Një formë e re e koronavirusit është në qarkullim, virusi ka pësuar mutacion dhe po shkakton më pak vdekje. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, mjeku i njohur Ilir Alimehmeti, jep disa lajme të mira për COVID-19. Sipas tij, duke iu referuar një studimi, po qarkullon forma e re e koronavirusit (G614), i cili është më i transmetueshëm, por më pak vdekjeprurës.
Nga Ina Allkanjari
“Forma G614 ishte e qartë që transmetohet më gjerë dhe është përgjegjëse për shumicën dërrmuese të rasteve në nivel botëror, por shumë u çoroditën nga vdekjet (e shprehura në shifra absolute) që po shtoheshin.
Në fakt, ky shtim ndodhi kryesisht nga dy faktorë: numri më i lartë i të infektuarve (në fakt numri relativ i vdekjeve ka rënë, OBSH-ja tani deklaron se IFR = 0,6%) dhe nga heqja e masave shtypëse në shumicën e shteteve. Por vetë virusi po shkakton më pak klinikë dhe vdekje dhe kjo vërehet edhe nga ky studim elitar, i publikuar pak ditë më parë.” – shprehet Alimehmeti.
Mjeku shkruan se që më datë 27 maj filluan raportimet për fenomenin e homoplazisë që po ndodhte në këtë virus dhe që do të çonte drejt “zbutjes së tij” dhe “përshtatjes bartës-virus”.
Mjeku thekson se vetë virusi po shkakton më pak klinikë dhe vdekje dhe kjo vërehet edhe nga ky studim elitar, i publikuar pak ditë më parë. “Studimi udhëhiqet nga prof. Sandrasegaram Gnanakaran, ndoshta koka më e lartë e virologjisë strukturore dhe është kryer në laboratorët më të mirë të virologjisë.
Në këtë artikull tregohet se struktura e proteinës “spike” të SARS-CoV-2 tashmë ka një konformacion “më të zbuluar” ose “të hapur”. Pra, domeni i lidhjes me receptorin ka dalë më në sipërfaqe.
Ky konformacion më i hapur e bën variantin G614 më të aftë për t’u lidhur me receptorët ACE2, pra ka më shumë raste infektimesh. por më të ndjeshëm ndaj efektit të antitrupave që mund ta neutralizojnë atë, duke ulur klinikën dhe vdekshmërinë”, shkruan mjeku Alimehmeti teksa thekson se natyra ka qenë gjithmonë aleati ynë më i fortë!
Ministria e Shëndetësisë: 112 pacientë të hospitalizuar, 6 humbje jete në 24 orë
“Respektoni rregullat e higjienës, vendosje e detyrueshme e maskës në ambientet e mbyllura dhe respektoni distancimin fizik”. Ky është apeli i Ministrisë së Shëndetësisë, teksa deklaron se vijon shtimi i numrit të rasteve të reja të identifikuara me COVID-19 në vend. Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 561 testime për të dyshuar të prekur nga COVID-19, nga të cilat 136 persona janë konfirmuar të prekur nga virusi. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 66 raste në Tiranë, 13 në Krujë, 11 në Shkodër, 8 në Patos, 7 në Vlorë, 6 në Kavajë, nga 4 raste Kuçovë, Fier, nga 2 raste Berat, Librazhd, Kamëz, Gjirokastër, Sarandë, nga 1 rast Durrës, Mirditë, Mat, Roskovec, Malësi e Madhe, Peqin, Gramsh.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 74 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3342, që nga fillimi i pandemisë. Mjekët e familjes në të gjithë vendin po monitorojnë çdo ditë mbi 1 mijë persona aktivë me COVID-19, që janë në banesë. Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 112 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 18 pacientë janë në terapi intensive, 3 prej të cilëve të intubuar. Mësohet se në të dy spitalet Covid, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me COVID-19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse.
Fatkeqësisht, bëhet me dije se gjatë 24-orëve të fundit kanë ndërruar jetë prej koronavirusit 6 qytetarë. Konkretisht ka ndërruar jetë artisti 53-vjeçar nga Tirana, Arben Bajo. Gjithashtu, bëhet me dije se në dy spitalet Covid nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 61-vjeçar nga Tirana, një 62-vjeçar nga Durrësi, një 76-vjeçar nga Tirana, një 77-vjeçar nga Pogradeci, një 87-vjeçare nga Shkodra. Nisur nga fakti se janë vënë re raste të shtuara që lidhen me grumbullime në ceremoni festive apo mortore, Ministria e Shëndetësisë rikujton qytetarët se ndalohen të gjitha grumbullimet, pasi janë burim i përhapjes së infeksionit, duke vënë në rrezik shëndetin tuaj dhe të afërmve tuaj.
Mjeku infeksionist Tritan Kalo
Nëpërmjet një postimi në mediat sociale, mjeku infeksionist Tritan Kalo kërkon nga qytetarët që të vijojnë të kujdesen dhe të respektojnë masat në luftën kundër COVID-19. Teksa bën apel për mbajtjen e maskave, ruajtjen e largësisë fizike dhe higjienës personale dhe kolektive, Kalo sjell në vëmendje një problem tjetër. Duke qenë se ai është mjek infeksionist, bën thirrje për dezinfektim të vendeve publike në qytet, në të cilat rriten insekte që shkaktojnë probleme te qytetarët.
“U bënë muaj e vite që rrugët, sheshet, rrugicat, pastaj pallatet, buzë Lana e mjediset poshtë urave të saj, nuk e kanë parë dorën e Bashkisë apo të autoriteteve të tjera të ngarkuara, me higjienizimin e tyre”, shkruan Kalo, teksa kërkon ndihmë në këtë drejtim që t’ia dalim mbanë në këtë betejë. Sipas Kalos, duhet një dezinfektim real, pasi është një aleat i fuqishëm në sfidën kundër Sars-Cov2.
“Dezinfektimi real dhe jo ai “filmiko-propagandistik” është domosdoshmëri, dhe ai është aleati ynë i plotfuqishëm edhe në sfidën ndaj “flamës mbarëbotërore” të COVID-19. Jemi qytetarë dhe duhet të trajtohemi si të tillë. Jemi shqiptarë dhe duhet ta ndiemë veten të respektuar dhe të dëgjuar në vendin tonë”, shkruan Kalo.
COVID-19 – Statistika (9 gusht 2020)
Testime totale 45942
Raste pozitive 6411
Raste të shëruara 3342
Raste aktive 2870
Humbje jete 199
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 1589
Durrës 361
Shkodër 249
Fier 116
Vlorë 110
Kukës 94
Lezhë 92
Korçë 82
Elbasan 66
Berat 45
Dibër 35
Gjirokastër 31