Mjeshtri 33-vjeçar që i kthen trungjet e vjetra të ullirit në orendi. Si e zbuloi pasionin e punës artizane pas studimeve për grafik-dizajn
Nga Alessia Selimi
Ka një përfytyrim se të rinjtë në Shijak shkojnë zakonisht në emigracion, merren me biznes makinash, apo si në çdo qytet të vogël, e çojnë kohën dëm nëpër kafe. Në një periferi të kësaj zone, është Alvaro Estrefi që bën një gjë krejt tjetër. Ai prej vitesh është përqendruar te një punë që ka më shumë pasion sesa para. 33-vjeçari merr trungje ullliri dhe i kthen ato në mobilje ose orendi; nuk përpunon asnjë lloj tjetër lënde drusore. Çdo gjë që nxjerr nga duart ka aromën, forcën, dhe jetëgjatësinë e ullirit.
Druri duhet të jetë i tharë ose i stazhonuar, për të shmangur kësisoj një punë të çuar dëm. I tillë është misioni që shoqëron ditët e Alvaros. Pasioni i kahershëm për këtë lloj trungu me gunga dhe degëzime, merr formë në një punishte më se të zakonshme, ku mbizotëron aroma e ullirit. Në të pikaset gjithashtu prirja për pikturë.
Alvaro ka studiuar në shkollë të mesme pikërisht për këtë disiplinë të artit figurativ, si dhe është trajnuar gjatë tre viteve për dizajn grafik. 33-vjeçari e konsideron punishten strehëz, nuk ka në krah të tjerë ustallarë; i ofron komoditet, për të menduar dhe sjellë punime sa më origjinale, por edhe për t’iu larguar stresit që shkakton jo rrallëherë monotonia. Dyert e saj u hapën pas dy muajsh, fill pasi u lehtësuan masat e marra nga qeveria për parandalimin e pandemisë Covid-19.
Alvaro po punon aktualisht për një mesore, e cila duket se do t’i marrë 4 ditë punë. Teksa procesi fillon duke zgjedhur pjesën më të mirë të drurit, në këtë rast format e çrregullta, Alvaro tregon për gazetën “Fjala” teknikat e përdorura, sikurse ecurinë që ka një biznes i këtillë.
“Fillimisht bëhet një skicë e porosisë nga klienti. Pasi vendosim se me cilën pjesë të drurit të ullirit do të punojmë, përftojmë objektin në trajtën e dëshiruar, duke e vendosur këtë të fundit në një kallëp. Me kërkesë të klientit praktikojmë hedhjen e rezinës ekologjike ecopoxy, me ngjyra ose pa ngjyra. Rezina ofron një shkëlqim të thellë dhe pamje tridimensionale. Është një prirje që haset pothuajse në çdo shtëpi. Si proces nuk është aspak i vështirë, vendoset dhe thahet shumë shpejt mbi dru në krahasim me materialet e tjera”, thotë Alvaro teksa mban në dorë një trapan.
33-vjeçari thekson se druri duhet të jetë patjetër i tharë ose i stazhonuar, përndryshe mund të deformohet në një periudhë shumë të shkurtër dhe si rrjedhojë rezultati nuk do të jetë ai i kërkuari. Ai shton se porosia, përpara se t’i dorëzohet klientit, i nënshtrohet një trajtimi përfundimtar.
“Unë përdor për drurin atë çka quhet French Polish, që është një teknikë me trajtim bio nga rrëshira e pemës së kumbullës dhe që është përdorur fillimisht nga francezët në vitin 1500. Kjo i bën akoma më interesante punimet e mia, sepse nuk përdoret prej dekadash, për shkak të lodhjes së madhe”, shprehet Alvaro, ndërkohë që braktis trapanin për të marrë në dorë një sharrë.
Ai e siguron drurin nëpër fshatra dhe pemët që priten janë shekullore, nuk japin më prodhim të kokrrës së ullirit. “Ky lloj druri është i destinuar për djegie”, sqaron Alvaro.
Por, cili është misteri për jetën e drurit më jetëgjatë? Trungu dhe degët nuk jetojnë përgjithmonë. Ato rrudhen dhe vdesin shumë herë gjatë rrjedhës së jetës së pemës. Por rrënjët dhe pjesë të drurit të ullirit, që janë nëntokë, nuk vdesin nga shkaqe natyrore. Ato nxjerrin përsëri e përsëri fidanë të rinj. Pema e ullirit është e famshme për rritje në tokë të varfër dhe terren shkëmbor.
Karrige, bufe e tavolinë druri të së njëjtës formë, me ngjyrë toke, kafe ose bezhë. Të tillë përmbajtje kishte shtëpia model e një familjeje me të ardhura mesatare përpara viteve ’90. Një tjetër element që nuk mungonte ishin bibliotekat. Edhe pse të thjeshta, ato ishin pjesë në çdo shtëpi. Me zhvillimin e teknologjisë, shumë nga objektet që dikur bëheshin vetëm me dru, janë zëvendësuar me materiale të tjera, si metal apo plastikë. Rrjedhimisht lind pyetja: a pëlqehen ende punime të këtilla?
“Vendasit i pëlqejnë punimet prej druri, por vlera e tyre bën që shumica të orientohet drejt një lloji tjetër arredimi”, thotë Alvaro. “Nëse ekonomia në Shqipëri do të ishte më e mirë, biznesi artizanal do të ishte goxha fitimprurës, por rrogët e ulëta bëjnë që shumë persona mos të arrijnë të kenë sukses në blerjen e këtyre lloj punimesh. Pra, punohet me një rreth të ngushtë klientësh”, shprehet më tej ai teksa cilëson se këta të fundit janë kryesisht pronarë baresh, restorantesh dhe lokalesh.
Pavarësisht kësaj klime të zymtë në biznesin artizanal, Alvaro dëshiron që i biri të gëzojë në të ardhmen të njëjtin pasion për punën me dru. “Si çdo prind, dëshiroj më të mirën për djalin tim. Ai është ende i vogël, por nëse ndodh që gjatë rritjes të kultivojë dashuri për punimin e drurit, përse jo, do të isha shumë i lumtur që të më bëhej krah në këtë profesion sa të vështirë, aq edhe të bukur”, thotë Alvaro, i cili nuk ka pasur një shembull për të ndjekur, sikundër mund të hamendësohet.