Aktorja e teatrit “Petro Marko” do të prezantojë së shpejti për publikun e gjerë projektin që duket se mund të hapë një faqe të re në historinë e filmit të animuar shqiptar. Me target kryesor fëmijët, në mënyrë që të njihen me folklorin e vendit, Thomaraj po punon intensivisht për një sërë filmash të këtillë.
Nga Alessia Selimi
Vëllezër viganë që dashurohen marrëzisht me nimfën Osume. Një urrejtje e furishme e perëndisë… Dy trupa që kthehen në male. E tillë është legjenda e Tomorrit dhe Shpiragut. Figuracioni, metafora, hiperbola, janë të pandara prej saj. Dhe në vepër artistike, jo vetëm kjo legjendë, por edhe shumë të tjera, do të shfaqen për fëmijët në ekran.
Filmi i animuar
Filmi i parë i animuar shqiptar daton në vitin 1975. Nga ajo kohë, shumëçka ka ndryshuar. Prodhimtaria e pakët dhe bashkëpunimi i munguar i institucioneve me krijuesit shqiptarë për këtë gjini filmi, ka nxitur prirjen drejt huazimeve të produkteve jo vendase, shpesh problematike. Dhe fëmijët, të cilët janë si sfungjeri dhe mësojnë duke vëzhguar gjithçka rreth tyre, u cenohet frikshëm formimi. Për më tepër, nuk pikasen asgjëkund ura lidhëse me të shkuarën.
Eliona Thomaraj, aktore në teatrin “Petro Marko”, ka marrë përsipër ta ndryshojë këtë realitet të vrazhdë, duke risjellë zhanrin e animacionit të shkrirë me folklorin e vendit. Por si është shenjuar ideja e risjelljes së filmave të animuar me fabul legjendat shqiptare, dhe çka i parashtrohet si sfidëaktores Thomaraj?
“Lindi fare spontanisht, duke biseduar me miq që janë të gjithë nga rrethi i artit. Ndër to, Blendi Gërcaliu, piktor animator i ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”, u bë shtysë, teksa diskutonte për paralizën e krijuar në fushën e animacionit dhe regresit të pësuar që nga vitet ‘90”, tregon Thomaraj për gazeta “Fjala”, së cilës i pikaset një entuziazëm thuajse fëminor.
“Ndërkohë, fëmijët tanë janë të detyruar të shohin produkte të huaja nëpër televizione, internet, libra e revista. Kultura e një vendi është folklori i tij dhe ne kemi një thesar folklorik të ruajtur dhe të përcjellë brez pas brezi, të pacënuar nga huazime apo tjetërsime”, vijon aktorja, duke nënvizuar se ishte pikërisht tradita e ardhur deri në brezin e saj në formën e përrallave që e ka frymëzuar në mbledhjen e legjendave shqiptare për t’i përjetësuar, ruajtur dhe ofruar gjeneratës së re me shije dhe art.
Kjo grua, e cila nuk ka shumë që është bërë vetë nënë e një djali të vogël, ka përzgjedhur fillimisht t’i japë formë dhe karakter të animuar legjendës së kishës Shna’ Ndojt në Laç dhe legjendës së malit Tomorr dhe Shpirag. Thomarajt i pëlqen shumë të flasë për to, dhe instiktivisht komunikon edhe me gjymtyrë, jo vetëm me sy të shndritshëm. Hera herës të lë mendosh se po përjeton një kthim pas në kohë, si të ish një dëshmitare e Shën Vlashit të vrarë nga Agrikola, sundimtari pagan i Sebates (Laçi i sotëm), si dhe vëllezërve viganë që dashurohen me nimfën Osume dhe luftojnë për të duke u goditur me shpata e topuze, deri në çastin kur kthehen në male nga zemërimi i perëndisë.
“Ky projekt më ka marrë 3 vjet për t’u realizuar dhe i kam humbur llogaritë për sa i takon kostove të deritanishme. Jemi një grup profesionistësh që po punojmë për të çarë rrethin e ngushtë të mediokritetit, duke u sakrifikuar të gjithë nëpër dy punë. Fatkeqësisht, vetëm kështu mund të ndjekim ëndrrën tonë”, thotë aktorja duke iu referuar konkretisht filmave të animuar “Legjenda e vendit t’shenjtë” dhe “Legjenda e vlla’maleve”.
Vështirësitë
Sikundër kuptohet, vështirësitë për realizimin e tyre kanë qenë të shumta dhe të ndryshme, përfshirë këtu sigurimin e një konsulence historike, studioje filmike, rekuizitën dhe kostumet e kohës në të cilën ndodh historia, si dhe fondet e minimizuara për vizatimet nga piktorëkornizë pas kornize.
“Gjatë kohës së projektit patëm edhe një ndërprerje të punës, pasi unë mbeta shtatzënë dhe mund ta ndiqja procesin artistik deri në muajin e shtatë të shtatzënisë. Kur u riktheva pas lindjes, një pjesëtar i grupit filmik u largua jashtë vendit. Kjo solli një tjetër ngërç, deri sa u zëvendësua. Si për të mos mjaftuar, u bllokuam prej pandemisë Covid-19 deri në muajin maj, dhe kështu u zvarrit e tërë puna”, thotë Thomaraj, e cila aktualisht ndodhet në proçesin e montazhit, duke shijuar frytet e para të punës dhe mundit disa vjeçar.
Në festivalin e filmit të animuar “Rozafest” që do të organizohet në Velipojë në muajin gusht, ajo ka si objektiv të jetë pjesë me filmin “Legjenda e vendit t’shenjtë”. Thomaraj është e qartë në atë çka kërkon.
“Ky projekt mendoj se do të ndryshojë mendësinë se filmi i animuar shqiptar nuk është në nivelin e kohës, si dhe do të frenojë orientimin drejt huazimeve të programeve apo filmave të ndryshëm për fëmijë. E dyta, ky film do të jetë i pari në llojin e tij si “film familjar”. Legjendat shpesh herë kanë nevojë për shpjegimin përkatës, prandaj do të këshillohet që të ndiqet nga fëmijët nën prezencën e prindërve”, thotë ajo.
Legjendat janë lloji i veprës artistike ku figuracioni, metafora dhe hiperbola janë pjesë të qenësishme për të shpjeguar veprimin apo karakterin e heroit. Dihet që ato ruajnë një pjesë vërtetësie brenda saj, ndonëse populli i ka gërshetuar vargjet apo thëniet me surealen. “Pikërisht për këtë ndërthurje të së vërtetës me thrillin, duhet prania e prindit”, thekson Thomaraj.
Teksa beson se do të hapë një faqe të re në historinë e filmit të animuar shqiptar, shprehet se kjo eksperiencë e parë e ka mësuar shumë rreth kësaj bote, dhe se jo më kot synon të realizojë në një të ardhme një film të animuar serial “Zanat dhe Muji”.
“Kjo mbetet një ëndërr pasi gjithçka varet nga buxheti i cili duhet siguruar paraprakisht, për të shmangur kësisoj surpriza të pakëndshme gjatë procesit krijues dhe realizues.”
Përtej…
Thomaraj e fillon ditën duke luajtur me të birin veçse 2 vjeç, për të rendur në mesditë drejt zyrave të filmit, nga ku shkëputet gjatë orëve të vona të mbrëmjes. Vogëlushin e gjen thuajse gjithmonë në gjumë. Kështu përmallohet, teksa paralelisht kërkon kurajo. Mendon se sipërmarrja do t’i shërbejë së pari atij, por edhe miqve që do ta rrethojnë ndër vite. Dhe ditët kalojnë, njëra pas tjetrës, në botën e kreshnikëve dhe të vegjëlve, mes pasionit dhe dashurisë.
Shna’Ndoj
Legjenda që u kthye në film
“Legjenda e vendit t’shenjtë” flet për historinë e Shën Vlashit në vitin 365, kur u mbyt i gjallë me gurë nga Agrikola, sundimtari pagan i Sebastes. Martirizimi i Vlashit bëri që ai vend të shenjtërohej nga vendasit ndër shekuj. Historia vazhdon në 1211, kur disa murgjër të urdhrit françeskan donin të ndërtonin një kishë në Sebaste (Laçi ). Veglat fluturonin natën e shkonin mbi shpellën ku u martirizua Vlashi. Kur populli dhe murgjit u hasën me këtë mrekulli, vendosën ta ndërtojnë kishën atje ku ndodhet edhe sot e kësaj dite kisha e Shna’Ndojt.
/En.Br./Fjala.al