Nga akademik Artan Fuga
https://youtu.be/rh6tZc3IDSk
Sado qesharak që më është dukur testi i maturës shtetërore në gjuhë dhe letërsi, përsëri nuk mendoja që ai do të përbënte politikën zyrtare që Ministria e Arsimit ndiqka në arsimin parauniversitar. Kjo m’u bë e qartë, përkundrejt naivitetit tim kur lexova se çfarë shkruante qytetarja Besa Shahini, që pasi guxoi si asnjë titullar tjetër i atij dikasteri që nga koha e themelimit të shtetit të Shqipërisë, të ofendonte profesorët dhe profesorët shqiptarë në gjuhësi dhe letërsi, pa ndrojtje të deklaronte se testi qenka në përputhje me reformën ku ajo është implikuar për arsimin universitar! Është nder për çdo profesoreshë dhe profesor universiteti t’i rezistojë kësaj katrahure në arsimin shqip që u quajtka reformë!
Nëse ai test nuk është rezultat i paaftësisë dhe i dembelizmit të teknicienëve militantë të sistemit arsimor që e kanë degraduar arsimin, çka duket krejt pastër te niveli i dijeve të masës së studentëve që vijnë në vitin e parë në universitete, por qenka rezultat i qëllimshëm i reformës, atëherë gjendja paraqitet shumë serioze. Çdo intelektual shqiptar, nëse ka ende dinjitet dhe përgjegjësi kombëtare, në zemër, mendje, ballë, duhet të mobilizohet për t’i thënë ndal një politike të tillë. Nga një analizë shumë e hollësishme e atij testi, si pedagog i shkencave të komunikimit, i filozofisë, i logjikave në shkencat sociale, kam bindjen e pathyeshme, i gatshëm ta dëshmoj përpara çdo komisioni hetimi parlamentar, këshillit të sigurisë, çdo grupi ekspertësh, se ai test, pra reforma karakterizohet:
- Nga një dogmatizëm stalinist në kuptimin epistemologjik, logjik dhe semantik të termave dhe koncepteve të gjuhës shqipe, pra është një përpjekje për të rrënjosur ideologjinë totalitare, duke e izoluar kulturën dhe formimin e rinisë shqiptare nga arritjet e mendimit filozofik, linguistik, metodologjik botëror dhe të ditëve të sotme.
- Nga një përfshirje fatkeqe në injorimin e shkencave humane drejt një mediokriteti pragmatist të sipërfaqshëm që shfaqet në pyetje të tilla, si a është e vërtetë që një njeri që hipën në pemë mund të mbledhë gurë!!! Ulja e nivelit kulturor dhe shkencor të rinisë shqiptare nuk qenka as e rastit, as fryt i spontanitetit të një shoqërie tranzitore, por përbëka një synim të qartë.
- Në një përpjekje të shëmtuar për shkombëtarizimin dhe akulturimin e rinisë shqiptare, duke e zhveshur atë nga traditat letrare, politike, morale, gjuhësore, dhe duke e mbajtur pre të një ndërgjegjeje të rëndomtë të një mbijetese injorante, të shkëputur dhe të izoluar nga kultura botërore. Të arrish deri në pikën që në testin e gjuhës shqipe dhe letërsisë të jenë vetëm dy strofa të një poezie krejt anësore të një poeti shqiptar, të adresuar me dy a tri pyetje të sipërfaqshme – kjo ka vetëm emrin tallje me kulturën shqiptare.
+++
Tani gjërat janë të qarta. Deri tani kisha dyshime se përse studentët që vinin nga matura, ndonëse djem e vajza të zgjuar, plot intelekt dhe dëshirë për të studiuar, paraqiten me një nivel kulturor për të ardhur keq. Përse ata tallen dhe hedhin romuze për arsimin parauniversitar, përse u duhet një vit ose dy për të ardhur në atë nivel që duhet kulturalisht në profesionin e tyre. Tani kuptoj se përse në universitetet shqiptare, si rezultat i gjendjes që përshkruaj, departamentet, kundër dëshirës së tyre, parashikojnë rreth pesëdhjetë për qind të lëndëve të dy viteve të para të studimeve për të plotësuar dhe ribërë kulturën e përgjithshme të studentëve.
Sigurisht kjo e kthen universitetin në një shtojcë dhe riparuese të shkollës së mesme.
Mirëpo fati i keq i maturantëve lidhet me këtë kuadër ligjor që ne kemi për hyrjen e tyre në universitete, pra për vazhdimin e formimit të tyre. Kërkon ndonjë studim nga ana e Ministrisë të Arsimit për atë sesa për qind e maturantëve kanë ndjekur atë profil studimesh për të cilin kanë shprehur preferencën e parë pas maturës. Askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për këtë. Pret të dish se si orientohen maturantët drejt degëve të formimit universitar dhe bie ndesh me disa kuota pranimesh që vetëm dreqi e di se si janë ndërtuar. Kërkon ndonjë studim të dish se si ato kuotat që Ministria e Arsimit aprovon përkthejnë mundësitë e tregut për punësimin e maturantëve si të diplomuar të ardhshëm, por nuk gjen asgjë. Maturanti shkon drejt papunësisë dhe dikasteri as çan kokë ta përballojë këtë çështje për ta zgjidhur. Kërkon biblioteka të mëdha, të pajisura me botimet më të mira letrare dhe artistike, sociale, filozofike etj., në gjuhë të huaj ose në shqipe, nëpër qytete, ku maturantët të kenë mundësi të kenë akses te burimet e informacionit. Nuk gjen veçse vjetërsira. Më thoshin dy vajza ish-maturante: “Profesor, ka vite që Kamyja bie një herë në dy vjet në testin e letërsisë në maturën shtetërore!!!” Sigurisht, letërsia e Kamysë, sikurse edhe Kadareja, për letrat shqipe është i rëndësishëm, por nuk është Kamyja i vetmi, laj thaj, ku mund të mbështeten referencat letrare dhe artistike të të rinjve shqiptarë. Ku janë përkthimet e librave kryesorë nga sociologjia botërore, nga filozofia, nga estetika, nga historia e kinematografisë, nga antropologjia…? Sheh tekstet e shkollës së mesme në shkencat humane dhe sociale, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, janë me përmbajtje infantile, jo serioze, pa referencat e duhura bibliografike, të dyshimta, të tejkaluar nga koha, larg interesit të rinisë. Pret të njihesh me projekte të mëdha trajnimesh të mësuesve në fushat që përmenda, por gjithçka është kthyer në një formalizëm. Ripërsëriten po ato dije të vjetruara!
Testi i gjuhës dhe letërsisë i maturës shtetërore në fakt është pasqyra e kësaj gjendjeje që sa vjen dhe degradon. Pret që arsimi parauniversitar të hapet drejt kulturës së sotme, qoftë brenda kurikulës, qoftë në formën e veprimtarive kulturore jashtëshkollore, por sheh që shkolla mbetet e izoluar nga kultura. Pret që rinia shkollore të orientohet drejt teatrit, muzikës, skulpturës, pikturës, kinematografisë dhe të iniciohet atje nëpërmjet lëndëve, teksteve, rretheve jashtëshkollore, por nuk sheh veçse një pellg të tharë institucional. Prej vitesh Ministria e Arsimit mban peng një propozim serioz për të futur kulturën e media literacy në shkollën e mesme, por asgjë nuk është bërë. Nuk është fare fjala vetëm që rinia të orientohet si duhet në konsumimin e informacionit të mediat masive, por që rinia të fitojë ato shprehi për të komunikuar në web, për të krijuar rrjetet e veta sociale, si edhe për të ditur ta përdorë internetin dhe web-in si instrumentet më të fuqishme për të marrë dije dhe informacion nga shkencat dhe fushat e kulturës dhe të jetës të planetit.
+++
Protesta spontane e të rinjve maturantë të Tiranës përpara ndërtesës të Ministrisë të Arsimit në 12 qershor dhe më pas përbën një ngjarje unikale në historinë e Shqipërisë të këtyre viteve. Nga pikëpamja e përmbajtjes ajo ishte krejt e veçantë, sepse në një farë mënyre nxënësit u ngritën kundër “mësuesve”, sepse me ose pa dashjen e tyre këta të fundit ishin përfaqësuar nga testi i gjuhës shqipe dhe i letërsisë, i maturës shtetërore. Po kështu, mund të thuhet se kemi një revoltë të nxënësve kundër sistemit arsimor, sikurse menaxhohet ai sot, nxënës të cilët shprehën me revoltën e tyre të gjitha pakënaqësitë për mënyrat e gabuara dhe krejt arbitrare si ishte ndërtuar testi në fjalë. Maturantët u drejtuan te ndërtesa e Ministrisë të Arsimit dhe kjo, sipas meje, ka dy kuptime. E para, sepse me siguri kanë ndier dhe nuhatur që në shkollat e tyre as mësuesit e lëndëve, as mësuesit kujdestarë, as drejtoritë përkatëse nuk kishin as guximin dhe as dëshirën të përcillnin pakënaqësitë e tyre për testin e gjuhës shqipe dhe të letërsisë. Kjo tregon se në çfarë gjendje është sot demokracia në shkollat shqiptare, çfarë besimi kanë nxënësit te mësuesit e tyre, sesa ata vlerësojnë reputacionin, dinjitetin dhe lirinë e mësuesve të tyre.
E dyta, mendoj që është disi kontradiktore me të parën, por, gjithsesi, plotësim i saj, pra maturantët duke vajtur te Ministria e Arsimit, shprehin edhe një farë besimi te ky institucion. Pra, ankoheshin te shteti i tyre. Me këtë veprim ata fillimisht përkundeshin në iluzionin se tjetër është Ministria e Arsimit dhe tjetër janë burokratët që punojnë në sistemin e arsimit dhe përpilojnë tezat. Ishte një lëvizje që brenda vetes kishte pra, nga ana simbolike, edhe dëshirën për ta kuptuar situatën si qytetarë modernë. Për ta, ministria duhej të përfaqësonte, ashtu sikurse ata e mësojnë nga librat, një autoritet neutral, i baraslarguar si nga nëpunësit e vet, ashtu edhe nga nxënësit që protestonin. Por shumë shpejt, ditën e parë, të dytë dhe të tretë, e kuptuan se situata ishte krejt ndryshe. Kërkonin ministren e Arsimit, por ajo nuk u doli fare. Përpiluan vërejtjet e tyre, kërkesat e tyre, por ato u zmbrapsën dhe u injoruan. Midis portës të ndërtesës së Ministrisë të Arsimit dhe maturantëve të revoltuar u vendos kordoni i policëve. Skenat televizive që u panë ishin halucinante. Nxënësi ankohet te mësuesi dhe ky i fundit në vend që ta marrë për ta dëgjuar me dashuri, mirëkuptim, duke i ngjallur besim, vendoset pas një muri policësh, ngujohet në ndërtesë dhe nuk bëzan.
E turpshme rezultoi pas nja 72 orësh një përpjekje për të formuluar me anë të një deklarate shtypi, a njoftimi për shtyp, nga ana e autoriteteve të arsimit të zëna me “presh në dorë” nga nxënësit, justifikime, ku pasi flitej për drejtësinë dhe saktësinë e testit, shkarazi pranohej se kishte pyetje më të vështira sesa duhet aty-këtu, dhe pikët për to të ri-shiheshin!!! Por, sensi i njoftimit ishte që maturantët duhej të ktheheshin në shtëpitë e tyre, sepse duhej të studionin për provimet e tjera të maturës. Në shkëmbim të ndërprerjes të revoltës, u ofruan pikë në vlerësimin e testit. Nuk u tha as cilat ishin pyetjet e vështira, as se përse ishin të vështira, as se përse nga njëra anë thuhej se kishte pyetje edhe të vështira, edhe se testi kishte pas qenë brenda programit. Pa asnjë shpjegim, u aplikua një metodë e bazuar te një logjikë korruptive, të jap pikë, braktis revoltën! Nuk mendonte kush se revolta e maturantëve do të vazhdonte gjatë. Kjo sepse, në thelb, ajo nuk ishte politike, sikurse i akuzoi maturantët ministrja e Arsimit. Në një farë mënyre, në thelb, maturantët e realizuan synimin e tyre. E bënë të njohur mllefin e tyre ndaj mënyrës si trajtohen gjatë provimeve të maturës. Fundja, edhe disa pyetje, ende nuk dihet se cilat, i hoqën nga të qenit të dëmshme për ta. Ndërkohë që ata, sigurisht, nuk do ta bënin aventurën e zgjerimit të kërkesave të tyre. Në sezon provimesh, vëmendja e tyre ishte te librat. Të mos harrojmë që ata kanë ndrojtje se ministria mund të hakmerrej, duke i penalizuar aktivistët e revoltës dhe duke i çuar në degë studimesh universitare jo të pëlqyeshme nga ata vetë. Të mos harrojmë se ata janë edhe nën presionin e korrigjuesve të përgjigjeve të tyre, që kanë në dorë jo pak fatin e mëtejshëm të maturantëve. Të ndodhur nën këtë presion, maturantët na dhanë një mësim të mirë. Ata treguan si protestohet dhe fitohet me një revoltë spontane, pa llogaritur interesat e veckël. Vrulli rinor ishte më i fortë se kalkulimet e vockla të interesave personalë që bëjnë të rriturit, kur konformohen me gjithçka, me pretekstin e evitimit të ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga autoritetet.
+++
Revolta e maturantëve zgjoi interesimin e jo pak pedagogëve dhe intelektualëve që me profesionalizëm treguan në fushën e letërsisë dhe gjuhës shqipe se testi i maturës në këtë fushë, së paku, ishte një dështim i plotë. Por, maturantët, sikurse edhe kauza e tyre, mbeti jetime nga shumë agjenci dhe aktorë socialë që duhej të kishin dalë në mbrojtje të tyre. Do të duhej të ishin shprehur mirë a keq për këtë çështje madhore. Maturantët u lanë në fatin e tyre, u lanë “jetimë”. Ministrja e Arsimit hoqi dorë nga lajthitja se ata ishin anëtarë partish politike opozitare. U vërsul kundër profesorëve të universitetit që kanë aq tituj dhe punime shkencore për gjuhën shqipe dhe letërsinë, sa ajo nuk besoj se ka arritur të lexojë në këto fusha. I sulmoi si kundërshtarë të reformës që ajo e quajti të suksesshme në arsimin parauniversitar. Por, nuk arriti të shpjegojë megjithatë, si është e mundur që profesorët dhe profesorët nuk dinin ta analizonin testin, kurse mësues gjimnazesh që varen prej saj, që në çast mund të fluturohen nga puna, nxënësit e të parëve, arrinin të kishin të drejtë kundër profesorëve të tyre. Në këtë mënyrë ministrja i vuri në një pozicion etik shumë të vështirë disa mësues shkollash të mesme. Ata u kundërvunë ndaj nxënësve të tyre maturantë dhe ndaj mësuesve të tyre profesorë dhe profesorë!!!
Institutet e gjuhësisë dhe letërsisë të Akademisë së studimeve Albanologjike, në varësi të Ministrisë të Arsimit, nuk u ndjenë, a thua se nuk kanë lidhje me këtë çështje. Akademia e Shkencave, nën kontrollin e politikës, me një kryetar të paligjshëm, vendosur atje në mënyrë të kundërligjshme nga kryeministri i Shqipërisë, sigurisht që hesht, sikurse për të gjitha çështjet e mëdha sociale dhe kombëtare. Deputetët gjoja opozitarë në Kuvend, duke e pasur vëmendjen te Kodi Zgjedhor që përcakton fatin e tyre personal në politikë, as e vunë ujin në zjarr për të kërkuar së paku një dëgjim parlamentar të ministres në një seancë punimesh. Prindërit e maturantëve, të shqetësuar për fatin e bijve dhe të bijave, ruajtën mllefin e heshtur. Të mësuar me nënshtrimin, ata kërkuan zgjidhjen e hallit të tanishëm, pa menduar më gjatë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Kjo është tragjike! Gjithsesi, dosja mbetet e hapur! Plaga e maisur! Detyrimi për t’iu kundërvënë kësaj katrahure – detyrë për çdo shqiptar!/Fjala.al/Ke.Ba