Sot, tre vjet pas vënies se fundit në skenë si regjisor dhe disa vite më shumë si skenograf, jam në një zonë gri, që emërtohet “e pamundur” ose “kthehem shpejt”
Nga Leonard Veizi
Në atmosferën artistike që ofron Tirana, hapësira skenike nuk ka oksigjenin e duhur që ai të vazhdojë të jetë pjesë e saj me gjithë angazhimin e mundshëm. Dhe vetëm në këtë mënyrë mungesa e tij quhet e përligjur…
….Si skenograf arriti majat në mënyrë të beftë e të qëndrueshme. Si regjisor solli plot risi në mizanskenë, dhe si dramaturg ka punuar mbi kryevepra të letërsisë botërore për t’iu dhënë një pamje të re brenda skenografisë të ndërtuar po prej tij. Në këtë mënyrë ai mbetet brenda teatrit klasik si një artist tridimensional, por i pangatërruar më shumë se kaq në dhuntitë e tjera të tij ende të pashfrytëzuara. Gjatë një interviste për gazetën “Fjala”, Klajd Ymeri, skenograf, dramaturg e regjisor, thotë që, nëse më parë ngjiti në skenë Don Kishotin, tanimë radha ka mbërritur te “Ushtari i mirë Shvejk”. Dhe kryeveprat e tjera do të vazhdojnë të jenë në menynë e tij të preferuar.
Për një kohë të caktuar keni qenë qendra e vëmendjes, për sa i përket skenografisë, duket sikur kohët e fundit jeni tërhequr. Pse?
Në rininë time të hershme, them kështu, duke qenë se mendoj që jam ende shumë i ri, kisha një dashuri të madhe për artin në përgjithësi dhe, veçanërisht, për teatrin. Sigurisht që fillimet kanë qenë tepër të vështira, duke pasur parasysh që në vitet e mbarimit të studimeve të larta, ato pak institucione artistike që ekzistonin, ishin të ngopura me skenografë, madje disa ishin dhe emra mëdhenj të artit, si Agim Zajmi, Shaban Hysa, Bashkim Zahaj, Genc Shkodrani, Anila Zajmi, Kristo Çala etj.
Gjithsesi, nuk kam qenë në garë kurrë me ta, por me kronometrin dhe mund të them që sfidat kanë qenë për të arritur rekordin me veten dhe jo me pjesëtarët e garës. Kam përjetuar emocione dhe vlerësime të pakrahasueshme me asnjë lloj jete tjetër dhe kam marrë po aq sa kam dhënë. Për shumë gjatë kam menduar që kam akoma për të dhënë, akoma për të bërë dhe, i motivuar, duke arritur në një moment tjetër ku fuqia dhe magjia e artit të degdisin në ato skuta të arta ku mendoj që tek unë gjetën mjaft lehtë rrugën jo për t’u ndarë nga skenografia, as për ta shndërruar në një koncept biznesi, por për ta vënë gjithë këtë eksperiencë në funksion të një sfide të re të një angazhimi të ri, siç është regjisura. E di që ndoshta mund të kem shqetësuar disa kolegë por, gjithsesi, kam qenë i qartë që s’kam qenë në garë me ta, por sërish me veten.
Falë fatit apo cilësive të mia, kjo i mbetet kohës për të thënë fjalën e fundit, e përqafa suksesin edhe si regjisor, madje edhe si dramatizues i disa veprave botërore, si Don Kishoti, Dekameroni, Guliver etj. Sot, 3 vjet pas vënies se fundit në skenë si regjisor dhe disa vite më shumë si skenograf, jam në një zonë gri që emërtohet “e pamundur” ose “kthehem shpejt”. Kjo situatë është krijuar jo prej pamundësisë sime krijuese, as prej dëshirës apo motivimit tim, thjesht hapësira artistike skenike nuk ka oksigjenin e duhur për të qenë pjesë.
Skenografia është shumë thelbësore në vënien e një pjese teatrale, por dhe më tej. Duket sikur viteve të fundit i është lënë më pak hapësirë këtij zhanri…?
Nuk mendoj që është lënë mënjanë apo është harruar. Mendoj që nuk është me si dikur, kur një skenografi i atribuoheshin vlerat e meritueshme në një vepër apo në një krijim në televizion ose film. Sot shihemi si punëtorë hamej, ku në fund harrojnë të na nxjerrin dhe në skenë e jo më të presim një shtrëngim duarsh apo përqafim mirënjohjeje.
Fjalët e mira dhe vlerësuese për një skenograf janë pluhurosur me kohën dhe domosdoshmëria jonë është zbehur aq sa prej shumë vitesh nuk figurojmë më as si emërtesë profesioni në fletoren zyrtare. Skenografia, gjurma estetike emocionale e memories vizive të të përditshmes të asaj që ne prekim shijojmë dhe perceptojmë çdo ditë, është nga më të zhvlerësuarat në ambientin e saj artistik.
Kudo, ngado që të kthejmë kokën ka skenografi përreth, në shtëpi, në punë, madje dhe vetë natyrën dora e njeriut, artisti, është përpjekur ta shndërrojë në një ambient artistik, në një skenografi. Ky zhvlerësim mendoj se vjen si rezultat i një mungese të kritikës, i një mungese të një sistemi vlerësimi, i cili sigurisht sjell edhe mungesën e një shkalle të hierarkisë artistike. Një skenograf në një vepër teatrale ka qenë, është dhe do të mbetet figurë po aq e rëndësishme sa edhe regjisori i shfaqjes.
Ai është fytyra e imazhit të shfaqjes. Ai është ajo pjesë e rëndësishme e cila flet me imazhin e tij, me gjetjet e tij për 2 orë rresht. Është ai dhe gjithë puna e tij krijuese ku mbështetet e gjithë puna regjisoriale, mizanskenale dhe çdo veprim aktorial përkrah situatave apo batutave. Pra, një skenograf i mirë është si bashkëregjisor i shfaqjes. Këtë e them me bindjen e eksperiencës sime për sa kohë ende nuk ka regjisor që të këtë kërkesa apo të ofrojë gjetje për imazhin e tij regjisorial, por pret gojëhapur skica pafund, gjetje skenografike për t’i shkuar nga pas atij imazhi si imazh regjisorial.
Jeni autor edhe i disa pjesëve dramaturgjike apo dramave të shkruara mbi një vepër letrare. Sa jeni i angazhuar në këtë format?
Siç edhe përmenda me lart, kam dramatizuar disa vepra, apo thënë ndryshe kam ndërtuar skenikisht një vepër të mbështetur në një roman. Pa dyshim që është një format i vështirë, por që personalisht më ka dhënë një kënaqësi të pamatë, pasi kam shijuar një punë krijuese, duke pasur në dorë një vepër që nuk është vënë në skenë më parë nga regjisorë të tjerë. Më pëlqen jashtëzakonisht të punoj mbi këtë lloj krijimtarie, madje në këtë periudhë po punoj mbi një vepër tejet të vështirë, por shumë të bukur “Ushtari i mirë Shvejk”. Dhe së shpejti mendoj ta vë në skenë, dhe pse jo të jetë një bum i dytë apo thënë në gjuhën e sotme, një best seller po aq sa dhe Don Kishoti, i cili theu dyert e Teatrit Kombëtar për 11 shfaqje rresht, ku çdo natë salla mbushej mbi kapacitetin dhe kërkesat për bileta nuk kishin të sosur, edhe pas ndërprerjes së padrejtë dhe arbitrare që iu bë shfaqjes.
Ndërkohë ju keni pasur angazhime të vazhdueshme edhe me teatrin për fëmijë. Si ju është dukur bota e tyre dhe çfarë u keni ofruar?
Teatri me kukulla është një armë tjetër apo një sfidë tjetër, sa e bukur, po dhe aq e vështirë për mua. Marr një kënaqësi të jashtëzakonshme kur merrem me këtë krijimtari, gati-gati shkoj në një dimension tjetër, të magjishëm, në skutat më të thella të imagjinatës. Kjo më bën të jetoj si në një botë paralele sa të vogël, aq edhe të pafundme, i zhytur në universin e përjetësisë të botës së fëmijëve.
Shumë vite me radhë jam përpjekur të sjell në teatrin e kukullave risi, frymë të re, teknika të avancuara, koncepte perëndimore, dhe këtë e kam bërë për 27 vite me radhë dhe pa u lodhur. E them me krenari dhe pa pikën e modestisë që ai institucion ka marrë nga unë shumë më shumë se ç’më ka dhënë. Por, se gjithmonë ka një por, unë kam marrë në aspektin tjetër atë që askush s’ka mundur ta marrë, dashurinë, mirënjohjen e prindërve dhe rrahjet e duartrokitjeve të zemrave të fëmijëve. Pra, kam marrë gjithë botën dhe për këtë jam i lumtur që kam depërtuar në zemrat e tyre.
Mendoj që puna me krijimtarinë e fëmijëve është e vështirë dhe e bukur. Ti nuk je thjesht artisti, për ta ti je mësuesi, je modeli, je misionari, ti nesër je sjellja e tij, kultura e tij, mënyra se si ai komunikon, si ai e sheh botën me ngjyra apo bardh e zi apo thjesht gri. Dhe i bindur them që këtë mision e kam kryer më së miri dhe plot dashuri dhe pa kursim.
Jeni familje artistësh, – kam parasysh bashkëshorten, – ka rivalitet apo bashkëpunim mes jush?
Është e vërtetë që Aurora është një regjisore e talentuar dhe tepër kërkuese, madje edhe si aktore them që është një ndër aktoret femra me kapacitete dhe potenciale të jashtëzakonshme, por që nuk ka dëshirën të marrë ngarkesa kur nuk merr atë çka meriton. Ajo është krejt ndryshe nga unë. Shpesh herë debatet mes nesh nuk janë të natyrës profesionale, por unë jam idealisti, ajo pragmatisti dhe ende s’kemi gjetur zgjidhje. Me sa duket, unë jam dhe do të mbetem një Don Kishot i përjetshëm.
Edhe pse të ndryshëm, ne kemi krijuar shpesh bashkëpunime dhe punët tona të përbashkëta kane qenë të suksesshme ndër vite, ndaj dhe ne kemi vendosur përveç se të qëndrojmë të martuar së bashku, të krijojmë së bashku, siç kemi ndërtuar Festivalin e parë dhe të vetëm Internacional të Teatrit të Kukullave, ku Aurora mban një ngarkesë organizative dhe menaxhuese të pallogaritshme, jo vetëm me komunikimin me trupat teatrale, por edhe gjatë zhvillimit të festivalit, si në sheshin “Skënderbej” ashtu edhe në Teatrin Metropol.
Ne kemi krijuar edhe një teatër lëvizës me tri premiera, me të cilat kemi zhvilluar një tur në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Mal i Zi, me rreth 20 shfaqje dhe një tur shfaqjesh pas hapjes nga pandemia, me mbështetje të Bashkisë Tiranë, me 12 shfaqje në sheshe të lagjeve kryesore për fëmijët e Tiranës. Pra, ne bëjmë një ekip artistikisht efikas dhe dimë të respektojmë punën e njëri-tjetrit. Përveç se dy bashkëshortë të mirë, përveç se dy prindër të mirë, jemi dhe dy shokë të mirë artistë./Bl.Ba/Fjala.al