Njihuni me arritjet e 12 anëtarëve të rinj të Akademisë së Shkencave

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Akademia e Shkencave të Shqipërisë është shtuar me 12 anëtarë të rinj. Anëtarët e rinj të Asamblesë janë të disiplinave të ndryshme dhe me shumë studime të thelluara.

Gazeta “Fjala” sjell për lexuesit e saj karrierën akademike dhe të studiuesit për secilin prej anëtarëve të rinj që tashmë kanë marrë titullin akademik.

Arjan Durrësi
Arjan Durrësi

Arjan Durrësi është profesor i shkencave të kompjuterëve pranë Department of Computer Science në Indiana University Purdue University, Indianapolis USA. Më parë ai ka pasur pozicione akademike e shkencore pranë Louisiana State University, Ohio State University dhe Universiteti Politeknik i Tiranës.
Durrësi ka marrë titullin “Doktor i shkencave” nga Universiteti Politeknik i Tiranës më 1993 dhe PhD
në Computer Science nga Tokyo Denki University, Tokyo, Japan më 2006.
Fushat e kërkimit shkencor të Dr. Durrësit përqendrohen në rrjetet e kompjuterëve, sigurisë dhe besimit (trust). Veçanërisht ai është i interesuar me arkitekturat e reja të rrjeteve të kompjuterëve si përgjigje e
kërkesave në mjedise të ndryshme dhe zbatime si interneti, rrjetet wireless, multimedia etj. Objektivat e projektimit për këto sisteme përfshijnë shkallëzimin, sigurinë, qëndrueshmërinë, besueshmërinë dhe anën ekonomike. Në këto fusha Dr. Durrësi ka publikuar 75 artikuj shkencorë në revista dhe 177 në proceedings të konferencave ndërkombëtare, si dhe shtatë kapituj librash.
Dr. Durrësi ka një aktivitet të pasur në organizim konferencash dhe redaktime revistash shkencore. Kështu ai ka qenë Program vice Chair for Security and Trustworthy Computing 17th IEEE International Conference on Parallel and Distributed Systems.

Ilirjan Malollari
Ilirjan Malollari

Ilirjan Malollari është pedagog pranë departamentit të Kimisë Industriale prej vitit 1989. Gjithashtu ai kryen funksionin e përgjegjësit të grupit mësimor e shkencor në Inxhinierinë e Proceseve Kimike dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prej viti 2009. Me punën këmbëngulëse ka udhëhequr dhjetëra diploma studentesh brenda dhe jashtë vendit, disa dizertacione për gradën Doktor i Shkencave, dhe është autor i 20 teksteve shkencore Universitare, 8 monografi, 12 Raporte Teknike e komunikime shkencore, dhe ka prezantuar e publikuar mbi 250 artikuj shkencore brenda dhe jashtë shtetit si dhe ka marrë pjesë dhe referuar në dhjetëra konferenca dhe Kongrese Kombëtare e ndërkombëtare.

Gradat dhe titujt akademikë

Diplomë në Kimi Industriale, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës (1981) Kandidat i Shkencave në Inxhinieri Kimike, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës (1992) Doktor i Shkencave në Kimi Industriale, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës (1993) Profesor i Asociuar në Kimi Industriale (1997) Profesor në Kimi Industriale (2002) Akademik i Asociuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (2009)

Genc Sulçebe
Genc Sulçebe

Genc Sulçebe ka fituar titullin profesor në vitin 1994 dhe është aktualisht Shef i Shërbimit Universitar të Imunologjisë, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti Mjekësor i Tiranës dhe Qëndra Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza”.

Mbas mbarimit të studimeve pranë Fakultetit te Mjekësisë në Tiranë , ka vazhduar pa ndërprerje kualifikimet e tij brenda dhe jashtë shtetit , si specializimi në Pediatri të Përgjithshme  në Tiranë, specializim dhe punë kërkimore disa vjeçare në Imunologji në Paris pranë institucioneve të shquara të Frances, ku dhe ka marrë Çertifikatën e Studimeve të Larta në Imunologji të Përgjithshme, të Mësimit dhe Kërkimit në Biologji Humane; Diplomën e Imunologjisë së Thelluar në Institutin Pasteur si dhe D.E.R.B.H. – Diplome d’Etude et de Recherche en Biologie Humaine – ekuivalente me gradën Doktor i Ciklit të Tretë për aktivitetet kërkimore në Mjekësi në Francë)

Përveç studimeve dhe punës së gjatë kërkimore në Francë , ai ka marë pjesë në punë kërkimore – shkencore pranë Institutit të Imunologjisë Klinike dhe Reumatogjisë, Universiteti Erlangen – Nyrenberg, Erlangen, Gjermani, nën drejtimin e prof. J. R. Kalden, në kuadrin e Bursës kërkimore nga Fondacioni Alexander von Humboldt dhe me pas, punë kërkimore 2 mujore në Institutin Gustave Roussy, Paris, në fushën e Imunologjisë Tumorale. Ka vijuar me  punë kërkimore në Laboratorët e Imunologjisë dhe Pajtueshmërisë indore në Milano , Bari, Gjenevë dhe Vienë, në kuadrin e bashkëpunimit shkencor për realizimin e Transplanteve dhe Studimeve imunogjenetike në popullatën shqiptare.

Zoteron disa gjuhë të huaja :Frëngjisht; Gjermanisht; Anglisht, Italisht, Rusisht.

Prof.Genci ka pasur nje aktivitet të ngjeshur pedagogjik e shkencor si dhe në atë të drejtimit të institucioneve pedagogjike e mjekësore sikurse dhe në bordet e disa revistave shkencore.

Kualifikimi i tij shkencor ka perfshirë: Fitimin e Diplomës së Studimeve dhe Kërkimeve në Biologji Humane, Imunologji – Drejtimi Imunopatologji dhe Imunogjenetikë me vlerësim “Très honorable”. Universiteti Paris VII, (1986) si dhe i gradëve: kandidat i Shkencave (1986) , Doktor i Shkencave (1991)dhe Profesor (1994) Ne vitin 2015  Bordi Europian i Kualifikimit në Imunologjinë e Transplantit, Bruksel i akordoi  Diplomën: “Diplomë Europiane e Specializimit në Imunologjinë e Transplanteve, Histokompatibilitet dhe Imunogjenetikë”

Aktiviteti i Prof Genc Sulçebe është vlerësuar me pjesëmarje dhe drejtim të disa Shoqatave  kombëtare dhe ndërkombëtare si në fushën e Pediatrisë ,  translantit të organeve dhe  sidomos në atë të imunologjisë dhe alergologjisë .

Ai është vlerësuar me dekoratën   Kalorës i Urdhërit Kombëtar të Legjionit të Nderit (CHEVALIER DANS L’ORDRE NATIONAL DE LA LEGION D’HONNEUR) akorduar në Nëntor 2018 me vendim të Presidentit të Republikes Franceze.

Ilia Mikerezi
Ilia Mikerezi

Ilia Mikerezi është studiuesi i parë në fushën e gjenetikës së popullatave me kontribute me vlerë për karakteristikat e veçanta të popullatës shqiptare në krahasim me ato përreth. Në studimet e tij janë treguar elementë të strukturës gjenetike të popullatës shqiptare duke ndërtuar edhe skenarë gjenetikë të migrimeve brenda vendit në kohë.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i punës kërkimore të prof. Mikerezit, në bashkëpunim ndërkombëtar, ka qenë ai i lidhjeve gjenetike të popullatës shqiptare në mënyrë të veçantë me popullatat arbëreshe, gjë e cila është shoqëruar edhe me një botim të rëndësishëm në revistën “Nature”, e njohur për publikimet e studimeve të vlerësuara dhe me rëndësi teorike.

Prof. Mikerezi bën pjesë në atë grup studiuesish, të cilët pas studimeve universitare kanë punuar në zona të largëta e të vështira të vendit, gjë e cila jo vetëm nuk i ka shkurajuar, por përkundrazi i ka nxitur për të shtuar përpjekjet për kualifikimin e mëtejshëm dhe vazhdimin e studimeve më të thelluara në fushat e tyre.

Pasi është përgatitur në nivel të duhur në fushën e gjenetikës sasiore dhe të popullatave në Katedrën e Botanikës në FShN ka kryer studimet dhe kualifikimin pasuniversitar në Itali në fushën e gjenetikës molekulare në Institutin e Gjenetikës të Universitetit të Milanos. E gjithë veprimtaria kërkimore më pas u përqendrua më shumë në gjenetikën e popullatave duke u përshtatur edhe me kushtet në infrastrukturë dhe mbështetjen e kufizuar financiare në vend. Gjatë gjithë kësaj kohe, puna e tij kërkimore është fokusuar në fushën interesante të studimit të strukturës gjenetike si dhe lidhjeve gjenetike midis popullatës shqiptare dhe popullatave të tjera evropiane duke përdorur teknikat e gjenetikës molekulare si edhe teknikat statistikore të analizave multivariate të përshtatura në metodat e Izonimisë. Në këtë kontekst ka kryer studime të shumta në popullatën shqiptare duke bashkëpunuar ngushtë me institucione dhe laboratorë të huaj, kryesisht në Gjermani, Itali, Kroaci mbi bazën e projekteve të përbashkëta si drejtues i palës shqiptare.

Pjesa më e madhe e veprimtarisë kërkimore shkencore është kryer në një periudhë kohore shumë të vështirë veçanërisht në lidhje me kontaktet dhe lëvizjen në drejtim të vendeve të tjera në të cilat kryhej pjesa më e madhe e punës në laboratore me teknikat e bashkëkohore.

Nga ana tjetër, i ka kushtuar vëmendje pozicionit të popullatës shqiptare ndër popullatat evropiane dhe ato fqinje. Të gjitha këto kanë kontribuar në njohjen e fondit gjenetik të popullatës shqiptare, të historisë gjenetike të saj si dhe të fondit gjenetik dhe historisë gjenetike të popullatave evropiane. Nuk mund të lihet pa përmendur, në këtë kuptim, edhe një nga studimet interesante, krahas të tjerëve, i cili ka qenë i lidhur me gjenetikën e popullatës së arumunëve (vllehve) në gjithë zonën e Ballkanit.

Krahas studimeve me rëndësi në njohjen e strukturës gjenetike të popullatës shqiptare kanë qenë edhe ato të lidhura me gjenetikën mjekësore, pra me shëndetin publik (projekti 3 vjeçar me CNR Itali lidhur me studimin e sëmundjes Charcot-Marie Tooth në popullatën shqiptare).

Veprimtaria e tij shkencore e ka bërë emër të merituar për të qenë bashkëdrejtues i Njësisë së re të Kërkimit në Bioteknologji & Gjenetikë pranë ASh.

Pëllumb Xhufi
Pëllumb Xhufi

Pëllumb Xhufi ka pasur një përgatitje solide profesionale, duke filluar që nga diplomimi “shkëlqyer” në universitet, përzgjedhja e temës së mesjetës shqiptare në kërkimet e tij, udhëheqja nga studiues të shquar si prof. Aleks Buda, kryerja e disa specializimeve në fushën e gjuhëve dhe paleografisë në Greqi dhe Itali, qëndrimeve të gjata e sistematike pranë arkivave perëndimore, pjesëmarrjeve në tubime shkencore të gjithë niveleve, punës së gjatë shkencore në një departament me peshë ndërkombëtare si ai i Mesjetës në Institutin e Historisë pranë Akademisë së Shkencave, QSA dhe ASA, si dhe i ka transmetuar rezultatet e kërkimeve të veta shkencore përmes kurseve të historisë së mesjetës në universitetet shqiptare dhe jashtë vendit.

Ka botuar në mënyrë sistematike rezultatet e punës së tij shkencore në më shumë se 100 artikuj shkencorë dhe disa monografi, ku shquhen “Dilemat e Arbërit”, “Nga Paleologët tek Muzakajt”, “Shekulli i Voskopojës”, “Arbërit e Jonit“ e “Skënderbeu, ideja dhe krijimi i shtetit”. Përmes tyre ka ndriçuar periudha historike në rajone shqiptare pak, apo aspak të njohura dhe ka rindërtuar mbi bazën e dokumentacionit arkivor të panjohur, apo të keqinterpretuar më parë, historinë mesjetare të principatave të Shqipërisë së Jugut. Kështu, në “Dilemat e Arbrit”, përveç trajtimit, me nota origjinale të disa çështjeve kardinale të historisë mesjetare, P. Xhufi ka realizuar për herë të parë një studim të plotë mbi marrëdhëniet e Manfredit Hohenshtaufen me Shqipërinë (shek. XIII). Në “Shekulli i Voskopojës”, mbi bazën e të dhënave dokumentare, ai për herë të parë tregon mekanizmin që përcaktoi shkëlqimin e qytetit në fillim të shek. XVIII e dekadencën e saj pas disa dekadash tek sistemi ekonomik i commenda-s, d.m.th. i një ekonomie të ngritur mbi bazën e kërkesës së manifakteve të leshit në tregun e Perandorisë së Habsburgëve deri në paqen përfundimtare austro-osmane të vitit 1735.  Monografia “Arbrit e Jonit” është një studim voluminoz që mbush një boshllëk historik për një trevë të gjerë, që përfshin Vlorën, Labërinë, Himarën, Delvinën e Çamërinë për një periudhë të shtrirë, shek. XV-XVII, ku prek fusha të ndryshme, nga historia politike, zhvillimet ushtarake, marrëdhëniet ekonomike, sociale e juridike dhe sjell një mori të dhënash dokumentare të panjohura, që vërtetojnë se banorët e kësaj treve të gjerë ishin shqiptarë, vetëdeklaroheshin si dhe njiheshin të tillë edhe nga të huajt. Monografitë “Nga Paleologët te Muzakajt” e “Skënderbeu, nga ideja te krijimi i shtetit” trajtojnë ecurinë e ngritjes së shtetit feudal shqiptar, nga princërit e Arbërit në shek. XII, deri tek Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në shek. XV. Edhe këtu, sillen të dhëna e ide të reja mbi këtë proces shtetformues, që bëri që Shqipëria të njihej edhe në botën  e jashtme si një entitet shtetëror.

P. Xhufi  është afirmuar si studiuesi shqiptar më kompetent dhe është pranuar si i tillë në fushën ndërkombëtare. Serioziteti shkencor, objektiviteti dhe ndjekja e metodologjive moderne të kërkimit historik përbëjnë veçoritë themelore të prof. Pëllumb Xhufit si historian i Mesjetës shqiptare.

Ka qenë vazhdimisht edhe një personalitet publik, duke u angazhuar vazhdimisht në diskutimet dhe debatet mediatike në lidhje me vlerësimin e ngjarjeve dhe epokave historike. Ka mbajtur një qëndrim objektiv, të mbështetur në dokumente arkivore dhe metodologji bashkëkohore dhe është afirmuar si një autoritet publik edhe në këtë fushë.

Adrian Civici
Adrian Civici

Adrian Civici ka një përgatitje profesionale solide e rezultate shumë të mira duke filluar nga diplomimi në Universitet në vitin 1982, karrierën si pedagog dhe drejtues në Universitetin Bujqësor të Tiranës, kërkues shkencor, Drejtues i Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik e Social të Shqipërisë në Ministrinë e Financave, Rektor dhe President i UET, Anëtar i Këshillit drejtues të Bankës së Shqipërisë, Këshilltar ekonomik pranë Qeverisë së Kosovës, Jean Monnet Key Staff, Albania toward EU and Regional Development ‘ALEURD’; Bordi drejtues i bankës Societe Generale Albania dhe OTP Albania, Dekan i Fakultetit Ekonomik pranë UMSH, etj.

  • Civici ka vazhduar pa ndërprerje për një periudhë mbi 37 vjecare kualifikimet e tij brenda dhe jashtë vendit, specializim në fushën e menaxhimit rural të integruar në INA-PG Paris, politikat agrare dhe zhvillimit në CIHEAM-IAM Montpellier, reformat dhe politikat e tranzicionit në ENSA.M Montpellier, zhvillimi i qëndrueshëm në Universiteti i Thessalisë Volos, zhvillimi mesdhetar në Universitetin e Valencia-s, analizën krahasuese të tranzicionit në IAM.B.Bari, zhvillimi human dhe politikat ndërkombëtare të zhvillimit ekonomik e social pranë FPH Paris, etj. Në gjithë këto aktivitete ka bashkëpunuar me projekte ndërkombëtare e rajonale me institucione të rëndësishme si FAO, Banka Botërore, BERZH, FPH, etj., me profesorë e personalitete të shquar të fushës si Michel Petit, Bertrand Hervieux, Dimitri Goussios, Pierre Coulomb, Francois Lerin, Laurence Toubiana, Pierre Campagne, etj.
  • Puna kërkimore shkencore shumë vjecare e Prof.Adrian Civici është realizuar në bashkëpunim me institucione të rëndësishme ndërkombëtare si FAO, SOLAGRAL (Paris), RONGEAD (Lyon), IAM.M (Montpellier), ENSA.M (Montpellier), RAFAC (institucion mesdhetar), Universiteti Thesalisë dhe Universiteti Athinës, Universiteti Bari-t dhe IAM.B Bari, IFAD Romë, Groupe de Brugge, Bruksel, FPH Paris Gjenevë, etj.
  • Fushat kryesore të kërkimit shkencor kanë qënë të lidhura me strategjitë ekonomiko-sociale të zhvillimit nw Shqipwri dhe vendet e Europws qwndrore e lindore, platformat e bashkwpunimit dhe marrwveshjet me FMN e Bankwn Botwrore, zhvillimin e qëndrueshëm, objektivat dhe procesin e integrimit europian, politikat ekonomike dhe ato të zhvillimit rural e territorial, problematikën e tranzicionit në Shqipëri dhe vendet e Europës qëndrore e lindore, teoritë ekonomike dhe debatet bashkëkohore, politikat monetare e tregjet financiare, bankat qëndrore dhe bankat tregëtare, tregëtia ndërkombëtare, etj.
  • Adrian Civici është diplomuar në vitin 1982 “Ekonomist agrar”pranë UBT, “Kandidat i shkencave” në vitin 1989, “Doktor në administrim Biznesi” në UBT, “Profesor i Asociuar” në vitin 1995, “Docteur en Economie” në vitin 2002 në ENSA.M Montpellier me vlerësim “Très honorable”, “Profesor” në shkencat ekonomike në vitin 2011. Gjatë aktivitetit të tij shkencor e pedagogjik ka realizuar dhe një sërë kualifikimesh e stazhesh profesionale në Francë, Itali, Greqi, Spanjë, Zvicër, SHBA, etj.
  • Ka botuar në mënyrë sistematike rezultatet e punës së tij shkencore në 20 libra, 15 broshura e monografi, mbi 50 artikuj shkencorë brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrje dhe referim në 35 konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare, 28 studime e kërkime, etj. Përmes tyre shquhen librat “ Albania – an agriculture in transition”, IAM Montpellier, France, 1996, “D’une agriculture de subsistance vers une agriculture de type familial modern”, OPTIONS méditerranéennes, 1997 (no 29), Montpellier, France; “Dilemmas of Development – Models of economic and social development in front of globalization”, 2007, GEER; ‘Shteti apo Tregu – cilin model zhvillimi të zgjedhim?”, 2014; “Transformimi i Madh – nga planifikimi i centralizuar drejt tregut të lirë”, 2015; “Fridrih Hayek–liberalizmi përballë etatizmit”, 2017; “Anatomia e krizës financiare 2008-2018”, 2018, etj., të cilat janë pasqyruar gjerësisht në dokumentacionin e detajuar që përmban dosja e tij. Botimet kryesore të tij janë botuar në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht dhe italisht.
  • Civici është afirmuar si një nga studiuesit shqiptar mjaft kompetent, duke u pranuar si i tillë dhe në fushën ndërkombëtare. Serioziteti shkencor, objektiviteti dhe ndjekja e metodologjive moderne të kërkimit në fushën ekonomike financiar, politikave ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm përbëjnë veçoritë themelore të prof. Adrian Civici si studiues dhe ekonomist.
  • Që prej një periudhe të gjatë mbi 25-vjeçare ka qënë i angazhuar publikisht në diskutime e debate publike e mediatike në lidhje me zhvillimet më të rëndësishme ekonomike, financiare dhe ndërkombëtare, vecanërisht në cështjet e politikave ekonomike dhe financiare, menaxhimit të biznesit, bankave dhe tregjeve financiare, politikave të tranzicionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
  • Adrian Civici është vlerësuar me medaljen e “Palmës akademike” nga Ministria Kombëtare e Arsimit, Republika e Francës, në vitin 2009, me vlerësimin “Ekonomisti më i angazhuar dhe aktiv i vitit” nga Dhoma e tregëtisë dhe industrisë & Scan Tv në vitin 2014; me vlerësimin “Ekonomist i angazhuar me kontribut të vecantë në zhvillimin e ekonomisë në Shqipëri dhe Kosovë” nga Qeveria e Kosovës në vitin 2017; vlerësimin si “Ekonomisti i vitit” nga Shoqata Mbarëkombëtare e prodhuesve, në vitin 2017 etj.
Lexo edhe :  Shqipëria bashkëpunim me bankën italiane, Rama: 250 mln euro financim për bujqësinë

Mbështetur në vlerësimet e mësipërme, që përvijojnë personalitetin e prof. Adrian Civicit si si profesor, studiues dhe personalitet publik, duke plotësuartë gjitha kriteret teknike, të vërtetuara nga Komisioni teknik dhe mbështetjen eKomisionit të shkencave sociale, juridike dhe ekonomike,kandidati i plotëson kushtet për të kërkuar votën në Seksion dhe më tej në Asamble, për marrjen e titullit akademik i asociaur.

Artan Boriçi
Artan Boriçi

Artan Boriçi është doktor i shkencave matematike prej Shkollës së Lartë Politeknike Federale të Zyrihut në Zvicër. Ai ka shërbyer si kërkues shkencor në fushën e fizikës teorike dhe llogaritëse si dhe në fushën e financës llogaritëse në institutin Paul Scherrer të Zvicrës, Shkollën e Lartë Politeknike Federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut.  I njohur në botën e teorisë rrjetore të fushës për fermionet Boriçi-Creutz. Artani bashkëpunon ngushtë me institucione shkencore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë, Qendra e Kërkimeve Bërthamore Evropiane, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë etj. Së bashku me këto institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore ai organizon konferenca ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Artanit i janë akorduar mbi gjysmë milionë dollarë grante për punë kërkimore fondametale prej agjencive zvicerane e skoceze, si dhe NATO-s gjatë punës në Shqipëri. Ai boton rregullisht në Physical Review D dhe Journal of Computational Physics dhe ka indeksin h të citimeve katërmbëdhjetë. Artani ka shërbyer si zëvendësdekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe anëtar i Këshillit të Fakultetit. Që prej vitit 2012 Artani drejton grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës.

Kristina Jorgaqi
Kristina Jorgaqi

Kristina Jorgaqi Jano e ka zhvilluar veprimtarinë e saj kërkimore-shkencore për një periudhë kohore gati 25-vjeçare pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave (1985-2010), në Departamentin e Gjuhësisë të Fakultetit të Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës (2010- sot).  10 vjet më parë ajo fitoi titullin profesor. Një pjesë e madhe e hulumtimeve dhe e kontributit të saj shkencor i takon një fushe studimesh siç është Gjuhësia e kontakteve, në kuadrin e së cilës ajo është marrë me marrëdhëniet mes shqipes dhe italishtes, posaçërisht me ndikimin italian mbi shqipen, që është një prej ndikimeve më të hershme e njëherësh më të pasura, më të qëndrueshme e të pandërprera përgjatë 10 shekujve të fundit. Një tjetër fushë studimesh, në të cilën prof. Jorgaqi ka zhvilluar veprimtarinë e saj kërkimore-shkencore dhe ka kontribuar është Planifikimi gjuhësor, ku prof. Jorgaqi ka meritën e përfshirjes për herë të parë si lëndë në programet mësimore të fakultetit Histori-Filologji, në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë shqipe. Interesat kërkimore të prof. Jorgaqit kanë të bëjnë edhe me dy fusha të tjera studimesh siç janë: leksikologjia historike dhe leksikografia.

  • Kristina Jorgaqi është një studiuese serioze në fushën e studimeve gjuhësore. CV-ja e saj pasqyron qartazi kontributet shkencore të znj. Jorgaqi, si në botime të posaçme, tekste, kumtime shkencore në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare e shumë aspekte të tjera.

Komisioni teknik ka vërtetuar plotësimin e kritereve teknike. Përmbushja e kritereve shkencore prej kandidates është certifikuar me votim të hapur në komisionin e gjuhës dhe të letërsisë.  Për të gjitha këto arsye, kandidatja i plotëson kushtet për të kërkuar votën në Seksion dhe më tej në Asamble, për marrjen e titullit akademike e asociuar.

Mimoza Hafizi
Mimoza Hafizi

Mimoza Hafizi degën e “Fizikës Speciale” në Universitetin e Tiranës e ka  mbaruar me rezultate shumë të larta, për të cilat Ministria e Arsimit i ka akorduar “Medaljen e Artë”, një vlerësim mjaft i rrallë në studimet universitare të asaj epoke. Menjëherë u caktua të punojë asistent/pedagoge në Institutin e Lartë Pedagogjik, në Shkodër, në Katedrën e Fizikës, ku bënin pjesë emra të njohur dhe me shumë përvojë. Në vitin 1990 u shkëput nga ky vend pune, pasi kishte shërbyer gjithashtu edhe për një periudhë gati dy vjeçare si përgjegjëse katedre, megjithë moshën shumë të re për të filluar studimet e doktoraturës në Francë, përmes një burse të akorduar nga Ministria e Jashtme Franceze. Studimet doktorale në Francë i kreu në dy etapa: Diploma e Studimeve të Thelluara në Fizikë Teorike, 1990-1991, (Diplôme des Etudes Approfondies), në Ecole Normale de Paris, njëra nga shkollat më të vlerësuara të Francës dhe Europës; Punimet e Doktoraturës në Fizikë Teorike, 1991-1995, në Observatorin Paris-Meudon. Pas mbrojtjes me sukses të Doktoratës, në Korrik 1995, kthehet menjëherë në Tiranë, për të filluar punë si pedagoge në Departamentin e Fizikës, Universiteti i Tiranës. Që atëherë, e zhvillon pa ndërprerje aktivitetin e saj akademik dhe shkencor në këtë departament Prej 24 vitesh mban në këtë departament ngarkesën e dy lëndëve kryesore: Mekanikë Kuantike (dy nivele) dhe Astrofizikë.

Karrierën shkencore, pas kthimit nga Franca, e ka fokusuar në ‘Astrofizikë’.

Dy janë drejtimet kryesore në Astrofizikë, të cilat i zhvillon në bashkëpunim me dy koleget të saj, ish-studente të doktoraturës, me të cilat formoi një grup shkencor brenda departamentit: Shpërthimet Gama; Planetet jashtë Sistemit Diellor. Artikujt shkencorë në këto fusha janë disa dhjetra, publikuar kryesisht në revista ndërkombëtare me faktor impakti. Kemi botur disa herë edhe në ‘Astronomy and Astrophysics’, që është ndër revistat më të vlerësuara në fushën e Astrofizikës (faktor impakti deri mbi 5). Ka qenë mjaft aktive në organizimin e konferencave shkencore ndërkombëtare dhe kombëtare në Shqipëri, cilësia e të cilave është pasuruar edhe nga prania e shumë kolegëve europianë, me të cilët ka bashkëpunuar ndër vite. Bashkëpunimet kryesore i ka patur në Francë (Instituti i Astrofizikës i Parisit, DR. Robert Mochkovitch) dhe në Itali (Universiteti i Lecce-s, prof. Francesco DePaolis; Universiteti i Bologna-s dhe INAF, DR. Lorenzo Amati; International Center of Relativistic Astrophysics, Roma-Pescara, prof. Remo Ruffini).

Që prej 4 vitesh është përfshirë në një projekt hapësinor europian, THESEUS, i cili synon dërgimin e një teleskopi në hapësirë për të zbuluar Shpërthimet më të vjetra Gama, që do të shërbejnë për të kuptuar universin e fazave krejtësisht të hershme. Ka qenë ideuese dhe bashkërenduese e ngritjes së Observatorit lëvizës në Tiranë, me një teleskop Celestron 20 cm.

Rajmonda Bualoti
Rajmonda Bualoti

Rajmonda Bualoti në fushën e saj të veprimtarisë akademike dhe shkencore,  përfaqëson një person me kontribut të veçantë dhe të gjithëpranuar  në   Shqipëri,  Kosovë e më gjerë. Kontributi i saj shkencor dhe mësimor, është i qendrueshem dhe shtrihet në një periudhe të vazhdueshme prej 38 vitesh.

Aktiviteti i saj shkencor reflektohet edhe në botimin e 35 artikujve shkencorë në periodikë shkencorë brenda dhe jashtë vendit. Botimi i artikujve përfshin gjithë periudhën e veprimtarisë së saj mësimore e shkencore, duke dëshmuar qëndrueshmëri. Në bashkëpunimin me revistat e huaja, ka kryer disa recenca artikujsh ndërkombëtare.

Ne aktivitetin shkencor duhen përfshirë edhe 44 pjesemarrjet me referime  ne konferenca dhe evente  shkencore, komitete, redaksi dhe  borde shkencore. Ka drejtuar komitete te ndryshme konferencash shkencore duke qenë  anëtare e komiteteve organizuese në konferenca ndërkombetaree kombëtare. Nuk ka munguar edhe roli i saj i eksperte evropiane për programin e kërkimit H2020. Gjithashtu është përfshirë në projekte kombëtare në nivel drejtuesi ose koordinuesi: Ka hartuar drejtuar dhe kryer funksionin e koordinatorit për programe të ndryshme vendase dhe të huaja si: Tempus, «Uji dhe energjia»,.

Që nga viti 1982 e në vazhdim, punon si personel akademik në UPT, duke drejtuar njësi të punës kërkimore, në nivele të ndryshme, duke  manifestuar cilësi të spikatura kërkimi, drejtimi  e bashkëpunimi.

Eshte anetare e disa organizmave te fushes si IEE, si dhe ka bashkepunime me homologë të saj në universitete italiane, greke, gjermane, belge etj. Aktiviteti i saj shtrihet edhe në drejtimin e transferimit të përhapjes së njohurive shkencore, duke demonstruar bashkëpunime të dobishme me aktorë të tjerë të fushës së vet profesionale.

Ardian Ndreca
Ardian Ndreca

Ardian Ndreca është një personalitet i kulturës shqiptare që ka ripërtërirë rrethin kulturor katolik të Shkodrës. Me botimet e tij të shumta brenda e jashtë vendit, me gjuhën plot kolorit të gegënishtes veriperëndimore, ai jo vetëm ka ringjallur një traditë të gjymtuar keq nga represioni komunist, por e ka vitalizuar atë.

Pasi mbaroi liceun « Oso Kuka » dhe fakultetin « Gjuhë-letërsi » pranë Universitetit «Luigj Gurakuqi» në Shkodër, ai u laurua për filozofi pranë Pontificia Universitas Urbaniana në vitin 1995 dhe në vitin 1999 mbrojti dhe fitoi PhD në filozofi pranë këtij Universiteti. Ai është «Professore straordinario» i historisë së filozofiisë moderne pranë Pontifica Universitas Urbaniana dhe drejtues i katedrës së Historisë së Filozofisë Moderne. Përveç shumë angazhimeve të tjera, ai është edhe editor dhe kryeredaktor i revistës «Shejzat-Pleiades», series nova, nga viti 2016 e këtej.

Është gjithashtu edhe profesor i ftuar pranë John Caroll University (Cleveland, Ohaio), nga viti 2007.

Ardian Vehbiu
Ardian Vehbiu

Ardian Vehbiu i përket brezit të studiuesve të viteve ’80-’90. Ai mbaroi universitetin e Tiranës me rezultatete të shkëlqyera. Pas studimeve, filloi punë menjëherë në Institutin e Gjuhës e të letërsisë në sektorin e leksikologjisë. Në fund të viteve 80’ specializohet në Itali në fushën e gjuhësisë dhe caktohet po ashtu lektor i gjuhës e letërsisë në Universitetin e Napolit. Pas viteve ’90 ai vendoset në Itali e më pas në New York SHBA. Për asnjë çast nuk u shkëput nga vperimtaria shkencore dhe ajo krijuese. Ai u dallua menjëherë në studimet për shqipen e kulturën shqiptare sepse është nga të parët që futi në këto studime metodat dhe teoritë moderne të kritikës strukturaliste e semiotike. Korpusi i tij i studimeve për gjuhën në komunizëm është një kontribut unik. Ndërsa revista letrare që ai ka thelemluar dhe drejton «Peizazhe të fjalës» është ndër organet në elitare ku ai vetë boton kritika, studime, vëzhgime dhe analiza që kanë në themel kulturën shqiptare dhe atë të përbotshme.

Ardian Vehbiu është eruditi më i shquar i brezit të tij. Zotërues i shumë gjuhëve të huaja, njohës i thellë jo vetëm i letërsisë, gjuhës e kulturës shqiptare, por edhe i asaj botërore, ai është bërë një nga zërat më autoritarë në ligjërimin kullturor shqiptar.

Kandidatura e tij për në Akademinë e Shkencave që u miratua nga Seksioni i Gjuhës dhe letërsisë dhe nga ai i Artit dhe Trashëgimisë kulturore do t’i paraqitet për miratim Asamblesë së ASH-së ditën e hënë më 29 qershor 2020.

Bo.Ba/Fjala.al

Të fundit

Shpronësimet për ndërtimin e Unazës së Madhe/ PD denoncon Bashkinë e Tiranës

Partia Demokratike ngre alarmin se Bashkia e Tiranës po i mohon qytetarëve përfitues bonusin e qirasë. Zëdhënësja e Antikorrupsionit në...

“Marrëdhëniet me vendlindjen përmes veprës letrare”, miqtë vlerësojnë Besnik Mustafajn

Shoqata “Tropoja” ka organizuar një paraqitje të veçantë të veprave të Besnik Mustafajt, me temën “Marrëdhëniet e shkrimtarit me vendlindjen përmes veprës letrare”. Folës...

Tabaku: Politikat e qeverisë po shkatërrojnë bujqësinë shqiptare

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër qeverinë për situatën e rënduar në sektorin e bujqësisë, duke e cilësuar atë si një ndër...

“Groenlanda do të jetë e Amerikës!” Trump bën kthesë: Mund të hymë sërish në OBSH

Donald Trump njoftoi se mund të konsiderojë ribashkimin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, disa ditë pasi urdhëroi Shtetet e Bashkuara të largohen nga agjencia...

Sylvinho nëpër Europë për futbollistët shqiptarë, ndalet në Angli

Në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri kualifikues të Kupës së Botës, trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, së bashku me stafin e tij...

Lajme të tjera

Web TV