Reforma Zgjedhore, dakordësia e “duatrokitur” e 5 qershorit dhe përplasjet e fundit për çështjen e listave të hapura apo listave të mbyllura. Listat e hapura si një nga elementet e demokracisë dhe delegimit të pushtetit dhe droja e PD-së për ta pranuar.
Rama lëviz gurët dhe pranon listat e hapura, por “shkel” paksa marrëveshjen e 5 qershorit, të imponuar nga ndërkombëtarët. Si do të jenë zhvillimet e mëtejshme, çfarë sjellin listat e hapura dhe reagimi i politikës sonë. Analizojnë për gazetën “Fjala” akademikët Apollon Baçe dhe Artan Fuga dhe analistët Roland Qafoku, Lorenc Vangjeli.
Nga Sebi Alla
Koha shket, por në politikën tonë duket se asgjë nuk ndryshon! Ora ka mbetur pas, madje edhe kur duket se ecën disi, shumë shpejt kthehet në pikën e nisjes, që gjithnjë, për fat të keq, është zero, apo akoma më rëndë, minus… Për të disatën herë, gati të panumërueshme, politikanët tanë të çdo ngjyre detyrohen të rrinë “gatitu” përpara ndërkombëtarëve, qofshin ata edhe ambasadorë.
E tillë ishte marrëveshja e 5 qershorit, kur ambasadorja amerikane, ai i BE-së dhe ai i Britanisë i detyruan për nëntë orë katër përfaqësues të pozitë-opozitë-s të arrinin në një dakordësi në lidhje me Reformën Zgjedhore. Kur pritej që ajo të kalonte për votim në Parlament, shumë ujëra rrodhën dhe në dukje “pengesë” janë bërë deputetë e opozitës parlamentare.
Ata kërkojnë ndryshim disi të rrënjshëm, duke aplikuar listat e hapura, ndërsa qarkullon dendur edhe llogaria metematikore për moslejimin e koalicioneve parazgjedhore. Ideja e listave të hapura, ku sistemi të mos ndryshojë, duke u mbajtuar aktuali proporcional rajonal, sjell një lloj demokracie, ku qytetarët votues do të kenë mundësi që krahas subjektit politik të zgjedhin edhe kandidatin për deputet, të listuar nga subjektet politike. Kryeministri Edi Rama e pranoi këtë kërkesë të opozitës parlamentare, por ende jo shumë i bindur, pasi ka një hendek që nuk kalohet lehtë.
Opozita jashtëparlamentare e kundërshton çdo ndërhyrje mbi draftin e dakordësuar më 5 qershor, e në një linjë me të është edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë dhe disa eksponentë të rëndësishëm në BE, të cilët theksojnë se duhet votuar drafti i dakordësuar, me opsionin e vetëm: “Pranojeni ose hidheni”, por jo të ndryshojë, thelbësisht apo sa për të “kënaqur” disa të pakënaqur.
Listat e hapura, në fakt, janë një risi, që më së paku i detyron kryetarët e partive politike të mos jenë më tërësisht “pronarë” të deputetëve. Loja në politikën tonë duket e madhe, por për faktorin ndërkombëtar është një betejë e vogël që sot krekos disa individë në politikë, por nesër mund të jenë të penduar pas një dere të rëndë, qoftë edhe përfaqësi e Uashingtonit zyrtar apo e Brukselit. Beteja ende pa “armatim” është mes dy liderëve Edi Rama dhe Lulzim Basha.
Aktualisht PD-ja duket se ia ka mbushur mendjen vetes se në zgjedhjet e ardhshme do të arrijë një fitore “badihava”, duke kalkuluar më tepër dëmet e qeverisë dhe leximin se “ka pakënaqësi në popull” sesa të ofrojë vetë shpresë dhe program të qenësishëm. Pikërisht në këtë letargji, asaj i intereson që të mos ndryshojë rrënjësisht Kodi Zgjedhor dhe gjithashtu të ruajë koalicionet parazgjedhore, duke futur në lojë aritmetikën e thjeshtë vota të PD-së + vota të LSI-së dhe PDIU-së = pushtet?
Po a do të jetë kaq e thjeshtë? Tashmë në duar kanë një propozim që janë “listat e hapura”, por PD-ja do ta ketë të vështirë ta kundërshtojë, për më tepër që është në opozitë dhe minimalisht duhet të japë shembullin se qoftë edhe në aparencë është për një demokraci liberale dhe pro të drejtës së votuesve për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
Qytetarët janë të lodhur, madje të dërrmuar, që deri më tani kanë provuar vetëm zhgënjim, por ky është rasti i parë në historinë gati tridekadëshe shqiptare që edhe faktori ndërkombëtar mendon dhe po artikulon si qytetarët.
A do të jetë koha tani që edhe me ‘marifetet e Kodit Zgjedhor’ të ikë disi butësisht një ‘klasë-kastë politike? Listat e hapura, dhënia prioritet subjekteve të reja dhe shtrimi i një rruge që ato të marrin frymë lirshëm, pa shtypjen në sanduiçin tripolar PS-PD dhe LSI është një opsion që mbetet ende dëshirë. Sot loja është ende në duart e “veteranëve” të politikës sonë.
Lorenc Vangjeli, analist
“Listat e hapura”, palët bëjnë atë që nuk mendojnë dhe thonë atë që s’duan
Marrëveshja e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore, mes përfaqësuesve të PS, PD, LSI dhe Rudina Hajdarit nga opozita parlamentare, u konsiderua si “sukses politik” mes palëve. Por, duket se gjithçka mund të kthehet në pikën zero, pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi se do të vendosë një shtesë mbi platformën e dakordësuar që ka të bëjë me opsionin e “listave të hapura”. Sa e rrezikon ky qëndrim çështjen e Reformës Zgjedhore?
Një nga fjalët që ka inflacion më të madh në fjalorin e politikës, është fjala “sukses”, por duke lënë jetim të kundërtën, dështimin. Rastet kur politika ka pranuar dështimin janë më të rralla se elefantët në Tiranë. Kështu që suksesi i djeshëm dhe dështimi i mundshëm i nesërm duhen parë në një tjetër këndvështrim.
A është Reforma Zgjedhore një qëllim në vetvete, apo një mjet i nevojshëm dhe i domosdoshëm drejt një caku që politika shqiptare ende nuk e ka arritur prej thuajse 3 dekadash: realizimi i zgjedhjeve që humbësi të mos kontestojë me mllef dhe fitimtari të refuzojë me arrogancë kapjen në vjedhje. Për herë të fundit, për paradoks, zgjedhje të lira u bënë nga komunistët, në marsin e vitit 1992, e deri diku edhe për referendumin e Kushtetutës në 1994-n. Çfarë erdhi më pas, është një histori deformimi, mashtrimi dhe shpërdorimi të vullnetit të shqiptarëve.
Askush nuk e kujton se sa herë kanë ndryshuar rregullat për zgjedhje, dhe askush nuk mund të vërë bast se qoftë edhe një sistem i përkryer rregullash, do t’u jepte fund problemeve zgjedhore, sa kohë që nuk është adresuar problemi kryesor i tyre: vullneti politik i palëve. Ka një qasje të gabuar për zgjidhjen e këtij problemi, synohet të shërohet pjesa duke dëmtuar të tërën, të kurohet pasoja, por duke harruar shkakun.
Nuk ka marrëzi më të madhe se të bësh të njëjtin veprim, duke synuar rezultat të ndryshëm. Në Shqipëri është thyer parimi i ekuilibrit dhe kontrollit të pushteteve, dhe rishkrimi i Kodit Zgjedhor nuk është përgjigje për zgjidhjen e problemit. Vendi ynë rezulton Republikë Parlamentare në Kushtetutë, por realisht është shtet tipik presidencial, ku kryeministri është i tërëfuqishëm. Si SHBA-ja, për shembull, apo Gjermania e Franca, por me një diferencë, veç shumë të tjerash: me kontradiktën e asaj që është në letër dhe zbatimit praktik.
Shqipëria është vendi i njëshit, i prijësit dhe i fisit. Kështu funksionon ajo edhe politikisht. Kësaj natyre duhet t’i japë përgjigje klasa politike, jo nëpërmjet reformave të pjesshme, por me një reformë tërësore kushtetuese, për të përputhur Kushtetutën me atë çka ndodh në realitet. Kush nuk e shikon këtë nevojë ulëritëse, nuk ka shumë zgjidhje, ose është budalla, ose është hipokrit. Ky është operacioni që duhet bërë, kjo është pjesa ku duhet ndërhyrë. Por duke njohur të gjithë aktorët, jam skeptik se mund të ndodhë.
Sepse për vjedhje vote flet Lulzim Basha, përfituesi direkt i grabitjes barbare të Bashkisë së Tiranës në 2011-n, kur Edi Rama ishte viktimë e tij. Flet po ashtu për mbrojtje të votës edhe ky i fundit, i cili, gjithashtu, ka deformuar mbi bazën e vullnetit të tij vetjak vullnetin e të gjithë shqiptarëve. Në një skenë ku “viktima” dhe “xhelati”, “preja” dhe “gjahtari”, ndërrojnë vendet, është hipokrizi të flitet për moral, sukses apo dhe dështim. Çështja e listave të hapura është rasti tipik, kur palët bëjnë atë që nuk mendojnë dhe thonë atë që s’duan.
Sado paradoksale të duket, sado komike dhe e pabesueshme, duke i pasur pro apo kundër vetes, Edi Rama duhet të llogarisë edhe opozitën parlamentare, qoftë edhe në rastin kur ai i përdor ata në mënyrë brutale dhe tallëse, qoftë kur ciniku i dikurshëm sillet me ta me raportin mes blerësit të fundit që merr në trastë çfarë ka mbetur ende në tezgat e tregut. Për të qenë të qartë, opozita jashtëparlamentare nuk e ka paguar deri në fund faturën e gomarllëkut historik për djegien e mandateve. Pasojat e atij vendimi do ta ndjekin shumë gjatë dhe do të kenë një ndikim shumë të fortë edhe në zgjedhjet e vitit tjetër.
Në daljen publike, Rama e justifikoi këtë shtesë dhe ndryshim kursi si nevojë dhe respekt për opozitën parlamentare, e cila e ka kushtëzuar votën e saj me “listat e hapura”. Nga ana tjetër, PD-ja këmbëngul që nuk do të pranojë asnjë votim në Parlament, i cili deformon platformën e dakordësuar mes palëve. Marrëvëshja e 5 qershorit u arrit me imponimin e hapur nga treshja e ambasadorëve të SHBA-së, BE-së dhe Britanisë. A është kjo një sfidë e qeverisë dhe deputetëve opozitarë ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë?
Ka një ide që është shumë e përhapur në Shqipëri, sipas së cilës, vetëm për shkak të ndryshimit të fashave të orareve, zyrtarët në Bruksel nuk bëjnë asgjë tjetër veçse presin drekën për të telefonuar në Uashington, të shqetësuar, në hall e dilema se çfarë do të bëhet me Kodin Zgjedhor në Shqipëri? Në çfarë mënyre do të ndikojmë te Rama? Si do ta bindim Bashën? Është mirë Rudina që ka teshtirë dy herë?!
Çfarë mendon Myslymi dhe a është i kënaqur Gjuzi? Nuk është siç mendojnë megalomanët primitivë të Tiranës, që e dinë hallin e tyre qendër të botës dhe vetë botën si shtrat ku halli i tyre sh…kep çdo hall tjetër. Kjo është pjesë e një miopie të frikshme lokale, e cila s’bën gjë tjetër veçse na turpëron për pamundësinë tonë proverbiale për t’i zgjidhur problemet e përditshme të demokracisë. Të gjithë atyre që bëjnë politikë në këtë vend, në kushte normale, do t’u mjaftonte të lexonin një manual didaktik për demokracinë, për të kuptuar se ç’duhet bërë dhe asgjë më shumë.
Por, në kushtet e një beteje të egër mes palëve, të huajt bëhen të domosdoshëm. Por duke u kuptuar në një mënyrë tjetër: faktori ndërkombëtar kërkon rezultatin dhe jo mjetin për të mbërritur te ky rezultat, kërkon zgjedhje të ndershme dhe të lira, dhe jo thjesht formulim formal të kodit. Pakkush ka dyshime për faktin që në këtë sistem zgjedhor shqiptarët nuk kanë mundësi të zgjedhin. Ata formalizojnë vullnetin e kryetarëve të partive, të shprehur me listat që ata firmosin.
E thënë në mënyrë të thjeshtë: varësisht vendit në listën e kryetarëve, dihen saktësisht emrat e 125 apo 130 deputetëve të të gjitha ngjyrave përpara votimit të shqiptarëve, të cilëve iu mbetet të zgjedhin vetëm kusurin mes tyre. Në këtë kuptim, shqiptarët nuk janë bashkëfajtorë për nivelin barbar të parlamenteve dhe, sidomos, këtij të fundit. Më mirë një armik i mençur se një mik budalla, kjo aksiomë nuk njihet nga ata që bëjnë listat dhe as nga ata që përfitojnë nga listat.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, por edhe zëra të rëndësishëm në Bruksel, bënë thirrje që të votohet pa asnjë ndryshim apo shtesë marrëveshja e 5 qershorit. Megjithatë, Rama duket i vendosur për “shtesë në mënyrë të njëanshme”. Nëse votohet pa “aprovim ndërkombëtar”, sa i rrezikon kjo zgjedhjet e ardhshme?
Kur Damian Gjiknuri vuri firmën në marrëveshje, pretendoi se e vetmja porosi që i kishte dhënë kryeministri i tij për procesin ishte që të mendonte si në opozitë, që të kujtonte gjithë paranojat dhe plojat që i shqetësonin ata në kohën kur PD-ja ishte shumicë. Atë darkë Rama postoi një pasazh nga filmi shqiptar ‘Duel i heshtur’, ku njëri nga personazhet që do të vritej më pas, thërriste fitore, fitore!
Me shumë gjasa, kur Kodi të votohet në Parlament, Rama do të nxjerrë një tjetër pjesë filmi, ku një tjetër personazh thotë batutën e famshme: Por puna e komisarit ishte loja! Komisari” i socialistëve di një gjë me saktësi: zgjedhjet e ardhshme rrezikohen nga sjellja e palëve në garë, rrezikohen nga vullneti i tyre se si do të hyjnë në garë, jo nga rregullat e lojës. Dhe atij i duhet t’i bindë të huajt për këtë vullnet dhe jo për teknikalitete të ligjit. Ka shumë gjasa që sërish të gjendet një kompromis mes palëve.
Do të kalojë kjo mes fabulës së listave të hapura apo listave të mbyllura, mes komisioneve politike apo të depolitizuara, këto janë detaje që kanë pak rëndësi. Thelbi është gjetkë, është te leximi pa fraktura i vullnetit të shqiptarëve. Është e lehtë të parashikohet që, nëse palët bien dakord, dhe ata do ta bëjnë këtë me hir apo me pahir, edhe të huajt do ta pranojnë një gjë të tillë. Nuk ka rëndësi nëse dakordësia e tyre vjen si rrjedhojë edhe nga një dokument i shkruar fillimisht në anglishte.
Mosmarrëveshja e suksesshme e 5 qershorit
Nga Apollon Baçe
Fjala rilindje nënkupton automatikisht fjalën vdekje: thjesht pasi që të rilindësh, fillimisht duhet të vdesësh. Siç dihet, rilindja ndahet në tri etapa: në parapërgatitjen e vdekjes si komb, vdekjen si komb dhe (nëse ka jetë të përtejme) ringjalljen e kombit nga vdekja. Për fazën e parë rilindja nuk ka asnjë cen. Për nga intensiteti dhe shpejtësia e zhbërjes morale, ekonomike dhe mendore të kombit, ajo qëndron tejet më lart pararendësja PP. Si në sasi popullate, ashtu dhe cilësi popullate.
Si të tillë, absolutisht të fundit në tërë treguesit (përjashtuar korrupsionin dhe tradhtinë kombëtare) këtë qeveri do ta përmbyste dhe kopshti 4 stinët. Ndërkohë është meritë e pamohueshme e Byrosë Politike të PD-së që shfarosi Byronë tradicionale Politike të PD-së, por pa krijuar dot një byro dhe PD të re (në kuptimin e besimit qoftë tek të vetët). Slogan më komik elektoral se ai i rilindjes: “ne jemi mizerabël, por jemi më të mirët”, vështirë se gjen kund.
Për sa i takon turmës gri a gjysmë gri, as që bëhet fjalë. Nëse gjatë Kovidit nr. 1, pesë herë më pak të vdekshëm se Kovidi nr. 2 (që ka nisur progresionin aritmetik dhe pret të nisë gjeometrikun), temë dhe kryetemë ishte Kovidi. Ndërsa rrugëve bridhnin tanke dhe mitralozë, si në këngën partizane “Pushkët kërcasin, bombat po pëlcasin/Shkatërrojn armikun, tanke pa pushim”. Sot temë dhe kryetemë është mosmarrëveshja e suksesshme e 5 qershorit. Për ata që vdesin (dhe do të vdesin), këshilla është “Kur të arrini në fundin e litarit, bëni një lak dhe varni veten”.
Shtojca e komedisë së 5 qershorit, tregon se sa të brishtë janë ekuilibrat elektoralë. Të dyja palët kanë sondazhe dhe letrat fshihen vetëm për vulgun. Quod licet Iovi, non licet bovi thonë romakët, që ka kuptimin ajo që i tregohet Zeusit, nuk u tregohet lopëve. Për këto raste shefi i dikurshëm i CIA-s Allen Dalles, thoshte “mos e kërkoni të vërtetën kur fshihet nga të dyja palët. Atë mund ta kuptoni vetëm duke parë përse ngulmojnë të dyja palët.” Përkatësisht PS-ja ngulmon që të mos ketë koalicione, duke lëshuar deri sulltanatin e listave të mbyllura dhe rrezikuar grindjen edhe me ata që quhen “ndërkombëtarët”. Krejt ndryshe PD-ja ngulmon për koalicionet dhe listat e mbyllura (kryesisht radha 1 që, falë kualitetit të trishtueshëm nuk fitonte dot ballë për ballë).
Kjo do të thotë se PS-ja (me gjithë hilet deri të madhësisë 4-6 %) humbet me opozitën e bashkuar dhe PD-ja rrezikon pa një opozitë të bashkuar. Kjo dhe falë shpalosjes së mjerë para publikut, ajo çka mbaj mend nga programi ekonomik është taksa e sheshtë dhe pamja e vërenjtur e kryetarit kur u thotë bakejve a fshatarëve “kështu nuk vazhdohet” (domate dhe bakllava thotë Peka i Syrit). Diçka që të kujton linjat propagandistike të K. Th. Spirit. “Të hëngsha në supë,/Të pifsha në kupë!/Ç’e do Masarin,/Zuzarin, gomarin./Po merr Beharin,/ Manarin,/Që lufton e bje theror,/Jo për lakror,/Por për “arbëror”!” Cilët janë asat dhe asetet? “Dhurata më e madhe e natyrës që u bën diktatorëve të vegjël, janë fatkeqësitë e natyrës” dhe për rastin në fjalë jo një por dy.
Jo vetëm tërmeti që i krijoj ndjesinë e pater patriae, babait të kombit (erdhi ariu po s’na hëngri, Babai të vërë dorë në zëmër e të na bëjë shtëpi, thanë dy 90-vjeçarët). Por edhe Kovidi që ia kishim për falënderim edhe rrezen e diellit. Me të mirat e me të këqijat, Berisha do ta kishte përmbysur nja 7 herë këtë njeriun. Në një fotografi brilante të njërit nga fotografët më të mirë evropianë, Fatjon Plakut, në Tragjas, nepërka ish kapur për jetë a vdekje me zhapiun. Ushqim për njëri-tjetrin d.m.th. kill or be killed.
Haje ose të hëngri. Ngjet? Aspak. Ai që e pëson është i vdekuri i radhës nga Kovidi, ata që nesër do të mbeten papunë. Ditë e keqe? pyeta njërin. Jo më tha, java e shkuar, kur kisha aq para sa t’u blija fëmijëve ose bukë ose domate. Vërtet minus 5 është më ngrohtë se minus 40. Këtë e di edhe PD-ja. Më keq se kaq, nuk bëhet. As ajo nuk thotë jam më e mirë, por nuk jam kaq i keq.
Roland Qafoku, drejtor i përgjithshëm i Grupit Mediatik “Fjala”
Opozita nuk duhet të ketë frikë nga listat e hapura
Marrëveshja e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore, mes përfaqësuesve të PS, PD, LSI dhe Rudina Hajdarit nga opozita parlamentare, u konsiderua si “sukses politik” mes palëve, por duket se gjithçka mund të kthehet në pikën zero, pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi se do të vendosë një “shtesë mbi platformën e dakordësuar që ka të bëjë me opsionin e “listave të hapura”. Sa e rrezikon ky qëndrim çështjen Reformë Zgjedhore?
Unë mendoj, jo vetëm që listat e hapura nuk e dëmtojnë reformën zgjedhore, por është pikërisht ajo që duhej. Thembra e Akilit në demokracinë tonë kaq të brishtë është dhe mbetet pikërisht sistemi me listat e hapura dhe si e tillë duhet ajo që Rama e tha duke na habitur të gjithë, dhe që duhet të zbatohet pa habitur kërkënd.
Nëse kësaj që tha Rama do t’i dalë dikush kundër, atëherë viktimë e saj do jetë vetëm opozita. Në fakt, opozita duhet të jetë më e çliruara. Ajo kurrë nuk duhet të ketë frikë nga listat e hapura dhe si e tillë duhet të jetë lokomotiva që duhet të tërheqë trenin që zgjedhjet e vitit 2021 të realizohen me lista të hapura.
- Në daljen publike, Rama e justifikoi këtë shtesë dhe ndryshim kursi si nevojë dhe respekt për opozitën parlamentare, e cila e ka kushtëzuar votën e saj me “listat e hapura”, nga ana tjetër, PD-ja këmbëngul që nuk do të pranojë asnjë votim në Parlament, i cili deformon platformën e dakordësuar mes palëve.
Opozita parlamentare nuk duhet injoruar, për faktin që është opozita zyrtare. Nëse ndodh e kundërta, atëherë ne vijojmë të funksionojmë jashtë sistemit. Kjo nuk është normale. Unë e kam thënë edhe herë të tjera. Djegia e mandateve është një nga vendimet më të gabuara të Partisë Demokratike që nga themelimi i saj, dhe si e tillë ajo po e vuan dhe do ta vuajë, madje edhe kur të vijë në pushtet këtë vendim absurd.
Jam i bindur dhe parashikoj që kur Lulzim Basha të jetë kryeministër, opozita e PS-së do të synojë të bëjë të njëjtën gjë. Opozita aktuale në Parlament nuk mund të injorohet dhe derisa ajo ka fjalën e vet edhe në Këshillin Politik, dhe është e drejtë që mendimi i saj të merret parasysh. Aq më tepër që ky vendim ka një çështje thelbësore, listat e hapura.
- Marrëveshja e 5 qershorit u arrit me imponimin e hapur nga treshja ambasadorëve, të SHBA-së, BE-së dhe të Britanisë, a është kjo një sfidë e qeverisë dhe e deputetëve opozitarë ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë?
Nuk mendoj se është sfidë e politikanëve në Parlament kundër ndërkombëtarëve. Të shkretët ndërkombëtarë, u duhet të pajtojnë palët e politikës shqiptare, pavarësisht tekave. Por nëse palët bien dakord për listat e hapura, nuk ka ndërkombëtar që mund të dalë kundër. Jam sërish i bindur që mes konsesusit të parë dhe konsensusit të dytë me listat e hapura, ndërkombëtarët janë me të dytin.
Kështu që të mos bëjmë fajtorë ndërkombëtarët, nëse realizohet sistemi i listave të hapura. Vetëm listat e hapura do të tregojnë realisht se sa të votuar janë kandidatët dhe politikanët shqiptarë. Madje, edhe ata apo ato që krekosen dhe fryhen si gjela për të vetmin fakt se e kanë mirë me kryetarin. Tani le të krekosen se e kanë mirë me popullin. Listat e hapura janë prova.
- Ambasadorja amerikane në Tiranë, por edhe zëra të rëndësishëm në Bruklsel bënë thirrje që të votohet pa asnjë ndryshim apo shtesë marrëveshja e 5 qershorit, por Rama duket i vendosur për “shtesë në mënyrë të njëanshme”. Nëse votohet pa “aprovim ndërkombëtar”, sa i rrezikon kjo zgjedhjet e ardhshme?
E thashë edhe më sipër. Zgjedhjet nuk rrezikohen, nëse aplikohet parimi i listave të hapura. Është thelbësore për një demokraci si e jona. Nuk do të ketë më deputetë fals. Nuk do të ketë më deputetë që nuk i njeh kush. Nuk do të ketë më deputetë që vlejnë vetëm se e kanë mirë me kryetarin dhe ata rreth kryetarit. Do të ketë vetëm deputetë që i voton populli. Do të ketë deputetë të kuotuar dhe kjo është primare në një demokraci. Unë nuk besoj që ndërkombëtarët do të tregojnë pakënaqësi, sepse miratohet sistemi i listave të hapura.
Akademik Artan Fuga, analist
Ky kod nuk bën
Marrëveshja e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore, mes përfaqësuesve të PS, PD, LSI dhe Rudina Hajdarit nga opozita parlamentare, u konsiderua si “sukses politik” mes palëve, por duket se gjithçka mund të kthehet në pikën zero, pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi se do të vendosë një “shtesë mbi platformën e dakordësuar që ka të bëjë me opsionin e “listave të hapura”. Sa e rrezikon ky qëndrim çështjen Reformë Zgjedhore?
Marrëveshjen e 5 qershorit disa e quajnë të mirë, disa të keqe, por nuk ka asnjë element reforme. Është e njëjta.
Në daljen publike, Rama e justifikoi këtë shtesë dhe ndryshim kursi si nevojë dhe respekt për opozitën parlamentare, e cila e ka kushtëzuar votën e saj me “listat e hapura”, nga ana tjetër, PD-ja këmbëngul që nuk do të pranojë asnjë votim në Parlament, i cili deformon platformën e dakordësuar mes palëve.
Nuk besoj që në politikë bëhen veprime për respekt të këtij apo atij. Gjithsesi, besoj që nuk mund të ketë kuadër zgjedhor ku partitë kryesore të mos e pranojnë. Unë nuk e di çfarë do të ndodhë, unë shoh çfarë ndodh. Rama nuk përsërit dot 30 qershorin. Nuk i intereson dhe nuk e bën dot.
Marrëvëshja e 5 qershorit u arrit me imponimin e hapur nga treshja ambasadorëve, të SHBA-së, BE-së dhe të Britanisë, a është kjo një sfidë e qeverisë dhe deputetëve opozitarë ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë?
Nuk e di a është sfidë. Di që ka një përpjekje të ndryshojë atë që firmosi. Nuk besoj, se ka burrë ose grua mes shqiptarëve që sfidon aleatët perëndimorë të Shqipërisë, me një kusht, nëse ata janë dakord me njëri-tjetrin. Por edhe këta kërkojnë një konsensus ose dakordësi nga pala shqiptare. Nuk mund të thonë: kush po pyet për deputetët shqiptarë? Vazhdimin ta shohim.
Ambasadorja amerikane në Tiranë, por edhe zëra të rëndësishëm në Bruklsel bënë thirrje që të votohet pa asnjë ndryshim apo shtesë marrëveshja e 5 qershorit, por Rama duket i vendosur për “shtesë në mënyrë të njëanshme”. Nëse votohet pa “aprovim ndërkombëtar”, sa i rrezikon kjo zgjedhjet e ardhshme?
Asnjë kod zgjedhor në fund nuk pranojnë shqiptarët pa aprovimin ndërkombëtar. Rrini të qetë! Mjafton tri fjalë të thotë zonja Kim: “ky kod nuk bën!” dhe askush nuk shkon në votime. I quan të paligjshme, sikurse po përgatiten votime të paligjshme në universitete publike ku kandidatët kanë zënë për fyti studentët dhe pedagogët dhe ku kandidatët emërojnë komisionet zgjedhore dhe bëjnë zgjedhje pa zgjedhës, si edhe vetemërohen, duke u regjistruar si kandidatë jashtë çdo ligji.
la.mi/Fjala.al