Mjekja neuropediatre: “Sindroma e kokës së sheshtë” te fëmijët e porsalindur, ja si ta trajtoni

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ina Allkanjari

Të kujdesesh për një fëmijë të porsalindur është kënaqësi dhe lodhje më vete. Gjëja e parë që prindërit e rinj dhe të afërmit e tyre janë të interesuar teksa mësojnë për fëmijën, lidhet me gjatësinë dhe peshën që ai ka. Pak njerëz e dinë që gjithashtu një rëndësi të madhe ka perimetri i kokës së të porsalindurit. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, mjekja neuropediatre, Migena Kika, flet për “sindromën e kokës së sheshtë” te fëmijët. Sipas mjekes, shpeshherë një i porsalindur mund të ketë një formë të kokës jo të zakonshme, e cila në gjuhën mjekësore njihet si plagiocephali. Kika tregon se Plagiocephalia mund të jetë kongenitale, pra prezente që në lindje ose e fituar, që zhvillohet më vonë, pas lindjes. Mjekja neuropediatre ndalet te shkaqet që bëjnë që këta fëmijë të kenë këtë problem, teksa tregon mënyrën e duhur të trajtimit në raste të tilla.

Shpeshherë një i porsalindur mund të ketë një formë të kokës jo të zakonshme. Përse ndodh kjo, doktoreshë?

Nëse kockat e kafkës së kokës së bebit janë të sheshuara nga njëra anë si në pjesën e pasme, ashtu dhe në të përparmen, atëherë kemi plagiocephali . Plagiocephalia mund të jetë kongenitale, pra prezente që në lindje ose e fituar, që zhvillohet më vonë, pas lindjes (plagiocephali pozicionale ose deformuese). Plagiocephalia pozicionale zakonisht nuk jep komplikacione të rënda apo shqetësime. Por nëse kemi të bëjmë me plagiocephali kongenitale, që shkaktohet nga craniosynostosis (kockat e kafkës janë të ngjitura njëra me tjetrën), atëherë, nëse nuk trajtohet, mund të kemi komplikacione të rënda që përfshijnë:

-Deformime të rënda dhe permanente të kokës

-Rritje të presionit brenda kokës

-Konvulsione

-Vonesa të zhvillimit etj.

Çfarë është plagiocephalia e pozicionit?

Plagiocephali të pozicionit ose deformuese kemi atëherë kur bebi ka një pjesë të sheshtë që duket si e shtypur në njërën anë të kokës, ose në gjithë pjesën mbrapa të kokës. Ndodh kur bebi fle në të njëjtin pozicion në pjesën më të madhe të kohës. Në pjesën më të madhe të rasteve ky është një pozicion i detyruar nga problemet me muskujt e qafës, p.sh. në rastin e torticollis; që bëjnë që koka kur bebi fle apo rri shtrirë, të vendoset në njërën anë dhe të sheshohet ana që rri shtypur.

Plagiocephalia deformuese quhet ndryshe dhe “sindroma e kokës së sheshtë”. Plagiocephalia deformuese ndryshon nga ajo kongenitale (e lindur). Në rastin e fundit kemi praninë e craniosynostosis, gjatë së cilës kockat e kafkës së bebes janë të ngjitura bashkë përpara, pasi ato në fakt duhet të ngjiteshin normalisht. Në rastin e plagiocephalisë deformuese nuk kemi ngjitje të kockave të kokës.

Çfarë e shkakton plagiocephalinë deformuese/të pozicionit?

Kur koka e bebes qëndron në të njëjtin pozicion për një periudhë të gjatë kohe, kockat e kafkës sheshohen. Ndonjëherë ndodh që bebi të lindë me kokë të sheshtë në njërën pjesë si pasojë e hapësirës së ngushtë në mitrën e nënës. Ky rrezik rritet nëse kemi shtatzëni binjake apo dhe multiple. Faktorë të tjerë që mund të çojnë në plagiocephalinë deformuese janë:

-Torticollis muscular

Torticollis muskular është prezent që në lindje. Në këtë rast një ose më shumë muskuj të qafës janë spastikë (të fortë). Kjo bën që koka e bebit të jetë e fiksuar në të njëjtën anë.

-Prematuriteti

Kockat e kafkës së një bebeje premature janë më të buta. Pjesa më e madhe e bebeve të lindura prematurë qëndrojnë një kohë të gjatë në spital, me frymëmarrje të drejtuar dhe kokën në të njëjtin pozicion.

-Fjetja në kurriz

Bebet që flenë në kurriz ose në karrige makinash, pa ndryshuar pozicion për një kohë të gjatë, mund të kenë sindromën e kokës së sheshtë. Por, sigurisht, duhet thënë që fjetja në kurriz është domosdoshmëri për të parandaluar sindromën e vdekjes së papritur te bebet (SIDS).

Lexo edhe :  Inteligjenca artificiale mund t’i identifikojë gratë që rrezikohen nga kanceri në gji

Cilët janë faktorët e rrezikut për plagiocephali?

-Fëmija i parë në radhë;

-Meshkujt;

-Fëmijët që kanë lindur me ndihmën e instrumenteve, si forcepsi dhe vakuumi.

Cilat janë simptomat e plagiocephalisë?

Shenjat mund të mos jenë të dukshme që në lindje. Problemi mund të bëhet i dukshëm muajt e parë të jetës. Simptomat përfshijnë shenjat më poshtë:

-Sheshim i njërës anë në pjesën e prapme të kokës, disa herë e gjithë pjesa e prapme

-Po në atë anë veshët janë të zhvendosura përpara

-Koka e kthyer nga njëra anë

-Balli në anën e prekur është i dalë para

-Mund të jenë prezente anomalite faciale

-Në rastin e plagiocephalisë kongenitale simptomat përfshijnë mungesën apo fryrjen e fontaneles anteriore te bebi, suturat e prekura kanë anë të ashpra, anomali faciale, enë gjaku të dukshme në kafkën e kokës, konvulsione, të vjella, kequshqyerje etj.

Për sa i përket diagnostimit, duhet të flisni me pediatrin apo neuropediatrin, për të vlerësuar nëse gjendja është shkaktuar nga pozicioni i kokës së fëmijës apo kemi të bëjmë me craniosynostosis.

Në raste të tilla, cili është trajtimi që këshilloni?

Nëse bebi ka mbushur 6 javë dhe përsëri ju jeni të shqetësuar për formën e kokës së bebit tuaj, ose kur vini re se bebi e kthen kokën vetëm në një anë, atëherë drejtojuni pediatrit të konsultorit. Trajtimi do të varet nga simptomat e bebit, gjendja e përgjithshme dhe mosha. Trajtimi përfshin: ndryshimin e pozicionit në të cilën fle bebi, duke e kthyer kokën kur fle në anën e kundërt të problemit (terapia e ripozicionimit).

Bebi duhet të kalojë sa më shumë kohë kur është zgjuar i shtrirë në bark dhe sa më pak kohë në karrige, lëkundëse apo me mjete të tjera për bebet. Mund të përmirësojë situatën dhe fizioterapia për të promovuar zhvillimin simetrik të muskujve të qafës dhe të trungut.

Të rejat e trajtimit janë dhe disa kapuçë korrektues specifikë, që bebi duhet të mbajë në kohën kur vendoset në karrige apo mjete të tjera, por jo gjatë gjumit (head repositioning beanies) që gjenden on line apo dhe jastëkë specifikë që shiten on line. Mirë është që këto të përdoren menjëherë pas javës së 6 të jetës, nëse vihet re plagiocephalia.

Nëse problemi është i moderuar apo i rëndë dhe plagiocephalia nuk rregullohet kur bebi ka arritur 6 muaj apo pak më gjatë me këto mjete si më sipër, atëherë rekomandohet mbajtja e një helmete kraniale ortotike. Këto prodhohen posaçërisht sipas formës së kokës së bebit dhe janë të individualizuara. Në rastet më të rënda apo të craniosynostosis rekomandohet dhe kirurgjia.

Si mund të bëhet parandalimi i deformimeve të kokës?

Me pak kujdes nga ana e nënës apo personit që kujdeset për bebin, këto deformime mund të parandalohen lehtë. Koka e bebit duhet të mbahet në pozicione të ndryshme, kur bebi është në gjumë ose zgjuar sidomos 6 javët e para të jetës.

Gjatë gjumit bebet duhet gjithnjë të vihen të flenë në kurrizin e tyre ose anash dhe asnjëherë përmbys. Kjo ul ndjeshëm vdekjet nga sindromi i vdekjes së papritur të bebeve (SIDS). Vendoseni kokën e bebit anash në të djathtë për një pjesë të kohës së gjumit dhe anash në të majtë për pjesën tjetër. Vendoseni beben herë nga njëra anë e herë nga ana tjetër e krevatit të tij, ose lëvizeni krevatin në pozicione të ndryshme nëpër dhomë. Kjo do të bëjë që bebja të shikojë objekte të ndryshme duke e stimuluar të lëvizë kokën në drejtime të ndryshme. /Ra.My.Fjala.al/

 

 

 

Të fundit

Këto simptoma tregojnë se trupi është i ndotur me toksina

Ne përballemi me një ngarkesë toksike në trup, e cila vjen përmes ushqimit, pijeve, lëkurës dhe ajrit që thithim,...

Në ditën e saj të lindjes, Ardit Gjebrea falënderon vjehrrit për “dhuratën”

“Ka Një Mesazh Për Ty” nisi dhe vazhdoi me shumë dashuri me historinë e Esmeraldës dhe Manushaqes, nuse e vjehrrë që kanë një lidhje...

Mbi 48 mijë objekte pasuri kulturore në Shqipëri

Në Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, listohen si pasuri kulturore materiale dhe jo materiale të Shqipërisë mbi 48.000 objekte. Vetëm në 2024 këtij regjistri...

Shqiptarët po udhëtojnë më shumë, 7.9 milionë dalje gjatë 2024-ës

Shqiptarët po udhëtojnë më shumë. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se përgjatë vitit 2024 flukset dalëse janë shtuar me 14% në krahasim me...

Rriten shpenzimet për dëmet që shkaktohen nga aksidentet

“Rritja vjetore prej 30% e numrit të aksidenteve rrugore në vitin 2024 ka shtuar shpenzimet totale të kompanive të sigurimeve për dëmet materiale dhe...

Lajme të tjera

Web TV