Mbyllja e kufijve/ Pipero: U ndëshkuam se dhamë shifra të sakta

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero e cilësoi të nxituar vendimin e BE për të veçuar Shqipërinë nga lista e vendeve të vizitueshme.

Ai shprehet i bindur se ky vendim është i pabazuar në të dhëna reale dhe thekson se ndëshkimi ka ardhur se kanë qenë të sinqertë në shifrat e dhëna.

“Situata tek ne nuk është në atë nivel që rrezikon shëndetin e qytetarëve në vendet fqinje. Ne kemi një numër shumë të vogël, në raport me komunitetin jashtë Shqipërisë. E them si specialist i shëndetit publik nuk rrezikohet shëndeti i askujt pse vjen në Shqipëri.

Mjafton të mbajmë maskën e të ruajmë distancën. Tek ne, për shkak të strategjisë së gjurmimit të rasteve dhe tamponimit edhe të kontakteve, ky numër del relativisht i madh. Në vendet e tjera tamponi nuk i bëhet kontakteve, vetëm rasteve klinike.

Ne kemi qenë të sinqertë në shifrat që kemi dhënë, pasi në këtë situatë e vërteta është më rëndësishme se statistika”, tha Pipero në Euronews Albania.

/En.Br./Fjala.al