Qoftet e Met Kodrës, tradita vazhdon

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Tirana është përfshirë jo pak në procese transformuese. Me rënien e komunizmit, kryeqyteti është bërë terren i ndërtimeve të shumta, pa kurrfarë rregulli. Dhe kujtimet, bëjnë sot lojëra.

Nga Alessia Selimi

Përngjajnë të shkëputura nga një tjetër vend, ku mbizotëronin godina pesë katëshe, rrugë të gjera, unaza dhe bulevarde të cilat kishin si pikë mbërritje sheshin “Skënderbej”. Nuk është çudi të shohësh njerëz që u mungon sensi i orientimit, një rrugë e shtruar që i lidh të shkuarën me të tashmen.

Të paktën nuk përbën aq çudi sa një shije e pandryshuar, autentike, e cila i bën ballë kërkesave ekstravagante. Pikërisht këtë ofron dyqani i Met Kodrës tek “Pazari i Ri”. Në lëmin e aromave, nxitimit të kalimtarëve qese mbushur plot, zërave të mbytur dhe të njëtrajtshëm të lokaleve përbri, është e pamundur të mos tërhiqesh nga qoftet e sapo pjekura në zgarë.

Pronari i parë i dyqanit, Mustafa Kodra, portreti i të cilit varet në mur, e nisi biznesin në vitin 1957 në pazarin e vjetër të kryeqytetit. I biri, Muhamet Kodra, ndoqi hapat e tij, i bindur se tradita mund të ruhej veçse nga familjarët. Meti nuk jeton më prej thuajse tetë vitesh por prania e tij ndihet në dyqan, që edhe pse është rinovuar kohët e fundit, duke marrë një pamje bashkëkohore, mbetet mjaft tradicional në filozofi.

Për këtë janë kujdesur tre vajzat e tij dhe bashkëshortja, Manushaqe Kodrës, së cilës i është besuar receta sekrete e qofteve. Megjithatë, mengjeseve dhe mesditave, mbi zgarën që lëshon tym, qendron bashkëshorti i njërës vajzë, Tani. Një njeri modest, i cili u shërben klientëve pa bërë zë. Në më shumë se 30 vite, biznesi i familjes lidhet në mënyrë të pashmangshme me figurën e tij mashkullore.

Pak e dinë se në krye të kuzhinës, në zgjedhjen e përbërësve, përzierjen e transformimin e tyre, në spërkatjen me kripë dhe bimë aromatike, qendron një grua 66-vjeçare. “Është padyshim një grua e fortë. Nuk është aspak e lehtë të marrësh përsipër ecurinë e një dyqani që është identifikuar nga hera me emrin e një burri mjaft të dashur dhe të respektuar në qytet ( i referohet të atit). E megjithatë, ajo ia ka dalë.

Jam fatlume që punoj krahas saj”, shprehet për gazeta “Fjala” Manjola. “Ime më ka punuar gjithnjë me tim atë, dhe ka qenë porosia e fundit e tij që ajo ta zhvillonte në të njëjtën mënyrë biznesin familjar. Nuk ka qenë e lehtë! Por ajo nuk është dorëzuar në asnjë moment…”, thotë Manjola me lot në sy. Duket se, e ka të pamundur t’i nënshtrohet mendimit se i ati i është dorëzuar vdekjes.

“E ndihmoj time më me format që duhet të kenë qoftet. Por, nuk është se merrem vetëm me diçka. Në një ditë mëse të zakonshme, mund të më shohësh edhe duke marrë mishin e viçit tek kasapi ynë i besuar, për të ruajtur të pandryshuar shijen, kuptohet”, vijon fill më pas Manjola, si për t’i dhënë forcë vetes.

Ndërkohë, të panumërt janë klientët që ikin e vijnë. Pak janë ata që kanë preferuar të ulen dhe të shijojnë kthimin pas në kohë. Mes tyre pikasen dy gra, të cilat, ndonëse kanë përballë pjata dhe gota bosh, po u shijon bashkëbisedimi. Sakaq, Manjola i rikthehet fëmijërisë, kur ditët e saj ndaheshin mes shkollës dhe punës në dyqan.

“Im atë është kujdesur gjithmonë që unë dhe motrat e mia ta peshonim në mënyrën e duhur pasionin dhe dashurinë për gatimin. Mbaj mend që vinim në orët e para të mëngjesit me çanta mbi shpinë për ta ndihmuar dhe më pas shkonim në shkollë, për t’u rikthyer sërish në vorbullën e tymit”, tregon Manjola.

“Ishte një punë shumë e lodhshme. Nuk dua të minimizoj punën që po bëjmë momentalisht, por babi bënte gjithashtu pace e shishqebap..Ishte e pamundur të mos haseshe me lukuni njerëzish. Madje, kishte edhe nga ata që vendosnin një shishe të qelqtë për të zënë radhën.” Menuja e dyqanit përmban tashmë vetëm qofte zgare, dhe sa i takon një birre të freskët, dyqani përkarshi mund të ta sjellë pa problem.

Edhe në këtë pikë ruhet si me magji thjeshtësia e kohërave të shkuara. Fatkeqësisht kriza e shkaktuar nga pandemia Covid-19, ndjehet më së shumti nga bizneset e vogla, rrjedhimisht edhe në dyqanin e Met Kodrës.

“Sivjet nuk ka patur klientë të huaj për shkak të pandemisë. Po nuk kanë munguar asnjëherë lëvdatat e tyre për mënyrën se si i gatuajmë qoftet. Nuk kanë qenë të pakët turistët nga Turqia që kanë bërë një lloj krahasimi me qoftet e vendit të tyre, duke na vlerësuar maksimalisht”, thotë Manjola.

Pyetjes nëse ajo dhe motrat e saj janë angazhuar për përfshirjen e fëmijëve adoleshentë në këtë biznes , i jep një përgjigje të prerë. “Nëse nuk vijojmë të ruajmë traditën, cili është thelbi i asaj që bëjmë?” Manjola e thekson, të paturit një dyqan ku gatuhen dhe shiten qofte, shërben sa për të mbajtur familjen.

“Motrat e mia shërbejnë së bashku me tim shoq. Ndërsa unë dhe ime më qendrojmë në kuzhinë. Është një biznes që na lejon të ushqejmë dhe të rrisim fëmijët. Tani një qofte kushton 30 lekë, jo si dikur, 25 lekë.

Kjo ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së çmimit të mishit. Nga një përllogaritje fare e thjeshtë, mund të kuptohet fare mirë se nuk të krijohet mundësia për të kursyer. Megjithatë, për të gjithë ne, pjesëtarët e familjes Kodra, në fund të ditës ajo që ka më shumë rëndësi është vazhdimi i traditës, trashëgimi i saj brez pas brezi.”

Klientët vijojnë t’i drejtohen zgarës që ndodhet në brendësi të dyqanit. Dhe Tani, me një lehtësi të fituar nga vitet, i lëviz gjymtyrët e tij me një shpejtësi marramendëse. Paninet janë thuajse në mbarim, dhe për këtë i vjen në ndihmë Manjola, e cila, tepër e sjellshme në komunikim, i largohet tavolinës, për t’iu drejtuar një furre buke.

E di fare mirë sesa duhet të marrë e se çfarë duhet të bëjë pasi të rikthehet në dyqan. Kjo grua shtatshkurtër, e imët, i beson bashkëpunimit dhe dëshirës së mirë për të lartësuar mbiemrin e të atit. Dhe këtë, nuk ka nevojë të artikulohet. I lexohet në lëvizje, teksa largohet prej nesh.

l.m/Fjala.al

Të fundit

Sa mund të ndikojnë mediat sociale në zgjedhje?

Rumania përsërit zgjedhjet presidenciale për shkak të ndikimit të dyshuar rus në TikTok; në platformën X, Elon Musk bën...

Kanali i Panamasë në një perspektivë historike dhe politike

Thoma Gëllçi Donald Trump, i cili mori një mbështetje masive prej 80 milionë votuesish në zgjedhjet presidenciale, ndërtoi një pjesë të konsiderueshme të platformës së...

Këto 5 ushqime po ju plakin dhe ju nuk jeni të vetëdijshëm

Industria kundër plakjes është një nga më të lulëzuarat në mbarë botën pasi miliona gra dhe burra janë kënaqur në ndjekjen e rinisë së...

Plagosi me armë 34-vjeçarin në Durrës, arrestohet pas disa muajsh autori

Durrës Finalizohet operacioni policor i koduar “Distanca”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e shtetasve në kërkim. Tentoi të vriste me armë...

Çfarë po i ndalon shtetet anëtare të NATO-s të rrisin buxhetet për mbrojtje?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pret që aleatët e Uashingtonit në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) të shpenzojnë...

Lajme të tjera

Web TV