Policia dhe Prokuroria e Elbasanit “harrojnë” në rrugë provat materiale të vrasjes së Emiljano Ramazanit, dy ditë më parë në Elbasan.
Gazeta “Fjala” ka siguruar një foto nga vendi i ngjarjes, ku poshtë pallatit ku u ekzekutua 39-vjeçari, përveç njollave të gjakut dhe xhamave të thyer është edhe një gëzhojë e cila dyshohet se ka dalë pistoleta me të cilën u ekzekutua i riu.
Nga Elvis Myrta
Policia dhe Prokuroria e Elbasanit nuk i mblodhi të gjitha provat materiale në vendin e ngjarjes, ku u ekzekutua në një atentat mafioz, 39-vjeçari Emiljano Ramazani. Gazeta “Fjala” ka siguruar një foto, ku edhe pse kishin kaluar 24 orë nga ekzekutimi i të riut, poshtë pallatit ku ai banonte, mes njollave të gjakut dhe xhamave të thyer, ishte edhe një gëzhojë.
Edhe pse pas atentatit të së hënës në “qytetin e luleve” zbarkoi e gjithë kupola e shtetit, që nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, e deri tek drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, si dhe drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, syrit të hetuesve i shpëtoi kjo gëzhojë që dyshohet se ka dalë nga pistoleta me të cilin u ekzekutua 39-vjeçari.
Gazeta “Fjala” ka siguruar foton e gëzhojës së “harruar” nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes, ku 39-vjeçari Emiljano Ramazani u ekzekutua me 5 plumba pistolete nga një person i maskuar. Policia ka shkuar sërish mëngjesin e djeshëm në vendngjarje, ku ka bërë të mundur edhe sekuestrimin e gëzhojës, rreth 24 orë pas atentatit.
Gazeta “Fjala”, përmes burimeve të saj policore, ka mësuar se Ramazani u ekzekutua poshtë banesës së tij, në një hark kohor prej 30 sekondash. Sipas pamjeve të sigurisë, të sekuestruara nga policia, rezulton se gjatë kohës që Ramazani po parkonte automjetin e tij tip “Ford Focus”, poshtë banesës së tij, i është afruar një automjet tip Volkswagen.
Brenda tij ndodheshin 3 persona. Njëri prej tyre ka zbritur nga automjeti, ku mbante në dorë një armë tip pistoletë. Autori u afrua drejt Ramazanit që po parkonte makinën dhe qëlloi 5 herë drejt tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Për ngjarjen e rëndë deri tani nuk ka asnjë të arrestuar, ndëkohë që policia ka shoqëruar në komisariat 20 persona për t’u marrë në pyetje dhe për të mësuar rreth personave që mund të kenë pasur ndonjë konflikt me Ramazanin. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autorët mund ta kenë mbajtur në vëzhgim viktimën, duke studiuar të gjitha lëvizjet e tij.
Mësohet se përpara ekezkutimit ai kishte qenë në një palestër që ndodhet në lagjen “Beqir Dardha”. Dyshohet se autorët kanë ndjekur prej kohësh të gjitha lëvizjet e tij dhe pasditen e së hënës, rreth orës 16:30, e pritën poshtë shtëpisë, kur po kthehej nga palestra dhe po parkonte makinën duke e qëlluar 5 herë për vdekje.
Autorët, të cilët sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ishin tre, pasi kanë qëlluar dhe kanë lënë të vdekur në vend Ramazanin, janë larguar me shpejtësi, në drejtim të aksit rrugor Bradashesh-Papër. Fill pas ngjarjes, në fshatin Vidhas të Elbasanit, pranë një ullishteje, autorët dogjën makinën që përdorën në ngjarjen e djeshme.
Mjeti që u gjet i djegur në ullishte, në fshatin Vidhas, është tip “Volkswagen” me targa AA 819 KX. Sipas policisë, targat e mjetit janë të vjedhura në kryeqytet, pasi ato kanë qenë të denoncuara në Komisariatin e Policisë nr. 2 në Tiranë.
Pas gjetjes së makinës, policia për kapjen e autorëve ngriti pika kontrolli në aksin rrugor Elbasan-Rrogozhinë, Elbasan-Tiranë e Elbasan-Belsh”, nga ku dyshohet se mund të jenë larguar atentatorët.
Grupi hetimor po punon në dy pista për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Pista kryesore është prishja e pazareve të drogës, pasi në të shkuarën viktima është arrestuar disa herë dhe është dënuar, pasi është kapur me heroinë e kokainë.
Gjithashtu, nuk ngelet pas as pista e përplasjes mes bandave kriminale që operojnë në qytetin e Elbasanit, pasi policia ka dyshime se 39-vjeçari ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale në këtë qytet dhe ishte pjesë e një grupi të fuqishëm kriminal në Elbasan. 39-vjeçari ishte një emër i njohur edhe për policinë e Elbasanit, pasi ishte arrestuar tri herë për trafik droge.
Për herë të parë ai u arrestua nga policia në vitin 2012, së bashku me 5 persona të tjerë. Në atë kohë policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në sajë të operacionit të koduar “Tabakane 2”, vuri në pranga 6 persona dhe shpalli në kërkim 4 të tjerë. Në atë kohë viktima e djeshme, bashkë me pjesëtarët e tjerë të këtij grupi, u akuzuan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar kokainë, heroinë dhe kanabis.
Në atë kohë policia tha se kishte goditur një organizatë kriminale. Prej disa muajsh Emiljano Ramazani dhe pjesëtarët e tjerë të kësaj organizate ishin mbajtur nën vëzhgim dhe ndaj tyre organet e hetimit kishin dokumentuar prova të shumta që i implikonin këta persona në aktivitet kriminal.
Herën e dytë ai u arrestua në vitin 2017 së bashku me një tjetër person, pasi iu gjet kokainë në makinë. Asokohe Ramazanit iu gjetën 10 doza kokainë, 50000 lekë dhe 14 aparate celularësh.
la.mi/Fjala.al