Përballja e veçantë e vitit 2021 mes opozitës dhe mazhorancës për çështjen ‘pushteti’. Rruga nga duhet të kalojë opozita dhe reformimin që duhet ta nisë nga vetja.
A mjafton vetëm afrimi i kritikëve dhe hapja me bazën? Krijimi i frymës dhe programet e detajuara, si dy shtylla ku opozita duhet të mbahet. Rruga me pengesa që opozita duhet të kalojë për pushtetin
Nga Sebi Alla
Në godinën që dikur ziente nga mijëra oficerë që u përgatitën për luftë, por kurrë nuk bënë luftë, përveçse në imagjinatë, sot ndodhen zyrat qendrore të Partisë Demokratike. Aty në SHQUP (Ish-Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore), zhvillimet janë me hope, ku tek-tuk ndonjë ditë ka lëvizje që mbajnë era tentativë pushteti, më pas disi heshtje, për të pritur ndoshta shtatorin, në luftën e përhershme.
Viti 2021 është sprova e madhe, por para se të shkohet në kutitë e votimit, opozitës do t’i duhet të kalojë provën me veten, e më pas me publikun që, gjithsesi, pavarësisht zhgënjimit për klasën politike në tërësi, është i etur për të kërkuar ndryshim, por është aq i lodhur sa nuk do të besojë më me sytë mbyllur gjithçka thuhet.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, këtë e di, ndoshta më mirë se kushdo tjetër, pasi shtatë vite opozitë e kanë pjekur mjaftueshëm për të kuptuar se një herë në jetë të vjen rasti të katapultohesh pa shumë mund në elitën drejtuese të pushtetit, por pak herë ta marrësh pushtetin me forcat e tua dhe me shumë mund!
Po a ka ardhur koha që të ketë rotacion dhe Basha nga “qytetar i thjeshtë”, dhe lideri i partisë më të madhe opozitare të bëhet kryeministër, me apo pa koalicione? Po vetë PD-ja, a do të ndahet nga e shkuara e saj qeverisëse me prova dhe jo me ndonjë “ndjesë”, sa për të krijuar një mjegull të lehtë që ikën shpejt?
Faktet deri tani tregojnë se ka një lëvizje për një tjetër riorganizim dhe tërheqje elitash, por edhe ajo që sot shitet si risi, është një taktikë e kahershme që daton në vitin 2004, kur Sali Berisha ftoi miq e armiq politikë, por edhe një brez të ri nën emrin KOP (Komiteti i Orientimit të Politikave). Asokohe ishte një lloj “karremi” i mirë elektoral, por sot, edhe pse ka domosdoshmëri për lëvizje elitash, nuk është e mjaftueshme. Diçka tjetër i kërkohet opozitës.
Llogaritë që duhen bërë nga fillimi
Opozita deri një muaj më parë po bënte disa llogari të thjeshta aritmetike, duke i besuar koalicionit të madh PD, LSI, PDIU, që të tria parti me potencial dhe elektorat, tashmë të sprovuar në tri palë zgjedhje. Edhe kjo llogari i ra, kur në mënyrë të njëanshme u bënë ndryshime kushtetuese të cilat ndalojnë krijimin e koalicioneve parazgjedhore.
Kjo nënkupton se partia e parë që shpallet pas zgjedhjeve ka të drejtën të marrë pushtetin nëse siguron 71 deputetë e vetme, ndërsa do t’i duhet koalicion, nëse nuk e arrin këtë “numër magjik”. Vetë PD-së dhe bllokut opozitar i interesonte të mbante sistemin me koalicione parazgjedhore, pasi kjo formulë do të maksimalizonte vendet e tyre në Parlament.
Opozita ende nuk është dorëzuar përfundimisht nga tentativa për të ruajtur koalicionet parazgjedhore dhe shpreson që të ketë ndikimin e saj në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore që e kaloi me sukses paktin e 5 qershorit të këtij viti, por iu rrëzua më 30 korrik, me ndryshimet kushtetuese.
Në betejën e tryezës opozita nuk mund të mbajë edhe aq shpresë, pavarësisht se kundër ndryshimeve kushtetuese ishte edhe faktori ndërkombëtar. Qoftë edhe në mënyrë të njëanshme, Rama dhe PS-ja i kanë vënë para një fakti të kryer, kur u prek Kushtetuta dhe do të duhet një interpretim i thellë nga “burra mjekërbardhë” të jurisprudencës për t’u dhënë përgjigje shumë pikëpyetjeve kostitucionaliste.
Deri atëherë koha nuk pret. Vendi nuk ka dhe me gjasë nuk do ketë Gjykatë Kushtetuese edhe për një kohë relativisht të gjatë. Opozita thjesht duhet t’i kthejë sytë nga vetja, sidomos PD-ja, e cila në zgjedhjet e vitit të ardhshëm duhet të dalë parti e parë, e më pas të mendojë për koalicionet pazgjedhore me aletatët e saj.
Po çfarë i nevojitet PD-së të besojë më shumë në veten e saj si subjekt dhe më pas të mëtojë marrjen e pushtetit, pa ia lënë në dorë rastësisë? Është e kuptueshme që në fushatën e vitit të ardhshëm opozita do të jetë denocuese ndaj qeverisjes 8-vjeçare të kryeministrit Edi Rama. Fjalët ata janë të këqinj, të korruptuar etj., nuk janë më thelb për të të besuar verbërisht, pasi e shkuara e vetë opozitës kur ishte në pushtet nuk është aq e bardhë…
Program i detajuar
Kryesore është ekonomia! Qytetarët sot enden mes pasigurisë, humbjes së vendeve të punës dhe bllokimit në çdo sektor që ka pësuar goditje, edhe për shkak të pandemisë. Kryedemokrati Basha, por edhe eksponentë të tjerë në PD po artikulojnë premtimin për rikthimin e taksës së sheshtë 9%, duke rrëzuar atë progresive, apo gjysmë e tillë, që është në fuqi prej shtatë vitesh.
Pjesa tjetër e premtimeve ekonomike është ende pa një bazë të fortë programore. Votuesit kërkojnë të binden që për për sektorët kyç, si bujqësia dhe turizmi, do të ketë një tjetër qasje. Jo me fjalë dhe programe në broshura, por të mirëmenduara dhe studiuara; sa do investohet; ku do të sigurohen të ardhurat dhe si do të shpenzohen, në të paktën katër vite të mandatit qeverisës.
Gjithashtu, loja me fjalët: “nuk do ketë më oligarkë dhe PPP” duhet ndryshuar brenda opozitës. Shqipëria është një vend i vogël dhe zullumet që më parë kalojnë gojë më gojë, nuk janë më aq të “liga”, kur dyshimet bëhen fakte, ndaj emrat e “oligarkëve” dinë të futen kudo, në çdo pushtet dhe PD-ja nuk është aq imune në këtë drejtim, në kohën e saj qeverisëse, në vitet 2005-2013.
Gjithashtu, në rastin më të mirë, PD-së, nëse merr pushtetin, do t’i duhet të përballet me situatën e rëndë ekonomike, ku të gjitha parashikimet flasin për një keqësim deri në nivele të frikshme, ndaj çdo premtim është edhe përgjegjësi.
Fryma ende pa frymë…
Ka pushtete që merren me programe, por ka edhe të tjera që të “dhurohen” nga keqeverisja e mëparshme dhe fryma që krijon opozita. Kjo e fundit është më dominante në politikën tonë të këtyre 28 viteve.
Pushtetet nuk janë ndërruar në baza programore apo strategji politike në ndarjen e pastër klasike: të djathtë – të majtë! Fryma e krijuar shpesh ka sjellë ndryshime pushtetesh, por, fatkeqësisht, jo formë qeverisëse. Opozitës do t’i duhet të krijojë frymën e saj, së pari për të tërhequr atë elektorat gri i cili prej të paktën 15 vitesh nuk e gjen veten për të besuar një pushtet që kur është në opozitë premton shumë, por në qeverisje realizon pak dhe, për më tepër përfshihet në afera të cilat nuk e pastrojnë as kur qëndron tetë vite në opozitë.
Vetë PD-së, por edhe LSI-së për tërheqjen e elektoratit gri do t’i duhet të punojë shumë, pasi mjaft nga personazhet publike politike të cilat e përfaqësojnë sot, dikur kanë pasur pushtetin dhe janë përfolur për afera. Këtë pjesë të votës (elektoratin sqimatar) vështirë se do ta gjejë, qoftë edhe nga gropa e thellë që mund të hapë mazhoranca aktuale pas tetë vitesh qeverisjeje dhe një imazhi të shprishur në raport me fjalën korrupsion dhe padrejtësi.
Sytë duhet t’i hedhë tjetërkund, tashmë me një laps të mprehur hollë. Bllokut opozitar i lind nevoja të luftojë në dy fronte; së pari, të sigurojë votën e saj tradicionale dhe, së dyti, të përfitojë nga një tkurrje më se e kuptueshme nga konsumimi i pushtetit nga e majta socialiste.
Ndonëse mund të ngjajë cinike në vetvete, pasojat e tërmetit tragjik të vitit të kaluar, apo edhe pandemia në vijim, janë dy motive që mund të rrëzonin çdo qeveri dhe këtë opozita pritet ta shfrytëzojë.
Plani duket se do të jetë një fushatë denoncuese, duke shkuar zonë më zonë ku qëndrojnë ende në çadra banorët e prekur nga tërmeti. Gjithashtu, edhe premtimet për një “të ardhme më të mirë”, pasi ata të vijnë në pushtet. Sigurisht, mund të gjejnë në këto dy shtylla të fushatës shumë qytetarë që do t’u besojnë, por a u mjafton vetëm kaq? Brenda opozitës shumë personazhe me ndikim e kanë marrë disi lehtë, aq sa ka artikulime gati bombastike që: “nesër, nëse votohet me kod të ndryshuar apo edhe pa koalicione parazgjedhore, fitojmë pushtetin”.
Këtë frymë dhe këtë lehtësi opozita duhet ta heqë, gjithnjë nëse nuk do që të humbë edhe në vitin 2021, çka do të ishte fatale për PD-në, por në vetvete edhe për demokracinë, që mund ta çonte gati në shuarje një forcë politike të ngjizur në rënie të diktaturës dhe rritur në këtë demokraci hibride, ku edhe ajo ka pa diskutim përgjegjësi.
Vetë opozita po bën disa ndryshime, që dikush mund t’i konsiderojë edhe si “kozmetike”, por vlejnë… PD-ja në këtë drejtim po lëviz, duke e nisur nga përzgjedhja e kandidatëve të ardhshëm për deputetë.
Si fillim ishte anëtarësia e saj që përzgjodhi emrat që mendonte se do ta përfaqësonin për deputetë dhe kryetarë bashkish. Janë mbi 3200 të tillë që do të kalojnë në një “fitër vetingu” nga një grup personazhesh me “cen”, duke nisur nga ish-presidenti Bujar Nishani, apo ish-themeluesit e PD-së, Genc Ruli, Besnik Mustafaj, dhe dy nga bota akademike Mark Marku dhe Enriketa Papa.
Qëndrim i qartë për Reformën në Drejtësi
Kjo është pika që deri tani nuk është prekur nga opozita, por nëse kërkon të jetë me një këmbë në oazën pushtet i nevojitet një qëndrim i qartë. Deri më tani ka qenë denoncuese për reformën e re të drejtësisë, duke akuzuar qeverinë Rama se ka kapur çdo qelizë të strukturave të reja.
Reforma në Drejtësi është një investim ndërkombëtar dhe, për këtë arsye, qoftë edhe për imazh, opozita duhet të dalë me një qëndrim të qartë: a do ta mbështesë nesër, kur të jetë në pushtet, apo një reformë e akuzuar prej saj si e “kapur” nga qeveria e sotme, është po aq e lehtë të “kapet” nesër nga qeveria e ardhshme?!
Pa dyshim që reforma vetë ka shumë probleme, duke nisur nga vonesat në krijimin e institucioneve, standardi i dyfishtë në vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe një apati e dukshme nga institucionet e reja, të krijuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në këtë drejtim opozita ka mëkatet e saj që është koha për t’i “larë” tani e në vijim. Në fillim ishte shumë skeptike që në ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, duke zvarritur deri në limite një proces i cili duhet të kishte nisur shumë kohë më parë. Qoftë edhe për imazh PD-ja dhe opozita në tërësi duhet të mbajë një qëndrim të qartë për reformën në drejtësi dhe minimalisht t’i lërë të qetë ndërkombëtarët që po tentojnë të marrin kontrollin e saj në duar.
Por faktori ndërkombëtar politik, veç atij “juridik”, ka edhe më shumë rëndësi… Kreu i PD-së, Lulzim Basha, edhe vetë sot e kupton se djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale ishin dy gabime jo vetëm politike, por edhe historike që çuan në dëmtimin e saj, por edhe të vendit.
Faktori ndërkombëtar nuk e mbështeti në këtë nismë, aq sa nga SHBA-ja erdhi një deklaratë e frikshme që paralajmëroi se nëse opozita do të krijonte trazira në zgjedhjet lokale, atëherë aleati ynë i madh do ta shpallte të jashtëligjshme si subjekt politik. Sot shumëçka ka ndryshuar dhe vetë Basha ka marrë vendin e lënë bosh për më shumë se dy vjet.
Si fillim ishte një lloj faktorizimi me Partitë Popullore Evropiane dhe, mbi të gjitha, me përkrahjen që mori nga një pjesë e Bundestag-ut gjerman. Nga ana tjetër, takimet e shpeshta me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e faktorizuan edhe më shumë Bashën.
Fjalët që të huajt nuk do të donin kurrë më t’i dëgjonin do të jenë: braktisja e zgjedhjeve apo djegie mandatesh të deputetëve. Këtë opozita duket se nuk do ta provojë më kurrë, pasi ky lloj “esktremizmi” nuk e çoi gjëkundi.
Duket se është edhe një mësim për të gjitha opozitat e tjera që do të vijnë, për të mos kaluar në vendime të cilat lënë pasoja. Janë një grumbull faktorësh që mund ta sjellin opozitën në pushtet, por ajo duket e dënuar për të luftuar së pari me veten dhe së dyti me mazhorancën!
la.mi/Fjala.al