Artan Fuga posaçërisht për “FJALA”: Sundimi i masave prej pakicave abuzuese të organizuara

113 563 lexime

77,509FansaPëlqeje

Filozofë, sociologë dhe studiues të dinamikave të opinionit publik, urbanistë etj., gjatë shekullit të njëzetë dhe në këto tri dekada të shekullit ku jetojmë, kanë arritur të analizojnë të gjithë katastrofën shoqërore që prodhojnë diktaturat totalitare, por edhe të tregojnë qartësisht rreziqet nga manipulimet në shoqëri që e quajnë veten demokratike. Një shoqëri demokratike nënkupton që ka një pjesëmarrje të masave, të sovranit, të grupeve shoqërore në qeverisjen lokale, të institucioneve, të shtetit, të agjencive të ndryshme. Mirëpo sot te ne gjithkush pyet: përse qëndrojnë masat e popullit, grupe të ndryshme shoqërore dhe, madje, shtresa intelektuale dhe teknicienësh disi të tërhequr nga politika? Përse pranojnë diktatin e pakicave ose individëve që hiqen si të fortë, ndërkohë që mandatin e kanë marrë pikërisht nga këto masa apo grupe shoqërore në pushtetin qendror, në pushtetin lokal, në universitete publike, në shoqata etj.?

Sot dëgjohet gjithandej shprehja sa e gabuar, aq edhe e dëmshme: “Nuk e ngre zërin ndaj padrejtësive që bën ky ose ai, ky grup individësh apo ai grup, sepse të tjerët nuk flasin!!!”. Madje, aq qesharake është bërë kjo shprehje, aq rutinë, sa edhe dikush, pikërisht nga këta individë të privilegjuar, që abuzon rëndë me funksionin e tij, i korruptuar dhe i padrejtë deri në palcë, më tha një ditë kur i thashë mendimin tim për të: “Mirë e ke, po ti e sheh është e kotë, të gjithë pajtohen me të keqen, pra po qe se nuk e bëj unë këtë abuzim dhe korrupsion, do ta bëjnë të tjerët!” “Nuk ia vlen, populli shqiptar është dembel, parazit, i mësuar të jetojë nën thundër” – kjo shprehje sa e poshtër, aq edhe e fryrë pikërisht nga të korruptuarit deri në palcë – është bërë ideologjia e re e kohës. “Bëjmë keq, sepse populli qenka i keq, qenka i mësuar me të keqen, pra me të keqen tonë!” E përhapin këtë vetë njerëzit në masë, sepse ua vërvisin në mendje mediat, propagandistët, këshilluesit nëpër kafene: “E mo, ti do ta ndryshosh botën!!!!”. E përsërisin individë që shohin vetëm interesat e tyre personale dhe asgjë tjetër dhe, mbi të gjitha, absurdja, komikja, tragjikja, hipokritja, e poshtra: “E thonë edhe ata që abuzojnë me pushtetin, që kanë përfituar nga bllokimi i drejtësisë dhe kanë bërë namin në korrupsion, e tani thonë: “Çfarë të bëjmë, kështu e do sundimin ky popull!!!” Drejtuesi i një institucioni shkencor, kur e akuzova në mbledhje se po shkelte me këmbë ligjshmërinë, tha në mes të mbledhjes: “E pastaj??? Unë nuk po shkel një ligj, po i shkel të gjitha, sepse kështu është më koherente!!!”. Korrupsioni i këtyre njerëzve dhe abuzimi me pushtetin ka arritur në atë pikë që, sado të bëjnë më shumë, nuk do të ndëshkoheshin më shumë!!! Dhe prandaj nuk përmbahen më! Si një i dënuar tashmë me vdekje që u thotë kriminelëve të tjerë në hetim e sipër: “Hidhmini të gjitha fajet mua, më shumë se çfarë kam bërë për t’u dënuar maksimalisht nuk ka, edhe fajet tuaja i marr përsipër unë!”

Kështu edhe këta tipa, pasi kanë bërë të gjitha prapësitë e mundshme, tani nuk kanë më asnjë arësye të ndalen! Masa qëndron në inatin, mërzinë, pakënaqësinë e vet jo sepse është dakord me këtë abuzim, korrupsion, degradim të pakicave që e dhunojnë duke shkelur ligjin, por sepse nuk ka fuqi të reagojë. A është e mundur? Po, është krejtësisht e mundur. Nuk u ndodh vetëm shqiptarëve, por edhe popujve me përvoja demokratike shumë herë më të mëdha sesa tonat! Ndodh, sikurse e kanë shpjeguar mendimtarët që përmendëm, atëherë kur masa nuk organizohet dot, ka humbur strukturën e bashkësisë, është kthyer në një pafundësi individësh që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, pra janë si atomet që duket se izolohen më vete, kur grupet shoqërore nuk kanë solidaritet, nuk marrin ndërgjegjen e përbashkët se duhet të veprojnë në këtë apo atë mënyrë për të siguruar interesat e përbashkët, kur kolektivat e njerëzve janë shpërbërë, kur individi nuk e njeh më individin tjetër, kur pesimizimi dhe padija për të ndërtuar politika i ka bërë që secili të shohë “punën e vet”, duke u mbyllur brenda sferës së vet individuale. Pikërisht në atë moment, pakicat e organizuara ose individët korruptivë, të organizuar brenda keqbërjes së tyre, si ato bandat prej katër a pesë individësh të armatosur që mund të kapnin rob gjithë fshatin në Far West, arrijnë t’i sundojnë masat, qofshin këto qytetare, intelektuale, studentore, tekniciene. Këtu nuk ka rëndësi fare sesa njohuri mund të ketë individi. Ai mund të jetë akademik, profesor, inxhinier, doktor, nobelist, a ku e di tjetër çfarë, por si qytetar nuk reagon. Nuk reagon sepse ndihet vetëm, ndihet i pafuqishëm, ndihet i izoluar përpara edhe një pakice që në një institucion ose qytet, apo edhe në një komb, mund të jetë e përbërë nga individë me inteligjencë dhe ndërgjegje nën mesataren, por ama të organizuar në pakica vepruese. Një pakicë e organizuar sigurisht e shpartallon edhe një masë, qofshin këta edhe dijetarë, nëse nuk janë të organizuar. Sepse ata janë individë të izoluar. Duken shumë, por secili është vetëm përpara institucionit që është kapur nga grupe pakicash të organizuara që veprojnë me bashkërendim. Pakicave keqbërëse të organizuara, të zhytura në korrupsion dhe në degradim e abuzim me funksionet dhe pushtetin e deleguar, iu interesojnë dy gjëra:

  1. Të zbehin statutin social të individëve që që mund t’u rezistojnë, pra të mos kenë individë të fortë përballë tyre, dhe
  2. Të kenë përballë masa që gjoja janë shumica, por në fakt nuk janë veçse individë të veçuar dhe izoluar nga njëri-tjetri, të cilët kështu të jenë të manipulueshëm, të frikësuar, të trembur, mosveprues.

Këtu lind pyetja: a është shoqëria jonë ajo e masave të atomizuara, pra e grupeve shoqërore që në fakt përbëhen vetëm nga individë të izoluar, pra të manipulueshëm, të mbajtur nën frikë, nën dhunë psikologjike nga individë ose grupe pakicash korruptive të organizuara në institucione të ndryshme, në rrethe të ndryshme, në qendra pushteti të ndryshme?

Fatkeqësisht kështu ndodh!

Ka tri arsye kryesore që sjellin si pasojë që pakica abuzuese me pushtetin të arrrijnë të manipulojnë masa ose grupe shoqërore njerëzish, ose të sigurojnë hipnozën e tyre, pasivitetin e tyre, madje edhe rreshtimin e tyre në zgjedhje, në veprimtari të paligjshme, apo në aktivitete krejtësisht në kundërshtim me interesin e përgjithshëm. Arsyeja e parë lidhet me këtë periudhë kalimi nga një shoqëri totalitare drejt një shoqërie që u mendua se do të ishte e hapur.  Janë faktorë makrosocialë që veprojnë. Masat dhe grupet shoqërore kanë humbur kohezionin e tyre. Kjo vjen më së pari sepse shoqëria shqiptare u kthye në një shoqërori me karakteristika “nomadizmi”. Nuk është çudi të thuhet që një ndër tre shqiptarë lëvizi nga vendi ku kishte jetuar më parë. Një pjesë u largua në emigrim. Pa dyshim janë individët më energjikë që dëshironin një demokratizim të shpejtë. Ikja e tyre bëri që opinioni publik të humbiste potencialet e veta të mëdha për t’i gjetur atje drejtuesit e vet. Një pjesë tjetër e konsiderueshme lëvizi nga zonat rurale drejt atyre urbane, nga mali drejt fushave, duke u grumbulluar në disa nga zonat më të mëdha urbane, të shkrira në masa ku askush nuk njeh tjetrin. Lagjet e qyteteve u mbushën me ndërtesa banimi pa kriter që shkatërruan brenda disa vitesh strukturën sociale të lagjeve dhe qendrave urbane. Brenda një ndërtese me dhjetëra e qindra familje që nuk njohin njëra-tjetrën. Secila prej tyre e mbyllur brenda vetes së vet, duke pasur në mos frikë, ndrojtje me siguri, nga të tjerët: cilët janë fqinjët e mi? – pyet çdo banor i qendrave urbane. Nga ana tjetër, u zbërthyen kolektivat e dikurshme të punës që, ndonëse të strukturuar në kushtet e ndërmarrjeve të drejtuara nga shteti, ishin edhe vende socializimi të individit jashtë familjes. Kjo ndodhi sepse u shprish sektori i industrisë së prodhimit masiv, tregtia e vogël u bë sektori i mbijetesës të biznesit shumë të vogël, sikurse edhe bujqësia u kthye në modelin familjar. Përgjithësisht, shqiptarët e angazhuar profesionalisht brenda ekonomisë familjare ose fare të papunë përbëjnë shumicën e shoqërisë. Ekonomikisht individi u mbyll brenda familjes së vet dhe komshiu, tjetri, individualisht, bëhet në fakt konkurrenti në tregun e mallrave, bëhet rivali për të kapur klientelën. Masa atomizohet duke humbur lidhjet sociale që do ta ndihnin për t’u bërë një grup i socializuar në mënyrë të organizuar. Jo më kot flitet për “masa të vetmuara”. Është pikërisht ky realitet sociologjik që vendos përballë individin e izoluar ndaj pakicave të mirorganizuara që kanë kuptuar se të mbledhurit rreth një shoqate, partie, institucioni, mund t’i manipulojnë turmat, masat, grupet shoqërore qofshin këta të papunë, akademikë, universitarë, artistë etj. Të gjithë këta të fundit janë vetëm individë të vetmuar, që shohin me dyshim njëri-tjetrin, të izoluar prej njëri-tjetrit, që kanë frikërat e tyre, që negociojnë lirinë dhe dinjitetin e tyre, përballë pakicave korruptive dhe abuzuese me pushtetin në çdo institucion, të cilat i tërheqin për hunde me një post, me një rritje rroge, me një gradë, me një vend pune për gruan a kunatin. Midis vetmisë dhe dorëzimit përpara një pakice të egër aktive, individi, sado i mësuar dhe i diplomuar të jetë, historia na mëson se dorëzohet te pakica dhe bëhet vegël ose bisht i saj. Është pakica korruptive dhe abuzuese që në mënyrë “demokratike” vendos në emër të shumicës së abuzuar, të paorganizuar, pa ndërgjegjen e vet kolektive, e zhytur në frikë aq për të ruajtur interesin e vogël individual, individi i atomizuar është gati të falë dhe shesë interesin e vet afatgjatë të përgjithshëm. Arsyeja e dytë lidhet më shumë me ata faktorë universalë që shoqërojnë fazën e pasmodernitetit që bota kalon sot. Këtu një rol të madh e luajnë mediat, si ato tradicionale, ashtu edh ato online. Rrjetet sociale në web sa ndikojnë për krijimin e lidhjeve sociale, aq edhe i shprishin këto lidhje reale, duke i zëvendësuar me lidhje virtuale.

Lexo edhe :  Artan Fuga: Shteti ynë si një njeri që e ka ngrënë qeni

Mediat që do të duhej të ndihnin demokracinë, të mbetura dhe të dala jashtë çdo kontrolli nga ana e qytetarëve, si çdo forcë e dalë jashtë kontrollit, kthehen në një faktor sundimi të pakicave abuzuese të organizuara mbi turmat amorfe, masat anonime, grupet shoqërore të përbëra nga individë të vetmuar, të trishtuar, pesimistë dhe pa asnjë fuqi. Nga ana tjetër, ato bien në duart e pakicave vepruese të organizuara, abuzuese dhe korruptive, të cilat tanimë e shumëfishojnë potencialin e tyre. Individi i izoluar sheh tërë ditën e Zotit edicione lajmesh ku janë pakicat e organizuara që drejtojnë propagandën. Propagandë pa kundërpropagandë, sepse individi i vetmuar nuk është në gjendje të prodhojë dije dhe informacion që t’u rezistojë propagandave të minoriteteve të organizuara korruptive. Individi i izoluar manipulohet, kalon në mosveprim, hipnotizohet, anestizohet. Rrjetet sociale i japin iluzionin se ai është në lidhje me miliona në botë, por ky nuk është veçse një iluzion. Rrjetet sociale në web nuk krijojnë dot masa ose grupe shoqërore vepruese në realitet. Individët aty përbëjnë komunitete virtuale, jo reale. Ata janë afër vetëm në virtualitet, sepse realisht mund t’i ndajnë distanca gjeografike nga disa kilometra në mijëra kilometra. Shqiptari në Kamëz, Vorë, Surrel, Kavajë, Labinot, gjiri i Lalëzit, shkëmben pikëpamje me shqiptarin tjetër ta zëmë në Boston, Paris, Londër, por nuk e njeh fare komshiun që ka në katin poshtë ose lart tij. Si komunitet politik ai zhbëhet dhe ndërtohet vetëm si komunitet mediatik pasiv, shndërrohet nga qytetar në spektator që jep komente dhe opinione, nga lojtar politik në tifoz politik, por i pazoti të veprojë realisht. Virtualisht fuqizohet, praktikisht dobësohet. Shkruante bukur Robert K. Merton kur shprehej se të gjithëve u duket se veprojnë politikisht, ndërkaq grinden me njëri-tjetrin në media; kujtojnë se ndikojnë mbi shoqërinë, ndërkohë që veprimi i tyre politik real kthehet në zero. Shumica thërmohet në një shumësi pakicash që përballë pakicave të organizuara abuzuese, pa etikë, pa skrupuj, me media në dispozicion, të pajisura me forcën e shtetit, të forcuara me mjete të fuqishme propagande janë krejt të pafuqishme. Pakicë mbrojtësit e teatrit, pakicë mbrojtësit e interesave të banorëve të Astirit, pakicë naftëtarët, pakicë universitarët që duan zgjedhje të ndershme, pakicë studentët që reagojnë për zgjedhjet në universitete që i përjashtojnë nga e drejta e votimit. Populli, shumica, kthehet në një grumbull pakicash pa lidhje midis tyre, dhe brenda shumicës nuk ka veçse individë të atomizuar pa lidhje midis tyre. Arsyeja e tretë lidhet  me vetë përpjekjet e pakicave për t’i çorganizuar shumicat, për të mbjellë anonimitetin, statuset  dobëta për individët dikur të fuqishëm, për ta izoluar individin nga të tjerët. Mosnjohje e sindikatave, prishje e komunave në zonat rurale, krijimi i bashkive që mbulojnë territore ku banon një popullsi sa më e madhe, por pa lidhje mes individëve që e përbëjnë, shkëputje të deputetëve nga elektorati, pengimi i kandidimit të individëve të fortë përpara elektoratit lokal, etj. – janë disa nga metodat e ndjekura nga pakicat korruptive të mirorganizuara për të atomizuar masën, bashkësinë.

Në këtë mënyrë shqiptarët janë kthyer në pakicë brenda shumicës, në pakica, me individë të izoluar, vetmuar, dëshpëruar. Pa u kthyer individi me status të fuqishëm dhe masat ose grupet shoqërore të strukturuara me të drejta që u japin ndërgjegjen e grupit, të qytetarit që vepron, sigurisht nuk mund të pritet një çudi nga populli i përçarë nga pakica korruptive dhe abuzuese, nga grupe të organizuara keqbërësish lokalë që nuk ndalen para asgjëje. Këta të fundit, pasi e kanë nënshtruar masën, i thonë asaj voto për akademikët, universitarët, bashkiakët, deputetët, duke ditur që ajo nuk do të bëjë tjetër veçse do t’i përgjigjet jehonës të zërit të pakicës manipulese, ose e pakënaqur do të shkojë në shtëpi, do të heqë dorë, do të thotë si ai i dikurshmi “Shqipëri të kam dh….” (sa gabim!), pra do t’u lërë fushë veprimi pakicave të organizuara abuzuese.

Kjo është analiza ime.

Çfarë duhet bërë për të dalë nga kjo gjendje?

Kjo është një çështje tjetër që do ta trajtoj në shkrimin e radhës tjetër!/Fjala.al/Ke.Ba

Të fundit

Aksident ajror/Përplasen dy avionë, humbin jetën 7 persona

Një ngjarje e rëndë ka nodhur në Alaska pasi dy avionë janë përplasur në ajër, duke shkaktuar 7 viktima. Sipas...

“Kërdia” në kampin veror/Mbi 200 fëmijë infektohen me Co*vid-19

Mbi 200 fëmijë rreth 12 vjeç janë infektuar me COVID-19  gjatë pushimeve brenda një dite, në një  kamp veror në Georgia, SHBA. Përveç fëmijëve, pozitiv...

Greqi/Shqiptari ngacmoi seksualisht avokaten, gjykata jep dënimin

Një shqiptar është dënuar me kusht nga gjykata e Selanikut me tre muaj heqje lirie pasi ky i fundit kishte ngacmuar seksualisht një grua...

Video/Perëndim spektakolar i diellit në Karaburun

Pamje mahnitëse e natyrës shqiptare. Kjo pamje vjen nga Karaburuni ku duket një natyrë e qetë dhe një kombinim fantastik ngjyrash. Shijojeni!/fjala.al/Ke.Ba https://www.youtube.com/watch?v=dfIfQljzmPE

Horoskopi për nesër, 2 gusht 2020

Ky është parashikimi i horoskopit për ditën e nesërme, 2 gusht 2020 nga Paolo Fox Dashi Kjo nuk është koha ideale për dashurinë, do të ketë...

Lajme të tjera

Web TV