Në celuloidin e Ilia Terpinit, mjeshtrit të objektivit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Aparati fotografik iu bë pjesë e jetës, një mekanizëm në dukje i ftohtë e pa emocion, që në duart e tij prodhonte shumë jetë. Në arkiv janë 26 filma artistikë të regjistruar prej tij e shumë dokumentarë

Nga Leonard Veizi

Në spitalin parizien, atje në Francë, ku ndodhej për kurim, ka bërë pak humor me infermieren e turnit, duke i thënë se ishte aq fotozhenike sa, po të bënte një film, do ta zgjidhte në kastin e aktorëve. Edhe nëse nuk është pikërisht kështu, patjetër që ka ndodhur diçka e përafërt, sepse të njëjtën skenë ma pati rrëfyer kur ndodhej në të njëjtat kushte, po në një spital të Parisit. Natyrisht, ai as që e ka menduar se pas pak ditësh do të ikte nga kjo jetë. Vërtet ishte 82 vjeç, por për këdo që e pyeste kishte vetëm një përgjigje: 35. Në entuziazmin e tij të përhershëm, dihej se sapo pikaste diçka të bukur, e fotografonte dhe si komplimentin më të mirë të rastit thoshte se pamja e parë i jepte të drejtën ta zgjidhte për një kinoprovë. Dhe nuk para gabonte në shije. Ky ishte Ilia Terpini, operatori i mirënjohur i ish-Kinostudios, por dhe i shumë televizioneve.

Kemi qenë miq. Por kjo nuk e justifikon bërjen nga ana ime të një portret lapsi. Ajo çfarë e justifikon ka të bëjë me punën e tij të palodhur si operator e drejtor fotografie dhe pasionin e madh për imazhin e mbetur në celuloid. Nuk e kam të vështirë të bëj portretin e një mjeshtri si Ilia Terpini, apo Lluit, siç e thërrisnin miqtë e vjetër. Veç më duhet pak kohë dhe shumë letra. Sepse dhe jeta e tij ishte shumë dinamike. Në vitin e largët 1998 kemi punuar bashkë në një televizion të quajtur “Alba”, unë gazetar, me një laps e bllok në xhep, ai operator me kamera në krah e një aparat fotografik të cilin nuk e hiqte asnjëherë nga gjoksi. Pa dyshim ka qenë një fotograf me emër. Në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, gjithashtu e mbanin një prej më të mirëve në objektiv. Sepse dhe jeta e tij ishte e lidhur gjatë gjithë kohës me fiksimin e kuadrit. Madje, siç është shprehur vetë, me fotografinë ishte marrë që prej moshës 6 vjeç, kur i ra në dorë një aparat. Dhe pikërisht aparati fotografik iu bë pjesë e jetës, një mekanizëm në dukje i ftohtë e pa emocion, që në duart e tij prodhonte shumë jetë. Njihet si realizuesi i disa ekspozitave me foto. Por në arkiv janë regjistruar me emrin e tij 26 filma artistikë, mbi 50 dokumentarë, pa folur për kinoditarë e kronika lajmesh.

“Me këtë ua merrje mendjen çupave kur ishe i ri?”, e pyeta një herë, teksa lëvizja gishtin tregues duke bërë sikur po shkrepja një foto. Dhe Ilia i qeshur, që e mbante shakanë edhe po ta teproje ca, ma ktheu. “Vetëm çështje pune. Më duhej të bëja qindra foto për të gjetur një që t’i përshtatej rolit”. “E kë ke gjetur ndonjë nga këto që ka bërë emër?”, e ngacmova unë, sepse po përgatitesha të bëja një intervistë me të dhe më duheshin ca elemente për të ndërtuar pyetësorin. “Janë disa, por unë mund të mburrem me tre prej tyre.” – ma ktheu. Kureshtisë sime nuk u ngut t’i përgjigjej.

Ta marrim nga fillimi. Shtyhemi prapa në kohë. Ilia Terpini u diplomua te Shkencat e Natyrës, dhe u emërua mësues, e më pas drejtor, në shkollën 8-vjeçare në Aranitas të Mallakastrës. Por takimi me Mandi Koçin, operatorin veteran të Kinostudios, do t’ia ndryshonte rrjedhën e jetës. Ilia m’u shpreh se ishte ky mjeshtër i filmit shqiptar, që kur u njoh me albumet e tij të fotografive, i sugjeroi studiot e kinemasë. Shans, jo shaka. E kush nuk e ndërronte Aranitasin e Mallakastrës me Tiranën. Vërtet drejtor shkolle, por Kinostudioja ishte ëndrra e kujtdo. Dhe kështu karriera filloi… asistent-operator në filmat “Debatik” e “Komisari i Dritës”, dhe si titullohet operator, vazhdoi me “Ballë për Ballë”, “Mësonjëtorja”. “Dimri i fundit”, “Kush vdes në këmbë”, “I teti në bronz”, “Gunat përmbi tela”, “Kapedani” etj. Punoi me regjisorët Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, por nuk ia prishte askujt që kërkonte ta kishte në ekip.

Ky ishte Llui.

Më shpjegoi se për rolin e ‘Mimoza llasticës’, regjisorja Xhanfize Keko i kërkoi ndihmë, pasi e kishte filmin e parë. “Zhaklinën e pashë të dilte nga shkolla, te kryqëzimi i Tiranës së Re. Besoj ishte në klasën e parë. Me mbiemrin Dhimojani u prezantua. Kishim kërkuar në gjithë Tiranën dhe nuk kishim ndeshur në një tip të tillë. Ishte fëmijë shumë interesant. Xhanfizeja e pëlqeu menjëherë. Zhaklina e dha pritshmëritë e saj në atë film dhe pas kësaj pati disa role të tjera”, më pati rrëfyer Ilia me një krenari të ligjshme. “Po mirë, – vazhdova ta ngacmoja unë, – Zhaklinën zbulove, jo Merlin Monronë”. “Lëre Merlinin në punë të vet, – ma ktheu Ilia, – zbulimi i Yllka Mujos ishte një bum i vërtetë”. “Paske qenë si Marko Polo, – ia ktheva, – s’ke lënë gjë pa zbuluar”. Ilia qeshi. Nuk mërzitej kurrë ai.

Por ndalemi tek Yllka Mujo, aktorja super e kinemasë dhe e teatrit shqiptar. Është roli i Almës te filmi “I teti në bronz” me regjisor të mirënjohurin Viktor Gjika dhe skenar të Dritëro Agollit, i cili i nisi xhirimet në vitin 1969. Ilia Terpini më sqaroi: “Grupi ynë i punës kishte 20 ditë që po punonte për zbërthimin e skenarit tekniko-regjisorial. Ishte marrë vendimi për të gjithë aktorët që do të interpretonin në film, nga Sandër Prosi në rolin e mjekut e Mevlan Shanaj në rolin e Ibrahim Kovaçit, e deri te Vangjush Furxhi në rolin e Arifit. Por mungonte vetëm një, Alma. Fotografova të paktën 150 vajza nëpër shkollat e mesme të Tiranës, por Alma nuk ishte aty”. E kështu në një kërkim të pareshtur, të përhershëm, lodhës a terrorizues ndoshta, duhej gjetur gjithçka e munguar deri në atë çast, por gjithsesi e imagjinuar apo supozuar gati në një ekstrem të paperceptueshëm. Në fakt, ajo ishte diku atje, midis gjimnazistëve të shumtë që kërkonin të binin në sy pas bankave, por ende nuk e shihte njeri. Blici i aparatit fotografik ishte shkrepur mbi portretet e shumë vajzave të kryeqytetit, por Alma as që identifikohej mes tyre. Kur shpresat kishin humbur, krejt papritur ajo doli në skenë, pak e druajtur gjithsesi, por krejt e magjishme njëherazi… Kjo ishte pak a shumë situata përpara fillimit të realizimit të filmit “I teti në bronz”, ku rastësia i dha kinemasë shqiptare njërën prej aktoreve më të mira të saj në vite. Operatori i mirënjohur më tregoi se si e kishte zbuluar talentin e 15-vjeçares, së cilës iu besua roli i Almës në filmin e Viktor Gjikës. Në këtë rrëfim të tij ai më pati thënë se bashkë me Viktorin kishin rënë dakord të merrnin një studente nga Lushnja, që përafrohej me portretin e Almës personazh. “Nuk isha fort i sigurt për këtë gjetje dhe sërish i sugjerova regjisorit të kërkonim një ‘Almë’ tjetër. Por Viktori ma ktheu: ‘Për tri ditë nisemi në Korçë, do të zbatojmë planin e punës, ndaj vajzës t’i pritet kostumi’. Mirëpo ndodhi që po atë natë, i shoqëruar nga bashkëshortja ime, Aurika, shkuam në Teatrin e Operas, për të parë një koncert. Binte shi dhe te streha e Pallatit të Kulturës shoh një vajzë me një portret shumë interesant. ‘Shiko-shiko, – i them bashkëshortes. – Ku s’e kemi kërkuar dhe ajo qenka këtu. Po, kjo është Alma’. Dhe e thirra. Vajza jo më shumë se 15 vjeç erdhi pranë dhe na përshëndeti. Ndërhyri ime shoqe. “Është nxënësja ime, e kam ngjitur vetë në skenë’. I thashë që, nëse mundej, të nesërmen të paraqitej në Kinostudio për një kinoprovë. Dhe ajo pranoi. Të nesërmen që në mëngjes takova Viktor Gjikën dhe i them me gojën plot: ‘Kam gjetur Almën’. Por Viktori ma ktheu: “Ç’thua Ilia, s’kemi kohë për shaka”. Ndërkohë Yllka ishte shfaqur në fillim të rrugicës që të çonte për në atelie dhe unë e drejtova vështrimin e Viktorit për nga ajo. “Qenka interesante. Ilia, shpejt bëji nja dy fotografi’. Pasi pa fotografitë, Viktori kërkoi menjëherë që vajzës t’i bëhej një kinoprovë. Edhe në këtë pikë Yllka ia doli për mrekulli. Ajo interpretoi më mirë se kushdo tjetër që kishte provuar për të njëjtin rol. Atëherë i dorëzuar pa kushte, Viktor Gjika urdhëroi: “Yllkës t’i pritet kostumi i Almës. Pasnesër fillojmë xhirimet”.

Lexo edhe :  Mbi 48 mijë objekte pasuri kulturore në Shqipëri

Dhe për ta nxitur më tej e ngacmova sërish: “Zhaklina, Yllka…, goxha aktore janë. A ka më…?”.

Ilia nuk mbaron me kaq e më thotë: “Matilda Makoçin e zbulova në oborrin e Politeknikumit”. “Epo tani ia kalove edhe Kolombit”, – ia pata me humor. “Lëre Kolombin, – ma ktheu Ilia entuziast për atë që kërkonte të më tregonte. – Na duhej një aktore e re për rolin e Emës në filmin ‘Kërcënimi’, një prodhim i vitit 1981, me regjisor Mark Topallaj. Pasi kisha parë plot vajza në gjimnazet e Tiranës, më rekomanduan të shkoja te Politeknikumi. Kur shkova në shkollë ishte pushimi i madh dhe të gjithë nxënësit ishin jashtë. Matilda Makoçi më ra menjëherë në sy. Kishte një vështrim shumë interesant”. Dhe kishte të drejtë Llui. Vështrimi i saj ishte aq depërtues, sa nuk e la fotografin të mendonte për një portret tjetër, ndoshta më të mirë se aq. “I thashë se kush isha, cili ishte qëllimi im dhe i propozova që të nesërmen të vinte në Kinostudio, për të bërë disa fotografi e një kinoprovë. Ajo pranoi dhe të nesërmen erdhi në ambientet e Kinostudios. Bëmë fotografi të mrekullueshme. Matilda ishte shumë shprehëse. Por në fund regjisori nuk e zgjodhi për rolin e Emës. Ç’është e vërteta, Matilda tregonte një karakter më të thellë, ndërsa regjisori mendonte se “vajza spiune” në film duhej të kishte një natyrë më të lehtë. Megjithatë fotografitë  e Matilda Makoçit qarkulluan në duart e shumë regjisorëve, dhe po atë vit ajo u mor për rolin kryesor te filmi “Si gjithë të tjerët”. Unë them se Matilda Makoçi pa dyshim ka qenë një nga aktoret më të mira që ka prodhuar Kinostudio”.

Llui ishte i veçantë në llojin e tij. Në televizion nuk përtonte të jepte eksperiencën e vyer. E urrente të punonte në studio. “Bëjmë një kronikë në Dajt, vetëm brenda të mos rrimë”, më thoshte ato kohë kur ishim partnerë e bënin kronika lajmesh pa fund. Por Ilia nuk kishte punuar vetëm me njerëzit e artit. Disa qindra metra film të regjistruar nën syrin e tij u takojnë figurave kryesore të politikës. Në këtë mori karakteresh ka regjistruar Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Ramiz Alinw por dhe Sali Berishën, Fatos Nanon e Leka Zogun. “Kinostudio duhet të ishte kudo, – justifikohej duke ngritur supet, – ndaj kam xhiruar Hrushovin, Çu En Lain, princin Sianuk, Toni Blerin, Manolis Glezosin, Moris Torezin, Shtrausin, papa Vojtilën e Nënë Terezën”. Ai vazhdoi të ishte i dashuruar thellësisht me objektivin deri në çastet e fundit, edhe pse vitet që mbante mbi supe duket sikur nuk ia lejonin të ishte po aq pasionant sa vite parë. Për punën e palodhur mbante titullin “Artist i merituar”, “Medaljen e punës”, “Çmimin e Republikës’, “Medalione në 6 festivale filmi”, “Çmim kombëtar për fotografinë artistike”, por dhe Urdhrin “Mjeshtër i madh”. E në fund të fundit ky ishte Ilia Terpini, apo Llui siç e thërrisnin miqtë e vjetër të Kinostudios./Fjala.al

Të fundit

“Ilir Meta në listat e PD është turp i madh”, shpërthen Elezi: Ka degjeneruar të djathtën

Ish-kreu i PD në Kukës, Ibsen Elezi thotë se është turp për Partinë Demokratike që të fusë në listë...

Ngjela komenton lojën e Greqisë në Shqipëri: Ata nuk kërcënojnë dot, janë tërhequr

Avokati Spartak Ngjela ndau sot (3 Shkurt) mendime për zhvillimet politike në Shqipëri, Kosovë, rajon dhe gjeopolitikën ndërkombëtare në lidhje me faktorin shqiptar. Ai e...

Shenjat që tregojnë se trupi juaj është plot me toksina

Toksinat janë prezente në çdo gjë që na rrethon, në ajër, ujë madje edhe në ushqimin që hamë. Ato grumbullohen në trup nga ushqimi...

Strehimi në Tiranë/ Si do funksionojë programi për kreditë dhe banesat sociale!

E dyndur nga individë e çifte të reja që kanë zgjedhur të nisin jetën në kryeqytet, Tirana ka sot jo vetëm numrin më të...

Të mërzitur pse po u realizohet para kohe programi

Nga Mero Baze Lulzim Basha ka akuzuar Edi Ramën se i ka vjedhur idenë për shkollat 9-vjeçare me drekë, ku fëmijët do të qëndrojnë për...

Lajme të tjera

Web TV