Kryetari i Bashkisë së Tiranës publikoi projektin e teatrit të ri, duke e cilësuar kurajoz, por më të mirin për qytetin. Ndërtimi i tij do të bëhet me kredi bankare, duke iu drejtuar institucioneve të rëndësishme finaciare ndërkombëtare
Nga Blerina Gjoka
“Një vendim aspak i lehtë, por kurajoz që do të përshëndetet në të ardhmen”. Kështu e ka cilësuar vendimin e bashkisë që drejton Erjon Veliaj një ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Gjatë një mbledhjeje online me anëtarët e këshillit bashkiak, të cilët, siç tha Veliaj, kishin votuar unanimisht për shembjen disa ditë më parë, ai prezantoi projektin e teatrit të ri që do të ndërtohet në vend të atij që ishte dhe u dha përgjigje disa pyetjeve për këtë çështje.
“Patëm një votim unanim me 60 vota për ecjen përpara të qytetit tonë. Njerëzit janë zgjedhur për të marrë vendime të vështira. Nëse do të kishin qenë të lehta, do t’i kishin marrë të tjerët para nesh, Basha. Nuk është e lehtë të zgjohesh në mëngjes me mallkime. Ishte një vendim i vështirë, por i drejtë”, – tha kryebashkiaku Erion Veliaj.
Më tej ka dhënë detaje jo vetëm mbi arkitekturën e tetarit të ri, por edhe hapësirat e tij.
“Në terma të përgjithshëm bëhet fjalë për një teatër 8930 m2, pra janë trefish krahasuar me ekzistuesin dhe gjashtëfish nga ajo që ishte në hipotekë”, theksoi Veliaj.
Më tej, zbuloi detaje nga projekti për teatrin e ri, ku parashikohet që auditori kryesor të ketë 650 vende në një hapësirë prej 750 m2, ndërkohë që vetëm skena do të jetë 630 m2 e përshtatshme për të gjitha veprat artistike.
“Ky projekt plotëson edhe ëndrrën e kahershme të aktorëve për ambiente ndihmëse. Në vend të kutive prej kartoni apo dollapëve plot myk, në dispozicion të aktorëve si ambiente ndihmëse do të jenë 520 m2, ndërkohë që 1800 m2 do të shërbejnë si ambiente ndihmëse për skenën.” – theksoi numri një i Bashkisë së Tiranës.
Sipas tij, ky projekt është konceptuar të jetë edhe si zemra kulturore e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë, e dedikuar vetëm për art. Godina e projektit të teatrit të ri ofron edhe dy salla Balc Box me 150 vende dhe 350 vende, duke u dhënë shansin grupeve të ndryshme artistike, mes tyre edhe të rinjve, që të ngjisin në skenë veprat e tyre.
Veliaj pranoi se bashkia nuk i ka paratë për ndërtimin e kësaj godine të re dhe se ajo do të bëhet me kredi nga bankat ndërkombëtare. Ai bëri të ditur se për këtë do të ngrihet edhe një grup negociator vetëm për kredinë, kurse një tjetër për detajimet e projektit. Për ta realizuar këtë projekt ftoi për mënyrën e financimit nga BIE, BERZH apo nga Banka e Abu Dhabit, duke dhënë disa shembuj të tjerë të investimeve të kësaj bashkie.
“Versioni më ideal do të ishte me privatin. Arena Kombëtare ishte rasti ideal. Por tek Teatri nuk u pranua nga artistët. Ne ishim me artistët. Prapë nuk i kemi lekët. Do ta bëjmë me lekët e bankës. Do të marrim nga Banka Evropiane e Investimeve, marrim kredi nga Abu Dhabi për lumin e Tiranës, nga BERZH për filtrimin e ujit. Pra, qeveria i jep Bashkisë garanci sovrane, ne këtë e marrim nga bankat. Se pastaj thonë që jemi me oligarkët apo e bëjmë me oligarkët. Ne kemi 10-fishuar taksën e ndërtimit. Dhe me këto do të lajmë edhe kredinë.” – tha Veliaj.
Vendim i vështirë, por kurajoz
Ashtu si në ditën e shembjes së teatrit, Veliaj ka theksuar se për të ishte një vendim i vështirë, por i duhuri. Madje dje ai tha se ky vendim është kurajoz, duke e krahasuar me disa raste në Evropë, kur ka pasur kundërshtime për vepra që më pas janë bërë të dashura për publikun. ”Më mirë një vendim i vështirë dhe jo popullor tani. Arapachi në Romë u urrye aq shumë, por është muzeu më i njohur në Romë. Pati një kryebashkiak kurajoz apo qeveri kurajoze që e bëri, mua dhe Ramës nuk na mungon kurajoja. Edhe kullën Eiffel e urryen aq shumë, por më pas u bë një nga më të vizituarat dhe simbol”, – tha Veliaj. Një tjetër pikë ku u ndal ishte edhe arsyeja që përse vendosën që shembja e godinës së Tetarit Kombëtar të kryhej në orët e para të mëngjesit. “Konflikti mbi Teatrin Kombëtar eskaloi kur u përfshi politika. Ne gjykuam që do të ishte e rrezikshme për artistët, nëse do të prishej në çdo moment tjetër të ditës. Unë kam përjetuar 21 janarin, kur Saliu të vriste ditën. Për të respektuar vendimin e shumicës, zgjodhëm momentin kur mund të respektohej me riskun më të vogël. Kjo është arsyeja që ndërhymë në atë orë dhe më vjen mirë që nuk patëm të lënduar”, – sqaroi ai. Ndërsa tashmë çështja teatër si godinë është një histori e përfunduar, kreu i bashkisë së kryeqytetit edhe ditën e djeshme kërkoi bashkëpunim me kundërshtarët e projektit të teatrit të ri, duke thënë se ai e ka dorën e shtrirë ndaj tyre.
PD: Qeveria do të marrë kredi 30 milionë euro për teatrin e ri
Partia Demokratike ka denoncuar atë që e quan aferën më të madhe të qeverisë në kurriz të shqiptarëve, tentativën për të marrë një kredi 30 milionë euro për ndërtimin e teatrit të ri, ndërsa i la shqiptarët pa ndihmë financiare gjatë epidemisë. Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka reaguar në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e godinës së re, për të cilën u deklarua se do të merret kredi. Tabaku thekson se qeveria nuk kursehet për të marrë kredi të barabartë me 30 milionë euro për projektin kriminal të teatrit me kulla. “Qeveria zotohet të marrë një kredi sa gjysma e ndihmës që BE-ja ka dhënë për Shqipërinë në kohë pandemie, vetëm sepse ditën e djeshme shkatërroi godinën e Teatrit Kombëtar dhunshëm dhe vjedhurazi.”, shkruan Tabaku. “Kur shqiptarët ishin të kyçur në shtëpi prej pandemisë, Edi Rama u tha atyre se buxheti i shtetit nuk kishte aq para për të ndihmuar shqiptarët e punësuar dhe të papunët. I gënjeu shqiptarët se buxheti nuk kishte para dhe shpërndau ndihmën më të vogël në rajon. Megjithëse për shqiptarët qeveria nuk kishte asnjë lek në buxhet, për të marrë kredi të barabartë me 30 mln euro për projektin kriminal të teatrit me kulla, ajo nuk kursehet”, – thotë ajo.