1922-2020/ Shqipëria dhe shqiptarët, sa shumë kanë ndryshuar?!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pjesa e dytë/ Pjesën e parë të shkrimit lexoje (këtu)

Gjithçka në pamje të parë flet vetëm një aventurë apo një detyrë rutinë të diktuar nga profesioni, ndërsa dy gazetare amerikane vendosën të ndërmerrnin një udhëtim nëpër një vend fare të panjohur për shumicën absolute të botës. Por nuk ishte tamam kështu.

Artikulli i tyre përbën një dëshmi historike me vlerësime tejet realiste e pozitive për shqiptarët duke na sjellë edhe parashikimet e tyre për fatin e këtij kombi, që ata e cilësojnë “sa të ri, aq edhe të vjetër në familjen e kombeve të civilizuara”. 

Nga Armand Plaka

Gjithçka në pamje të parë flet vetëm një aventurë apo një detyrë rutinë të diktuar nga profesioni, ndërsa dy gazetare amerikane vendosën të ndërmerrnin një udhëtim nëpër një vend fare të panjohur për shumicën absolute të botës, siç ishte Shqipëria që sapo kishte mbushur 10 vite nga pavarësia „de jure“, e që tashmë po gëzonte frytet e asaj që mund të cilësohej pa mëdyshje si pavarësia „de facto“ e saj.

Por nuk ishte tamam kështu. Gjithçka ndodhte vetëm më pak se dy vjet pasi një komb i vogël, por shumë i vjetër, ia kish dalë të listohej si njëri ndër shtetet themelues të familjes së madhe të kombeve të civilizuara e të pavarura që bota njihte deri më atëherë, duke u anëtarësuar në „Lidhjen e Kombeve“, paraardhësen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila do të ishte simotra e saj e riformatuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Nisur ndoshta vetëm nga ky fakt, nëse do të do të mundoheshim të bënim një krahasim, del fare qartë në pah një aspekt, të cilin edhe sot e kësaj dite pakkush e ka theksuar; ai se shtetarët dhe diplomatët e atij shteti, duket se ishin disa hapa para atij të Pasluftës së Dytë, të cilët do të mund zinin një vend në ndenjëset e OKB-së në Nju Jork, vetëm dhjetë vite pas (ri)çeljes së saj në 1945, pavarësisht mbështetjes së ish-BRSS dhe ish-aleatëve komunistë, sigurisht nën kushte e rrethana tërësisht të tjera, në një botë që tashmë gjërat i shihte thjesht bardhezi, por edhe falë pazotësisë dhe miopisë së politikave që do të pasonin.

Por ky nuk është i vetmi aspekt që na përcillet nga reportazhi i dy gazetareve kurioze që ndërsa shkelin Tiranën, Elbasanin dhe Korçën, na shfaqen shumë të afta profesionalisht, duke na ofruar nga ana tjetër detaje që i tejkalojnë limitet e një reportazhi të thjeshtë gazetaresk, apo madje edhe të një “romani” udhëtimesh.

Duke tentuar të jenë shumë të saktë dhe realistë ( sikurse ua diktonte profesioni, nderi dhe tradita nga vinin, apo dhe platforma për të ciliën punonin), por edhe mirëkuptues dhe dashamirës, ata na shfaqen mjaft pozitivë në gjykimet, vlerësimet dhe përshkrimet që i bëjnë vështirësive që i ishin dashur shqiptarëve ndër shekuj për të arritur diçka që kombet e mëdha duket se e kishin arritur falë forcës së tyre të numrave dhe fuqisë ushtarake, lëvizjeve politiko-diplomatike dhe një dialektike “normale” zhvillimi, çka dukej se shqiptarëve, falë rrethanave e fatit histotik, i kish munguar.

Faqja e parë e artikullit origjinal me autorë: Viola I. Paradise dhe Helen Campbell

Artikulli i Viola I. Paradise dhe Helen Campbell “Shqipëria, një komb i ri në një botë të vjetër”, botuar rreth 100 vite më parë (shih:  “Albania – a neë nation in an old world”, By Viola I. Paradise and Helen Campbell,  fq. 566-580, Scribner´s Magazine, London, 1922) është në fakt një ftesë e mirëfilltë për vetë shqiptarët e sotëm, për të bërë disa bilance e për të parë se ku ishim e ku jemi, ndërsa si pa kuptuar po përmbyllim edhe dekadën e parë pas 100-vjetorit të Pavarësisë.

Ndërsa shfletojmë pasazhe nga reportazhi i tyre, në pjesën e parë sidomos vumë re në një stad krahasimor, se vizionet e përpjekjet e paraardhësve tanë, duke pasur parasysh se çfarë mund të të ofronte situata politike, ajo shoqërore, ekonomike, industriale, teknologjike e me radhë, çuditërisht ngjajnë të kenë qenë më të përparuara, më të orientuara, ndërsa qëllimet e veprimet, padyshim më fisnike.

Ndërsa flasin për shanset e Shqipërisë në përballje me një epokë të re të industrializmit agresiv që kishte përfshirë mbarë botën e civilizuar asokohe, autorët shtrojnë në fund disa pyetje, përgjigjet e të cilave duket se do na marrin kohë t´u përgjigjemi, edhe sot e kësaj dite. Ato mbledhin me radhë intervista nga nivelet më të larta qeverisëse, deri tek njerëzit më të thjeshtë, duke na përcjellë dëshmi që për ne sot përbëjnë dokumente të rëndësishme historike të dorës së parë për të kuptuar më mirë, një periudhë, e cila në shumë apsekte vlerësohet si nga më të ndriturat për hedhjen e themeleve të parlamentarizmit dhe ngritjes së ngrehinës shtetërore ndër shqiptarët.

Pasi flasin gjerësisht për mikpritjen e shqiptarëve, kontrastet që ofronte Shqipëria e kohës, kuriozitetin dhe dëshirën për të komentuar e mësuar më shumë se ç´mendonin të huajt rreth Shqipërisë, aromën europiane të Korçës, por edhe respektin e madh ndër shqiptarët për SHBA dhe rolin e saj në çështjen shqiptare, ata i vjelin dy fjalë edhe Ministrit të Brendshëm të kohës, Ahmet Zogut, (megjithëse nuk  e përmendin në emër), i cili po përjetonte kështu majat e hershme të një karriere që do të njihte vetëm rritje, ndërsa po ia dilte mbanë shtypjes së kryengritjeve antiqeveritare dhe po mbante në zgrip situatën e rendit në vend..

Ahmet Zogu, në vitet ´20 të shekullit të shkuar, i cili përmendet edhe në artikull

Në pjesën e dytë ata pohojnë ekszitencën e ligjeve të mira, por që problemin e kishin sikurse dhe sot, tek implementimi. Ndërsa nxirreshin në pah më tej tentativa për reformim edhe të sistemit pronësor sidomos në fshat, duke folur edhe për “ferma shtetërore”, flitej edhe për „diferencat strukturore mes veriorëve dhe jugorëve” në  një vend që për shkak të izolimit ndër shekuj, i kishte bërë ato në dukje edhe më të theksuara. Këtu del edhe më shumë në pah profesionalizmi i dy gazetareve amerikane,  të cilat nuk e teprojnë dhe nuk këmbëngulin për të sjellë përshtypjen e diferencave apo një ndarje të madhe mes tyre, çka fatkeqësisht sot pas 100 viteve, disa “shqiptarë” duan t’a fryjnë artificialisht, duke i dhënë tipare negative nxitur kësisoj shpesh ndarjen mes shqiptarëve.

Detaje interesante mbi mënyrën se si shqiptarët kalonin kohën e lirë në kryeqytetin e tyre akoma të pakurorëzuar zyrtarisht (që po kalonte vetëm një status kalimtar), por edhe aftësinë e shqiptarëve për të folur apo zotëruar një gjuhë të huaj, e bëjnë edhe më të vërtetë këtë prurje.

Sfidat në vijim, që mbeten edhe sot e kësaj dite sfida jo të vogla, siç është arsimi, apo dhe infrastruktura dhe shëndetësia, vendosen përkrah atyre kulturore dhe asaj për emancipimin e femrave, çka në një farë mënyrë dëshmohet si një sfidë ku konstatohej një dëshirë e madhe për t’u fituar qysh në atë kohë ndër shqiptarët. Duke dëshmuar shumë mirëkuptim dhe njohje të situatës e rrethanave jo vetëm historike, por edhe të atyre aktuale politike e sociale, Viola I. Paradise dhe Helen Campbell shprehen se: përtej gjakmarrjes, shqiptarët s ´janë aspak “njerëz të egër”. Pajisur me një nuhatje të thellë, dy gazetaret artikulojnë edhe sfidat e radhës dhe ngrenë pyetje interesante si: kemi kuriozitet të shohim nëse Shqipëria do të jetë e aftë ta mbajë atë edhe në periudhën e zhvillimit që po shfaqet tashmë në horizontin e saj. A do t’i rrëshkasë dot ajo vallë një industrializimi intensiv, i cili do të mbulojë nga jashtë me hekur individualitetin e saj plot jetë?

Më poshtë pasazhe konkrete të shoqëruara me koment nga artikulli i Viola I. Paradise dhe Helen Campbell në 1922:

Bejlerë dhe ferma shtetërore

Autoret na japin një informacion të vlefshëm, duke na ofruar raporte konkrete në lidhje me posedimin e tokave bujqësore mes sektorit privat dhe atij shtetëror, duke na bërë të besojmë se ndryshe nga ç´mund të kemi besuar deri më tani, shteti duket se ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë aspekt dhe se dualiteti në sistem edhe në sektorin bujqësor, paskësh qenë askohe mëse prezent:

Ai kësisoj duhet të punojë për bejlerët e pasur, të cilët posedojnë 35 % të tokave, ose në fermat e qeverisë, të cilat zënë rreth 40% të sipërfaqes së punueshme. Më tej bujqësia renditet si një ndër sektorët më prioritarë të qeverisë, ndërsa pohohet se: Qeveria ndërkohë po punon për të përmirësuar e stimuluar bujqësinë. Mungesa e rrugëve dhe e infrastrukturës, e bën jashtëzakonisht të vështirë këtë detyrë.

Veriu dhe Jugu, diferenca strukturore

Ngjashmëritë dhe diferencat mes asaj kohe dhe ditëve të sotme, ngjajnë interesante të vihen në dukje edhe në një aspekt tjetër: Struktura shoqërore në zonat e largëta e të izoluara të Shqipërisë Veriore, është shumë e ndryshme nga ajo e Shqipërisë së Mesme e asaj të Jugut. …Jugorët kanë udhëtuar në shumë vende të huaja dhe posedojnë kësisoj ndoshta edhe aftësinë për të vendosur më lehtësisht kontakte me të huajt.

Autoret venë në dukje se në kohët e shkuara ishte vënë re një lloj antagonizmi e ndarje mes tyre, por se tashmë kjo gjë nuk vihej re më. Veriorë dhe jugorë tashmë mblidheshin sëbashku në kafenetë e Tiranës dhe këndonin. Pavarësisht se: …kur i pyetëm një grup veriorësh se pse ata nuk i bashkoheshin jugorëve, ata na thanë se nuk i njihnin këngët e tyre. Gjithashtu, përtej evolucionit teknologjik, në thelb mund të konstatojmë se shqiptarët, përveç të kënduarit, si sot ashtu edhe nëntë dekada më parë, preferonin si argëtim lojrat me letra apo tavllën, mbrëmjeve në kafenetë e qytetit, pasi nuk kishte mundësi alternative për argëtim.

Lexo edhe :  Emma Stone zbulon emrin e saj të vërtetë

Autorët skanojnë më pas edhe shijet e shqiptarëve, ku kafeja zinte një vend të privilegjuar, ashtusikurse ndoshta edhe sot.

 

Pijet alokolike ndërkohë, lejoheshin e mund t´i gjeje në kafenetë e qyteteve, por përdorimi i tyre ishte i kufizuar dhe qeveria madje (këtu na bën të besojmë plotësisht se ajo ishte ndikuar jo vetëm nga tradita, por edhe nga ligjet mbi prohibicionizmin në SHBA, të vëna në zbatim në vitet 1919-1934) po bënte gati hartimin e një projektligji për ti ndaluar ato tërësisht.

Shqiptarët kanë dhunti për gjuhë të huaja

E s´kishte si të ndodhte ndryshe. Si një aksiomë që nuk ka nevojë për vërtetim, rëndom hasim në të tillë materiale edhe vlerësime që kanë të bëjnë me aftësinë e shqiptarëve për të mësuar gjuhë të huaja, fenomen i cili ka njohur një ringjallje pas rënies së komunizmit, duke “u kthyer në identitet”, siç na sugjeron pasazhi i mëposhtëm:

 

Shqiptarët kanë një dhunti për gjuhë të huaja. Pajisja me turqisht, greqisht dhe serbisht, bullgarisht apo rumanisht, alternativë ndaj shqipes, është e zakonshme. Mes atyre që kanë pasur mundësinë të kenë një edukim të huaj, frëngjishtja, gjermanishtja dhe italishtja – shpesh të trija sëbashku – përbëjnë kanale interaktive të komunikimit. Shqipëria nuk e ka përzier urrejtjen me gjuhët e huaja, siç bëjnë shpesh kombe të tjera. Ajo i edukon të rinjtë e saj në Itali, Francë e Austri, të gjitha këto vende të cilat kanë qenë dikur pushtuesit  e saj. Shumë shqiptarë lexojnë në persisht, duke e renditur atë si njëra ndër gjuhët e tyre klasike.

Arsimi, sfida kryesore qeverisëse

Mes shqetësimeve primare të qeverisë është arsimimi. Shkolla të reja po ndërtohen, të vjetra po restaurohen. Një ndër ligjet e para që u ndërmor nga qeveria e re, ishte futja në ligj e arsimit të detyrueshëm. Ndërsa pohon se ka çdo javë kërkesa për çelje shkollash të reja nga zonat fshatare, deri tani vonë, na thotë Ministri i Arsimit më tej, qeveria dërgonte shumë fëmijë të studionin jashtë. Por me vetëm 3 shkolla të nivelit dytësor dhe 12 gjimnaze, me 474 nga 506 shkolla që kanë vetëm një klasë (duke përjashtuar këtu sipas autoreve, një jetimore për djem dhe vajza dhe dy kopshte fëmijësh për vajza), sigurisht se pakëz arsimim nga jashtë është akoma i nevojshëm. Studentëve të arsimuar jashtë me paratë e qeverisë u premtohet punësim nga qeveria, të cilin ata bien dakord t’a pranojnë në një periudhë pesëvjeçare, pas përfundimit me sukses të studimeve. Duke konsideruar buxhetin e saj të vogël, qeveria ka qenë bujare me shkollat, duke akorduar për to në vitin shkollor 1921-22, 2, 595, 3888 franga ari – rreth një të shtatën e buxhetit të varfër të vendit”.

Më pas flitet për raportet mes pjesëmarrjes në arsim të femrave e meshkujve, ku ai sigurisht se ishte i zhdrejtë, gjithnjë në favor të meshkujve. Ndërkohë, vetëm 95 nga 854 mësuesit e regjistruar, janë gra. Nëse gjykojmë nga perspektiva e sotme, gjithkush mund të konstatojë lehtësisht një përmbysje të raporteve, madje deri në atë masë, saqë mësuesit meshkuj në arsimin fillor e atë të mesëm, sot rrezikojnë zhdukjen absolute edhe në terma afatshkurtër.

Fëmijë shqiptarë që inkuadroheshin në kurset apo klubet e kohës të mbështetura nga qeveria (viti 1923). (Marrë nga arkiva e Kryqit të Kuq Amerikan, i cili operonte asokohe me misionet e veta në Shqipëri)

Femrat muhamedane dhe ato të krishtera, ndryshime të pakonsiderueshme

Në fakt përbën pa dyshim një shenjë të progresit, kur prindërit muhamedanë i dërgojnë vajzat e tyre në shkollë. Vajzat e familjeve të krishtera, gjithashtu, megjithëse ato nuk mbulohen, janë kryesisht të gatshme për martesë qysh në moshën 14-vjeçare dhe jetojnë një jetë të tërhequr. Pozicionimi i gruas në Shqipëri është vetëm fillimi i largimit nga një periudhë e errët. … Vajzat dhe gratë orthodokse dhe katolike kanë pakëz më shumë liri, por diferencat me ato muhamedane nuk janë të mëdha. Megjithëse martesat poligame janë të lejuara…, ato janë thuajse të pazakonshme dhe ka një ndjenjë të përgjithëshme kundër tyre. Ndodh që një burrë, i cili s´ka fëmijë nga gruaja e parë, merr një të dytë, por në më të shumtën e rasteve, ai e ndan të parën dhe nuk i mban të dyja paralelisht.

Duke folur për një valë emancipimi që kishte shpërthyer asokohe edhe me nxitjen e bekimin e vetë qeverisë, autoret theksojnë:

Korça ka një klub grash prej 300 anëtaresh, me prezencë të të dyja konfesioneve. Ky klub organizon thuajse të njejtat aktivitete që organizon një homolog i tyre në SHBA, madje publikon edhe një revistë mujore. Përveç të tjerave, klubi ka punësuar edhe një stiliste nga Viena, për t´u mësuar një grupi të vogël vajzash, stilimin e veshjeve sipas trendeve europiane.

Kapaku i revistës në numrin ku është botuar edhe reportazhi për Shqipërinë në vitin 1922

Përtej gjakmarrjes, shqiptarët s ´janë aspak “njerëz të egër”

Përshkrimet e zakonshme të shqiptarëve si “ njerëz të egër dhe që “s´njohin ligj e rend” padyshim se kanë origjinën nga fenomeni i gjakmarrjes, i cili akoma është fatkeqësisht mbizotërues  në rajone të caktuara. Qeveria e re, gjithsesi, po merret seriozisht me të implikuarit në gjakmarrje, dhe të gjitha vrasjet e këtij lloji tashmë klasifikohen si krime…

Fatkeqësisht, ky fenomen rezulton prezent edhe sot e kësaj dite, duke sfiduar jo vetëm kohën, por edhe çdo qeveri shqiptare në këto afro 30 vjet demokraci. Gjithsesi, në atë kohë qeveria kishte nisur përpjekjet e saj dhe çka është më e rëndësishmja, është pikërisht kjo kohë, kur perceptimi mbi gjakmarrjen nis të ndryshojë në kokat e vetë popullsisë vendase:

Ndjenja e rrënjosur fort se “gjakmarrja është një çështje private mes vetë individëve, e që s´ka vend për të ndërhyrë qeveria”, po fillon t´i lëshojë terren besimit se këto konflikte janë me të drejtë çështje publike. Nga 794 persona të akuzuar për krime që kanë pasur pasojë vdekjen përgjatë vitit 1921, 692 janë futur në proçes penal ndërkohë. Dënimi për vrasësin është varja….. Përtej gjakmarrjes, shqiptarët nuk janë “njerëz të egër dhe që s´njohin ligj e rend”.

Shqipëria dhe industrializimi, sfidat e radhës

.…Sa shumë që çuditemi për thjeshtësinë, sharmin dhe mungesën më të aktualizuar ndaj komercializmit; kemi kuriozitet të shohim nëse Shqipëria do të jetë e aftë ta mbajë atë edhe në periudhën e zhvillimit që po shfaqet tashmë në horizontin e saj. A do t’i rrëshkasë dot ajo vallë një industrializimi intensiv, i cili do të mbulojë nga jashtë me hekur individualitetin e saj plot jetë?-Apo ndoshta do të ketë një fat edhe më të keq, duke u bërë një korridor hekurudhor tranzit për të kaluar nga brendësia e Gadishullit, drejt Adriatikut?- A do të ketë ajo vallë mençurinë të zgjedhë nga vendet, në të cilat ajo po studion dhe nga të cilat ajo ka ftuar ekspertë, pikërisht ato gjëra që asaj i përshtaten më shumë, sipas nevojave të veta?-Apo mos do ta lejojë ajo Europën të vendosë mbi të vulën e saj të thatë?- Sidoqoftë, Shqipëria tashmë po i prezanton veten e saj botës, si një vend i ri, i lirë më në fund, me të ardhmen e saj në duart e veta, dhe me dëshirën dhe shpirtin për t´ia përshtatur atë dëshirës së vet.

Krimet ndaj pronës, thuajse inekzistente

Po siguria dhe rendi publik, si paraqiteshin?. Ja çfarë na sugjeronte për këtë pasazhi në vijim në reportazhin e “Scribner’s Magazine”:

Gratë për shembull, në çdo kohë të ditës apo të natës, në vendet më të largëta e të izoluara, janë të sigurta nga ngacmimet e sulmet. Nuk ka asnjë akt të regjistruar sulmi ndaj grave. Krimet ndaj pronës janë thuajse inekzistente – një fakt ky shumë domethënës nëse do kemi parasysh se Shqipëria nuk posedon akoma asnjë bankë. Një gjykatës në Elbasan, i cili trajtoi 1000 raste përgjatë vitit të shkuar, regjistroi vetëm 2 vjedhje. Njëra prej tyre ishte bërë nga një burrë, i cili kishte qenë i pirë  në një dasëm, dhe rrugës për në shtëpi vodhi ca kafe e sheqer, por la pa prekur arin, të cilin ai me këtë rast mund ta vidhte lehtësisht. Ditën tjetër, tashmë esëll, ai u pendua dhe ia dorëzoi mallin e vjedhur policisë. Duke pasur parasysh rrethanat si i pirë dhe kthimin vullnetar të mallit të vjedhur në polici, ai u dënua me një vit burg, nga tre që parashikonte ligji.

Cila ishte revista Scribner?

Revista Scribner ose “Scribner’s Magazine” ishte një periodik amerikan, botuar nga “Charles Scribner’s Sons”, themeluar në vitin 1887, për të konkurruar dy revistat e tjera shumë të suksesshme asokohe, “Harper’s Monthly” dhe “Atlantic Monthly”. Gjatë ekzistencës së vet, revista angazhoi edhe shumë autorë të famshëm të kohës, duke përfshirë John Thomason, Elisabeth Woodbridge Morris and Clarence Cook, si dhe Presidentin e 26-të të SHBA-ve,  Theodore Roosevelt. Në maj 1939, revista pushoi së botuari numrat e saj për shkak të kopjeve të pakta të shitura në krahasim me rivalët e saj direktë, “Harper’s Monthly” dhe “Atlantic Monthly”, megjithëse vite më parë kishte njohur një numër rekord shitjesh.

Pjesën e parë të shkrimit lexoje (këtu)

1922-2020: Shqipëria dhe shqiptarët, sa shumë ka ndryshuar?!

Të fundit

Shkenca thotë se si dashuria e parë nuk ka asnjë tjetër, por jo për mirë

Dashuria e parë, ajo e mbushur me pasion dhe aventura, thuhet se nuk harrohet kurrë, sidomos nëse është mbyllur...

Ne budallejt

Nga Edison Ypi Ne budallejt e duam pushtetin ta bëjmë më të mirë. Ju t'squtët pushtetin nuk e doni për asgjë tjetër veçse ta vidhni. Ne...

“Burgjet shqiptare kanë dhoma për të bërë dashuri”/ Përparësitë që kanë të dëbuarit

Kriminelët shqiptarë të dënuar në Britaninë e Madhe po dërgohen për të kaluar kohën e mbetur të dënimit në vendin e tyre – ku...

“Qendra e Tiranës po…”, Rama nxjerr videon: Nën një ofertë fantastike..

Kryeministri Edi Rama ka uruar MIRËMËNGJES nga qendra e Tiranës që po transformohet befasueshëm në një atraksion urban duke pritur çdo ditë mijëra turistë nën...

Ish-gruaja e “Ujkut të Wall Street”: Historia e vërtetë ishte edhe më e ekzagjeruar

Ish-gruaja e Jordan Belfort (luajtur nga Leonardo DiCaprio në The Wolf of Wall Street), së fundmi konfirmoi se ajo që kemi parë në filmin...

Lajme të tjera

Web TV