Colin Huang, djali i një punëtori fabrike që është sot miliarderi më i ri i Kinës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Colin Huang

Djali i një punëtori fabrike që është sot miliarderi më i ri i Kinës

Një ish-punonjës i Google, Colin Huang, renditet si personi i dytë më i pasur në Kinë, pas një rritjeje të shitjeve në biznesin e tij të tregtisë elektronike, Pinduoduo. Ai gëzon plot 45,5 miliardë dollarë, sipas Forbes. Huang ishte praktikant në Microsoft kur u zhvendos si inxhinier në Google.  “Ishin tre vite punë jashtëzakonisht të vlefshme për mua. Google më dha më tepër sesa kontribuova”, tha Huang. Kompania Pinduoduo, e themeluar në vitin 2015, u bë veçanërisht e popullarizuar në Kinë gjatë pandemisë COVID-19, me porositë që rriteshin nga 50 milionë në afro 65 milionë në ditë.

Huang u shpreh disa vite më parë në blogun e tij se disa punonjës të hershëm të Google ishin prekur negativisht nga suksesi në punë.“Ata papritmas morën shumë para, humbën stimujt për të punuar dhe filluan të kërkojnë argëtim”, shkroi ai. “Shumë vite kaluan dhe ata e humbën kohën e tyre më të çmuar, kur kishin shumë të ngjarë të kishin arritje të tjera të jashtëzakonshme.”  Duket se Huang ka bërë përjashtim. Falë Pinduoduo-s, ai  po renditet krah miliarderit më të pasur në botë të teknologjisë, Jeff Bezos. Forbes aktualisht vlerëson se themeluesi i Amazon gëzon një pasuri me vlerë 162,2 bilionë dollarë.

Megjithatë, duhet theksuar se 40-vjeçari qëndron në krye të një serie sipërmarrjesh të suksesshme.  Ideja për Pinduoduo, erdhi te Huang kur ai vëzhgoi se si depërtimi i lartë i Kinës në pajisjet celulare po ndryshonte mënyrën e jetës te njerëzit, përfshirë edhe mundësinë  e tyre për të bërë pagesa përmes pajisjeve telefonike. Pinduoduo ka grumbulluar deri më tani rreth 300 milionë konsumatorë dhe ka grumbulluar vëllime të mallrave bruto prej mbi 140 miliardë juanë (20,5 miliardë dollarë amerikanë) në 2017, duke u bërë kështu kompania e tretë më e madhe e tregtisë elektronike në Kinë, pas Alibaba dhe JD.com.

Rrënjët e Colin Huang

Huang, i cili sot gëzon një pasuri marramendëse, ka një prejardhje të përulur. Ai lindi më 1980 nga dy punëtorë të një fabrike në periferi të Hangzhou-t, qyteti që është shtëpia e gjigantit të tregtisë elektronike në Kinë, Alibaba. Si fëmijë, Huang demonstroi aftësi të mprehta në matematikë. Ndërsa gjatë moshës së adoleshencës, kur ndiqte studimet në shkollën e Gjuhëve të Huaja në Hangzhou, ai filloi të bashkëvepronte me studentë të pasur. “Në krahasim me shkollat e tjera, ne ishim gjithnjë më të ekspozuar ndaj kulturës dhe ndikimit perëndimor”, tha Huang në një intervistë televizive. Në moshën 18-vjeçare, Huang ndoqi studimet për Shkenca Kompjuterike në universitetin prestigjioz Zhejiang, pasi u zgjodh si ndër të pakët studentë për të përftuar nga fondacioni Melton. Huang gjithashtu fitoi mundësinë për të kryer një trajnim në zyrën e Microsoft-it në Pekin. Këtu shënohet pikërisht e para herë kur tërhoqi një pagë (6000 juan). “Në atë kohë, paga ime e praktikës ishte më shumë se paga e nënës sime”, tha ai në një intervistë për Bloomberg.  Udhëtimi i 40-vjeçarit drejt Shteteve të Bashkuara filloi kur u regjistrua në universitetin e Wisconsin-it për një master në Shkencat Kompjuterike. Profesori i tij, i impresionuar nga performanca e Huang, e rekomandoi atë për gjigantët më të mëdhenj të teknologjisë së fillimit të viteve 2000; Oracle, Microsoft dhe IBM. Sidoqoftë, Huang preferoi Google-n.

Karriera e personit të dytë më të pasur në Kinë

Duke filluar nga viti 2004 deri në vitin 2007, Huang punoi në kompaninë e motorëve të kërkimit si inxhinier. Po në vitin 2007 miliarderi hapi një faqe tregtie të quajtur Ourku, që shiste elektronikë të konsumit dhe pajisje shtëpiake. Ai e shiti sipërmarrjen në vitin 2010, për të hapur kompaninë e tij të dytë Legi, e cila ndihmoi markat e huaja të hapnin dyqanet e tyre në platformat e njohura, si T-mall dhe JD.COM. Ndërmarrja e tij e tretë ishte një studio lojërash, e quajtur Xunmeng, që krijoi lojëra me bazë në internet. Në kohën kur Huang vendosi t’i japë jetë Pinduoduo-s, ai tashmë e konsideronte veten të pavarur financiarisht. “Asnjëherë nuk kam menduar të ndryshoj botën, thjesht dua t’i bëj gjërat siç duhet, hap pas hapi”, tha Huang për Tencent News.

Kompania Pinduoduo

Pinduoduo filloi punë në vitin 2015, megjithatë hapësira e tregtisë elektronike në Kinë ishte e dominuar tashmë nga Alibaba dhe JD.com. Por Huang, i armatosur me përvojë në tregtinë elektronike, pa një mënyrë për të përftuar edhe përvojë për blerjen në internet. Në shikim të parë, aplikacioni Pinduoduo duket si çdo platformë tjetër komerciale. Produktet ndahen në kategori-moda, këpucë dhe çanta, nëna dhe foshnja, ushqimi, elektronika, madje edhe automobilat. Ndryshimi është se përftohet çmim i zbritur, nëse arrihet të tërhiqet një tjetër person për të blerë të njëjtin artikull. Kështu, përdoruesit arrijnë një marrëveshje me miqtë në platformën e mesazheve në WeChat. Shumica e tyre vijnë nga qytete kineze të niveleve të ulëta, ku pagat nuk janë të larta dhe njerëzit nuk janë të pasur. Sidoqoftë, konsumatorët nga këto tregje janë shumë fitimprurës për Pinduoduo-n. Vitin e kaluar, një raport i Goldman Sachs vlerësoi se 71% e kinezëve që do të fillojnë blerjet në internet, do të vijnë nga qytete të niveleve të ulëta. Për shkak të çmimeve relativisht të ulëta të strehimit, kostove të jetesës dhe presionit të punës, njerëzit që jetojnë në ato zona janë më të gatshëm të shpenzojnë para dhe kohë për produkte në internet. Pinduoduo, gjithashtu, i tërheq përdoruesit përmes veçorisë së lojërave. Për të mos harruar seksionin që shfaq oferta ekskluzive për përdoruesit e rinj, të tilla si i kuq buzësh për vetëm 1 juan, ose një zgarë për 49,9 juanë.

Thembra e Akilit

Pinduoduo akuzohet prej kohësh se tregton produkte që nuk gëzojnë raport të drejtë mes cilësisë dhe çmimit. Kompania është sulmuar gjithashtu me një mori raportesh negative të shtypit, për lejim të produkteve imituese në platformë.  Administrata Shtetërore për Rregullimin e Tregut (SAMR) u ka bërë thirrje autoriteteve përkatëse të fillojnë një hetim mbi ankesat në lidhje me produktet e falsifikuara të Pinduoduo-s. Ndërkohë, kompania ka lëshuar një deklaratë duke thënë se ajo do të bashkëpunojë me autoritetet dhe se do të zbatojë mekanizma më të fortë për të larguar produkte të tilla nga faqja e saj. “Do të na duhet të kalojmë të njëjtat pengesa me të cilat janë hasur edhe kompani si Alibaba”, tha Huang. Alibaba ka shpenzuar miliona dollarë në përpjekjet e saj për të luftuar falsifikimet, duke përfshirë përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale që, mund të identifikojnë automatikisht, të heqin dhe të bllokojnë listat që përbëhen nga mallra të falsifikuara.  Matthew Brennan, ekspert i WeChat dhe bashkëpunëtori i China Channel, nuk mendon se hetimet duhet t’i shqetësojnë shumë investitorët. “Taobao i Alibaba është klasifikuar si një” treg famëkeq “nga përfaqësuesit e tregtisë së Shteteve të Bashkuara dhe është paditur shumë herë nga markat. Megjithatë, unë nuk mendoj se çmimi i aksioneve të saj ka pësuar dëm afatgjatë.”

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

SPAK s’duhet të hetojë blerjen e popullit, por shitjen e opozitës

Nga Kreshnik Spahiu Komike ….. 4 politikanë të hetuar nga SPAK do numërojnë votat e popullit? Evolucioni i vjedhjes së votës...

Vota e diasporës: Mbi 125 mijë shqiptarë kanë aplikuar për regjistrim

126 mijë emigrantë shqiptarë kanë shprehur vullnetin për të votuar, përmes postës në zgjedhjet e datës 11 maj. Numri i kërkesave në KQZ vijon të...

Gripi në kulmin e tij, infektimet në rritje

Gripi sezonal është në kulmin e qarkullimit në të gjithë vendin. Infektimet nga AH1N1 dhe AH3N2 vijojnë të rriten veçanërisht tek të miturit dhe...

Veliaj: Vota e emigrantëve, një ide e hershme e PS

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj, ka folur për votën e emigrantëve. Në një intervistë për podcastin “Majtas”, Veliaj theksoi se...

Meta do të futet në listat e PD-së në Tiranë, Xhixho: Edhe pse në burg…

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përmes një mesazhi audio nga qelia përshëndeti një ditë më parë Konventën zgjedhore te Partisë së Lirisë. Në...

Lajme të tjera

Web TV