Përparim Kabo: Komunizmi nuk është rrëzuar ende në Shqipëri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Profesori dhe filozofi i njohur, Përparim Kabo, analizon sjelljen sociologjike të shoqërisë shqiptare në këto 30 vjet pas rrëzimit të komunizmit. Në një intervistë në emisionin “HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU” për grupin mediatik “Fjala,” Kabo thotë se vërtet është ndryshuar sistemi, por jo mentaliteti komunist. Sipas tij, kjo vlen për të gjithë politikën, por edhe për të gjithë shoqërinë. Kabo analizon sjelljen e politikanëve, qeverisjen e PS-së dhe mënyrën se si bën opozitë PD-ja. Si po e menaxhon situatën e pandemisë qeveria, përse artistët nuk kanë të drejtë për ndalimin e muzikës dhe mungesën e higjienës së shoqërisë.

 

Roland Qafoku

 

Në dhjetor Shqipëria mbush 30 vjet nga rrëzimi i komunizmit, por a është rrëzuar komunizmi në mentalitetin shqiptar? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep profesori dhe filozofi, Pëparim Kabo, i njohur edhe si një nga intelektualët më aktivë shqiptarë në vitet e fundit. Në emisionin “HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU”, Kabo bën një analizë të detajuar të problemeve shoqërore të shoqërisë sonë. Mes shumë prej tyre, si më kryesorin ai veçon se në Shqipëri komunizmi nuk është rrëzuar ende. Kabo tha se në vendin tonë është ndryshuar sistemi, por jo mentaliteti komunist që pas vitit 1990 ekziston me dy breza që e kanë jetuar kohën e komunizmit.

Kabo dha përgjigje edhe për shumë tema të tjera, ku më sensitivja është menaxhimi i pandemisë së koronavirusit. Për Kabon, mbyllja e popullsisë u menaxhua mirë, por hapja është një thyerje e pastër e të gjithë rregullave. Mendon se artistët ishin fajtorë që qeveria u detyrua të ndalojë muzikën pas orës 20:00, ndonëse qeveria, sipas tij, e teproi me orarin kaq herët. Për politikën ai ka shumë rezerva dhe hedh akuza të rënda për kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha, dhe i quan fajtorë se çdo gjë e bëjnë për vete dhe jo për systemin.

Është pro listave të hapura dhe për ndalimin e koalicioneve, duke e vlerësuar Edi Ramën, por ama beson shumë se Fatos Nano, Rexhep Meidani dhe të tjerë janë fajtorë që ia lanë atij drejtimin e Partisë Socialiste. Dhe në fund, por jo për nga rëndësia, Kabo ka kritika të forta pse Ministria e Arsimit nuk po merr masa që tani për nisjen e vitit të ri shkollor.

CAMAJ DHE KOLIQI

-Dy figurat, Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, aq të diskutuara ditët e fundit, janë pjesë e studimit tuaj?

-Jo, nuk janë pjesë e këtij studimi, sepse do të dukej sikur unë isha në sinkron me ata që gjurmojnë dosjet personale. Gjithsesi, unë kam bërë prononcim për këtë çështje dhe kam thënë që nuk gjej në asnjë rast që ata të kenë vepruar kundër atdheut, kundër historisë së atdheut, dhe kundër kulturës shqiptare.

-Jeni i bindur për këtë profesor?

-Unë gjykoj nga vepra e tyre e botuar dhe nga vetë veprimtaria e tyre. Nëse ti në kohën e pushtimit italian, gjen rastin që për herë të parë të krijosh trevën që mëson gjuhën shqipe, të shohësh kudo mësues që japin gjuhën shqipe, nuk je kundër atdheut.

-Pa diskutim, kjo është një vepër madhore e tyre, por a e justifikon kjo dhe a e kompenson kjo faktin që Ernest Koliqi ishte një bashkëpunëtor i fashizmit?

-Termi bashkëpunëtor i fashizmit është një term që ha diskutim. Unë kam lexuar në një rast ku Koliqi i bën një lloj vështrimi me aparatin e brendshëm të analizës dhe thotë që kam bërë dhe gabime në jetë. Por po jap një shembull paralel. Po ju tregoj një libër. Ky është njeriu që ka bërë revolucionin më të madh në historinë e njerëzimit. Ka bashkuar artin, fantazinë, inxhinierinë, imagjinatën, dhe studimet e mirëfillta shkencore. Por ka një veçori thotë Isacsoni. E ka pasur mirë me të gjitha pushtetet. Edhe me pushtetin francez pushtues. Tani, të themi nuk bën Leonardo da Vinçi se u bashkua me francezët, kur sulmuan Milanon apo Bolonjën.

-A vlen ky paralelizëm edhe për Ernest Koliqin, i cili thuhet se ka veshur edhe kostumin e fashizmit?

-Unë nuk e mohoj këtë gjë, dhe për momentin ai ka qenë nga ana e gabuar e historisë. Por sot, pasi kanë kaluar 75 vjet që ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore, në gjithë veprën e Ernest Koliqit, këtu do të ndalemi? Qoftë në antikitet, qoftë në të drejtën tonë zakonore thuhet që lajmësi nuk gjykohet. Ai që e solli këtë lajm, bëri dhe interpretim. Për këtë nuk jam dakord.

-Si ka reaguar shtresa e intelektualëve për daljen e këtij studimi?

-Nuk e di, aq sa kam parë në këto rrjetet sociale qëndrimet janë ekstremisht të kundërta. O dashuri e madhe, o urrejtje e madhe. Duhet gjakftohtësi. Por kështu kanë qenë qëndrimet edhe kur u zbulua letra që Ismail Kadareja i drejtonte Enver Hoxhës. Dhe të motrën e bënte të çmendur, ndërsa vetë përgjërohej që po zbatonte detyrat e Partisë. Në jetën e krijuesit ka dhe dritëhije. Duhet t’i pranojmë ashtu siç janë. Vihen në balancë, kontributet dhe gabimet. Nëse gabimet janë identiteti i vërtetë i personit, atëherë ai është një personalitet që nuk i ka dhënë historisë. Nga ana tjetër, është tipikja, themelorja, më e rëndësishmja, atëherë ai vlerësohet për atë që ka bërë mirë për popullin e vet dhe historinë e vendit të tij.

-Jeni duke thënë që Ismail Kadareja, ka dhe ai dritëhijet e veta?

-Po, sigurisht. Ajo letra nuk e nderon.

SIGURIMI APO SOROSI

-Jeni të bindur për atë që thuhet se Camaj dhe Koliqi kanë qenë bashkëpunëtorë të disa shërbimeve sekrete?

-Po çfarë më duhet mua kjo sot? Bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit nuk përjashtohen me ligj nga Parlamenti shqiptar, ju merreni me Martin Camajn. E kuptoni çfarë krimi bëhet? Ka një projektligj në Parlament që drejtuesit e lartë të administratës dhe të Sigurimit të Shtetit të mos përfshihen në politikë. Një ligj që fle në sirtarët e Parlamentit shqiptar. Po sa ka sot që marrin fonde nga Sorosi? Pas 50 vjetësh si do të themi ne? Ata ishin bashkëpunëtorë të George Soros-it. E njeh historia e njerëzimit këtë.

-Nuk është njësoj Sorosi me Sigurimin e Shtetit.

-Po ku e dimë ne. Mund të dalë dhe më i keq.

 

PANDEMIA

-Shoqëria shqiptare si po sillet dhe si po e menaxhon situatën e pandemisë?

-Ka dy qasje. Gjatë kohës së pandemisë dhe në vijim ne zbuluam një element shumë të rëndësishëm që ishte injoruar për këto 30 vjet. Rëndësinë që ka shkenca. Gjatë kohës së mbylljes sjellja qe shembullore. Hapja tregoi që ne jemi të paedukuar me lirinë. Tek antropologjia jonë mungon një parim shumë i rëndësishëm që thotë: Në fillim rregulli, pastaj liria. Ne nuk e duam rregullin dhe jo vetëm në rastin e pandemisë. Në përgjithësi ne nuk e duam rregullin. Nëse hapja do të ishte bërë në bazë të rregullave, atëherë nuk do të rritej infeksioni dhe nuk do të ishim përballë faktit që të hapej dhe një spital tjetër. Këtu nuk duhej të veprohej siç veproi kryeministri ynë, që gjatë mbylljes vuri gjoba dhe për t’u treguar babaxhan i hoqi gjobat, duke turpëruar policinë. Dhe duke bërë një veprim ‘mea kulpa’ kundër ligjit. Ja pra, që erdhi koha që duhen vënë gjoba. Tani si duhet të veprosh?

PËR MJEKËT

-Jeni shprehur për mjekët. Do të doja të na thoshit sot diçka për ta.

-Ne kemi ende mjekë shumë të mirë. Kur them “ende” jam pak skeptik, sepse a do të vazhdojë tradita? Kjo traditë e mjekëve të mirë u krijua që gjatë periudhës së Mbretërisë. Një pjesë studiuan jashtë dhe erdhën këtu kur Shqipëria ishte me 90% të popullsisë analfabete, ku kishte moçale kudo dhe higjiena linte për të dëshiruar, niveli i zhvillimit ekonomik ishte shumë i ulët, cilësia e ushqimit linte shumë për të dëshiruar. Erdhën lëtu dhe filluan të merreshin me sëmundjet ngjitëse të asaj kohe, që bënin namin në Shqipëri. Ne kishim një Sulçebe që studioi në Austri, pastaj studioi dhe në Harvard dhe erdhi në Shqipëri.

Dhe me t’u hapur Radio Tirana filloi emisionin për të këshilluar nënat e reja se si duhet të silleshin me fëmijët. Ne kishim një profesor Ndroqi, apo një profesor Shiroka. Kjo traditë e mirë vazhdoi edhe në periudhën e diktaturës. Shumë nxënës të tyre morën nga përvoja e tyre, vazhduan punën e tyre dhe u kualifikuan në ato mundësi që u jepte ai sistem, brenda dhe jashtë vendit.

Lexo edhe :  Dy kuvendet në Prishtinë/ Rama këshilla për dialogun, Kurti me tone fushate

Edhe tani kemi mjekë shumë të mirë. Dhe një pjesë të tyre unë i kam miq intelektualë. Nëse do një nefrolog ai është Alketa Koroshi. Këshilla për ne se si të sillemi me shëndetin personal dhe shëndetin publik. Nëse flas për Edvin Priftin e kam mik intelektual. Ai është kardiokirurg, por ka studiuar dhe për molekulën, ADN-në, ka kualifikime në Kanada. Nëse flas për Silva Binon, unë nuk e njoh sot.

E njoh të paktën që nga viti 1992. Dhe e kam njohur në historitë personale. Kur Silva Bino merret nga OBSH-ja dhe kontrollon të tëra qendrat sanitare në kufirin hungarez, në kohën kur ajo duhet të shprehej se a i plotëson kushtet Hungaria për t’u pranuar në BE. Atëherë ky është një personalitet i OBSH-së. Është edhe profesor Tritan Kalo. Të cilin unë e kam mik familjeje. Mjekët duhen respektuar.

SULMET NDAJ SILVA BINOS

-Me një gjuhë gjithë mllef është sulmuar doktoresha Silva Bino. Çfarë është kjo?

Është mungesë edukate dhe janë pasione të verbra. E para ajo është një grua që e ka mbrojtur doktoraturën në Londër.

Nuk është argument fjala “kot”, por shpeshherë njerëzit, të nervozuar, mendojnë se po të sulmojnë një njeri që nuk e ka atë lloj edukate, shprehin atë dufin që kanë brenda vetes së tyre. Unë do të sugjeroja që nëse do të kenë një hall dhe një nevojë për t’iu drejtuar një infeksionisti, qoftë dhe në Institutin e Shëndetit Publik, le të trokasin në derën e saj.

Ajo është një grua që bredh në gjithë Shqipërinë dhe, më fal, se nuk është etike, por do ta them, dhe iu mban erë gjithë feçeve të Shipërisë. E kam pyetur një herë Binon si është ngarkesa bakteriale në Shqipëri? Më mirë të mos e dish më tha. Ka zbuluar një bakter në një zonë, nuk po e përmend që nuk njihej në literaturë nga organet kompetente, duke i vënë si emër emrin e saj.

-Ky ishte bakter që u zbulua për herë të parë?

-E zbuloi për herë të parë.

 

KOMUNIZMI

-Kalojmë te kjo pandemia e dytë që është më e keqe se e para. Pandemia e krizës politike në Shqipëri. Si ka mundësi që në 30 vite pas rrëzimit të komunizmit, politika shqiptare ka një titull: Nga kriza vijmë, në krizë shkojmë.

-Do ta pranoja pyetjen tuaj vetëm me një korrektim: Nuk është rrëzuar komunizmi. Ka rënë sistemi, por nuk ka rënë mentaliteti. Dhe kjo njihet në antropologjinë historike, si inercia. Dhe e di pse vjen? Sepse ka një formulë në antropologji, që është (3×25) + (2×25). 25 vjet është koha e një brezi antropologjik. Tre breza jetojnë bashkë. Ne sa kemi kaluar 30 vjeçarin e parë që mendohet të krijohet brezi i parë i sistemit demokratik. Po dy brezat e tjerë i ke nga e kaluara.

-Do të thotë që ne vazhdojmë akoma në komunizëm?

-Mentaliteti po. Shiko sjelljen.

Për Ramën e Bashën

-Ne kemi dy liderë të brezit të dytë. Edi Rama dhe Lulzim Basha që kanë zëvendësuar Fatos Nanon dhe Sali Berishën. Si ka mundësi që kemi të njëjtat fenomene, të njëjtën mënyrë sjellje, të njëjtin autoritarizëm. Ne thoshim: Të ikë Nano dhe Berisha dhe do shpëtojë Shqipëria. Në fakt, Shqipëria nuk shpëtoi.

-Ishte gabim i rëndë ajo që thoshim ne ashtu. Sepse ne e lidhim zhvillimin e vendit me individin. Kjo është antropologjia feudale. Turma dhe prijësi. Ne duhet të thoshim: Të ndërtohet autoriteti i institucioneve. Ja të bëjmë një analizë bashkë, anatomike. Cilat janë autoritetet prezente në realitetin vendimmarrës shqiptar?

Nuk është autoriteti i ligjit. Nuk është autoriteti i institucioneve. Nuk është autoriteti i ndërgjegjes demokratike. Ligji është kthyer në një autoritet absurd. Nëse një mjek gabon, dhe shkel ligjin shkon në burg. Nëse një ushtarak gabon dhe shkel ligjin, shkon në burg. Nëse një jurist gabon dhe shkel ligjin, nuk shkon në burg. Ja pra, që autoriteti i ligjit nuk është në interes të shoqërisë. Ata të parët shkojnë në burg, këta nuk kanë shkuar akoma në burg. Kur të shkojnë këta në burg, atëherë fillon rënia e autoritarizmit.

-A ka bërë mirë Fatos Nano që u tërhoq nga politika dhe pas kaq viteve nuk mund të themi më “lideri historik Fatos Nano”, pasi Edi Rama ka më shumë kohë si kryetar i PS-së.

-Që dha dorëheqjen kur humbi zgjedhjet, bëri mirë. Por qoftë ai, qoftë profesor Rexhep Mejdani, qoftë i ndjeri Moikom Zeqo, qoftë Maqo Lakrori, qoftë Luan Hajdaraga, qoftë Arta Dade, qoftë Ermelinda Meksi kanë faj që e lanë PS-në në duart e Edi Ramës.

 

LISTAT E HAPURA

-Profesor, në debatin e fundit për listat e hapura, cili është mendimi juaj?

-Unë nuk votoj me lista të mbyllura. Është atentat kundër demokracisë. Çdo zgjedhës delegon sovranitetin dhe kërkon të ndërtojë një marrëveshje besimi me atë që merr përsipër të mbrojë sovranitetin e zgjedhësve.

-Jeni duke thënë që, nëse janë listat e mbyllura, ju nuk do të shkoni në votim?

-Unë do të shkoj në votim, por nuk do të votoj për njeri. Respektoj ritualin, por nuk mund të votoj për kryetarin e partisë.

-Rama po i hap listat, por po ndalon koalicionet.

-Partneri ynë kryesor kërkon lista të hapura. Lista të hapura, do të thotë dosje të hapura të personit.

-Po ndalimi i koalicioneve?

-Mirë është. Ne kemi disa parti të vogla inekzistente, që nuk e kalojnë dot pragun. Nga një anë thonë që është opozita e bashkuar, nga ana tjetër programin s’e paskan të bashkuar.

 

NDALIMI I MUZIKËS

-Çfarë mendimi keni për ndalimin e muzikës në lokalet e natës pas orës 20:00?

-Pas orës 20:00 më duket pak e hershme si orë, sepse atëherë sa ka perënduar dhe dielli. Po ato në orët e vona… Ata bënë atentat vetë, sepse shteti ua hapi, ata nuk respektuan rregullat. Pamë pamjet televizive. Ngjitur me njëri-tjetrin, pa maska, shërbimi pa doreza, pa gjë… Si, të përhapet infeksioni se duam të argëtojmë ne. Kudo duhet të ketë rregull. Rregullin ata e shkelën. Mendoj që duhet fillimisht t’u vendosin një gjobë. Nëse dhe gjoba nuk bën efekt, atëherë mund t’i mbyllnin. Kjo është e keqja që ne kalojmë në ekstrem.

-Bënë gabim që protestuan?

-E drejta e protestës është e drejta e cilitdo. S’kam ndonjë vërejtje për protestën.

 

PROPOZIMI PËR DEPUTET

-E vlerësoni faktin që PD-ja ka nisur një diskutim masiv, ku 80% e anëtarësisë janë ata që propozojnë kandidatët për deputet dhe 20% e ka kryesia?

-Unë mendoj se është një gjë e mirë. Këtë duhet ta bëjnë të gjitha partitë politike. Në fund të fundit, deputeti dhe pushteti që ai ka është pushtet i zgjedhësit. Pa të njohur ai zgjedhës, t’i imponohesh. Pastaj vjen e sillesh jo si ai që ke marrë përsipër të sakrifikohesh, por sillesh si një njeri që bën komandën dhe merresh me interesat e tua.

-Mos më thoni që ju kanë propozuar edhe juve për deputet.

-Unë propozime kam pasur historikisht nga të gjitha partitë, por unë e kam zgjidhur çështjen time.

-Domethënë ju kanë propozuar për PD-në?

-Ka pasur edhe nga PD-ja, edhe nga LSI-ja, edhe nga FRPD-ja, edhe nga PS-ja.

-Po tani që PD-ja po përzgjedh emrat, ju kanë propozuar?

-Po, ka pasur një zonë që ka dashur, andej nga kam origjinën.

-Nga cila zonë?

-Po unë jam djalë nga Bregu i Detit.

-Cili fshat aty, konkretisht?

-Ato janë me zona elektorale, nuk janë me fshatra. Po unë e shoh veten time në politikë si një njeri të akademizmit universitar dhe të kërkimeve shkencore. Puna ime është e programuar dhe pas 20 vjetësh. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Shifra marramendëse! Njihuni me qytetin më të pasur në botë

New York është shpallur qyteti më i pasur në botë, duke lënë pas metropolet e njohura si Parisi, Singapori...

Anita Haradinaj bën rrëfimin prekës: Përjetova tri aborte, mjeku më tha se duhej të…

Anita Muçaj-Haradinaj ishte e ftuar në podkastin e Orinda Hutës, “Mam”, kësaj radhe për të mos folur vetëm për profesionin e saj si gazetare,...

Ekzekutohet me breshëri plumbash reperi i njohur (Emri)

Ditën e sotme në Norrköping të Suedisë është ekzekutuar me breshëri plumbash reperi 23-vjeçar, Gaboro. Videoja që qarkullon në mediat sociale, tregon vrasësin që del...

A besoni se administrata Trump do t’i heqë Berishës ‘non grata-n’?/ Si përgjigjet Këlliçi

Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së PD-së, tha se ‘non grata’ për Sali Berishën do të hiqet nga administrata e re amerikane e Donald...

Donald Trump/ Bomba megaton, do të kërkojë 5% të PBB-së nga vendet anëtare të NATO-s

Donald Trump do të kërkojë që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së së tyre. Në të njëjtën kohë,...

Lajme të tjera

Web TV