Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në mesazhin e radhës drejtuar qytetarëve lidhur me masat e ndërmarra ndaj koronavirusit, ka kërkuar veçse bashkëpunim. Në komunikimin e saj të radhës, ministrja ka kërkuar nga ana e qytetarëve që të tregojnë të vërtetën, duke ia lehtësuar kësisoj punën mjekëve dhe infermiereve.
Po kështu ajo ka shprehur falenderimet ndaj bluzave të bardha, të cilët po përballen me virusin vdekjeprurës. Misioni i tyre është për të shpëtuar pacientët e infektuar. “Forca, forca, së bashku do t’ia dalim”, përfundoi fjalën ministrja Manastirliu.
Tashmë ka shkuar në 51 numri i personave të prekur me koronavirus. Në një dalje për mediat, zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli bëri të ditur informacionet e fundit në lidhje me të infektuarit.
Numrin më të madh të të prekurve e kap Tirana, ku deri tani ka shkuar në 34 të infektuar. Rakacolli tha se në 24 orët e fundit janë testuar 31 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19.