Vendi ynë po përballet çdo ditë me shifra të larta të rasteve me koronavirus. Këtë të premte mjekët shqiptarë në Europë kanë bërë një apel të fortë.
News24 bëri bashkë me anë të një lidhje skype, infektologia Valbona Selimaj, e cila jeton dhe punon në Bruksel, Aurora Dollenberg, mjeke urgjence në Hannover si dhe Dr. Fahri Beqa, kardiolog.
Shqiptarë duhet të tregojnë kujdes, thanë ata, dhe mos të anashkalojnë respektimin e masave, siç është distancimi social apo dhe ruajtja e higjenës.
Mes të tjerash Selimaj tha se tashmë vendi ynë po përballet me pandeminë e COVID-19, pasi më herët ishin të izoluar.
Fjala e plotë
“Në Belgjikë rastet po bien. Në këto ditët e fundit kemi 100 raste të reja. Ajo që është shqetësuese, që është një trend i përgjithshëm, tashmë shohim gjithmonë e më tepër vtë rinj, grupmoshat nga 20-40 vite. Tregon një trend që këto grupmosha nuk kanë kujdesin e duhur dhe mendojnë se nuk preken. Nëse gjermani, ashtu siç e tha doktor Fatiu e doktorësh Aurora, kishte një sistem social, e njëjta histori nuk ndodhi këtu në Belgjikë. Ne, Belgjika, po i afrohet 10 mijë viktimave. Shumica e viktimave vijnë nga azilet e pleqve. ata nuk u trajtuan deri në fund. Nuk ishte Belgjika e lumtur në trajtimin e të sëmurëve me COVID. E kam ndjekur me interes dhe atë çka po ndodh në Shqipëri, në Kosovë apo dhe në Maqedoninë e Veriut. Është shqetësuese, pasi rastet janë ngritur shigjetë. Nuk besoj se kjo është vala e dytë, por është vala e parë që po shpërthen tani. Popullata po shkujdeset. Është urgjente dhe gjendja është alarmante, Flasim për një vend me 2 milionë e 900 mijë persona dhe kemi 76 persona të shtruar. 15 janë në kujdes intensiv. Për vendin tonë janë alarmues. Çdo person, mesa po shoh, njerëzit duhet të kenë kujdes. Ju bëj thirrje si mjeke, si qytetarë, të bëjmë kujdes. Jemi në një pandemi tani. Nuk ishim në pandemi në muajin mars kur ishim të mbyllur, por tani. Të rinjtë duhet të bëjnë kujdes, pasi asimptomatikët do të vijojnë të përhapin virusin”, tha Valbona Selimaj.
Ndërkohë, kardiologu shqiptar Beqa pohoi se me COVID-19 nuk preken vetëm të sëmurët me zemër apo dhe ata me diabet.
“Në 7 ditët e fundit kemi pasur 4106 raste të reja me koronavirs në Gjermani. Numri i personave të shtruar në Gjermani është 3074. Kemi pasur një zinxhir të këtyre rasteve në thertore, ku kryesisht janë grupe të rinj. Po ashtu kemi dhe një rast të shtimit të rasteve në disa banesa ku jetojnë të ardhur në një lagje të Berlinit. Sipas analizave që janë bërë deri më tani, nuk preken vetëm ata me zemër apo diabet. ne kemi parë se ata persona që vuajnë nga kanceri, ka pasur numër të lartë të vdekjeve. Dhe nuk është për shkak të trajtimit mjekësor apo për mungesë të shtretërve në kujdesin intensiv. Ne duhet të forcojmë arsenalin e kujdesit shëndetësor. Po ashtu kemi grupet e rrezikuara pasi kjo sëmundje prek të sëmurët kronikë. Ndaj në Gjermani, mosha mesatare e viktimave është 80 vjeç. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se situata është ende në nivel alarmi. Mbajtja e distancës, pastrimi i duarve, në mënyrë që mos të preken grupet e rrezikuara.”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, mjekja e urgjencës në Hannover, Aurora Dollenberg tha se bluzat e bardha në Shqipëri duhet të tregojnë kujdes dhe të sensibilizojnë qytetarët shqiptarë që mos të neglizhojnë masat.
“Unë jam në pjesën ambulatore, në një klinikë private, por bëj dhe në spital urgjencën. Nëse një pacient vjen në urgjencë, i bëjmë testin, dhe më pas e karantinojmë. Ky zinxhir veprimesh, nuk po zbatohet mesa kam marrë vesh nga kolegët tanë shqiptarë. Në Shqipëri nuk po bëhet karantinimi, dhe në QSUT nuk po zbatohet protokolli. Ne si shqiptar jemi popull i dashur për nga sjellja. priremi të përqafohemi dhe rezultatet duken tani që shifrat po rriten. Ajo që thotë doktorësh Valbona, është e drejtë. Pasi tani po e përjeton Shqipëri pandeminë. Ne e morëm pak lehtas tani që dolëm nga karantina. Filluan pushimet, dasmat filluan, dhe u prishën këto lloj masa mbrojtëse që këshillohen. Këtu në Gjermani vijon mbajtja e maskave. Kurse në Shqipëri nuk po zbatohet kjo. Stafi mjekësor duhet të bëjë një punë të madhe që të sensibilizojë qytetarët. Duhet të ketë një përgjegjësi sociale në Shqipëri.”,- tha ajo.
Bo.Ba/fjala.al