Nuk është arritur sot asnjë marrëveshje për reformën zgjedhore. Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili akuzuan Partinë Socialiste se nuk ka pranuar propozimet e opozitës. Megjithatë, diskutimet për reformën do të vijojnë përtej 31 majit, duke ‘djegur’ afatin e përcaktuar më parë.
“Të gjitha përpjekjet e PS për të mbajtur privilegjet që ka, duke mos hequr dorë nga kontrolli i KQZ-së dhe vula që do t’i japë me gjykatën e saj, tregojnë rëndësinë që ka propozimi që kemi bërë ne për qeverinë kujdestare. Ne kemi diskutuar së bashku dhe falenderoj për kontributin shumë të madh të partnerëve ndërkombëtarë për të gjetur kompromis. Ne kemi bërë koncesionet tona, por PS nuk pranoi të heqë dorë nga ato që janë privilegje të qeverisë mbi procesin zgjedhor. Kjo është e papranueshme sepse ju e keni parë vjet se çfarë ndodhi”, tha Bylykbashi, përfaqësues i Partisë Demokratike në Këshillin Politik.
Për rreth 2 orë e 45 minuta, Bylykbashi, Vasili dhe Damian Gjiknuri negociuan me Ian Crawford, diplomat i Ambasadës Amerikane në Tiranë, por sërish pa dalë në një marrëveshje.
Ndërkohë, deputetja Rudina Hajdari ka mbajtur një deklaratë me tone të larta në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik, ku nuk arrit asnjë marrëveshje për reformën zgjedhore. Sipas Hajdarit, PS dhe PD i mbyllën derën edhe Ambasadës Amerikane, e cila u përfaqësua sot nga diplomati Ian Craëford.
“Dua të falenderoj Ambasadën Amerikane që ‘u ngujua’ sot në këtë ndërtesë dhe nuk ndaloi në përpjekje për t’i dhënë zgjidhje reformës zgjedhore. Edhe këtë herë negociatat dështuan sepse partitë politike janë këtu vetëm për interest e kryetarëve dhe bizneset e tyre. Pse mendoni ju se vijnë amerikanët këtu? Vijnë sepse duan të mbrojnë interesin e shqiptarëve, por edhe këtë herë ia mbyllën derën. I thanë se nuk janë gati të bëjmë marrëveshje. Në momentin e fundit u tërhoqën. Ata (amerikanët) ishin të investuar që të kishim një zgjidhje. Ambasada Amerikane kërkon që kjo reformë të ketë bekimin e qytetarëve shqiptarë”, tha Hajdari.
Megjithatë, deputetja e opozitës parlamentare theksoi se “loja është e hapur akoma” dhe se do të vazhdojë të demaskojë “fytyrën e këtyre njerëzve”, duke iu referuar përfaqësuesve të PS dhe PD.
“Ne nuk e humbim qetësinë, ne do të vazhdojmë të ndjekim procesin zgjedhor”, kështu u shpreh Damian Gjiknuri në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik, e cila u mbyll pa një marrëveshje për reformën zgjedhore.
Gjithsesi, përfaqësuesi i Partisë Socialiste theksoi se “dyert dhe dritaret e komunikimit do të jenë të hapura për opozitën”.
“Ne kemi adresuar të gjitha parakushtet e opozitës”, shtoi ai.
Sipas Gjiknurit, mazhoranca ka pranuar disa prej kërkesave të opozitës, por refuzoi t’i bënte ato publike pavarësisht insistimit të gazetarëve.
Ai paralajmëroi se do të ketë në ditët në vazhdim një dalje për mediat ku do të sqarojë të gjitha kërkesat e opozitës që janë pranuar nga mazhoranca.