështirë për shqiptarët që të shkatërronin një sistem juridik korruptiv që ka rrokur të dyja anët e medaljes së një shteti modern, edhe qeverinë, edhe pushtetin gjyqësor. Kjo gjendje ka sjellë një realitet, i cili duhej të shpërbëhej me metodën: sistemi kundër sistemit. Domethënë, një sistem korruptiv që duhet përmbysur me një reformë antikorrupsion te gjyqtarët dhe prokurorët.

Risistemimi i pushtetit gjyqësor, që aktualisht përmban brenda vetes edhe tri institucione të reja: Prokurorinë e Posaçme, Gjykatën e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, është risia e reformës në drejtësi dhe vetë reformës antikorrupsion. Të tria këto institucione, plus vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbartin me vete substancën e reformës antikorrupsion. Kjo, sepse Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme janë gardianët antikorrupsion kundrejt pushtetit gjyqësor dhe pushtetit politik. Funksionimi i kësaj tresheje do të sjellë eliminimin e korrupsionit aktual dhe garantimin e ecurisë për ndërtimin e një shteti të drejtë.

Lexo edhe :  Rama: Lamborghini i Noizyt kushton shumë më pak se 6 milionë dollarët e lobimit në SHBA

Dy janë ingredientët kryesorë të ecurisë normale ligjore të një shteti: drejtësi e pavarur dhe e kontrolluar imtësisht në funksion të ligjit dhe qeveri e kontrolluar nga pushteti gjyqësor kundrejt abuzimit të saj me pushtetin. Vetë korrupsioni i ngritur në sistem është: gjyqtarë të korruptuar dhe ministra të korruptuar. Kontrolli i ri kundrejt pushtetit gjyqësor dhe padia penale kundrejt pushtetit politik në abuzim janë garancia e drejtësisë nëpërmjet ligjit në një shtet modern; domethënë edhe në Shqipëri.

Aktualisht, pyetja që ngrihet është kjo: Si qëndron Kryeministri aktual përpara aplikimit të reformës në drejtësi, në funksion të mazhorancës parlamentare që ai drejton?

Duke u nisur nga aspektet e sjelljes së Kryeministrit aktual, kemi konstatuar se Kryeministri Rama nuk ka qenë i gjithi, i prirë kundrejt pranimit tërësor të reformës në drejtësi. Por, megjithatë, konstatojmë se pavarësisht nga sjellja, Kryeministri aktual nuk e ka frenuar mazhorancën parlamentare që të frenojë karakterin ligjor në miratimin e ligjeve të reformës në Parlament.

Gjithsesi, duhet të pranojmë se mazhoranca socialiste, sidomos pas ardhjes së deputetëve zëvendësues në Parlament, e ka zhvilluar normalisht procesin e miratimit ligjor reformues në Parlamentin Shqiptar. Në fakt, kjo mjafton që të përfundosh në konkluzionin se mazhoranca aktuale dhe Kryeministri aktual që drejton këtë mazhorancë, nuk po i sjell më asnjë pengesë ecurisë ligjvënëse në miratimin e ligjeve, të cilat i duhen ende reformës në drejtësi dhe reformës antikorrupsion në Shqipëri.

III-Reforma në drejtësi dhe ndërkombëtarët

Duhet të theksojmë se pa forcën dhe ndikimin e ndërkombëtarëve, reforma në drejtësi dhe reforma antikorrupsion në Shqipëri do të ishin të pamundura. Ndërkombëtarët, sidomos politika amerikane në ndërhyrje direkte, dhe politika e Bashkimit Evropian në paravendosjen e kushteve për çeljen e negociatave në anëtarësim e Shqipërisë në BE – që të gjitha këto me përmbajtje reformuese – përbëjnë gurin themelor ku qëndron realisht reforma në drejtësi, reforma antikorrupsion dhe reforma institucionale që pritet të vijë.

Edhe reforma në drejtësi, edhe reforma antikorrupsion kundrejt administratës së lartë shtetërore nuk do të kishin sukses pa një reformë institucionale të shtetit shqiptar. Duhet të pranojmë se për faktin që shteti shqiptar ka rënë tërësisht në korrupsion, kuptohet se institucionet e tij nuk kanë funksionuar.

Me anë të kësaj, kuptojmë se menjëherë pasi të jetë mbyllur aplikimi i reformës në drejtësi dhe sapo të ketë nisur vrullshëm reforma antikorrupsion kundër korrupsionit të lartë politik dhe qeveritar; duhet të nisë me vizion ultramodern riinstitucionalizimi i shtetit shqiptar. Raporti midis shtetit dhe institucionit shtetëror është raporti i shtetit modern.

Edhe këtë reformë institucionale shqiptarët po e presin nga ekspertiza dhe ndërhyrja ndërkombëtare, përkatësisht nga ndihma që duhet të japë në funksion të ekspertizës politika amerikane dhe ajo e Brukselit.

Të fundit

Listat e hapura po bëjnë kërdinë në terren, betejë e egër e kandidatëve brenda partisë

Në këtë fushatë nuk po flitet për programe, por po flitet për tepsi. Kjo metaforë, e futur në fjalorin...

VIDEO: Champions League, Parisi fiton edhe në shtëpi dhe shkon në finale kundër Interit

Parisi sonte e pati relativisht të thjeshtë të kualifikohet në finalen e Champions League. Pas fitores 0-1 në Londër, parisienët fituan 2-1 në shtëpi dhe...

Intervista, Rama ironizon Lapajn: Kur fut hundët në punët e qeverisë…

Kryeministri i vendit, Edi Rama, komentoi rastin e arrestimit të kandidatit të partisë “Shqipëria Bëhet” në Sarandë, i cili u kap me kokainë. Ai...

“Rama premton 2 kg fara kungulli mandatin që vjen”, Berisha: Jo më djepe bosh!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë takimit me qytetarët në Elbasan akuzoi Edi Ramën, se u premton të rinjve 2 kilogram fara kungulli...

Takimi në Tiranë, Agron Shehaj: Misioni ynë është të mos largoheni në emigrim

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, nga Tirana, u shpreh me tone të forta se rruga drejt ndryshimit të vërtetë në Shqipëri nuk ndalet...

Lajme të tjera

Web TV