Ka prurje në gjuhën shqipe të cilat nuk kalojnë në asnjë lloj filtri. Për këtë arsye nuk ka as lexues. Ato më mbeten stoqe dhe më zënë një hapësirë të konsiderueshme në librari
Nga Leonard Veizi
Libraritë sot nuk janë në modë, ashtu vite më parë. E, megjithatë, librari ka kudo, në çdo qytet të rëndësishëm të Shqipërisë.
Ndërsa në Tiranë edhe më shumë. Por libraritë e mirëfillta mungojnë në qytete të vogla apo lokalitete, nëse mund t’i quajmë ende me këtë emërtesë. Shumë shitore nga ato që të ofrojnë dhe libra, në fakt janë kinkaleri, që në terminologjinë e sotme quhen kancelari. Dhe ato kanë një sasi të cunguar librash, ku nuk flitet as për librin historik e as për atë enciklopedik.
Në Tiranën me një milion banorë ka vetëm pak librari konkurruese dhe me hapësira të mjaftueshme për të mbajtur nëpër rafte gjithfarë librash që shtëpitë botuese nxjerrin nga shtypshkronjat. Por raporti i libërprodhimit me libërshitjen ka ndryshuar. Prodhimet janë më të shumta sesa shitjet.
Dhe në këtë transportier të patrajtshëm në lëvizje ato që mbartin mbi shpinë të gjithë breshërinë e kërkesës së llogarisë janë libraritë. Botuesit kërkojnë më shumë rafte, por librat që prodhojnë shkrimtarët kërkojnë mundësinë e një ekspozimi në vitrinë, ndërsa poetët thjesht kërkojnë një vend për të rreshtuar vëllimet.
Sepse ndodh që librarët ngrenë duart përpjetë, hapësira më nuk ka dhe si përfundim ka një përzgjedhje, shpesh të padrejtë, të atyre librave që mund ta kalojnë pragun e librarisë.
Në këtë rast fatin e kanë ata autorë që ose kanë pasur shitje në botë dhe për pasojë kanë shitje dhe në Shqipëri, ose janë autorët më në zë vendas, ose librat në shitje kanë mbi kopertinë ndonjë fasho ku të bie në sy se autori është fitues i ndonjë çmimi prestigjioz, që libri është bestseller, ose kanë citime nga gazetat e mëdha perëndimore, ku preferohen më shumë ato amerikane.
Arta Zeneli, e cila administron librarinë “Art’s”, në kryeqytet, gjatë një bashkëbisedimi me “Fjalën”, tregon dhe për problemet që hasen sot në tregun e libërshitjes:
Si duket puna e një librarie, pas një izolimi relativisht të gjatë?
Fillimisht, kur nisi izolimi njerëzit u afruan shumë me librin. Në ato ditë karantine, ne si librari kemi punuar online, me porosi. Dhe jam habitur se sa interes treguan njerëzit, jo vetëm blerësit e rregullt, ndaj librit. Pa dyshim, ishte në dispozicion edhe koha e munguar, pasi ritmi i jetës sot është shumë i ngjeshur dhe të lë pak kohë për të lexuar.
Dhe çfarë ndodhi në përfundim të izolimit?
Ah, këtu vjen përsëri zhgënjimi. Sepse pas karantinës njerëzit më janë dukur krejt të paorientuar. Nuk u binte mendja për librin. Mund të them se edhe lexuesit më aktivë ishin të traumatizuar. Aktualisht, interesi për librin ka rënie. Ndoshta shkak është edhe ana financiare, pasi shumë njerëz kanë dalë pa punë gjatë kësaj kohe. Por pa gjykuar njeri, di të them se interesi është ulur. Thjesht, janë fëmijët e shkollave ata që për shkak se mësuesit u kanë dhënë të lexojnë literaturë jashtëshkollore, vijnë në librari për të marrë librat e listës.
Përgjithësisht, çfarë libri është tërhequr më shumë këto kohë?
Ditët e para të karantinës tendenca e të lexuarit riktheu në skenë libra të rëndësishëm të shkrimtarëve të mëdhenj si: “Murtaja” e Alber Kamysë, “Verbëria” e Jose Sarangos apo “Dashuri në kohën e kolerës” të Gabriel Garsia Markezit. Këta dhe disa të tjerë janë lexuar vrullshëm në ato ditë, por dhe janë rilexuar nga. Duket se në këto libra gjenin një lloj ngushëllimi duke e paralelizuar me situatën e pandemisë që kishte mbërthyer botën.
Po librat e një karakteri tjetër…?
Pa dyshim, një lexues i rregullt është i përditësuar dhe me leximet e reja. Pra, edhe botimet më të fundit kanë qarkulluar. Por janë lexuar shumë edhe disa libra utilitarë do të thosha. Ndoshta lexuesit kanë pasur më shumë nevojë për argëtim e motivim. Si psh: “Si t’i ndryshoni jetët tuaja” shkruar nga Benjamin Bonetti, “Lumturohuni” nga Antoni Gun, por nga me të kërkuarit ishte libri i shkruar nga Napoleon Hill “Mendohu dhe pasurohu”. Ka plot libra motivues, ku mund të gjesh vetëbesim. “Si të përballemi me vetminë” e Sara Maitland-it është gjithashtu një libër i kërkuar. Madje, mund të them se disa nga këta libra i kishte zënë pluhuri e nuk kujtohej njeri, ndërkohë që pandemia dhe karantina bëri që njerëzit të zgjoheshin e t’i kërkonin me ngulm.
Letërsi shqipe dhe letërsi e huaj, cili është raporti i shitjeve?
Më vjen keq ta them këtë, por letërsia e huaj zë vendin kryesor.
Pse ndodh kjo?
Lexuesit janë shumë skeptikë kur u afron një autor shqiptar. Gjithë bota motivon autorët vendas. Unë e bëj shpesh një gjë të tillë, por jo në të gjitha rastet kam sukses. Sepse autori duhet të jetë shumë i njohur që të mund të shesë libra. U kam thënë lexuesve që vijnë në këtë librari: “Merre librin e autorit shqiptar, lexoje, dhe po nuk e pëlqeve ktheje”. Dhe përsëri ka ngërçe. Pjesa më e madhe e lexuesve motivohet nga sigla që mbajnë librat mbi kopertinë “bestseller”. Ka çfarë ka brenda, ky libër tërhiqet. Elena Ferrante, si shkrimtare, nuk njihej në Itali sa u njoh në Shqipëri.
A ka prurje pa vlerë nga shtëpitë botuese?
Po. Këtë e them me plot gojën. Edhe unë duhet të vendos disa limite në librari. Sepse ka prurje në gjuhën shqipe, të cilat nuk kalojnë në asnjë lloj filtri. Për këtë arsye nuk kujtohet kush të marrë ndonjë libër të tyre. Ata më mbeten stoqe dhe më zënë një hapësirë të konsiderueshme në librari.
Pra, janë autorë me probleme, të cilëve nuk u bëhet asnjë lloj pune përgatitore para se të futen në shtyp. Ky mund të jetë biznes, por ndërkohë prish shijen e lexuesve.
Libri me poezi është më i penalizuari nga librarët, përse?
Ka raste ku disa prej librarëve e penalizojnë një vëllim me poezi. Unë vetë nuk penalizoj asnjë lloj gjine. Edhe librat, monografikë apo me temë familjare i kam pranuar në librari. Por edhe shkrimtarët që mbahen si yje të poezisë, nga gjithë krijimtaria vetëm nga 10 poezi arrijnë t’i rezistojnë kohës.
Nuk është se i gjithë vëllimi ka të njëjtën vlerë. Megjithatë, kam dëgjuar plot raste se poezia nuk ecën nëpër librari, nuk ka blerës. Në librarinë time poezia çuditërisht më ka ecur. Një blerës që hyn për herë të parë në librari dhe pyet, mund ta orientosh dhe mund t’i sugjerosh edhe një libër me poezi.
Natyrisht, ai që është futur në librari për të marrë një roman, vështirë të kthehet te poezia. Ndërsa ata pak lexues të poezisë, duke qenë se janë njerëz që kanë një farë arti në vetvete, janë përzgjedhës. Natyrisht, kam dëgjuar që disa librari nuk i pranojnë librat me poezi, për arsye vendi por dhe se nuk u shiten librat.
Unë aplikoj disa limite: fjala vjen, nuk pranoj më shumë se 3 kopje, me qëllim që të mos më mbeten stok e të më zënë vend. Por mendoj se duhet të vendos dhe një limit kohor prej një viti.
Nëse nuk është shitur brenda kësaj kohe, ai duhet të kthehet tek i zoti, sepse si ai ka dhe të tjerë në radhë që presin t’u hapet vendi në librari. Kjo është një zgjidhje ku edhe autori nuk ndihet i fyer.
la.mi/Fjala.al