Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaron se gjatë kohës që ai ka në këtë detyrë janë larguar 100 policë të inkriminuar. Në emisionin “HARD TALK”, Lleshaj tregon se është e papranueshme.
Zoti ministër, keni thënë se “policia shqiptare derisa të jem unë ministër i brendshëm do të ketë fytyrën time”. Si mund ta thoni këtë?
“E di ka shumë njerëz, edhe njerëzit e mi të afërt që ma thonë këtë. Unë e them prapë, si ministër, jo si person. Si individ askush nuk më përfaqëson mua përvec se unë. Si ministër sigurisht që më përfaqëson çdo polic dhe kur çedojnë policët, ka çeduar ministria dhe këtë iu them edhe drejtuesve të policisë. Ka një garanci absolute në këto raste, kushdo që çedon nuk e mbron asgjë në këtë tokë. Dhe nuk është çështje orësh por sekondash për ta nxjerrë jashtë rradhëve të policisë. Nuk janë pak por janë shumë që gjatë kësaj periudhe që flasim janë dhjetëra e dhjetëra punonjës policie të cilët janë larguar pa nder nga policia e shtetit, i afrohen 100. Janë larguar sepse kanë konsumuar vepra që nuk pajtohen me statusin, me figurën e punonjësit të policisë.”