Rrëfimi ndryshe i oficeres së Forcave të Armatosura Besmira Dogjani për “luftën” me COVID-19. Nga studimet për psikologji, vendimi i 26-vjeçares për të veshur uniformën ushtarake dhe dalja nëpër rrugët e kryeqytetit me këshilla për qytetarët ndaj armikut të padukshëm.
Nga Alessia Selimi
Po i drejtohet një çifti në një stol betoni, që duket se po u shijon një cigare në natyrë. Pikaset lehtësisht në Pedonalen e Tiranës; me flokë të verdha dhe të mbledhura topuz, uniformë ushtarake, hapa të vendosur dhe një maskë bojqielli. Në të djathtën e kraharorit i lexohet dukshëm mbiemri, që padyshim të drejton në Veri të Shqipërisë. Besmira Dogjani ndodhet në terren prej një muaji, së bashku me qindra gra dhe vajza efektive të Forcave të Armatosura. Duke patrulluar, këshilluar dhe ndërgjegjësuar vazhdimisht qytetarët për zbatimin e masave të ndërmarra nga qeveria për minimizmin e përhapjes së koronavirusit. Besmirës duket se i vijnë në ndihmë edhe studimet për Psikologji. Dihet se objekti themeltar i saj është pikërisht të kuptuarin individin dhe grupin. “Menaxhimi i vetes, situatave të ngarkuara apo të pazakonta si kjo aktualja, vjen si rrjedhojë jo vetëm e përgatitjes ushtarake”-thotë ajo. Jeta e gati 3 milionë shqiptarëve ndryshoi fill pasi u shënuan dy të prekurit e parë në vend. Të imponuar nga rregullat shtrënguese të distancimit social, përfshirë këtu izolimin, sikurse edhe daljet me leje në rrugë. Ndryshoi gjithashtu edhe panoramika e qyteteve kryesore.
Pas 40 ditësh masat janë lehtësuar disi, por sërish frika mbetet. Raportohen vazhdimisht raste të prekura nga Covid-19. Kësisoj, në çdo lagje të kryeqytetit, policia dhe ushtria vijon monitorimin. Besmira, 26 vjeç, tregon për “Fjala” se i është caktuar survejimi i tregjeve, ku dyndja e qytetarëve duket se është e pashmangshme. Për të garantuar ruajtjen e distancës, teksa bëjnë pazaret. “Janë treguar bashkëpunues, nuk kemi hasur kundërshti, e kanë respektuar uniformën”-thotë ajo, duke u ndalur pikërisht në ndjesitë që i ka përçuar nga hera xhaketa, pantallonat, kapelja dhe këpucët ushtarake. “Në vegjëli, kur shikoja njerëz me uniformë i adhuroja. Më përgjanin ithtarë të rregullit, të drejtësisë. Veshja e tyre më transmetonte njëkohësisht përulësi, qendrim ky i rrallë gjendur, për t’i shërbyer pikërisht shtëpisë së madhe, kombit, atdheut”-shprehet Besmira, ndërkohë që qendron drejt, duke e respektuar kështu uniformën jo vetëm me fjalë.
Duke iu rikthyer punës së saj në terren, thotë se nuk është hasur me raste sporadike. Madje, thekson se sensibilizimi i qytetarëve me daljen në detyrë të Forcave të Armatosura është rritur ndjeshëm. Pyetjes nëse ndjen frikë ndaj situatës aktuale, i përgjigjet fillimisht me një buzëqeshje të lehtë. “Jo më kot jam pjesë e Forcave të Armatosura. Ne jemi të përgatitur për çdo lloj situate të jashtëzakonshme. Kemi të bëjmë me një armik të padukshëm, kjo është mëse e vërtetë, por ne jemi stërvitur për të luftuar kundrejt çdo armiku”-thotë oficerja Dogjani, e emëruar si e tillë në gusht të vitit të kaluar, kur jeta vijonte normalisht dhe kishte tjetër fytyrë nga kjo e sotmja. Familja e Besmirës gëzon megjithatë tjetër qendrim. Nuk janë parë me të për plot 40 ditë, që prej momentin kur janë izoluar në në Bicaj, Kukës. Aty ku rezultojnë deri më tani 11 të prekur nga Covid-19. “Unë jetoj më vete dhe mund ta cilësoj si një privilegj në këtë periudhë të vështirë që po kalojmë. Por, familja ime, si të gjithë qytetarët, janë mjaft të merakosur. Nuk mungojnë në asnjë çast telefonatat prej tyre”-tregon Besmira, duke shtuar se kujdeset që në çdo moment t’u rikujtojë respektimin e masave mbrojtëse.
Oficerja 26-vjeçare është e shoqëruar nga kolegët e saj meshkuj. Duket se, së bashku ndajnë pjesën më të madhe të ditës. Për t’u larguar me shumë gjasë te një treg fare pranë zonës, komunikojnë me sy. “Ambienti i Forcave të Armatosura është shumë komod, mbi të gjitha i hapur ndaj rolit gjinor. Ekziston një bashkëpunim i shkëlqyer. Një femër si unë ,e cila dëshiron të ketë një karrierë ushtarake, mund ta arrijë fare mirë tek FA. Sigurisht, të qenit një grua me uniformë përfshin edhe angazhime të rënda. Mirëpo, çdo profesion shoqërohet me sakrificat përkatëse”-thotë Besmira. Kjo ditë jave ndryshon nga ato të mëparshmet. Sikurse të hënën (19 prill), njerëzit shihen më të shumtë dhe për një kohë më të gjatë nëpër rrugët e kryeqytetit. Kanë filluar po ashtu punë të gjithë ata biznese që i përkasin kategorisë së parë, me rrezik të ulët dhe kontakt të pakët mes klientit dhe stafit. Megjithatë, patrullat ushtarake dhe ato policore mbeten në lëvizje të vazhdueshme. Lufta vazhdon. Për sa kohë që kronikat e ditës përmbajnë veçse numër të prekurish, asesi nuk mund të flitet për një fund. Besmirës i duhet tanimë të largohet. Në fytyrën e saj ngjeshen sërish gjalmat e penses. Po u drejtohet të tjerë qytetarëve, pa maska dhe doreza, të cilët me shumë gjasa ende nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun që u kanoset nga Covid-19./Fjala.al